28 vite pa ty i shtrenjti im!
Vitet ikën
Shpejtë,
Me ngrica
E me erë,
I mjerë çeli
Trëndafili,
Mbi varrin
Tënd
Të mjerë!
***
Shpirti me kostum
(Tim ati, rrobaqepës).
Gjithë jetën,
Me tegelin e makinës së kohës,
Qepi kostumin e shpirtit të tij,
Duke qërruar sytë e yjeve
E retinën delikate,
Me gjilpërën e hollë
E të padukshme të vuajtjes,
E të mundimit të madh,
Gjakoste duart e dhimbjes,
Pa nxjerë as më të voglin zë,
E para se të vdiste
Ia veshi për provë,
Dhe kur e pa që i rrinte mirë,
I kënaqur,
E nisi shpirtin ndër qiej,
Si t’i jepte tjetër mision,
Ndërsa trupin,
Me fytyrë të qeshur,
E shtriu në arkivolin
E syve tanë të përlotur,
Dhe në dhimbjen tonë.
Dhe nga ajo ditë
Më s’e pamë.
Kam vite që e kërkoj
Nëpër hapësira qiejsh e resh,
Atë shpirt të bukur,
Të veshur me kostum
Si për dhëndërr, dhe s’e gjej.
Mbase shpirtërat e mirë
I merr zoti pranë vetes,
Dhe i bën të padukshëm,
Si dhe vet ai.