“””””””””””””””””””””””””””
Pak, sa pak për te gëzuar një fëmijë..
Ndërsa vitet rrjedhin kujtesa ruan çastet më të bukura, i shpalos ato dhe në fytyrë pikturohet një diell i ndritur, një buzëqeshje e ëmbël.
Kështu ndodh me ne të gjithë si ky kujtim që po e ndaj me ju.
Ishte data 30 dhjetor e vitit 2005.Çdo vit derisa u martova (nëna ime lekun e fatit të fillimvitit na e fshihte në bukëvale ishte traditë e krahinës bukëvalja dhe jo përsheshi si e kanë nga Shqipëria e mesme) edhe këtu në Greqi, duke ruajtur këtë traditë të lashtë, lekun e fshehin në çyrek ose në kek (vasilopita quhet në greqisht) të stolisur me sheqer pudër dhe me zbukurime të ndryshme. E shkruajnë me gërma kafe kanellë pluhur numrin e vitit.
Për vite me rradhe unë, imshoq dhe vajza e madhe e kishim fituar lekun e vitit herë pas here.
Vajza e vogël jo.
Nuk di pse atë ditë pata një shtytje brenda vetes shkoj e porosis një kek në formë bredhi dhe i them shitses: “Dua të di ku do e vendosni lekun e fatit. “E habitur shitsja më hedh një vështrim dhe më thotë: “S’ka kuptim zonjë!”
“Mirë, mirë, i them, do vij pasdite dhe dua të më tregoni se ku e vutë.”
Shkoj pasdite dhe më thotë lekun e keni te numri 1. Pritej viti 2006
E falenderoj dhe kthehem në shtëpi dhe i tregoj planin tim shoqi.
Inës nuk i ka rënë asnjë vit leku i fatit dhe sivjet, me hir a me pahir, do i “bjerë”. Do ja jap unë.
Qeshëm të dy.
Pasi kishim ngrënë drekën e 1 Janarit zura të pres kekun .
E filloj me kjo e Zotit , kjo e shtëpisë… Pastaj i them tim shoqi: “E kujt është kjo?”“Imja”, përgjigjet.
Arrij tek numri 1. “Po kjooooo ?” pyes dhe pres një copë të madhe që të sigurohesha se leku ish aty.
“E Inës”, ma kthen im shoq. Pastaj vazhdoj emrat me rradhë.
Ndërsa vazhdoja të prisja pjesën time një zë feminor ulëriti në kupë të qiellit: “Mua më ra, ja.” Dhe na tregonte monedhën mbështjellë me letër alumini. Nga sytë e saj u derdh një lumë dritash gëzimi. Gëzuam të tërë..
Ina më shumë se çdokush.
Një vit më vonë ajo e fitoi vetë lekun dhe une i tregova sekretin se vjet ja kisha dhënë vetë lekun mes një trilli të pafajshëm.
E befasuar, duke m’i ngulur e hutuar sytë e dhembshur kaltroshë më thotë: “Sa e mençur je, sa mama të mirë kam? Sa?!” Dhe më përqafoi dashurisht..