11.5 C
Tiranë
E premte, 18 Prill 2025

Mimoza Çobo

KOHË TË VËSHTIRA

Jetën shpesh e pyes dhe them me vete,
pse ikën kaq shpejtë,si flladet në heshtje,
dhe pse flokët me nuanca gri m’i ke lyer,
me gjuhën e rinisë zemra flet ngazëllyer.
Dikur buzëqeshjet rridhnin nëpër buzë,
kishte lezet fjala,kur ligjëronte në gjuhë.
Sot njerëzit përshëndeten udhës heshtur,
e mendja shkon mërguar si vjeshtë e tretur.
Dikur kishim pak,por s’mbarohej kurrë,
ziheshim,pajtoheshim,e duheshim shumë,
sot kemi gjithçka,por na mungon dashuria,
se vlerat njerëzore,ka mbytur harbutëria.
Vatrat gjallëronin nga të ëmblat cicërima,
në bahçen e komshiut kalëronte vegjëlia,
bashkë me ujin e burimit,pinim edhe verë,
mjekonim plagët,që na çirrte ndonjë ferrë.
Kopsht i mbyllur me shul,është fqinjësia,
si krua i vulosur,po vdes pa nder burrëria,
ku ka shkuar vallë ndjeshmëria njerëzore,
pse s’reagon,kur qan një zemër fëminore?!
Kur shtratit fle gjumë,sytë e mi rrinë zgjuar,
se dikush këput zambakun e paqes e bënë terror,
mundohem të heq drizat,që shpirtin kanë rrethuar,
dhe shpatën e të ligjve ,të përgjoj çast e orë.

Ti je e tëra e bukur,o jetë që rrjedh pa hile,

ç’faj ke ti,që njeriu vidhet gjerdheve si skile,

ta pret rrugën me gurë e të vërvit në greminë

dhe pranë varrit të qan,si vëllanë më të mirë

“”””””””””””””””””””””””””

TI JE TEMPULL PËRJETËSIE
Mes mistereve ,nga yjet zbret përherë,
o hyjni pagëzuar në faltoren e yjeve,
aromën femërore shpërndan nëpër erë,
veshur me vellon e gjelbër të pyjeve.
Te ty lulja e jetës,shpirtin e brishtë ushqen,
o hyjni e pagëzuar në burime e kroje,
në buzët e tua, eliksirin e dashurisë gjen,
ai burrë, që di të thith të ëmblën hoje.
Te ty pi gjak embrioni,që do lindi nesër,
me guximin e marrë nga ty,o grua,
esencën e jetës ,buzës do ketë patjetër,
se ti e ushqen me dashuritë e tua!
Kush futet në gjirin tënd, të bëj kujdes,
se edhe nën mish ka filiza të pa çelur,
kush fle në gjirin tënd,i mbetet në kujtesë,
ëmbëlsia që la asaj lugine, pa mbledhur.
PRUSHI YT DJEG ÇDO BURRË
Për burrin prushi yt është furnaltë , o grua ,
kur ecën sipër thëngjinjve , shkrihet si hekur,
kush të prek ty , nuk mbetet pa ndëshkuar ,
zjarri i puthjes tënde , nuk lë burrë pa djegur .
Se ti ke recetën për dashurinë e munguar ,
recetë që zemra jote e servir me dëshirë ,
nga rrënjët e saj gurgullon limfë e bekuar ,
që ndez pasionet e burrit me tinguj intim .
Livadhit gjethehënë frymon për të ,o grua ,
kur sulet si dreri i etur në brigjet e ijeve ,
të njomë shtjekëzat e buzëve me nektarin huall ,
që pluskon nën cipën e hollë të hireve .
Netëve plapurit krahët e djalërisë gazmuar ,
sipër lëkurës tënde , fle e zgjohet i dehur ,
se aty fryjnë fllade ,që s’lënë plagë pa mjekuar ,
aty ngryset burrë e gdhihet foshnje etur .
Se ti mbrëmjeve mbjell farën e dashurisë ,
muzgjeve e spërkat , me eliksirin e shpirtit ,
s’lë të vdesin ditët e bekuara të Perëndisë ,
pa pirë kupën e lumturisë që mbajnë gjirit .
Për burrin prushi yt është furnaltë , o grua ,
kur ecën sipër thëngjinjve , shkrihet si hekur,
kush të prek ty , nuk mbetet pa ndëshkuar ,
zjarri i puthjes tënde , nuk lë burrë pa djegur .

©copyright reserved Mimoza Çobo

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.