SHOQATA LETRARE-ARTISTIKE PRINC MUZAKA.
NJË POETESHË ME PËRMASA GJENIALE..
Vullnet Mato- shkrimtar, “Personalitet i shquar”
Gjenialiteti i saj nuk është një shprehje formale, por vlerësim i menduar mirë, me dëshmi reale, e cila bëhet plotësisht e besueshme, pasi të kesh lexuar nga faqja e parë, deri tek e fundit, vëllimin voluminoz,”Ah,sikur ta dije !”, shkruar nga pena e artë e Safos lirike shqiptare, Mimoza Çobo.
Epiteti “Safo shqiptare” i përdorur prej meje edhe më parë, për këtë autore me talent të spikatur, gjen mishërimin e plotë, në ketë botim të ndritshëm, me lumineshencë drite të bardhë, në pjesën më të madhe të poezive të këtij vëllimi poetik.
Ndonëse Safoja, mbretëresha e poezisë lirike greke e lashtësisë, i këndoi dashurisë para dymijë vjetësh dhe Mimoza myzeqare i këndon sot, kur sillen rreth globit një varg satelitësh, që përhapin mendimet e freskëta të njerëzimit, këto dy gra poetesha, i krahasoj me njëra tjetrën, pasi kanë të përbashkët në poezi, shpalosjen e ndjenjës drithëruese të zemrës, aq bukur e me aq ëmbëlsi, sa krijojnë emocione të forta tek lexuesit e të gjitha kohërave. Sepse dashuria është një ndjenjë e pandryshueshme, që nuk vjetrohet kurrë, për aq kohë sa të dashuruarit trokasin në zemrat e njëri-tjetrit, për të krijuar vijimësinë e jetës së brezave njerëzorë.
Ky vëllim poetik, është një kënaqësi e veçantë estetike për lexuesit e artit poetik dhe një arritje cilësore e poezisë shqiptare, pas daljes nga censura e realizmit socialist dhe autocensura personale e çdo krijuesi, në kushtet e shprehjes së lirë të mendimeve dhe ideve artistike.
Mimoza Çobo zotëron dhuntinë magjike, për të hyrë mjeshtërisht në atomet dhe molekulat ndjesive njerëzore, sidomos në ato sfera të imta të botës femërore, ku zor se mund të operojmë me penën tonë, ne poetët e gjinisë tjetër.
Ja disa shembuj:
“Ti s’e di se bëhem afsh, kur vij drejt teje, / drejt perandorisë tënde të mishtë, /më shtyn një drithërimë brenda meje, /më rrëmben rrëkeza jote e fildishtë. /Nëse sheh shkëndijë vetëtime së largu /dhe dritë-hija e saj të lidh me ëmbëlsi,/ dije se jam unë, cigania e përflakur,/ si gonxhja e prushtë e qymyrit të zi.”
Ja një tjetër:
“Lermë të zbres trupit, pash më pash, /ah, me eliksirin e gjirit, duke të ëmbëlsuar,/buzëve të kyçura t’u çel gazin, avash, avash;/ Pastaj prehrit të të shpupuris ashtu si dua!/ Se shpirti yt është krijuar për mua,/pas çdo dridhje ndijore, flijohem unë,/kur emrin tim, belbëzojnë buzët e tua,/ kurvicka mërzi ikën, e s’të lë pa gjumë.”
Dhe një tjetër:
“S’bëj aspak mëkat, nëse të puth, pa shkak, /në vendet, ku një femër shkrihet gjatë,/ ku qelizë e dashurisë ushqehet me gjak,/ku forca e gravitetit pafundësisht zgjat.”/ Poshtë kurorës së tij, me qiell kaltëruar,/sipër afshit të gruas, është ndezur burri,/ pasi ka shuar etjen me sisën qumështuar,/ka pirë hojen e pyllit dhe i ka qeshur nuri.”
Dhe një e tretë:
“Sa gra rrisin në mitër, farën e shenjtë,/ kur butësisht, si vel ranor i mbështjell,/ sa vajza, farën tënde e shkulin shpejt,/ kur ti egërsisht në mitër, ua mbjell?!…/ Bukuria e një gruaje s’shijohet kurrë,/ pa pirë burimin e buzëve të saj,/ pa drithërimën kur e prek një burrë,/ pa fëshfërimën që i rrjedh nën fustan.”/Rrënjë dashurie, dua në vdeksha, / të më mbijnë gjirit gjer në eshtra, / pranë teje engjëll në u kthefsha,/ zemrën mbuloma me gjineshtra.”
Fantazia dhe formati i gjenialitetit poetik të artistes së fjalës artistike, Mimoza Çobo, arrin shpesh në hapësira dhe përmasa, që të mahnitin e të lënë pa fjalë. Duke na bërë të mendojmë, si është mundur të rrokë dhe alternojë në vargje ngjarje aktuale jetësore, ndjesi njerëzore, me ndijime e perceptime të gjithanshme, me një figuracion kaq të pasur në funksion të idesë, e me një lakonizëm dhe elokuencë të beftë nga strofa në strofë.
“Te ty pi gjak embrioni, që do lindi nesër,/ me guximin e marrë nga ty, o grua, / esencën e jetës, buzës do ketë patjetër,/ se ti e ushqen me ndjesitë e tua! /“Kush futet në gjirin tënd, të bëj kujdes, / se edhe nën mish, ka filiza të pa çelur, / kush fle në gjirin tënd, i mbetet në kujtesë, /ëmbëlsia që la asaj lugine, pa mbledhur./ Ndihem keq që s’e njohe mirë,/gonxhen e kuqe të gjakut tim,/ndaj dashuria ishte e vështirë, /përrua ngricë edhe zhgënjim.” Lira e shpirtit nisi më këndoi,/ si Orfeu me të ëmblin zë,/
dhe përmbi tela një re gjëmoi, / një meneadë që terrin pas e lë…”
“M’i fike në sy, agimet femërore,/yjet e shpirtit m’i shove me radhë,/fishke oazin, me fjollë brymore,/ fluturën e dashurisë, ma le pa krahë.”
Kjo poeteshe fenomenale, na sjell në këtë poezi drithërimat e ndjenjave me tinguj hyjnor që lindin nga trupi magjik i femrës, gjatë aktit të shenjtë të dashurisë, duke i përshkruar ato me një bukuri vargjesh të mahnitshëm;
“Nga kodrat mishtore, që rrinë kërthizës kurorë,/ të zbresë orteku i puthjeve mbi vithe avash, / të ndjellë një fëshfërimë me tinguj hyjnorë,/ duke rrëzuar pendë të lagura me afsh.”
Në fund të fundit nuk është aspak tabu, të përshkruash bukurinë të këtyre çasteve të magjishme, të dehjes nga puthjet e dashurisë, por për ta bërë këtë artistikisht duhet një pene jo vetëm e guximshme, por edhe shumë e perfeksionuar në përshkrimin e poetik të ndjesive te holla që u lindin të dashuruarve.
“E ndiej zemrën, tek thyhet në kristale, / ku thyhen mijëra petale, pa frymë,/ oksigjen më s’kanë arteriet koronare,/ kroi të gjaktë mugullon vetëm brymë.”/ Kur buza jote puthëron mekur, /gjirin ma kafshon një ulërimë, /se klithmës së mjerimit janë tretur, /sytë e tu blu, në dëshpërim.”
/Si mund ta shpërfill zjarrin femëror, një burrë,/ kur flaka e saj bredh, si gjarpër nëpër trup,/ si mund të ketë në vend të zemrës, një copë gur,/
kur zjarri femëror djeg e përvëlon aq shumë!”
Erotika e konfiguruar me mjete të fuqishme stilistike, të bën të mendosh, se kjo poeteshe tejet e talentuar, vështron imtësisht me anën e syve ndjesorë, në të gjitha linjat, ku shpirti njerëzor jehon simfoninë e mishtë, që lidh çdo burrë e grua. Dhe ja një krijim tjetër poetik, i përshkrimit liriko-anatomik, me drithërima të trupit elektrik, siç e quan poeti i madh amerikan Wollt Witman, trupin njerëzor, të përshkruar prej tij, si një instrument muzikor elektrik. Por strofa e kësaj poezie kërkojnë studim, jo thjeshtë lexim:
“Kur të puth një burrë, të djeg me frymë,/ulërima drithmore ngrihen nga zjarri,/por kur gjinjtë rrëzojnë dimrat me brymë,/ti grua ndizesh e digjesh si fije bari./ Se kur flaka ndizet, lë gjurmë në lëkurë,/ cipën e kofshëve, djeg gonxhja me prush,/mes ekstazës i thua; ti je parajsë, o burrë!/E natyrshëm rrjedh ujëvarë mbi gushë. “
Autorja Çobo, duke operuar në poezi edhe me vëzhgimin e saj kritik ndaj fenomeneve negative te jetës, nuk le pa përmendur edhe tradhtinë bashkëshortore, apo mashtrimet mashkullore ndaj femrave që bien viktima nga naiviteti ose sinqeriteti i tyre:
“Me kurmin tim, bëre ashtu si deshe, /me kofshët e mia, si ujk u përleshe, /pasi shtype gjithë frutat pa shkak,/zbrite mbi vithe, i etur për gjak. /Dhe thithe gjak, me epsh shtazarak,/thundrën ngule në himenin mishtak,/folenë pjellore trondite në bërthamë,/
fekondove vezoren, me të pabesin tharmë.”
Nga sa u tha më lart, del se kemi të bëjmë me një fenomen femëror në gjininë e poetikës artistike shqiptare, për të cilën e ardhmja do të flasë me tonalitet të fuqishëm. Ky botim dëshmon, më së miri, se kjo poeteshe e spikatur në krijimin e poezive të tematikës së dashurisë, me gjuhë mjaft tërheqëse për të rinjtë, po arrin kulmet mjeshtërisë së saj. Është kënaqësi e veçantë dhe e këndshme të lexosh vargjet e saj magjik. Shprehem kësisoj, pasi kam mendimin, se kjo përmbledhje voluminoze, do të befasojë dhe entuziazmojë këdo që do ta marrë në dorë.
Vullnet Mato- shkrimtar, “Personalitet i shquar”