22.5 C
Tiranë
E premte, 18 Korrik 2025

MIQ NË RINI DHE NË PLEQËRI!…

Dr.

Shefki Hysa
Global Peace Library

of DMPP

MIQ NË RINI DHE NË PLEQËRI!…
Fragment nga kujtimet e mija ” Me Dritëroin dhe pa Dritëroin”.
Marrë nga përmbledhja “Ky është Dritëroi im”, me kujtimet e miqve dhe të njohurve të Dritëro Agollit, botuar nga e bija Elona Agolli.
– Më jep diçka nga krijimet e tua! – më kthjelloi zëri i tij.
E mblodha veten dhe i zgjata tregimin “Shokët”, që përshkruante atmosferën e punës me karakteret epike të manovratorëve të makinerive gjingade që punonin ditë e natë dhe ndërtonin liqenet artificiale, ujëmbledhësit e mëdhenj, siç i quaja unë, midis kodrave e maleve; ku fushat zgjasnin duart dhe pinin ujë për të shuar etjen dhe për të ushqyer pjellorinë e tyre.
Dritëroi e lexoi me një frymë.
– Tjetër?! – ndjeva zërin e tij.
– I zgjata tregimin “Një djalë në kujtesën time”.
Ndërsa Dritëroi e lexonte, unë, gjithë emocion, përfytyroja dashurinë e pashprehur të gjimnazistes, vajzës më bukuroshe të fshatit në rrëzë kodrave, midis të cilave ndërtohej një liqen i mrekullueshëm. Ishte një dashuri sa platonike dhe e fshehur e e vajzës gjimnaziste për heroin romantik, atë djaloshin e shkathët manovrator, me të cilin u njoh në një mbrëmje vallëzimi.
Vajza merrte shpesh shoqet dhe shkonte andej nga kantjeri i liqenit ku punohej ditë e natë dhe ndiqte pas e larg lëvizjet gjëmuese të atyre makinerive gjigande që përmbysnin kodra e male. Shihte plot mall se si djali i ëndrrave të saj manovronte ata gjingandë që shembnin kodra e male dheu e lartësonin diga e ndërtonin burimet e ujit të jetës dhe pjellorisë së fushave.
E shihte plot dashuri e dhimbje dhe asnjëherë nuk e pati kurajën t’ia shprehte ndjenjat vajzërore djalit.
Dhe kjo dashuri e parealizuar, të cilën në mendimet e asaj vajze e përshkruaja si lulet që lulëzojnë e rrëzohen thellë një pylli të dendur, pa u vënë re nga sytë e askujt, ishte një cikël jete sa rrezatues dhe i bukur dhe njëherësh i paarritshëm, si një ëndërr!…
Djali një ditë largohet drejt një kantjeri tjetër dhe vajza vazhdon të ushqehet me kujtimet e dashurisë së parrëfyer dhe me shpresën se dikur ai djalë do të rikthehet i malluar drejt saj…
Dritëroi ma ktheu tregimin dhe pasi u çua në këmbë më tha ta ndiqja.
U çova dhe e ndoqa i hutuar.
Nga leximi që mundohesha t’i bëja fytyrës e tij sa hyjnore dhe enigmatike nuk po arrija të kuptoja asgjë.
Dolëm në korridor dhe hymë në zyrën e talenteve të reja që drejtohej nga shkrimtari Teodor Laço.
Dritëroi, pasi shtërngoi dorën miqësisht me të, iu drejtua me vështrim të qeshur nga unë:
– Teodor, Djaloshi është nga Konispoli. Është talent i rrallë. Lexova dy tregime nga krijimtaria e tij. Mendoj se ia vlejnë për antologjinë me tregimet e të rinjve që po përgatisim për shtyp.
Teodori shtatlartë e thinjosh më përgëzoi dhe më ftoi të zija vend në një karrige, ndërsa përcolli Dritëroin.
Edhe ai u hodhi një sy tregimeve dhe nga mimika e fytyrës kuptova se i pëlqyen shumë.
Më kërkoi një tregim tjetër.
I zgjata tregimin Lirika, një rrëfim poetik për odisenë e një njohjeje të dy të rinjve në plazhin e Durrësit.
Teodori pasi e lexoi m’u drejtua gjithë kënaqësi.
– Krijime të rralla, jashtëzakonisht të bukura!… Është fat për ty që i pëlqyen Dritëroit!… Besoj se tashmë i ke hyrë në zemër… Dhe po hyre në zemrën e Dritëroit, nuk del lehtë andej… Dije mirë, tani e tuje je miku i tij. Dhe si i tillë ke për detyrë të shkruash jo vepra, po kryevepra letrare që të mos e zhgënjesh kurrë. Dhe unë mendoj se ke brumë prej shkrimtari e nuk do ta zhgënjesh as atë e as mua. Se tani je dhe miku im, jo vetëm i Dritëroit… Urime!…
U ngrita dhe gjithë emocion e përqafova Teodorin, aqsa ai mbeti i shtangur duarhapur nga reagimi im i beftë.
Pastaj qeshi dhe duke më marrë kokën nën sqetull me një gjest tejet atëror, shqiptoi i prekur:
– Ti vetëm shkruaj tregime të bukura se Dritëroin dhe mua do na kesh në krahë, si mbrojtësit e tu.
E mblodha veten, nga ai shpërthim emocionesh dhe u riktheva tek ajo pamje serioze e përjeshme që më shoqëron edhe në gjumë.
E falenderova Teodorin, i shtërngova dorën, duke patur parasysh pamjen mitike të prijësit hyjnor Dritëro Agolli, dhe u nisa drejt daljes.
– Do jemi në kontakt për gjithçka! – ndjeva zërin e Teodorit pas shpine, zë që çuditërisht më jehonte si i Dritëroit.
Disa javë më vonë, një të diel, aty nga mesdita, isha duke pirë kafe te lokali i “Hotel Butrinti”, në qytetin e Sarandës, kur m’u afrua dikush nga shokët e mi e më tha:
– Sot, aty rreth orës gjashtë të mëngjesit, teksa dëgjoja lajmet te Radio Tirana, te minutazhi i shtypit të ditës sikur dëgjova të përmendej emri yt për një tregim të botuar në Gazetën “Drita”. Nuk e di në është e vërtetë apo më bënë veshët?!…
Nuk prita më gjatë, por nxitova në librarinë më të afërt dhe kërkova Gazetën “Drita”. E shfletova nxitimthi dhe aty nga mezi i faqeve, ku botohej letërsia, tregimi dhe poezia, më zuri syri të botuar në plot dy faqe “Lirika”.
Ishte tregimi im, një nga krijimet më poetike për dashurinë platonike.
U trondita i tëri.
Drita ishte organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe aty botoheshin vetëm tregimet më të mira të ajkës së shkrimtarëve shqiptarë.
Ato ditë më ra në dorë dhe Antologjia “Ata që kemi pranë”, me tregimet e 25 prozatërëve të rinj, emrat e të cilëve ishin rreshtuar në kapakun ngjyrë qielli në të gjelbër, si ngjyra e shpresës që ushqen njeriu te e ardhmja.
U mrekullova… Unë dhe katër autorë të tjerë kishim nga dy tregime.
Në atë libër shprese dhe jete më ishin botuar tregimet: “Shokët” dhe “Një dalë në kujtesën time”…
Tanimë më ishte forcuar parandjenja se në jetën time pa hapej një kapitull i ri. Diku në horizont shihja të konturohej një botë e re, bota e ëndrrave të mia që po bëheshin si pakuptuar realitet…
Në një nga ato ditë kur po jetoja si në qiellin e shtatë me parafytyrimet e së nesërmes sime, sado që Dajua, të afërmit, miqtë dhe shokët talleshin me delirin tim (i besonin më shumë kiametit, se sa ndryshimit të së ardhmes sime me atë biografi të keqe që kisha), u nisa herët për në Tiranë.
Doja ta takoja përsëri dhe ta falenderoja me gjithë zemër “Engjëllin” e jetës sime, Dritëro Agollin.
Unë isha pasardhës, si nga babai dhe nga nëna, i dy gjyshërve që kishin qenë fetarë, hoxhë, imamë. Madje gjyshi nga mamaja, Mehmet Alushi, për shumë vite, kishte qenë dhe Myftiu i Konispolit. Pra, si nip i dy personaliteteve të fesë muslimane shqiptare, i dy hoxhëve, imamëve, dashur padashur, isha rritur me frymën e besimit në një Zot, sadoqë komunizmi e kishte ndaluar që në vitin 1967, duke i nxjerrë jashtë ligjit të gjitha besimet fetare dhe institucionet e tyre si dhe çdo veprimtari që lidhej me fenë. Ashtu si gjyshi, edhe unë besoja në ekzistencën e Zotit, engjëve dhe djajve, paçka se nuk guxoja ta shprehja hapur.
Si njeri që në shpirtin tim e ndieja ekzistencën e Zotit, tashmë po më rrënjosej në mendje dhe ideja se Dritëroi ishte caktuar nga Fuqia Supreme Hyjnore si një nga mbrojtësit e mi, si një nga engjëjt.
Dhe më duhej ta falenderoja patjetër këtë njeri të shenjtë.
Një ditë më vonë, si zakonisht herët në mëngjes, i zura pritë Dritëroit te hyrja e godinës së LSHA.
Ai erdhi fiks në orën tetë pa pesë.
Sa më pa, më përshëndeti i pari me kokë dhe po me lëvizje të buzëqeshur më ftoi ta ndiqja.
Ai u ul në vendin e vet, në tryezën e punës, kurse mua nuk më ulej, rrija përballë tij, në këmbë.
U mata disa herë të nisja ta falenderoja, po nuk po gjeja dot fjalët e duhura.
Ai e pa sikletin tim, qeshi dhe preras më tha:
– Shko e falendero Teodorin, atij i takon falenderimi, se ai merret me talentet e reja.
– Patjetër, – mora zemër, – por sëpari dua t’ju falenderoj juve, Kryetar!…
– Mor, lere Dritëroin dhe qepju Teodorit! – ma preu fjalën.
– Jo, pa ju falenderuiar juve! – e kundërshtova.
– Dëgjo mua, Djalosh, Dritëroin këtu e ke, po mos harro Teodorin…
Mbeta një hop mëdyshas.
Dritëroi qeshi me hutimin tim dhe me dorë më dha shenjë të ulesha.
– Pa ulu, ulu njëherë e më thuaj si i ke punët me ata të partisë në fshat?…
– Keq! – thashë me sinqeritetin më të madh.
– Sa keq?
– Aq keq sa që po të munden më lidhin aty pas kooperativës e nuk më lënë të dal as nga fshati.
Ai buzëqeshi enigmatik, si njeriu që di gjithçka.
– Ishte fat për mua që në vitin 1976, pas përfundimit të shkollës së mesme, u shpik procedura e stazhit dy vjet në prodhim dhe pastaj e drejta për të ndjekur Universitetin, – vazhdova më tej.
Dritëroi më nxiti me kokë.
Mora kurajë dhe zura të rrëfej pa pushuar:
– Mua më caktuan ta bëja stazhin në sektorë të ndryshëm, në Ndërmarrjen e Bonifikimit Sarandë. Punova dy vjet në tunele nga më të vështirat, në ujë gati gjer në brez, si ai në Sasaj e Tatzat… Punova në betonim kanalesh ujitëse, në ngarkim shkarkim çimentoje e sa e sa punë nga më të vështirat dhe meqë nuk ma dhanë të drejtën për të ndjekur Universitetin, mbeta aty në bonifikim dhe vazhdova të punoj kudo që më caktonin.
Ata të fshatit u bënë copë me lloj-lloj mënyrash për të më kthyer në kooperativë, në bujqësi, po ngaqë isha punëtor i dalluar, nuk më lanë drejtuesit e ndërmarrjes të Prapë do i shqetësoj, po më ratë në qafë, u thashë, po ku dëgjonin ata. U zbutën ca, po luftën nuk e pushuan, u bënë më të sofistikuar. U nisnin dhe vazhdojnë t’u nisin letra anonime fshehtas gjithë institucioneve që më vlerësonin për punën e mirë që bëja. U nisin gazetave që botojnë artikujt e mi e kudo…
– Edhe këtu te ne kanë dërguar, – qeshi Dritëroi.
Unë shtanga.
– Mos e prish gjakun, gjëra pa rëndësi, – më qetësoi ai.
Ngrita supet,
– Po kush është e vërteta e biografisë tënde? – pyeti Dritëroi.
– Mund ta vërtetoj edhe me dokumente arkivore që biografia ime nuk është ajo që pretendojnë disa nga komunistët e Organizatës Bazë të Partisë në Shalës të Konispolit, Kryetar… Ata më përshkruajnë me pak fjalë, se kam një xhaxha, Sadedin Hysa, të pushkatuar në vitin 1943 pa gjyq nga partia, se vetë kam mbaruar me nota të mira Shkollën e Mesme Bujqësore të Konispolit, se kam punuar në Ndërmarrjen e Bonifikimit në Sarandë dhe se nuk dihet qëndrimi im aty… Kaq…
– Po e vërteta?! – u bë kurioz Dritëroi.
– Krejt ndryshe. Gjyshi im, Shefki Hoxha, babai i babit tim, Mazarit, ishte atdhetar i madh dhe gjithë pasurinë e përdorte për të mirën e këtij Kombi. Ai financoi klubet e para patriotike dhe shkollat e para në gjuhën shqipe në zonën e Konispolit dhe në Çamëri. Patriotizmi i tij i shtyu turqit në vitin 1910 që të vendosnin për ta arrestuar, mirëpo e njoftuan miqtë dhe u arratis në Amerikë. U kthye në vitin 1914 dhe vazhdoi të financonte si më parë shkollat. Andartët grekë, duke e parë si element të rrezikshëm, i dogjën shtëpinë tre katëshe siç dogjën shumë fshatra në Shqipërinë e Jugut siç dogjën dhe Hormovën e Tepelenës. U shpëtoi dhe grekëve. Më 1920 me shumë patriotë të tjerë, si i famshmi Alush Taka nga Konispoli, financoi luftën e Vlorës kundër italianëve. Më 1924, megjithëse i pasur, u bashkua me Qeverinë e Nolit dhe ishte personalitet që nxiste reformat për t’u hequr një pjesë toke të pasurve dhe për t’ua dhënë fshatarëve. Pas dorëheqjes së Nolit, Qeveria e Ahmet Zogut e përndoqi si kundështar politik dhe e arrestoi bashkë me disa patriotë të tjerë nga zona e Konispolit. Madje për këtë arsye, poeti popullor i zonës, këndonte:
“Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë”…
Zogu i burgosi në burgun famëkeq të Lezhës. Avokatët e udhëzuan të shtirej si person me probleme mendore për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm. U lirua nga burgu në vitin 1936 dhe po atë vit vdiq nga një ftohje e pa shërueshme, si pasojë e kushteve të këqija në qelitë e burgut.
Me vdekjen e gjyshit, pasuritë i administroi burri i hallës sime, Enver Çomo, me origjinë nga Libohova, agronom i fshatit Shalës, se babai, Mazari, ishte i vogël.
Në vitet 1939-45, Enver Çomo doli partizan dhe shtëpia jonë u bë bazë e Luftës Nacional-çlirimtare, pasuritë u shfrytëzuan nga partizanët.
Babai im, pas viteve 1945, u dërgua në shkollë për mësues dhe në vitin 1945 u caktua të jepte mësim në fshatin Kaluth të Përmetit. Më vonë në shumë shkolla të tjera nga Saranda e gjer në Ersekë, ku linda unë, më 20 korrik 1957. Babai ishte modeli i mësuesit. Në vitet 1955-60 u jepte mësim fëmijëve të vllehve, duke ndjekur shtegtimin e tyre baritor: në dimër i kullosnin tufat në malet e Sarandës e në verë në malet e Kolonjës, në Gramos e gjektë.
Në vitin 1960 e pushuan befas nga puna, pa i dhënë asnjë shpjegim apo arsye. Siç dukej u vu në lëvizje mekanizmi i fshehtë i luftës së klasave. Dhe babai im, Mazar Hysa (mbiemrin ia ndërruan me detyrim nga Hoxha në Hysa, nuk dihen arsyet) u sëmur dhe i iku jeta si invalid, derisa vdiq në vitin 1976 nga meraku që nuk u dilte dot për zot as fëmijëve të vet. Dhe ishim pesë fëmijë…
– Asnjë shpjegim nuk i dhanë babait? – u habit Dritëroi.
– Me shkrim, jo!… Me gojë i thoshnin: “Ore, nuk mjafton që të ushqejmë me një copë bukë si invalid?!… Ke harruar se je vëllai i një ballisti të pushkatuar nga partia?!”… Kështu i turreshin me gojë sa herë ai i lodhte me letra, po me shkrim nuk iu përgjigjën kurrë…
– Po e vërteta e atij xhaxhait?!…
– Gjyshi, Shefki Hoxha, ishte martuar dy herë. Kur u nda me gruan e parë, ajo shkoi në fisin e vet, aty në fshat, në Shalës. Mori me vete dhe djalin e saj, Sadedin Hoxha a Hysa, quaje si të duash. Gjyshi u martua me Hava Minxolli, vajza e një nga fiseve më të dëgjuara të Delvinës. Lindi dy fëmijë, hallën dhe babanë tim.
Në vitin 1943, Sadedini fillimisht doli partizan, por dajot e vet ia kthyen mendjen dhe u bashkua për pak kohë me Ballin dhe dihet fundi i tij…
E pushkatuan pa gjyq në spitalin partizan të Theollogos…
– Hmmm!… Viktimë, ky xhaxhai! – ia bëri Dritëroi i menduar.
– Viktimë vërtet, po unë nuk e mohoj faktin e pjesëmarrje së tij me Ballin, – theksova aty për aty, – po ata mohojnë çdo vlerë atdhetare të fisit tim dhe më shpallin mua si të birin e xhaxhait…
– Kësaj i thonë dashakeqësi, sektarizëm!… Kjo është Padrejtësi!… Dhe veprime të tilla i bëjnë ca palo komunistë, duke keqpërdorur emrin e partisë për interesat e tyre, – u nxeh Dritëroi.
Ngrita supet.
– Rri i qetë!… Do ta zgjidhim!… Do të vëmë në lëvizje strukturat e Partisë, Komitetin Qendror, Komitetit e Partisë të Sarandës, komunistët e ndershëm aty në Organizatën Bazë, në Shalës… Ti, rri i qetë!…
Fytyra i ishte skuqur si asnjëherë tjetër dhe ashtu me atë pamje të xhindosur të kujtonte vërtet atë dashin luftarak të baladave, i gatshëm për t’i përdorur brirët e vet edhe kundër ujqërve, vetëm e vetëm për të mbrojtur kopenë dhe stanin e vet.
Dhe u çua befas dhe zuri të vinte rrotull nëpër zyrë me duart e lidhura mbrapa e me trupin e lartë të përkulur paksa përpara, si nga pesha e kokës gjitmonë po me atë pamjen mitike.
Në atë pamje dhe në atë ecejak energjik shpalosej Dritëroi luftarak që pak njerëz e kanë njohur…
Ndaloi papritmas siç dhe e filloi ecejakun dhe m’u drejtua me një ton gati urdhërus:
– Do shkosh në Sarandë dhe do takosh Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë, në emrin tim!
Pa pritur reagimin, Dritëroi iu afrua aparatit telefonik në tryezën e punës, u përkul paksa dhe zuri të shfletonte një libër të vogël me numra telefonash. Pastaj, si u mendua pak filloi rrotullonte disa herë diskun e aparatit duke formuar kështu numrin që donte.
E mbajti një copëherë në vesh dorezën e telefonit, pastaj si u përshëndet me zërin e largët, iu drejtua:
– Miku im, do të dërgoj një djalë, një letrar të ri që e kam shumë për zemër dhe, të lutem prite, dëgjoje dhe ndihmoje!… I talentuar thua?!… Shumë, talent i lindur!… Do ta njohësh dhe vetë… Nga është?… Nga fshatrat e Konispolit e ke… Po,po, këtu e kam, quhet Shefki Hysa… Më dëgjo mua, nuk ka për të të zhgënjyer… Mendoj se do të bëhet një kuadër i vlefshëm për Partinë, por të lutem, ndihmoje!… Nuk e lënë rehat andej nga fshati… Rri i qetë, do të bisedoj dhe me Miti Tonën që të të vijë për mbështetje dhe një Instruktor i Komitetit Qendror të Partisë… Edhe diçka tjetër miku im, me rekomandim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, do të dërgojmë një të drejtë studimi për “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”… Po, po për djaloshin… Po u thuaj dhe atyre të Komitetit Ekzekutiv dhe të Seksionit të Arsimit se mos u shkon në mendje për t’ia dhënë dikujt tjetër… Mos harro se është e përcaktuar për djalin dhe nëse nuk ia jepni atij, dije se do të kthehet mbrapsht… Nuk bëj shaka; është e drejtë studimi e përcaktuar për LSHA, vetëm për talentetet që rekomandojmë ne, kështu që, miku im, gjej mënyrë dhe ndihmoje djalin… E po kështu bëhet dhe puna e Partisë… Dihet, talentet janë pasuri e saj… Po, po, patjetër, do t’ia përcjell të falat dhe Sadijes… Pooo, nëse erdha gjer në Gjirokastër, do shkëputem dhe do vij dhe vetë për të të takuar në Sarandë, ti e di e kam merak vetë… Po dhe ti eja dhe na tako kur vjen në Tiranë… Jo, nuk quhen takimet e shkurta gjatë mbledhjeve në Komitetin Qendror… Të presim, dakord?… Të fala dhe ti…
Unë dëgjoja me vëmendje bisedën e Dritëroit me të Parin e Partisë në Sarandë dhe nuk po u besoja dot veshëve… Më ishte rrënqethur i tërë trupi dhe më dukej vetja si në ëndërr.
Kisha gati dhjetë vjet që luftoja me të gjitha mënyrat për të ardhur në Universitet, qoftë dhe me korrespodencë në një nga degët e Institutit Bujqësor të Kamzës dhe befas dëgjoja Dritëroin që ishte i gatshëm të thyente çdo tabu për të më ndihmuar. Sipas vendimeve ekzistuese, me që unë kisha mbaruar Shkollën e Mesme Bujqësore, kisha të drejtë të studioja vetëm në një nga degët e Institutit Bujqësor, ose për Agronomi, ose Pyjore. Po edhe kjo e drejtë më ishte hequr si fëmijë me cene në biografi…
Përkundër çdo pengese, Dritëroi kishte menduar një drejtim të ri për jetën time. Siç thuhej, duhet të kisha lindur me këmishë që të meritoja një dhuratë kaq të madhe, që ma kishin mohuar prej vite e vitesh…
– Suprizë për ty, besoj?! – mu drejtua Dritëroi, pasi la telefonin.
Mua më ishin mjegulluar sytë dhe në fyt më ishte mbledhur një komb që po ma merrte frymën.
– Partia thotë se duhen ndrequr gabimet për ata që e meritojnë… Dhe mua më del për detyrë të ndreq gabimet në kurriz të talenteve. Janë dhe dy djem të tjerë, Faruk Myrtaj, prozator, dhe Mujo Buçpapaj, poet… Edhe atyre u është bërë padrejtësi dhe po bëj të pamundurën që t’i ndihmoj… Vetëm kështu do ta justifikoj besimin e Partisë, si Kryetar i LSHA, më kupton apo jo? – tha Dritëroi me një vështrim atëror dhe unë ndjeva ngrohtësinë hyjnore të Zotit në atë vështrim kurajëdhënës që nuk e kisha ndier prej vitesh që kur më kishte vdekur babai.
largohesha. Madje meqë kishte nevojë për manovratorë për makineritë e liqeneve, më çuan në kurs dhe më kualifikuan si buldozerist, kështuqë, desha s’desha u ngula përfundimisht në Ndërmarrjen e Bonifikimit.
Në vitet 1979-81 më thirrën në shërbim ushtarak, që e kreva në Regjimentin Kundërajror, të Gjirokastrës.
Pas ushtrisë u ktheva përsëri në Ndërmarrjen e Bonifikimit për t’i shpëtuar përndjekjes së partisë së fshatit…
– Kaq shumë të kanë inat?! – qeshi Dritëroi…
– Inat thua?!… Janë disa komunistë që duan të më hanë edhe të gjallë, po të munden… Aty nga viti 1972, duke përfituar nga paaftësia e babait tim, si invalid, si i sëmurë nuk më lanë të ndiqja as gjimnazin, po më çuan me detyrim në shkollën e mesme bujqësore të Konispolit, me qëllim që të kthehesha e të punoja në fshat…
Në vitin 1976, kur më vdiq babai, nuk lanë as shokët e klasës sime të merrnin pjesë në varrimin e tij… Dhe kjo më mërziti aq shumë sa i shkrova letër shokut Enver Hoxha për padrejtësitë që më bënin.
Letra u kthye në fshat dhe ata më thirrën e disi të trembur zunë e më kërkonin llogari se pse i kisha shqetësuar ata lart.
Dhe për të mos u zgjatur më gjatë, më në fund, me këmbënguljen time gati donkishoteske, si një Xhek London i ri i Sarandës, siç më cilësonin miqtë e mi, vetëkuptohet me mbështetjen sa atërore e hyjnoje të “Engjëllit të Zotit”, Dritëro Agolli, në shtator të vitit 1985 u regjistrova si student i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega “Gjuhë-Letërsi Shqipe”, në Universitetitn e Tiranës.
Kur u largova nga fshati më përcolli heroina ime, mamaja ime, e përlotur dhe Dajua, ende mosbesues, i cili u shpreh:
– Akoma nuk besoj, nëse gjithë kjo është e vërtetë!… Do vij pas tre muajsh të të shtërngoj dorën, po të gjeta në Universitet… Pra, më prit në janar, në Tiranë!
Dhe më ktheu shpinën duke mos më thënë as rrugë të mbarë!
Mora me vete veç dhimbjen, lotët dhe mallin e mamasë.
Dr.

Shefki Hysa
Global Peace Library

of DMPP

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.