*Me heshtjen flas
Në heshtjen e natës pres e pres…
e heshtur, me heshtjen, deri në mëngjes,
në kujtime të bukura…veten humbas…
mes tyre gjej gëzim, buzëqesh e nuk flas.
Para syve familja, album plot ngjyra…
më mbushet shpirti, më çelet fytyra.
Para meje panorama e jetës si në monitor,
them në heshtje…jetën e kemi në dorë.
Vërtet jeta është dhuratë pa çmim,
destinacion me biletë vajtje pa kthim,
por veten vallë, e kemi pyetur ku jemi,
humbemi në “ego” e s’dimë ç’kemi.
Në heshtje me heshtjen flas këtë natë,
rrugëtimi i jetës…i shkurtër, i gjatë….
në kujtime…sa më shumë të gërmosh,
kupton se vetë jeta është si ta jetosh.
Kjo natë më duket e veçantë për çudi,
mbështjellë në heshtje…unë dhe ti,
mbi trupat tanë dashuria si mbulesë,
ëndrrat për jetën, motiv jete, shpresë.
Ngrihem të iki, kujtimet më vijnë pas…
hap dritaren, në heshtje me Hënën flas,
të dyja bisedojmë ashtu siç dime veç ne,
largohemi të dyja…në pritje të ditës së re !
® Mirela Nasi.