Duke pasur parasysh se, me Kushtetutën e vitit 1991 nuk u përfillën të drejtat kolektive të popullit shqiptar në Maqedoni, e cila ka qenë diskriminuese për shqiptarët, si dhe për bashkësitë e tjera etnike pakicë që jetojnë në Maqedoni. Se, edhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, për shumë çështje të karakterit etnik të shqiptarëve kjo Kushtetutë ngeli me mangësi, paqartësi dhe kundërthënie. Nga çështjet kryesore që nuk u zgjidhën deri më sot, edhe përkundër miratimit të 32 amandamenteve kushtetuese, është sidomos çështja e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve, popull shtetëformues. Ju përkujtojmë se kjo e drejtë ka qenë e garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, në zbatim të plotë gati 15 vjet, deri në vitin 1989, kur organi ligjdhënës i sistemit njëpartiak në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë, miratoi amandamnetin famëkeq – Amandamentin 56, me të cilin në formë brutale e abrogoi këtë të drejtë legjitime të popullit shqiptar. Gjithashtu, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përkrah gjuhës maqedonase, nuk është zgjidhur drejtë deri më sot, as me ndryshimet e Kushtetutës së vitit 2001, konkretisht me Amandamentit VIII, as me Ligjin e përdorimit të gjuhëve, të sjellë kohë më parë nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë, me të cilin gjuha shqipe trajtohet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve në vend, jo si gjuhë shqipe, të cilën e flasin banorët shqiptarë në Maqedoni. Njëkohësisht, me Kushtetutën e derisotme nuk është garantuar as e drejta për arsimim në gjuhën amtare në nivel universitar. Edhe shumë çështje të tjera që janë në interes të barazisë kombëtare mes dy popujve shumicë, popullit maqedonas dhe popullit shqiptar, duhet të rregullohen dhe garantohen me Kushtetutë, sipas parimeve demokratike dhe vlerave të qytetërimit perëndimor, në interesa të stabilitetit, paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë. Prandaj, konsiderojmë se çështjet e parashtruara në këtë Kërkesë janë urgjente dhe të domosdoshme të zgjidhen dhe rregullohen me Kushtetutë, për garantimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, në interes të stabilitetit të përhershëm dhe progresit shoqëror në shtetin tonë të përbashkët të Maqedonisë.
Këshilli i Intelektualëve shqiptarë në Maqedoni, duke e shqyrtuar situatën e krijuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Greqinë dhe polarizimet rreth kësaj marrëveshjeje në shtet lidhur me referendumin e 30 shtatorit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, me pranimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila është kusht për integrimet euroatlantike duke e ndryshuar emrin kushtetues të shtetit.
Ne, intelektualët shqiptarë në Maqedoni e përshëndesim nënshkrimin e marrëveshjeve, me Greqinë dhe me Bullgarinë, duke dëshiruar që Maqedonia të nëshkruaj marrëveshje bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe fqinjësie të mirë edhe me shtetet tjera fqinje.
Mbetemi me shpresë se ky proces i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të trashëguara nga e kaluara me fqinjët, në fund duhet të përfundojë edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme në shtet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për ndërtimin e një shteti modern e demokratik, me barazi të plotë qytetare dhe kombëtare në Maqedoni – mes popullit shqiptar dhe popullit maqedonas, si dhe të drejta e barazi të plotë për bashkësitë tjera etnike që jetojnë në këtë shtet.
Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 rezultojnë më të relaksuara se gjatë periudhës së mëparshme, megjithatë, përpjekjet e qeverisë aktuale disi janë të ngadalshme për çështjet e hapura në lidhje me të drejtat kolektive të shqiptarëve, të cilat konsiderojmë se duhet patjetër të zgjidhen.
Qeveria e Maqedonisë është e përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve të saj në lidhje me Marrëveshjen me Greqinë, sidomos përmes referendumit të 30 shtatorit, me këtë të eliminohen pengesat e vetos nga pala greke dhe të hapen rrugët e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
Pas referendumit, në Maqedoni pritet të fillojë edhe procesi i ndryshimeve kushtetuese, dhe me këtë rast, intelektualët shqiptarë kërkojnë që në këto ndryshime të përfshihen edhe çështjet e hapura për të drejtat kolektive të shqiptarëve, të kontestuara nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot.
Nga shumë çështje të hapura, veçojmë tri më kryesoret:
1.Kushtetuta si akt më i lartë juridiko-politik i shtetit, që përcakton kornizën bazë të marrëdhënieve të përgjithshme në shoqëri
Me gjithë ndryshimet e mëparshme në lidhje në implementimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, Kushtetuta aktuale ka mbetur limituese dhe diskriminues për shqiptarët në Maqedoni.

Në Preambulën e Kushtetutës aktuale bëhen dallime fundamentale mes maqedonasve dhe shqiptarëve, duke e favorizuar popullin maqedonas dhe duke e kufizuar sovranitetin e popullit shqiptar dhe të bashkësive të tjera që jetojnë në Maqedoni. Kjo pozitë në Kushtetutën aktuale, si rezultat i ndryshimeve në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët i trajton vetëm si bashkësi qytetarësh, pakicë kombëtare, në disa raste dhe si përqindje, ndërsa shqiptarët janë popull autokton dhe përbëjnë shumicë të konsiderueshme në Maqedoni.
Konsiderojmë se, ky formulim në Preambulë është i njëanshëm dhe i padrejtë, që e përkufizon Maqedoninë shtet kombëtar vetëm i popullit maqedonas, shtet njënacional dhe me karakter unitar, që e favorizon vetëm popullin maqedonas, gjuhën maqedonase, kulturën maqedonase dhe besimin fetar të Kishës ortodokse maqedonase-sllave.
2.Çështja tjetër problematike ka të bëjë me statusin juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve
Me formulimet dhe rregullimet e deritanishme kushtetuese, duke mos u bazuar në konventat ndërkombëtare, shqiptarëve u është përcaktuar statusi i pakicës kombëtare në shtet. Konsiderojmë që kjo është e padrejtë, kufizuese, jodemokratike dhe përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Nuk ka shembull tjetër në kontinentin e Evropës, me model të zgjidhjes së këtillë kushtetuese për popujt që kanë potencial demografik, politik, social dhe ekonomik të ngjashëm apo të përafërt me rastin e shqiptarëve në Maqedoni. Është rasti i mirë dhe nevojë e kohës që statusi juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve të zgjidhte me ndryshimet e reja kushtetuese që pritet të bëhen në frymën e Marrëveshjes së Prespës.
3.Avancimi i statusit juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve, nga ky aktual si pakicë kombëtare, në popull shtetformues, element konstitutiv dhe bartës i sovranitetit shtetëror, konsiderojmë se do ta zgjidh edhe çështjen tjetër të ndjeshme në lidhje me identitin e shqiptarëve, statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel shtetëror
Gjuha shqipe duhet të zyrtarizohet si gjuhë plotësisht e barabartë me maqedonishten në gjithë territorin e Maqedonisë dhe përdorimin e saj edhe në marrëdhënie ndërkombëtare, e jo sipas zgjidhjes së ofruar me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me të cilin gjuha shqipe konsiderohet si gjuhë e qytetarëve mbi 20% që e flasin këtë gjuhë.
Rregullimi kushtetues i këtyre tri çështjeve, konsiderojmë se është krucial për garantimin e të drejtave kolektive të shqiptareve, që në vend do të sillte zgjidhje përfundimtare, stabilitet dhe progres në Maqedoni, sidomos në orientimin e energjive të përbashkëta të qytetarëve në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të këtij shteti.
Qëndrimet antishqiptare, kokëforta dhe shoviniste të qarqeve politike të caktuara nacionaliste që e kundërshtojnë rregullimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve me kushtetutë, do të shkaktojnë probleme të reja ndërnacionale dhe do ta vonojnë progresin e përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik, si dhe procesin e integrimeve në NATO dhe BE.
Shqiptarët në Maqedoni kanë qenë edhe janë përkrahës të denjë dhe garanci e orientimit perendimor të Maqedonisë. Shqiptarët janë deklaruar në mënyrë unanime se do ta mbështesin referendumin për ndryshimin e emrit të shtetit dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, por vetëm me kushtin e qartë për ndryshime të plota dhe të drejta kushtetuese pas realizimit të tij.
Përkrahje të pakusht, duke shkelur mbi të drejtat kolektive të shqiptarëve, nuk ka dhe nuk do të ketë, dhe për këtë jemi të vendosur.
Elita politike maqedonase dhe populli maqedonas bashkë me popullin shqiptar dhe të tjerët, e kanë shansin historik ta shpiejnë vendin për ku janë përcaktuar shumica dërmuese e qytetarëve dhe duke e respektuar vullnetin e plotë politik të tyre.
Pa shqiptarët si popull i barabartë, apo me politika diskriminuese kundër shqiptarëve, nuk mund të ketë integrim në NATO dhe BE, me gjithë pasojat e pallogaritshme gjeopolitike që vendi mund të ketë nga një zhvillim i tillë. Shansi është historik, kurse zgjidhja është e drejtuesve të pushtetit aktual.
Ta shfrytëzojmë të gjithë së bashku këtë moment historik për të ardhmen tonë të përbashkët në Maqedoninë shtet demokratik dhe me orientim evropian.