15.5 C
Tiranë
E martë, 19 Maj 2026

Namik Selmani

Urimi i një gjysheje

Në jetë të jetëve do të kemi nevojë për urimet fjalëmblat e gjysheve që janë Akademitë më të mëdha të Moshës dhe që na hapin portën e mirësisë së dashurisë për jetën, na japin ndjesinë, pa të cilën nuk mund të përballemi me sfidat e viteve.
Duhet të kesh tre jetë që të futesh e të njohësh saktësisht Laboratorin e tyre poetik. Aty është testi i mallit, i tingujve, i vargut, i lotit të vërtetë, i mirënjohjes, I jetës që është e bukur edhe pa dixhitalizimin e saj. Shumë më njerëzore, edhe pse të thyen pak me nostalgjinë. Është e vërtetë që kanë ikur ninullat e janë future në libra, po ëmbëlsia e tyre është sa njëmijë ninulla.
Mbase do na mbetet edhe më shumë në kujtesë në damarë në jetën tonë që do ta prekim.
Në kohën kur përcjellim mjaft gjyshër e gjyshe pa i parë pa i takuar e aq më shumë edhe pa lotuar për dhimbjen e humbjes, mbase duhet ta ngrejmë më lart e më të bukur Monumentin e Mirënjohjes së vargut pët to.
Namik Selmani
Agimet mbi det i pres të prek buzëqeshjen si buqetë
Hapi që hedh, më bëhet më i fortë kur eci pranë teje
Rruga e zhurmshme më jep për ty një dritë të shenjtë
Kur të jap për udhën e paprekur urime e përkëdhelje.
Mos u tremb kur këmbët të të gjakosen nga ferra!
As kur bora mund të të zbardh flokët dhe supet.
Kur të bien gjethet nga dega e blertë tek pema,
Mos harro se një ditë prapë do të çelin lulet.
Mos u tremb shumë nga dimri i egr me shqotë.
Ngrohu pa droje në zemrën e bardhë të një gjysheje!
Mund të ndërrosh sa e sa çerdhe nëpër botë.
Por këtu je dhe do të jesh një dallandyshe.
Në krahët e mi ti ndrin si një zjarr bubulak pylli
Je gjaku i gjakut tim që të rrjedh si lumë në damar.
Në mbrëmje kur në qiell të ndrijë hëna dhe ylli,
Lumturohem me vete se të kam një përqafim larg.
Mund të mos shohësh strofka me ujqër e gjarpërinj,
Në trungjet e pemëve mund të mos shohësh ketra,
Bëhu i fortë, bir, jepe dhe merre bujarisht dashurinë.
Mos të të mbijë në zemër asnjë ditë urrejtja!
Mund të të mungojë kafshata e bukës në tryezë,
Apo një makinë që të dërgon sa hap e mbyll sytë te deti.
Dije, bir,
Dije, bijë,
vetëm buka e ndershme e ballit të mbushur me djersë
Do të të shijojë më shumë se buka e pijet që shtron mbreti.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.