Eci i shpenguar mes skulpturave, parqeve dhe metrove
Diçka marr nga kalërimi i ëndrrës moderne
Buzëqesh mes dritave ylberore në shatërvanë dhe sheshe.
Me një gugatje pëllumbash bëj një çerdhe brenda vetes
Këtu hedh pelerinën e kaltër të një mbreti a princeshe
Ca këngë të çuditshme brenda shpirit ligjërojnë
E mërmërij si aktor, mes trokëllimave të këmbanave moderne
Të gjitha rrugët, të gjithaaaaaaa, të dërgojnë në Romë .
O Romë dritësore me arena të lashta gladiatorësh
Rrugëve po më bëke viktimë e pafajshme e habisë .
Ardhur nga larg bëhemi këtu një grusht meteorësh
Bëhemi foshnja që rritemi shpejt në parajsën e lumturisë .
Këtu bëj miqësi me cicëronë që dinë dhe gjuhë gurësh
Gazmoj me sy të dashuruar kur pëllëmbët përkëdhelin
Ah, dua të ulem një çast këmbëkryq si në odën e kullës.
Në Romë shallin kaltëror do e hedh vrulltas drejt qiellit.
Duardridhur, symenduar prek stërkalat e gurët e bulevardeve
Eci si sonambul, pulëbardhë a si shqiponjë e vonuar.
Jam bërë Sokrat, këmbanar a si fëmijë drejt tollumbaceve.
Euron e fundit ia jap kitaristit që këndon i lumturuar.
Sot qënkam një princ i përkëdhelur në udhë Rome
Më kanë vënë vitet një kurorë kristalore nostalgjie.
Merrni buqeta me lule të freskëta nga sa e sa vise bote.
Të thurni pa përtuar gëzimin në hapat e mi me hire.
Po princesha ku është fshehur bukurisht ndër portikë?
Të më rrëfejë për skllevër, luftra dhe dritë historie
Të ma fshijë butësisht lotin e gazit në qerpikë
Ardhur prej shekujsh si mesazh fisnikërie.