Faljani pak zhurmërimën e fjalës në një tryezë!
Apo dhe heshtjen që ngjan me rrugët në mugëtirë.
Faljani atë hap që ndryshe në udhë jete troket!
Mos e mëkatoni kur kollaron nuk e ka lidhur aq mirë!
Mos i mëkatoni që gjithë gjuhët e globit nuk e dinë!
Rebelohuni me ta kur ato shkruajnë dhe për një strehë!
Nëse nuk i shihni shpesh në tribunat me madhështi
Dijeni se koha iu jep kujtesën me dritën e ylbertë!
Mos i mëkatoni që nuk kanë vila e çeqe.
A makina që garojnë duke shtypur dhe fëmijë.
Janë mes nesh si balsam i përjetshëm një zemre
Me sy të shkëndijuar që ndez zjarrin për lirinë
Janë, ata, të pagjumët e përjetshëm të netëve.
Me një dritë shenjtërie në globin e fjalës.
Dëgjojini poetët me zemër si dallgët e deteve
Shijoni dashurinë e mallin për pragun e largët!
Me fjalëte tyre shkruhen urime, himne, balada,
Shkruhen këngët e dasmave elegjitë në një mort.
Fjalëe tyre kapërcen tela, udhë, mure e dogana.
Sfidon kollën e kohës që ende dhe sot rënkon.
Dhe të verbër e të varfër ngrejnë Kalanë e Shkronjës,
Dhe me paterica e vënë në Peshoren e Kujtesës.
Si vullkani që shpërthen janë poetët e botës
Vetëm ata e dinë si shijohet blerimi i pranverës.
Kur të plasariten çatitë e muret e rëndë të zemrës
Si një kalli që shkërmoqet mes gishtërinjve
Do iu vijnë ata, poetë si miq të mirë pas derës,
E do iu flasin për ëndrra e rreze të ngrohta lirie.