Naxhije Doçi:
-NJË SHKRIM- KUJTIMI MBUSHUR ME DHEMBJEN SI PROCES NDJENJËSIE E PËRMALLIMIN BJESHKË PËR VDEKJEN – PAVDEKËSINË E BACËS TONË-JASHAR BAJRAKTARI
-KRENARIA PËR TË MAL ME BORË-STEMË E KURORË.
-JASHAR BAJRAKTARI NGA SUHAREKA SHKOLLAR I VITEVE TË 50 NË KOSOVË, ATDHETAR DHE I BURGOSUR POLITIK SI AKTIVIST I ONDSH
Unë, autorja e këtij shkrimi, Naxhije Doçi, në pranverën e vitit 2007 shkova që ta takoja NDSH-istin e gjallë të Therandës (Suharekës), Jashar Bajraktarin, për të mbledhur disa të dhëna historike për familjen Bajraktari të Therandës (Suharekës). Kur shkova të bisedoj me Bacën Jashar, m’u duk sikur u gëzua shumë për hapin që e kisha filluar, duke më thënë:
-Kur vjen nga Prishtina, në Therandë, më bëhet zemra mal që të shoh dhe që je mirë. Çdo herë kam thënë se ti je prijetarja që ua ke çelë rrugën e shkollimit edhe vajzave të tjera në familjen tonë! Prijetarja që na solle besim për hapat që i nisëm dhe që na bëre të ndiheshim ballëhapët dhe krenarë që të kishim! Fjalët e Bacës tim, Jashar Bajraktarit se si më përmalluan shumë. Krahas kësaj se si ma shtuan edhe besimin në vete, si edhe përkushtimin e thellë për hapin që e kisha nisur. Për moshën 75 vjeçe që e kishte, Jashar Bajraktari dukej shumë vital, ndërsa unë ndihesha shumë krenare që bisedoja me Jasharin e qëndrueshmërive të pathyera. Thoja më vete, se të paktën një veprimtar i hershëm i NDSH-së të familjes Bajraktari të Therandës, është ende gjallë dhe që ai do të flet vetë për bëmat e veta. Që do të flet me mbamendjen e tij të ruajtur për lakmi për ndodhitë e shumta historike, që kanë ngjarë nëpër mote në Familjen Bajraktari të Therandës dhe shumë sish kuptohet vetvetiu edhe për Therandën, ku jeton e vepron denbabaden kjo familje.
-E kam marrë me mend se një ditë do t’i hyshë punës për evidentimin e realitetit historik të Familjes sonë, të Familjes Bajraktari të Therandës (Suharekës), se prej kohësh sikur e pata vërejtur interesimin tëndë për këtë çështje – më tha Jashar Bajraktari, kur shkova ta takoja në shtëpi të tij. Ishte pranverë kur shkova dhe në atë hapësirë të Rrëzë-Hisarit antik të Therandës natyra kishte bërë një mrekulli të veçantë. Gjikah dukej gjelbërim dhe lulëzim i mrekullueshëm, si edhe dëgjoheshin pa ndërprerë cicërima të shumta zogjësh dhe zukatje bletësh. Bukuri përrallore dukej gjithkah, kuptohet e përtrirë dhe e rregulluar edhe nga vetë dora e njeriut aty, secili mirë e më mirë në oborrin dhe në kopshtin e shtëpisë së vet. E rregulluar, para shtëpisë së tij, edhe nga vetë dora e Jashar Bajraktarit. Them mrekulli dhe e përtrirë, nga se gjatë luftës se pranverës 1999, në Kosovë, shtëpitë e kësaj lagjeje qenë bombarduar dhe rrafshuar edhe me tanke. Banorët e lagjes qenë dëbuar nga shtëpitë e tyre me barbari të pakrahasuar dhe me gjuajtje plumbash edhe drejtpërdrejtë në ta. Në rrafshirën e Mbihisarit ishin të stacionuara prej kohësh (që nga pranvera e vitit 1998) forca të shumta ushtarake serbe, prej nga bombardohej me topa e me raketa krejt hapsira përreth. Nga rrafshira e Mbihisarit të Therandës ishin bombarduar edhe pjesë të tjera të Kosovës.
Në bisedë e sipër Jashar Bajraktari sikur ishte pak si i pakënaqur, e kujtoj edhe si i prekur në thellësi, që edhe në Kosovën e Lirë veprimtaria atdhetare e Familjes Bajraktari është lënë anash dhe në heshtje, duke thënë: “Është dashur edhe më herët që të merrej dikush me këtë çështje, pra me historikun e Familjes Bajraktari të Therandës, por çfarë t’i bëshë fatit! Megjithatë kurrë nuk është vonë! – ishin fjalët e tij. Ndonjë herë më shkon mendja edhe se mos të tjerët e heshtën qëllimshëm të vërtetën atdhetare për Familjen Bajraktari të Therandës! Ndoshta edhe e injoruan vetë me shkas, edhe pse një lënje e tillë anash, kujtoj se nuk i ka bërë nder askujt, si edhe as që do t’i bëjë ndonjëherë nder dikiujt”.