13.9 C
Tiranë
E enjte, 15 Maj 2025

Ndue Lazri

NË QYTETIN E MOXARTIT

(Shënime udhëtimi nga Salzburgu)

Kur kryepeshkopi Wolf Dietrich von Raitenau kërkoi t’i jepte Salzburgut një shkëlqim kulturor, duke e lënë disi në hije anën fetare, nuk e dinte se ç’fund e priste. Ose edhe mbase e dinte, por e mori në sy rrezikun, boll që të linte këtu në prehër të Alpeve në Austrinë e jugut një qytet perlë, që shumë e kanë quajtur Roma e Veriut. Ai ishte bir i një gruaje nga familja e madhe dhe e shquar De Medici e Firenzes në Itali. Mjaftonte vetëm ky fakt për të kuptuar që ai e kishte në gen dashurinë për artin e kulturën. I rritur në oborrin papal në Romë, atij i interesonte sipërfaqërisht feja, pasi e kalonte më tepër kohën duke pikturuar, apo duke u njohur me vlerat kulturore e arkitekturore të një qyteti si Roma. Tendencën e tij për të jetuar disi jashtë rregullave të ngurta të kishës e dëshmonte edhe fakti që ai kishte një të dashur, me emrin Salomè Von Alt, me të cilën pati 15 fëmijë. Për të kaluar kohën me të dashurën e tij, ai ndërtoi në periferi të qytetit kështjellën Mirabell me kopshte e shatrivane të bukura. Por dashuria e tij për artin e kulturën dhe qëndrimi disi i ftohtë e formal ndaj shërbimeve fetare, do i kushtonte shtrenjtë. Vatikani, në bashkëpunim me Maksimilianin e Bavarisë do ta dënonin me vdekje, duke e djegur në turrë drush.
Kjo sakrificë supreme sigurisht që nuk shkoi kot. Veprat e ndërtuara prej tij, si dhe ato të ndërtuara nga nipi që e pasoi, e bënë Salzburgun të ketë shkëlqimin e sotëm. Siç kishte bërë pararendësi, edhe i nipi thirri shumë arkitektë italianë, ndër të cilët më i shquari ishte Santino Solari, i cili çoi në përfundim ndërtimin e Duomos në qendër të qytetit e shumë objekte të tjera të stilit barok dhe ndërtoi në periferi të qytetit shumë kopshte e shatrivane të stilit italian. Të gjitha këto sjellin atë tërheqje të madhe turistësh që vizitojnë këtë qytet.
E të mendosh se në fillimet e tij ky qytet lindi si një lagje në udhën e kripës. Lumi Salzach, që e ndan më dysh qytetin, shërbente për transportin e kripës, kësaj pasurie të madhe të kohës, që nxirrej nga minierat në zemër të Alpeve jo larg Salzburgut. Vetë emri i lumit do të thotë udha e kripës. Kurse emri i qytetit, Salzburg, do të thotë lagje e kripës.
Por kripa është shija e jetës. Me sa duket të ardhurat e saj ishin aq të mëdha, prej të cilave u bë e mundur që të kemi këtë qytet të bukur, që është shpallur pasuri e UNESCO-s. Dhe bukuritë e tij vijnë e i vizitojnë miliona turistë nga e gjithë bota.
Salzburgu kishte dy bij të mëdhenj, me figurat e të cilëve emri i tij është i lidhur pazgjishshmërisht. I pari ishte Moxarti, fëmija gjeni, që me sa duket lindi duke u rënë veglave muzikore, kryesisht violinës e më vonë edhe pianos. Ky gjeni në moshën 5-vjeçare kishte filluar të kompozonte veprat e para. Kurse në moshën 12 vjeçare do të luante në piano në teatrin Bibiena të Mantovës, ku edhe sot ruhet me përkujdesje të madhe pianoja me gjurmët e gishtave dhe të tingujve të Moxartit. Kam patur rastin ta shikoj nga afër dhe ta prek me duar atë piano që ruhet prej më shumë se 250 vjetësh në atë teatër.
Kurse biri i dytë i shquar, po në fushën e muzikës, natyrisht i një kohe më të vonë nga Moxarti, ishte dirigjenti i famshëm Herbert Von Karajan, një nga drejtuesit më të mëdhenj të orkestrës të të gjitha kohërave. Telespektatorët shqiptarë me siguri e kujtojnë për performancën e tij të mrekullueshme për disa vite në koncertin e famshëm të Vienës që mbahet në ditën e Vitit të Ri.
I përmendëm këta dy emra, sepse është pikërisht në sajë të tyre, që Salzburgu është bërë në një farë mënyre edhe kryeqytet i muzikës. Prej më shumë se 100 vjetësh këtu zhvillohet festivali i teatrit dhe muzikës. Një aktivitet që zhvillohet në verë dhe zgjat për 50 ditë, pra gati dy muaj. Në ato ditë të festivalit Salzburgu merr një shkëlqim të ri. Kudo shtrohen tapete të kuq. Mbi ballkone, në sheshe, deri edhe në autobuzët e transportit publik ngrihen flamujt. Ky aktivitet ka lindur pikërisht për të nderuar emrin e Moxartit dhe zhvillohet në emër të tij. Vetëm gjatë zhvillimit të tij vijnë nga e gjithë bota mbi 220 mijë dashamirës të muzikës e artistë. Gjatë 50 ditëve zhvillohen 200 evenimente muzikore e teatrale, mesatarisht 4 në çdo ditë. E sikur të mos mjaftonte ky festival, për të nderuar muzikën e birit të shquar, prej shumë vitesh organizohen edhe java moxartiane e muzikës klasike, Festivali i Pashkëve dhe Festivali i Rrëshajave (Pentecoste). Me një fjalë thuajse tërë vitin këtu sundon e dëgjohet muzika klasike, në sajë të gjeniut që i ka dhënë emër e famë këtij qyteti.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Siç ndodh nganjëherë që biri më i dashur bëhet edhe i urryer, mund të thuhet që sa qe gjallë, raportet e Moxartit me qytetin e tij të lindjes ishin tepër të ftohta. Këtij talenti, të konsideruar si ndoshta kompozitori më i adhuruar i të gjitha kohërave, nuk i hapnin rrugë në Salzburg. Ishte e pamundur që ai të vinte në skenë një opera të krijuar prej tij (ai shkroi rreth 50 opera, megjithëse jetoi vetëm 35 vjet). Dhe kjo për faj të pushtetit të arqipeshkopëve që donin vetëm muzikën kishtare. Moxarti thoshte për qytetin e tij: “Ky qytet të katandis në lypës”. Ndaj, kur ishte në kulmin e energjive të tij krijuese e braktisi qytetin dhe iku në Vienë, ku, siç dihet, shpërtheu me talentin e tij dhe u bë ai Moxart i madh, që e adhuron gjithë bota. Ishte e vërtetë që Salzburgu tregohej një çikë koprac ndaj artistëve. Aq sa Von Karajan u imponua me forcën e autoritetit të tij për të rritur pagesat ndaj vetes dhe orkestrantëve, gjë për të cilën edhe qe akuzuar e gati u dërgua në proces nga zyrat financiare të qytetit.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Aq e madhe ishte urrejtja e Moxartit ndaj autoriteteve kishtare, sa edhe kur vdiq, nuk pranoi të kishte bekimin e ndonjë prifti, por kërkoi varrimin e tij pothuajse në kushtet e një të varfëri dhe pa praninë e thuajse askujt, aq sa edhe sot nuk ka një vend preçiz se ku është varrosur në Vienë. Madje i janë ngritur dy monumente varrimi në dy varreza të ndryshme.
50 vjet pas vdekjes së tij, filloi të drejtohej vëmendja ndaj figurës së kompoziorit të madh. Pos Salzburgu ishte ende i ftohtë ndaj tij. Në vitin 1842 banorët e qytetit u treguan disi disaprovues kur sheshit San Michele iu vu emri i Moxartit dhe akoma më keq reaguan kur shatrivani që ishte aty në atë shesh u zëvendësua me monumentin e Moxartit.
Ndërsa biri tjetër, Von Karajan, edhe pse vdiq në prag të shekullit 21 dhe në kulmin e famës së tij, u varros në një varrezë tepër të thjeshtë në Salzburg. Bota është borxhlie ndaj artistëve të mëdhenj, për të cilët është kujtuar gjithnjë me vonesë.
Edhe Salzburgu u kujtua shumë e shumë vite më vonë për birin e vet gjeni. I ndërtuan monumente. Një urë mbi lumë mban emrin e tij. Ka dy shtëpi muze, atë të lindjes, e cila vizitohet çdo ditë nga turistë të shumtë. Në të ruhen dokumente, instrumente muzikore, ndër të cilat edhe violina së cilës ai i binte që në vitet e para të jetës. Jo larg shtëpisë së lindjes, është shtëpia tjetër muze, ku ai jetoi bashkë me prindërit e motrën e tij, përpara se të largohej për në Vienë. Kjo shtëpi ka koridore të tëra e 8 dhoma muze, me dorëshkrime, partitura, instrumente e dokumente që lidhen me jetën dhe aktivitetin e artistit në Salzburg. Hyjmë edhe ne në këtë shtëpi e na duket sikur jemi mysafirë të kompozitorit të shquar. Çdo objekt i tij të sjell emocione të veçanta. Edhe muzika që ndihet në sfond, është muzika e tij. Atë e dëgjojmë në sfond edhe kur pimë një kafe brenda shtëpisë së gjeniut.
Tashmë në Salzburg është “shenjtëruar” çdo gjë, çdo vend, çdo qoshe që lidhet me emrin e Moxartit, çdo objekt që ai preku me dorë. Duket sikur tashmë Salzburgu jeton me Moxartin e për Moxartin.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm. Dyqane të tëra suveniresh të mbushura me objekte e kujtime ku është stampuar fotoja dhe emri i tij. Hyjmë në një dyqan në qendër, në bombonerinë Josef Holzermayr, që është nga më të famshmet në Salzburg. Aty në çdo objekt që tregtohet është fotografia dhe emri i tij. Filxhana kafeje me foton e tij, violina e fëmijërisë e riprodhuar në formate të ndryshme. Mijëra konfeksione bombonesh me ngjyra nga më të ndryshmet, të mbështjella me letër ku është stampuar emri dhe fotoja e tij. Ka aq shumë dyqane ku shiten ato, sa shpesh Salzburgu quhet qytet bombonierë. Ato me ngjyrë të kuqe riprodhohen, imitohen e shiten sot në gjithë botën. Kurse ato me ngjyrë blu e argjend ruhen me xhelozi. Formulën e tyre e ka vetëm Salzburgu dhe shiten vetëm në Salzburg. Një konfeksion fare i vogël prej këtyre të fundit kushton 10 euro. Në çdo vitrinë e konfeksion Moxarti dhe vetëm Moxarti. Duket sikur edhe princesha më e adhuruar e austriakëve, perandoresha Sisi, është ndruajtur pak përpara emrit dhe famës së kompozitorit, saqë nuk ka lënë thuajse fare gjurmë këtu. Vetëm në një qoshe rafti na zë syri dy filxhanë kafeje me portretin e saj. Me Mozën blejmë si suvenirë një violinë të vogël për ta patur në bibliotekën tonë pranë librave, disa konfeksione bombonesh si dhuratë për miqtë tanë, dy filxhanë me portretin e Moxartit dhe dy filxhanët me portretin e Sisit. Kështu, në mëngjes e pimë kafenë me Moxartin, kurse pasdite me Sisin. Se kjo ngrihet më vonë nga gjumi. Domosdo, është princeshë.
Përballë bombonerisë në fjalë, është edhe kafeneja “Tomaselli”, ku Moxarti pinte kafenë. Këtu ka banuar edhe e veja e kompozitorit, Constanze Von Nissen. Futemi brenda. Një lokal luksoz, që në vite është frekuentuar nga shumë e shumë personalitete të shquara që vizitojnë Salzburgun. Moza porosit një ekspres të zakonshëm, kurse unë zgjedh në menu kafenë që mban emrin e Moxartit. Kamarieri më shikon si me habi e me buzëqeshje më thotë:Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
-Vërtet këtë doni?
-Po, i përgjigjem. Më pëlqen të pi kafenë e Moxartit.
-Po është vetëm qumësht,-ngul këmbë ai.
-Nuk ka rëndësi. Moxarti diçka ka ditur që zgjidhte këtë,-i them.
Kur e sjell, në një filxhan të madh, vërtet ishte qumësht i zakonshëm, por në të shkrihej një tip bomboneje me çokolatë dhe disa copëza çokolate të bardhë. Pra nuk ishte një qumësht i thjeshtë. Mbase një tjetër nga shpikjet fine të gjeniut të muzikës.
Tek pija qumështin, mendoja me vete: Moxarti ka 230 vjet që ka vdekur. Dhe ky bir sa i urryer aq i adhuruar, vazhdon t’i japë edhe tani e do vazhdojë t’i japë në përjetësi qytetit të lindjes pasuri të pafund, me emrin, muzikën dhe famën e tij.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Në mbrëmje, duke shetitur rrugëve e objekteve të shumta të qytetit, ishim vonuar pa kuptuar dhe po kërkonim një restorant për të ngrënë darkë. Pranë një restoranti dëgjuam që brenda po luhej marrshi turk i Moxartit. U futëm brenda, pa e parë që kishim hyrë në një restorant sirian. Por pritja qe shumë e ngrohtë dhe zumë një tavolinë. Shërbimi shumë i mirë dhe menuja e këndshme, sidomos ëmbëlsirat, bakllava e kadaif ishin fantastike. Në fund, duke bërë shaka e duke biseduar me drejtuesin e restorantit, vumë re se klientët e tjerë kishin mbaruar e ne kishim mbetur të fundit. Na tha që këtu vinin herë pas here klientë shqiptarë dhe porosisnin bakllava e kadaif.
-Mirë që marrshin turk e dëgjuam, po kafe turke a shërbeni?- i thamë si për të bërë lojra fjalësh.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
-Patjetër që shërbejmë, e kemi specialitet të lokalit,-tha ai. Dhe na tregoi mbi banak një rrjesht të gjatë me xhezve për kafe turke. Të nisur nga bukuria e xhezveve porositëm kafe turke. Ai na solli nga një xhezve në formë ibriku të vogël për secilin, për ta shërbyer vetë kafenë në filxhan.
Salzburgu pati edhe një tjetër bir të famshëm të Austrisë, shkrimtarin Stafan Cvajg, që jetoi këtu për 15 vjet, në periudhën më të begatë të krijimtarisë së tij. Në një kodër mbi qytetin e vjetër, përballë kështjellës që sundon mbi qytetin e Salzburgut, është shtëpia ku ai jetoi e punoi në ato vite. Janë njëqind shkallë të gurta, pastaj një rrugë mjaft e rrëpirtë për t’u ngjitur përmes pyllit deri tek ajo shtëpi. Përpara saj ndodhet edhe një bust i vogël i shkrimtarit.Tej shtëpisë shtrihet parku i madh, përmes të cilit gjarpëron rruga me emrin Stefan Cvajg. Parku është në shpatin e malit. Në atë shtëpi, ai shkroi shumë e shumë nga veprat e veta, ndër të cilat edhe novelën “Amok”, shumë e njohur për lexuesin shqiptar, si dhe monografitë e Jozef Fushesë dhe Maria Antonetës. Shtëpia ngrihet mbi çatitë e qytetit të vjetër dhe shpalos një panoramë të bukur mbi qytet. Këtu Cvajgu, bashkë me gruan e tij të parë, Frederikën, priste shumë nga miqtë e tij, ndër të cilët edhe shkrimtarët Tomas Man e James Joyce. Por edhe shkencëtarin e famshëm Ajnashtajn dhe muzikantin e dirigjentin e madh italian Arturo Toscanini. Edhe Cvajgu zbriste shpesh për të vizituar qytetin dhe për të pirë kafenë tek kafeneja Tomaselli.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Shtëpia është e mbyllur e nuk vizitohet. Ndaj mjaftohemi me një foto pranë bustit të tij. Por Salzburgu i ka kushtuar shkrimtarit të madh një qendër të tërë kulturore, qendrën “Stefan Cvajg”, ku është edhe muzeu i tij. Në këtë muze ndodhen shumë vepra të përkthyera në dhjetra gjuhë të botës, dorëshkrime, objekte që i përkisnin autorit, fotografi të tij e të shtëpisë ku jetoi. Ruhet edhe dorëshkrimi i veprës së tij të fundit, “Novela e shahut”, të cilën ai e dërgoi këtu që nga Brazili, përpara se t’i jepte fund jetës së tij. Këtë novelë na e kujton edhe vendosja e një fushe të madhe shahu me gurë shumë të mëdhenj në një nga sheshet në qendër të qytetit e ku shpesh ndalen e luajnë me ata gurë njerëz të pasionuar pas shahut.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Cvajgu e dashuronte dhe adhuronte çmendurisht atdheun e vet, Austrinë dhe qytetin e Salzburgut. Ai ishte bir i një familjeje ebrea dhe e vuajti persekutimin që iu bëhej ebrenjve nga nazizmi. Për t’i shpëtuar këtij persekutimi, ai u mbyll në atë shtëpi në mes të pyllit. Por edhe aty e gjetën dhe e kontrolluan shtëpinë nën pretekstin se dyshohej për armëmbajtje. Në vazhdim librat e tij u dogjën në mes të qytetit dhe pastaj vepra e tij u ndalua. Cvajgu iku nga Salzburgu dhe nga Austria. Ai e urreu Luftën e Parë Botërore dhe shpresonte që të mos ndodhte një e dytë. Por në fillimin e viteve 30, me ardhjen e nazizmit, ai e ndjente rrezikun e saj. Dhe iku në fillim në Londër e pastaj në Brazil. I dëshpëruar atje shkruante: “Nuk i përkas më asnjë vendi, jam kudo i huaj, në rastin më të mirë një mysafir; edhe atdheu im i vërtetë, rezidenca e zgjedhur e zemrës sime, Europa, është tashmë e humbur, që kur për herë të dytë është e shqyer nga një luftë vetëvrasëse midis vëllezërish”.
Aneksimi i Austrisë nga Gjermania dhe shpërthimi kulmor i Luftës së dytë Botërore e dëshpëruan pa masë shkrimtarin e madh austriak. Në këto kushte, atje në Brazilin e largët, ai bashkë me gruan e tij të dytë, Lotte, që ishte një çerek shekulli më e re se ai, vendosin t’i japin fund jetës. Dhe e bëjnë me klas. Ai, i veshur me kostum, me kravatën të lidhur bukur, duke i shtrënguar dorën së shoqes, kurse ajo me faqen të mbështetur tek supi i tij. Në këtë pozicion i gjen policia të nesërmen. Kishin vdekur pas një doze Veronal të marrë sëbashku. Dhe pranë një letër e shkruar në portugalisht, me titull “Deklaratë”, në të cilën shkruhej: “Përshëndes të gjithë miqtë e mi, të cilët, pas kësaj nate të gjatë mund ta shohin agimin. Unë e di që jam i paduruar dhe u paraprij. Mendoj se është më mirë që ta përfundosh në kohë dhe në këmbë një jetë ku puna intelektuale përfaqësonte gëzimin më të pastër dhe liria personale të mirën më të lartë mbi tokë”.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Bie mbrëmja dhe ne mblidhemi në hotelin tonë. Sipër tij kështjella, që konsiderohet ndër më të mirëmbajturat në Europë, derdh dritat e saj mbi qytet. Emrat e bijve të tij të shquar i japin një qetësi emblematike, kurse një muzikë në sfond duket sikur shkrihet me gurgullimën e ujrave të lumit që e bën aq panoramik qytetin.
Ndue Lazri
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.