Nikollë Loka
Dod Llesh Doçi mbahet mend si një nga burrat e njohur, djalë i Kullës së njohur të Doçit, fis Gjeçaj. Një familje me emër dhe shumë arsimdashëse, ku u rritën tre vëllezër: Lleshi i madhi, Ndoi dhe Pjetri. Lleshi pati pesë djem, Ndoi dy djem dhe Pjetri 3 djem. Fillimisht shkollën e mbaroi Doda i Lleshit dhe pastaj Nikolli i Pjetrit, edhe ai mësues i njohur. Në brezin pasardhës u shkolluan pesë fëmijët e Nikollit, të gjithë me arsim të lartë, ndër ta dhe aktori i mirënjohur Gjergj Doçi etj. Fëmijëve të mësues Dodës nuk iu dha mundësia e shkollimit të lartë në sistemin e kaluar, por sot nipat dhe mbesat e tij me fëmijët e tyre janë diplomuar në universitete të ndryshme, përfshirë dhe universitete me emër në botë. Është një traditë, që ka për themelues Dodën, i cili kujtohet edhe sot për kontributin si mësues, drejtues pushteti dhe intelektual në periudha të rënësishme historike.
Doda u bë burrë i njohur dhe i ditur, por kjo nuk ndodhi rastësisht. I ati, Lleshi kryeplak i Kodër Spaçit dhe njeri me vizion. Ai e dërgoi të birin në Internatin e Oroshit, të cilin djali e përfundoi në vitin 1930. Edhe pse pas viteve njëzet të shekullit të XX, shkolla e Oroshit nuk ishte e vetmja në Mirditë, padyshim ishte shkolla më e mirë, prandaj të gjithë familjet që kërkonin një karrierë nëpunësie për fëmijët e tyre i çonin fëmijët atje. Doda fitoi bursë dhe veshjen, ushqimin, tekstet, fletoret, lapsat, penat, gomat etj, që i përballonte shkolla. Djali i Llesh Doçit ishte mjaft i zellshëm në mësime; e mbante vëmendjen në shpjegimin e mësuesit dhe kishte kujtesë të fortë, sa mund të riprodhonte shumë nga ato që thuheshin në klasë. Vitet e shkollës së Oroshit kanë ndikuar thellësisht në edukimin e Dodës dhe ndoshta në personalitetin e tij. Mësuesit që i kanë dhënë mësim ishin kryesisht nga qyteti i Shkodrës dhe ndër më të mirët në vend. Një pjesë e vogël nxënësve të Internatit të Oroshit u bënë kuadro të njohur dhe drejtuan sektorë të rëndësishëm. Të tjerë qenë kontigjenti i parë i mësuesve, që hapën shkollat e para pas çlirimit të vendit. Por, në përgjithësi shoqëria mirditase e viteve tridhjetë e konsideronte shkollën një luks të panevojshëm dhe për shumë arsye, shumica e nxënësve të Interantit të Oroshit, pasi mbaruan shkollën, e vazhduan jetën në fshatrat e tyre, si shokët e tyre analfabetë. Ndërsa Doda, me mbështetjen e familjes, vazhdoi studimet e mëtejshme në Normalen e Elbasanit (1930-34), duke qenë ndër të parët nga mirditasit që e mbaroi atë shkollë. Kishte qenë Nënprefekti, Spiridon Kacarosi, shkodran që ishte interesuar për shkollimin e Dodës. Si kriter themelor për të vazhduar studimet në Normale ishin rezultatet në mësime. Doda kishte qenë me rezultate të shkëlqyera në Internat dhe premtonte se do do të bëhej kuadër i zoti. Nuk përjashtohet këtu edhe miqësia që Lleshi kishte me Nënprefektin. Vetë Nënprefektura, përmes një komisioni të kryesuar nga Nënprefekti shqyrtonte të gjitha kandidaturat dhe kishte të drejtën e propozimit në Ministrinë e Arsimit, ku bëhej miratimi. Dodë Doçi është mirditori i parë që e ka mbaruar Normalen. Pas tij, e vazhduan atë shkollë Ndrecë Ndue Gjoka, Preng Ndue Prenga, Zef Vorf Nekaj etj. Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe, Normalja e Elbasanit u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë. Normalja ishte qendër e kultivimit dhe e zhvillimit pedagogjik shqiptar. Profesorët e saj kanë zënë vend ndër personalitetet më të shquara të vendit për atë kohë. Ata ndikuan mbi studentët e tyre jo vetëm në fushën e mësimit, por edhe të edukimit, qëndrimit ndaj punës dhe orientimit në jetë. Mësuesit e parë të dalë nga Normalja do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore të Kosovës dhe deri në Çamëri. Me mbarimin e saj sigurohej një status i lartë shoqëror dhe përveç punës si mësues, disa nga nxënësit e Normales, për nevoja u punësuan dhe në administratën e pushtetit lokal dhe atij qendror.
Në periudhën e Zogut, inteligjencia shqiptare ishte e pakët dhe kishte rol të rëndësishëm në shtet. Mjafton të kujtojmë faktin se për disa kohë emërimet e nëpunësve të thjeshtë ishin nomeklaturë e Këshillit të Ministrave dhe pastaj për të gjithë periudhën e Zogut mbetën nomeklaturë e ministrave përkatës. Ata e konsideronin veten si pjesa e kulturuar e kombit në kushtet kur dija ishte privilegj i pak njerëzve. Doda si normalist ishte njëri ndër kuadrot më të ditur në Mirditë për kohën dhe për fat të mirë ato dije i vendosi në shërbim të komunitetit në vendlindjen e tij etj.
Në fund të viteve tridhjetë, Lleshi dhe i vëllai Ndoi nga Kodër Spaçi, kaluan me banim në Tuç, në një tokë që e kishin blerë. Doda atëherë vazhdonte shkollën dhe kishte ambicie në jetë. Për nevoja punë e aktivizojnë në pushtetin lokal. Filloi punë si sekretar i Komunës së Fanit në vitin 1936. Sekretari i Komunës në hierarkinë e detyrave vinte menjëherë pas kryetarit dhe ishte nomeklaturë e Këshillit të Ministrave. Sa përgjegjësi kishte atëherë kuadri drejtues dhe sa shumë nderim kishte për të!
Me pushtimin e vendit nga italianët, pjesa më e madhe e administratës “fashiste” ishte po ajo e Mbretërisë, njerëzit thjesht vazhduan të shkonin në punë. Nga sekretar i Komunës në Fanë, Doda emërohet kryetar i Komunës së Shpalit në Mirditë, e cila ishte dhe komuna më e rëndësishme e Mirditës. Në vitin 1941, rikthehet sekretar i Komunës së Fanit, detyrë që e mbajti deri në kapitullimin e Italisë, në shtator të vitit 1943. Puna në administratën shtetërore i dha Dodës një përvojë të çmuar në hartimin, administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit dhe ndikoi që ai të ishte model në këtë drejtim, kur kaloi në arsim.
Doda nuk u angazhua me politikën e madhe, ai thjeshtë kreu detyrat shtetërore në nivelin lokal dhe i ndihmoi me sa mundi njerëzit që të zgjidhnin problemet e tyre etj. Por, duhet thënë se ajo situatë ishte e vështirë. Ai e pati vizionin për ta kuptuar se puna në administratën e pushtuesit nuk është zgjidhja më e mirë, prandaj gjen rast dhe largohet. Me largimin e italianëve, tërhiqet nga angazhimet në shtet dhe shkoi pranë familjes së tij.
Dod Llesh Doçi e shkroi emrin si një nga mësuesit e parë në Mirditë. Masivizimi i arsimit, në kushtet e Shqipërisë së prapambetur, përbënte një nga objektivat themelore të politikës arsimore të shtetit shqiptar pas çlirimit. Por, ndryshe nga disa prej mësuesve të tjerë mirditorë, Doda u emërua të shërbente larg vendit ku banonte. E filloi detyrën si mësues në fshatin Apripë të Gurit Pukë (1946-47) dhe pastaj me rradhë: Fushë-Arrëz (1948-50); Micoj (1951), Dardhë, Lumbardhë dhe pastaj për të gjithë periudhën tjetër në Tuç. Jeta e Dodës në këtë periudhë kaloi tronditje për shkak të burgosjes së tij, pasi dy nga vëllezërit kaluan me Komitetin e Maleve dhe u konsideruan si armiq të shtetit. Kapërcimi me dinjitet i pengesave biografike për të ecur përpara në jetë tregon dhe genin famiiljar, aftësinë për të jetuar me ndershmëri dhe për të përballuar vështirësitë e pengesat.
Në atë kohë, puna e mësuesit kishte vështirësi të mëdha, që nga strehimi, ku i duhej të qëndronte në një dhomë që ia lëshonte njëra nga familjet e fshatit ku ishte shkolla, furnizimi me ushqime, kushtet e jetesës shpesh herë të papërshtatëshme etj. Gjatë kësaj periudhe, mësues Doda dha kontribut të madh edhe në kurset kundër analfabetizmit, të cilët nisnin dhe përfundonin në muaj të ndryshëm dhe zhvilloheshin sipas lagjeve. Me punën e tij, ai fitoi mirënjohjen e bashkëfshatarëve. Qinda kuadro e specialistë të rretheve Mirditë e Pukë e kujtojnë me respekt. Ja si shprehet doktori i mirënjohur Prof. Dr. Elez Selimi: “Kam qenë në shkollën fillore të Fushë Arsit, në vitet 1946-1949, ku kam pasur mësues të paharruarit: Zef Nikollin nga Fani i Mirditës, Rexhep Danin nga Qerreti i Pukës dhe Dodë Doçin nga Tuçi i Fushë Arsit. Francezët kanë një shprehje të urtë që thotë: “Lumi, sado larg që të shkojë, gjithmonë e ka në mend burimin. Edhe unë i kujtoj me respekt mësuesit e parë. Fati e deshi që të kem shumë mësues dhe pedagogë të shteteve dhe kombësive të ndryshme, të cilët më kanë dashur dhe më kanë mësuar, por në morinë e tyre, mësuesit e mi të shkollës fillore janë më të rëndësishmit”. Dhe pastaj Profesor Elezi vazhdon: “Shkolla fillore ku ne mësonim ishte një godinë e përshtatur, në pronësi të Nikollë Ndrecës, në hyrje të Fushë Arsit. E kujtoj mësues Dodën, si kuadër të dashur, të përgatitur dhe kërkues. Ai ka dhënë mësim në shumë shkolla, deri në Apripë të Gurit për të gjithë jetën aktive, deri sa doli në pension në fshatin e tij, Tuç, në vitin 1971”. Ishte Prof. Dr. Elez Selimi njëri nga propozuesit që mësues Doda të shpallet “Qytetar nderi” i Bashkisë Fushë Arrës dhe fjala e tij ishte marrë në konsideratë. Kujtime plot vlerësim sjell mësuesi veteran, kuadri i nderuar Muharrem Neziri, i cili e kishte pasur koleg në fillimet e punës së tij, kur krahas shkollimit, rëndësi të madhe shteti u jepte veprimtarive kualifikuese në shkolla dhe vetkualifikimit. Për këtë qëllim, nëpër zona bëheshin mësime të hapura, ku kolegët përfitonin nga përvoja e mësuesit që konsiderohej më i miri dhe me më shumë përvojë. Ja si shprehet ai: “Takoheshim çdo muaj në mbledhjet e rrethit metodik të zonës, ku bëheshin mësime të hapura, analiza dhe përgjithësime”. …Sa herë kemi shkuar në Lumë Bardhë dhe më vonë në Tuç, është gjetur se ka bërë gjithnjë punë të mirë dhe sistematike, që e tregonte niveli i përvetësimit të njohurive nga ana e nxënësve. Doda ka qenë burrë serioz në punë dhe në jetë”. Muharremi kishte kryer detyrën e Inspektorit dhe të Shefit të Arsimit të Rrethit dhe kishte pasur mundësi ta njihte Dodën edhe si profesionist në mësimdhënje. “ Kam qenë disa herë në shkollën dhe në shtëpinë e tij. Gjithnjë e kemi gjetur në krye të detyrës, korrekt dhe rigoroz në punë, deri sa doli në pension. Doda gëzonte rrespektin e nxënësve dhe prindërve të tyre. Edhe sot emri i tij kujtohet me dashuri dhe respekt”.
Por jeta ka dhe peripecitë e saj. Kalimi i dy vëllezërve me Komitetin e Maleve krijoi shqetësime në familje, pasi në raste të tilla, ligji vepronte padrejtësisht dhe mbi të afërmit e pafajshëm. Me ashpërsimin e luftës së klasave, Dodën e dënojnë me dy vjet burg (1952-54). I bindur në pafajësinë e tij, pasi kryen dënimin, vazhdon të kërkojë drejtësi dhe arrin të marrë pafajësinë, ndërkohë që i kishin djegur shtëpinë në Tuç. Rikthehet në arsim, mësues në Lumbardhë, Dardhë dhe përsëri në Lumbardhë në vitet 1955-1960. Prej atëherë dhe deri sa doli në pension (1971), punoi mësues në shkollën Tuç, ku kishte shtëpinë e tij.
Dodë Doçi ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezit të ri. Dhjetra breza nxënësish dolën prej tij, një pjesë e të cilëve vazhduan shkollimin edhe më tej, duke u bërë kuadro të vlefshëm për vendin. Edhe në pension, deri sa u nda nga jeta, Doda ka lënë shumë gjurmë për mirë në komunitet. Largimi i tij fizik nga kjo botë bëri që ish nxënësit të angazhohen për të shlyer një detyrim që kishin para tij. Nuk është rastësi që Prof. Dr. Elez Selimi dhe Muharrem Neziri, ish Shefi i Arsimit të rrethit të Pukës ta mbajnë përgjegjësinë e lartë, duke i kërkuar kryetarit të Bashkisë së Fushë Arsit vlerësimin e mësuesit Dod Doçi. Për kontributin e tij të gjatë në arsim dhe rezultatet e larta në procesin mësimor-edukativ, Këshilli i Bashkisë Fushë-Arrëz i ka dhënë Dod Llesh Doçit titullin “Qytetar nderi” (2016). Qytetaria e Mësuesit Dodë Doçit është puna me plot përkushtim, angazhimi qytetar dhe përpjekja për të mbetur njeri i vlefshëm.
Dod Doçi do të mbetet gjatë në kujtesën e brezave për kontributin që dha. Ai ka hyrë në historinë e Arsimit si mësuesi i parë me arsim të plotë pedagogjik në Mirditë dhe njëri ndër mësuesit e parë mirditorë.