18.5 C
Tiranë
E premte, 15 Maj 2026

NEBI DRAGOTI  

 DY  KRITIKA

PËRSËRITJA ËSHTË RUTINË

Si dukuri përsëritja është rutinë. Vjen te krijuesi për shumë arsye: si shterje për t’u shtrirë e rrokur tema e për t’i trajtuar në shumë kënde, pra, ka mungesë bagazhi për të hedhur në poezi risi mendimesh, për t’u thelluar e për  të hapur horizonte me shumëllojshmëri motivesh e ndjenjash. Shkurt, ka varfëri, cektësi që duket në poezi  dhe konkretisht në kapjen e motivit erotik.. Vrapojnë e vrapojnë në tema dashurie me natyrën e nostalgjisë, sa mbushet në publikime plot e përplotë dhe lexon sa te njeri, sa te tjetri po të njëjtin motiv. Por më e keqja është, kur kthehesh e rikthehesh në këtë temë, kur kjo përsëritje kthehet në rutinë. Autori kthehet , se nuk ka njohje të plotë të jetës, nuk ka concept të qartë për erotikën, e cila ka shumë drejtime për ta rrokur e trajtuar poetikisht. Pra, duhet përkushtim dhe thellim, duhet seriozitet për të dhënë art poezie. Duke kaluar në shumë autorë, duke i lexuar në këtë temë, shohim edhe përsëritje mendimesh, ku kjo varfëron, frenon krijimtarinë; pastaj në këtë kontekst ngacmohesh e konstaton, se ka afrimitet, në fakt nuk është gjë tjetër: ka rënë kryekëput në rutinë. Rutina të thotë:” Stop, se po rrotullohesh rreth meje në baltovinë; rrotullohesh rreth vetes si kali në lëmë.”. Nuk jep asgjë të re, të bukur duke u vërtitur në motive erotike me mendimin tend, jep shprehje e vargje të cekta, ku dhe figuracioni të bëhet si rrobe e vjetër. Kujdesi duhet: larg përsëritjes, që ka për bulmet rutinën. Koncepti i fjalës krijim është të krijosh ndryshe nga të tjerët, t’i japësh publikut diçka të veçantë, të krijosh individualitetin artistik, duke kuptuar kështu ç’do të thotë të bësh art në letërsi.

KRIJIMI KALA RËRE APO GURI?

Në bregdet fëmijtë lozin duke ngritur kala rëre, ku pastaj, dallga ua prish lehtë. Sipas imagjinatës së tyre ata lozin, imitojnë edhe të bëjnë lagje të bukura banimi. Pra, lozin. Por për krijuesin nuk mund të bëhet kjo lojë, sepse krijuesi duhet të ngrejë në poezi kala guri, që t’i rezistojë kohës, t’i rezistojë çdo erozioni social, apo më mirë të shprehem edhe çdo lekundjeje të sistemit politiko-shoqëror. Pra kjo është ideja madhështore, që unë shpërndaj, që, ndoshta dhe askujt nuk i vjen ndërmend. Këtu qëndron edhe mendimi im kritik, që shpesh hedh për debate filozofike, po askush nuk përgjigjet. Sot krijimtaria siç bëhet ngjan me kala rëre, ose më thjesht, thuret me motive kalimtare, motive pa i ngritur në art, pa peshë, sa të nesërmen fshihen nga kujtesa, ose me volume krijohet mall stok. E lashtë kjo botë plot male me libra letrare,janë ngritur, saqë pluhuri i ka mbuluar. Ja, pra, kjo vlen për kujtesën e çdo krijuesi, që të mos turret pas sasisë, se krijimtaria kërkon kala guri. Titulli i shkrimit ka për pikësim pikëpyetje dhe pikëçuditje, është shprehje në fjali mungesore me qartësi retorike. Këtë natyrë që përcjell shkrimi, e shikoj në poezi, ku debatoj,por nuk kuptohet nga mediokër, ku ka raste, ku ka raste që nuk u kuptohet se çfarë shkruajnë, për çfarë shkruajnë dhe si shkruajnë. Këtu, pa bërë ilustrim me emra, nxitojnë e bëjnë kala rëre. Raste të tilla ka edhe nga autorë me përvojë.

PËRQESHJE VDEKJES

 Tregim

Ligj i pandryshueshëm: në prehrin e natyrës lindin dhe vdesin. – Ahahaaaa! Qesh a s’ qesh gruaja e shtruar në spital,- Nuk e kam të gjatë! I ndëgjohet zëri tetëdhjetë vjeçares. – Ahahaaa! Mbush dhomën e qeshura e saj. Rënkon, i vështirësohet frymëmarrja. Lëviz, nuk e jep veten dhe qesh, qesh me të madhe.- Nuk e kam të gjatë! Gjashtëmbëdhjet vite vetëm. Burri i paska vdekur. Fëmijtë i ka larg, larg e larg mërguar. Të martuar. Shohin hallin e tyre. Kjo është e keqja e kësaj kohe. Dreq kohe! Po si harrohet nëna që të ka bërë kokën, që të ka mbajtur nëntë muaj në bark? Djall o punë?- Ahahaaa! Qesh e ecën ngadalë. Dhe ç’u pa që të dorëzohet, të bërtasë, të qahet siç bëri parëmbrëmë një grua e lënë vetëm në dhomën e shtrimit. Po jipte shpirt.. Bërtiste:- Vajza, moj vajza! Ejani, ku jeni? Po, ishte natën vonë. Infermieret nuk dukeshin. Ia këpusnin gjumit. Keq, shumë keq! Të japësh shpirt vetëm, pa njeri mbi kokë. Njerëzia sikur është bërë trutharë; është prishur njerzëlliku. – Ahahaaa! Nuk e kam të gjatë! Unë rastësisht ndodhesha në këtë dhomë. Edhe unë qeshesha sikur ta shoqëroja këtë përqeshje  vdekjeje. Përqeshje, vetëm përqeshje dilte nga gjokset. –Jo , këmbët e mia nuk do të hynë e nuk do të dalin në derën e shtëpisë sime. Nuk e kam të gjatë! E… po unë isha aty. – Jo, jo nuk është kështu si thua ti. Do të jetosh, do të mbushësh njëqind vjeç. Ja, me këto këmbë do të hysh e do të dalësh duke hapur e mbyllur derën. Në ditët që ndodhej e shtruar dera e shtëpisë së saj as hapej , as mbyllej. Paspak unë largohem duke e uruar:- Shërim të shpejt e dalësh sa më parë nga kjo dhomë!- Ahahaaa! Nuk e kam të gjatë! Largohem me jehonën e përqeshjes së vdekjes. Ika duke menduar: edhe jehona jehon dhe diku zhduket…zhduket…

   NOVACION KUNDËR PANDEMISË

         Tregim satirik

-Ka dalë si Bajlozi nga deti korona virusi, pandemia. Pushtoi botën. E frikësoi, izoloi njeriun. Ekonomikisht e dobësoi, ndërsa politikanët jo, se janë të pasur e kanë lekun dhe me lekun i thyejnë kokën koronavirusit. Ndërsa shkenca, mjeksia, tralalaaa; kanë ngitur duart lart,-fliste e qeshte nje burrë plak, sikur ishte në një mbledhje.  Flet njeri, flet tjetri dhe nuk dine çfarë flasin. Armik i padukshëm: vjen nga ajri, nga kontakti, përqafimet, kafshimet, as djalli nuk e di.- Hë ,de, pse djallin nuk e zë,- ia plas unë. Si të mbrohemi? Këto janë teori të shumta; sekush shet mendje, sekush gënjen. Po ne, dy-tre shokë ia gjetëm ilaçin. Novacion! Mrekulli!  Hiqini maskat, nuk mbrojnë maskat. Marrim ajër, nxjerrim gaz karabonik. Gazi mbetet në maskë; prap njeriu e thith. Shkencërisht dëmtohesh. Atëherë? Nastradini flet për të qeshur:- Femra e ka gjetur, vë maskë dhe në paranicë. Këtë po ma thoshte ime grua…Kur ecin u rrëzohet rrugëve. A nuk e shihni? Janë mbushur rrugët me maska të hedhura. Qeshim, por nuk ka as lezet të qeshim me problemin.- Unë e kam gjetur thotë Doktori me shkollë fillore.  Novacion special:- Prodhoni maska vetëm për hundën. Frymëmarrja të bëhet vetëm me hundë; nxjerrja e gazit karbonik me gojë. Hap gojën nxjerrje dhe , pastaj, mbylle shpejt të mos futet djallo virusi, ose kafshoje bëje cope e çikë. -Bukur, shpikje e qëlluar,- aprovon Mahmudi. Kështu, me lehtësi, edhe aktivitet ekonomike vazhdojnë. Rritet ekonomia në mënyrë galopante. OBSH-ja të çuditet. Një zëri, në dakosdësi flasim: – Për shpikjen nuk duam shpërblim e çmime për këtë famë, që përhapet gjithandej në emrin tone me gjithë këtë personalitet e gjenialitet. Njerëz, mos qeshni për këtë Novacion kundër pandemisë,- bërtas unë dhe ne , shpikësit, pastaj, nuk përmbahemi duke u zgërdhirë me politikën… me shkencën, ( që, këtu, ka arritur majat pa maja)…

DY FABULA

FERRA

-M’u ngjite e m’u bëre ferrë,

-e ndëgjon dhe ferra nga udhëtari.

Mbase kjo është ankesë e sinqertë,

a mbase ferra bën veprim të drejtë?!

Po hajde mbushja mendjen këtij qyqari?

Shihe, zgjidhe rrugën nëpër pyll

dhe kacorren mbaje ti me vete,

se, plotësisht s’të ndriçon një yll

Pra,  me kacorre pritmë e hap shteg,

hatërmbetje s’ kam, ti të ecësh drejt!

“M’ u ngjite e m’u bëre ferrë”,

ndaj mos ta ndëgjojë tjetër here,

se për mire të ngjitem, të them ndal

që bukur e mire të ecësh drejt,

se dhe rruga u dashka bërë me art!…

PAPAGAJTË

Në shtëpinë e budallait papagalli

dha dhe mori, mësoi ca fjalë

e hipi një ditë në majë të një gardhi

dhe” Jam budalla” me të madhe ia pati.

Çuditen zogjtë:-Paska mësuar gjuhë

e ç’ gjuhë shqiptoka?” Jam budall”,

E përsëriste e fluturonte hum më hu

e aty u mblodhën dhe tjerë papagaj.

Eh, ç’ kor i lezeçtshëm u krijua:

-Jam budalla,- dëgjoheshin të gjithë.

Kjo fjali thjesht, shpejt u mësua,

se kështu paska qënë i zoti i shtëpisë.

DY POEZI

KU JE KRITIK

Ku je, kritik,

të puthsha lapsin!?

Bukur e jotja fjalë orienton

mendjen e poetit,

që për sorra fluturon,

që nuk di çfarë shkruan,

që nuk di çfarë bën

e pse e bën

sikur verbuar nga dritë yjesh,

sikur i dehur nën hënë.!…

Se… edhe kush publikon,

çfarë publikon mire nuk e di

ç’ meter për artin përdor,

Duhet peshore si në farmaci,

kur, kush s’ di ta vlerësojë artin…

Ku je, kritik, të puthsha lapsin!?

A e sheh në livadhe të poezisë

si dhe kush livadhis?

Sot, sot më 2020

zgjohu, kritik,

godit, godit

edhe fare mos kij frikë!

TRIOLET

Mençuri edhe çmenduri

me dallavere rrugësh, mik,,

kjo kohë e dreqit pa llogari

çmenduri edhe mençuri.

Shet çmenduri për mençuri,

vetë shitet për njeri fisnik

e kurrëkund s’ ka burrëri,

vetë shitet për njeri fisnik.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.