KUSH DUHET T’I DREJTOJË ZGJEDHJET KUVENDARE NË SHQIPËRI?
Një mendim:
1. STUDENTËT KOMISIONERË TË ZGJEDHJEVE
Dhe një përvojë:
2. KOMISIONAR NË VENDIN TËND DHE TË HUAJ
Nga Abdurahim Ashiku,
Gazetar, Athinë, qershor 2020
- STUDENTËT E JURIDIKUT KOMISIONERË TË ZGJEDHJEVE….
Në ekranin e vogël të një televizioni kombëtar pashë me zë e figurë një ish kryetar i komisionit qendror të zgjedhjeve që tha se komisionet e votimeve nuk duhet të jenë partiakë.
Por në qoftë se vërtet nuk duhet të jenë partiakë, gjë që e ka e gjitha bota demokratike atëherë kush do të jenë këta njerëz të lirë, të përkushtuar në nder e dinjitet që do ti japin fund kaosit zgjedhor në Shqipëri?
Për mendimin tim janë studentët, brezi i ri që lindi dhe u rrit në këto vite demokraci, të rinjtë dhe të rejat që vazhdojnë studimet për juristë në radhë të parë por edhe për profesione të tjerë të sferës shoqërore.
Kam një jetë të dytë në Greqi ashtu siç kanë edhe bashkatdhetarët e mi nga lind e perëndon dielli në ciklin njëzet e katër orësh të lëvizjes. Në vështrimin e gazetarit më ka bërë përshtypje se asnjëherë nuk ka pas kontestim të zgjedhjeve, nuk ka pas asnjë ankesë as nga partitë e mëdha politike dhe as nga të voglat. Në të njëjtën hapësirë kohore në vendin tim kontestimet kanë qenë deri në dhunë (demonstrata e socialistëve më 28 maj 1996 në sheshin Skënderbe ku gjaku rrodhi krua nën syrin e kamerave televizive e fotografike), ngujime në çadra në kërkim të “hapjes së kutive” dhe të tjera e të tjera që nuk numërohen.
Në Greqi votat i numëron ministria e brendshme e shtetit gjë që po të hidhet në diskutim në Shqipëri do të shpërthenin jo debate të mëdha por edhe kacafytje të mëdha.
Ministria e brendshme i numëron votat nën vëzhgimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve detyra e të cilëve është të kontrollojnë imtësisht ligjshmërinë. Edhe kjo në Shqipëri do të anatemohej për shkak të psikologjisë tashmë të çimentuar fort të korrupsionit për ta. Në gjithë këto vite, para, gjatë e pas zgjedhjeve në Greqi nuk kam parë anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor (nuk e di në se ka apo jo) që të mblidhen, thërrasin e bërtasin për anomali e kontestime. Zgjedhjet në Greqi i janë besuar në dekada një institucioni që deri tani nuk ka rrëshqitur në anësi partiake dhe vazhdon të jetë i besueshëm për të gjithë. Fola për Greqinë me dëshirën që lexuesi i këtyre radhëve, mërgimtar shqiptar në botë, të sjellë shembuj nga Italia, Franca, Anglia, Gjermania, Suedia, Hollanda e disa ditëve më parë etj. ku jam i sigurt se votimet dhe procesi i votimeve ka të njëjtën fytyrë demokratike dhe sherret para e pas zgjedhore për komisione e pjesëmarrje, për hatër mbetje se nuk janë caktuar komisionarë apo vëzhgues janë “përrallë nga e kaluara”. Në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” bërtitet deri në kupë të qiellit për “zgjedhje të lira e të ndershme”, “qeveri teknike” e bërtitur kjo tashmë e njohur në tërë vitet e demokracisë. Nuk do të hapja kllapa e të tregoja me kujtesën dhe përvojën e gazetarit për 26 majin 1996 kur kutitë e votimit u mbushën aq shumë sa numëruesit (kur ndodhi të bëhet ndonjë numërim) deklaronin jo 99.99 për qind por 120 për qind pjesëmarrje e vota për partinë demokratike. Nuk do të hapja as për zgjedhje të tjera të dhunuara e manipuluara. Janë të njohura…
Zgjedhjet e lira janë dhe do të jenë të LIRA kur partitë politike në qendrat e votimit, në komisionet zonale, bashkiake, qarkore, qendrore, vëzhgusore të mos jenë të pranishme fare, kur kjo gjë do ti besohet qytetarit të lirë, shoqërisë së lirë, rinisë së lirë…
Por a ka një shoqëri të tillë të lirë që mund e duhet ti besohet procesi zgjedhor në Shqipëri?
Mendoj që ka ose mund të krijohet me besim tek ata.
Po cilët janë këta njerëz të lirë, të përkushtuar në nder e dinjitet që do ti japin fund kaosit zgjedhor në Shqipëri?
Unë mendoj se janë studentët, brezi i ri që lindi dhe u rrit në këto vite demokraci, të rinjtë dhe të rejat që vazhdojnë studimet për juristë në radhë të parë por edhe për profesione të tjerë të sferës shoqërore. Studentët e juridikut duhet të jenë komisionarë, numërues dhe deklarues të votimeve në Shqipëri. Ata duhet të jenë pjesë njëqind për qind e komisioneve zgjedhore nga qendra e votimit e deri në komisionin qendror të zgjedhjeve (mbase ky për momentin të mbetet “partiak” si relikte e së kaluarës për tu shkrirë e shndërruar në një model perëndimor demokratik certifikimi zgjedhor dhe mandatime).
Nuk e di sa është numri i studentëve të juridikut në të gjithë Shqipërinë dhe në se ata janë të mjaftueshëm për të plotësuar të gjithë strukturën zgjedhore. Në qoftë se jo, atëherë mund të merren edhe studentët e ekonomikut, filologjisë e të tjera degëve universitare. Studentët në këtë proces do të jenë në vëzhgim universitar të rektoratit dhe pedagogëve, do të marrin “notë” për lëndën “votime”, lëndë e cila gjykoj që mund e duhet të futet në programin universitar si trajnim profesional duke i dhënë fund “trajnimeve dy-tre ditore” më këmbë që bëhen deri sot.
Për mendimin tim hedhja e vështrimit dhe formimi i besimit në brezin e ri, tek të rinjtë dhe të rejat studentë, formimi i një strukture zgjedhore bazuar pikërisht me këtë pjesë të re të shoqërisë shqiptare, shoqëri që ripërtërihet ndër vite, do të demokratizojë zgjedhjet por edhe Shqipërinë. Krijimi i kësaj strukture administrimi zgjedhor do ti kursejë shtetit miliarda lekë që aktualisht shpenzohen për pagesat e strukturave legale zgjedhore, për komisionarë e vëzhgues partiakë (paguar majmërish edhe nën dorë), për struktura jashtë zgjedhore që presin me “hunj” në krahë para qendrave të votimeve, për para partish politike, për blerje votash, e të tjera fjalë e fjali të rëndomta që i gjen sot në rrugë e nën rrugë. Le ta mendojnë qeveritarët, partiakët e mëdhenj dhe të vegjël, kuvendarët, le ta vendosin në nene në Kodin Zgjedhor, në qoftë se duan vërtet zgjedhje të lira e demokratike. Jam dyshues për këtë sepse qeveritarët tanë, kuvendarët tanë, nuk kanë veshë të dëgjojnë, nuk kanë sy të shikojnë më larg se maja e hundës së tyre.
- KOMISIONAR NË VENDIN TËND DHE TË HUAJ
Rrëfimi i një komisionari votimesh në Atdhe dhe në Mërgim
Ka marrë nënshtetësinë e vendit ku tash 23 vjetësh është banor i tij. Ka, si i thonë, dyshtetësi, shqiptare e greke. Ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Për më se një dekadë na ndante një mur apartamenti banimi. Jetën e tij i përmblodha në një libër me titull: “Rrëfimet e komshiut”.
Kësaj radhe në një rrëfim për votën. Rrëfim në dy kohë e në dy vende ndarë me një kufi tokësor, afër e afër gjeografikisht. Larg e larg demokratisht…
“E thjeshtë, më thotë ndërsa gjerbim kafe, jo vetëm për mua, por për gjithë ata qindra mijëra shqiptarë anë e kënd botës.
E veçanta, ajo për të cilën po të tregoj, është se më thirrën të jem pjesë e votimeve zyrtare në lagjen ku banoj, komisioner në Kipseli të Athinës…
Nuk jam shprehur publikisht, përveçse nëpërmjet votës që vetëm unë e di, anësi ndaj ndonjë partie.
Thjesht më thirrën dhe isha komisioner.
Komisioner si të gjithë të tjerët ulur në tavolinë pa ndonjë kokardë partie në thilenë e këmishës.
Vrojtoja njerëzit që hynin, tregonin identitetin, vendvendosjen e emrit në listën zgjedhore, merrnin fletën e votimit, fshiheshin në kabinë dhe vinin, pa ndonjë shenjë të veçantë në fytyrë dhe e hidhnin atë në kuti…
Pastaj erdhi numërimi.
Ne vetëm shihnin….
Fletët e votimit numëroheshin sipas një riti monoton.
Në fillim e shihte “dhikastikos liturgos”, përfaqësuesi ligjor, gjykatës, prokuror, avokat apo pjesëtar i sistemit të drejtësisë greke.
Më pas fleta kalonte dorë më dorë tek të gjithë pjesëtarët e komisionit.
Përsëri nga e para: në dorën dhe vështrimin e përqendruar të personit të drejtësisë e pastaj tek ne, dorë më dorë.
Vota deklarohej me zë, tri herë.
Më pas hidhej në një tablet për tu regjistruar e për tu përcjellë në sistem.
Në kohë reale…
Në ekrane televizionesh shtetëror e privatë…
Kaq.
Thjeshtë dhe qartë.
Në komision ishim pesë vetë. Asnjë nuk jepte shenjë se i përkiste njërës apo tjetrës parti në garë. Të gjithë ishin vullnetarë të zgjedhur si në “loton me gogla” nga bashkia.
Dhe “gogla” ra mbi emrin tim, një emigrant shqiptar me nënshtetësi greke.
Po ta përsërisë edhe njëherë: Më bëri përshtypje rregulli. Çdo votues merrte në dorë fletën e votimit dhe një zarf apostafat për zgjedhjet. Futej në kabinën e fshehtë dhe kthehej me fletën e votimit në dorë. E paloste dhe e fuste në zarf. Mbi zarf, në katër kënde të saj dhe në qendër vihej vula e qendrës së votimit. Riti i mëtejshëm ishte i zakonshëm. Hidhej në kuti për tu hapur vetëm kur kishin mbaruar votimet.
Votimet filluan në orën 7.00 të mëngjesit dhe mbaruan në orën 19.00 të pasdites.
Numërimi dhe deklarimi i rezultatit përfundoi në orën 11.00 të natës.
Çdo gjë ishte me një rregull të jashtëzakonshëm. Nuk i shkonte kujt ndërmend të tjetërsonte e jo më të zgjaste dorën të prekte kutinë e votimit dhe votën e partive.
Në orën 11.00 kur përfunduam i shtrënguam dorën njeri tjetrit dhe thamë “mirë u pafshim”.
Nuk do të t’i tregoja këto sikur në ato çaste mendja të mos më fluturonte larg në një fshat të thellë të vendit tim.
Isha komisioner në zgjedhjet kuvendare të 26 majit 1996.
Sapo kisha mbaruar studimet e larta e si anëtar i Partisë Demokratike që në Lëvizjen Studentore më caktuan komisioner në fshat.
Në mesditë na morën në telefon dhe na njoftuan se votimet përfunduan. “Merrni kutitë dhe nisuni për në Librazhd,” ishte urdhri.
I morëm pa firma e vula. Komisionerët e Partisë Socialiste kishin ikur.
Mund të bënim çfarë të donim me fletët e votimit. E mbushëm kutinë sa nuk merrte më.
Në mes të rrugës na urdhëruan që ti hedhim kutitë. Rezultati kishte dalë katër orë përpara se të mbyllej votimi. Madje na urdhëruan që së bashku me kutitë të hedhim në humnerë edhe mushkën. E gjora mushkë përfundoi bashkë me kutitë fletët e të cilës fluturonin në humnerën e përroit të thellë të Lunikut.
Unë studenti i dhjetorit, anëtar i Partisë Demokratike në votën time të parë në jetë, komisioner në vendlindje nuk pashë vota. Nuk numërova vota. Nuk më dha kush mundësi të numëroja vota. Kutitë mbi mushkë dhe mushka bashkë me fletët e votimit fluturoi në përrua. U mbyll votimi. Merre kutinë. Ik zhduku. Rezultatin e jap unë…
Ika, hodha teserën e Partisë Demokratike dhe kapërceva malet.
I zhgënjyer…
I revoltuar…
Pa shpresë për të ardhmen…
E keqja që ka kapluar Shqipërinë është se 26 maji i vitit 1996 vazhdon të jetë atje. Në çdo votim, në të gjithë vendin, në qytetet e mëdha dhe në fshatrat midis malesh.
Votat i numërojnë komisionarë partiakë. Njerëz që gjatë gjithë procesit e shohin njeri tjetrin si hasëm, si armiq të betuar. Njerëz që fusin duart e me to njollosin jo procesin, por Shqipërinë…
Në Greqi pashë se vota është e shenjtë. Pashë se për të është krijuar një kulturë dhe traditë për tu admiruar.
Pse nuk bëhet edhe tek ne kështu?
PSE?
Pyes dhe nuk gjej përgjigje.
Pse mos të zgjidhen “me gogla” njerëz që nuk varen nga partitë për të qenë dëshmitarë të votës së lirë?
Pse në procesin e numërimit të votave të mos thirren studentët, të juridikut në radhë të parë, që të japin në praktikë “provimin e drejtësisë?
Pse në dokumentimin e votës dhe vulosjen e rezultatit të mos thirren juristët, prokurorë, gjyqtarë, avokatë të paguar nga shteti (në Greqi ato paguhen, madje mirë) ?
Është për të ardhur keq që në një vend pas 28 viteve nuk ka zgjedhje. Ka vetëm sherre. Pa pikë turpi. Lamë nam. Lamë nam. Lamë nam.
Hahet presidenti me kryeministrin për çfarë? Për mustaqet e Çelos.
A i ndoqe zgjedhjet në Greqi sa demokratike u bënë? Fitoi Micotaqis. E merr në telefon Cipras dhe e uron për fitoren dhe i thotë eja nesër të të bëj dorëzimet. Të marrësh karrigen time. Kësaj i thonë demokraci.
E priti të nesërmen në zyrë Ai, humbësi.
“Unë po iki, shëndet, mirupafshim.”
Dhe e zuri karrigen tjetri.
Kjo është demokracia në fqinjin tonë më të afërm gjeografikisht, por jo në Shqipëri.
Mua që më ra rasti në jetë të jem në komision votimi, në dy vende të ndryshme, në dy kuti votimi të ndryshme pashë diferencën e natës me ditën. Qe gjë shumë e mirë, eksperiencë e mirë që vajta. Më tepër pashë se çfarë bëhet. Rregull i paparë. Është për të pasur zili.