Bota e letrave shqipe për më se tridhjetë vite, po “ pasurohet “ me prurjet që vërshojnë nëpër mediat e shkruara periodike dhe ato elektroniket, nëpër shtëpitë botuese dhe studio, nëpër faqet e facebook-ut,etj, duke formuar kështu “ një lum” me “shtrat” tepër të gjerë. Kjo dukuri a e ka një sens pozitiv? Një kritikë e mirëfilltë letrare me profesionalizëm, ndoshta do t’i jëpte një përgjigje të saktë. E them këtë pasi kemi të bëjmë me letërsinë shqipe dhe një bum i tillë i botimeve duhet t’i tërhiqte me kohë vëmendjen institucioneve përkatëse, për të ngritur “ pendat” për ta mirëpritur, apo për ta ndërprerë sadopak këtë vërshim, thjesht për të ruajtur cilësinë e letërsisë shqipe. Cdo prurje ka një vend në skedinat e bibliotekave, qoftë asaj kombëtare ashtu dhe degëve nëpër qytetet e vendit, paçka nëse e meritojnë të zenë vendin atje. Pra, a duhet ta gjejë rrugën e humbur kritika letrare profesioniste?
Dikur ishte kjo kritikë letrare që vendosi emrat më të spikatur të letërsisë shqipe në podin e merituar. Objekti i këtij shkrimi nuk është lëvrimi në tërësinë spektrale të letërsisë, por i zhanrit të poezisë, madje i poezisë lirike, që do më pëlqente ta cilësojë të traditës, me vargun e rregullt e metrikën ku letërsia shqipe ka korifejtë e saj si Dritëro Agollin, KoçI Petritin, Dhori Qiriazin, Ndoc Gjetjën…Në dekada , kjo lloj letërsie ( poezie!), parë në këndvështrime të ndryshme, ka qenë objekt i trajtuar nëpër organet e shtypit letrar të kohës. Pra, kritika letrare me emra profesionistësh e analistë të ndryshëm, poezinë e tyre ( e autorëve më në zë!) të traditës jo pak herë e kanë kaluar nëpër krehrin e saj, për të mos thënë se kishte arritur një mbingopje aq sa në vijimësi të rishikimit të tyre nuk thuhej më asgjë e re por , si puna e një “supe” bajate, që kërkhet me lugën e drunjtë të të kapet ndonjë grimcë prej përbërësve ende të patretur, të krijohej bezdi. Ndoshta , dhe sot, ndonjë fanatik i tyre( jo i poezisë por i autorit!) vazhdon e merret me ta duke qëmtuar terma e skuta që gjoja kanë mbetur të pa eksploruara, duke u munduar për t’u dhënë dritë në këndvështrime moderniste e postmoderniste. E nëse ekziston ky “oreks” për t’u marrë me letërsinë shqipe( dhe që është e nevojshme!), përse nuk angazhohen në të mirë të saj, pikërisht me prurjet e reja ( flas gjithnjë për poezine e traditës!) në këtë gjini të poezisë, e cila mendoj se meriton të vëzhgohet e të merret në konsideratë si kurora e poezisë elitare, pasi jo vetëm se është zanafilla e këtij zhanri, që jo vetëm shpreh, por dhe përfaqëson këngën e botës shpirtërore, që i jep emocionet duke e kënduar së brendshmi, siç ndodh me ligjërimin e ëmbël të burimit kur del nga nëntoka?! Se për të arritur të kurorëzohet kjo lloj poezie kërkon talentin e mjeshtërinë, përvojën dhe guximin për të mos rënë në kurthin e vargëzimit bajat. Për ta “qendisur” me aoreolën e figuracionit artisitk, gjë që nuk është e thjeshtë, kërkon “ thesarin” e fjalës. Se për t’i gërshetuar pjesën e naracionit me elementët e detajit derisa të jepet mesazhi, nevojitet njohja e thellë dhe fantasia. Se ruajtja e strukturës realizohet kujdesshëm jo me ecjen çapraze, por me qetësinë, ritmin e elegancën e saj. Se gjuha që duhet të përdoret është e selektuar, me metaforën. Nga ana stilistikore duhet të jesh konseguent me metrikën që të mos dëmtohet muzikaliteti… Dhe jo kushdo mund ta bajë këtë… Prandaj poetët modern nuk i josh kjo lloj poezie dhe i largohen, siç i shmanget një xhongler i papërvojë ballafaqimit në publik. Nuk do të thotë se nuk jam admirues i poezisë së vargut të lirë, i poezisë së hapur apo dhe asaj hermetike( e quajtur hermetike!), por nëse kjo në ecjen e saj ka zhurmërimën dhe ritmin e trokashkës, që të lodh në një moment dhe nis e humbet “shijen”, ndryshe poezia lirike ka fëshfërimën që të qetëson.
Ndër vite të tërheq vëmendjen poezia e Pozaet Qoses, Gjergj Shytit, Viktor Gjikolës, Agim Bajramit e Lola Shehi… Secili prej tyre ka individualitetin e vet që, edhe pse veprojnë në një oaz, përsëri, po të vësh re, secili prej tyre krijonë portretin e vet. Pozaet Qosja me lirikën e vet tregon bindshëm monopatet mahnitëse për tek lirishtat e saj, ku merr frymë e ngopesh me “oksigjenin “ që ajo çliron. Ai si poet luan me detajin, që e has përditshëm, kaq lirshem e kaq pa sforcim, nuk abuzon me fjalën, por qëmton e gjen atë çka është e përshtatshme për motivin që trajton, duke i dhënë një bukuri, brenda atij kuadri që shijohet, duke ruajtur dhe sensin e masës për të qenë tepër racional. Poezia e tij nuk i kalon kurrë të katër strofat, por brenda tyre emocioni nuk zbehet dhe mesazhi stigmatizohet…Por kritika nuk e kthen sytë nga arti i vërtetë. Ndryshe sillet poeti lezhjan Gjergj Shyti, i cili është një njohës i jashtëzakonshëm i natyrës, por kurrë poezia e tij nuk bie në natyralizëm. Ai rrok të veçantën dhe e përgjithëson atë, me një varg model deri në përsosmëri, ku gjatë leximit edhe brendavetja e lexuesit këndon, siç këndon shpirti i njeriut ninullën e një foshnje ëngjëllore. Poezia e Valter Dautit është lirikë e kohezionit shpirtëror, ai operon mbi karakterin, kurse poezia e Lola Shehit mbështetet tek ndjesitë që shpesh burojnë nga intimiteti vetiak…Lirika e Pozaet Qoses kap një spektër të gjerë tematik, por ajo që ndeshet më shumë është erotika nostalgjike… Duket krejt e rastësishme rrokja e detajit tek poeti Qosja. Ja si e ndeshim atë tek poezia “ Gruas së mrekullueshme” dhe sa me finesë na e jep mesazhin:/ Ti je shëmbëllim Shën Marie.// dhe pse Krishtin s’e pate si fat,// por ne kurrë s’na vështrove si hije,// nëpër honet e udhës së gjatë./ apo po kaq befasuese është poezia “Ftesa Blirësh”: / Me gjethe blirësh ftesa shkruan maji,//në fund të tyre emri s’është askund,/, apo tek poezia “Të gjitha dhe asgjë”: / të gjitha ditët merri ti,// asnjë në je llasticë,//që të humbas në dashuri,// si qengji , kur pi sisë…/
Nuk është fjala për një kritikë letrare në rolin e censuruesit. Aspak. Është fjala për një kritike letrare profesioniste në rolin e vëzhguesit, të analistit dhe pse jo të autoritetit, i cili do të përcaktojë dhe cilësimet e krijuesve, të cilët me prurjet e tyre, ata që e meritojnë, të zenë vend me veprat e tyre nëpër skedinat e bibliotekave.