Dje më 6 janar 2022 ndrroi jetë Rexhep Gjoci, një ndër intelektualët e zonës së Muhurrit, që u ngjit me meritë deri në kupolën drejtuese të rrethit Dibër.

Për të mbrritur deri këtu atij iu desh shumë mund e sakrifica, pasi vinte nga një familje e varfër e fshatit Vajmëdheji. Me zellin për të mësuar, zgjuarsinë dhe mprehtësinë që e karakterizonte që fëmijë, si dhe në koherencë me realitetin e sistemit monist, ku kaloi katër dekada të jetës së tij, ai ia doli të ecë në një hap me të përparuarit, madje dhe të ngjitet në majën e elitës intelektuale dibrane.
Rexhep Gjoci ka lindur më 1 shtator të vitit 1952, në një familje të përbërë nga nëntë anëtarë: babai, nëna, katër djem (Xhelili, Rexhepi, Besimi dhe Kurti) dhe tri vajza (Zifja, Nilka dhe Sania). Burimet financiare të të ardhurave të kësaj familje kanë qenë mjaft të pakta. Ato përbëheshin nga puna në kooperativën bujqësore e babës dhe e nënës, që varionte nga 6-8 lekë për ditë pune, si dhe të ardhurat nga prona e vogël që përbëhej nga një dynym tokë dhe një lopë ose 10 bagëti të imëta. Në këto kushte varfërie, nga shtatë fëmijët, vetëm Rexhepit iu mundësua vazhdimi i studimeve për më tej. Pas përfundimit të shkollës 8 – vjeçare në Muhurr, Rexhepi vazhdoi shkollën e mesme veterinare në Shkodër, e më pas vijoi studimet në Fakultetin e Veterinarisë në Institutin e Lartë Bujqësor (Sot Universiteti Bujqësor) Tiranë.
Duke parë sakrificën që bëri familja për t’a mbajtur në shkollë, me veshmbathje, libra e shpenzime të tjera, Rexhepi mёsoi shumё qё t’ua shpёrblente mundimin, duke e mbyllur fakultetin me notën mesatare 9.4 (nga 20 provime që dha nga viti i parë deri në të pestin, mori 16 nota dhjeta dhe në katër provime katër nota nënta).
Këto rezultate e nxitën Rektoratin e Universitetit Bujqësor ta kërkojë dy herë pranë organeve përkatëse të rrethit Dibër për ta mbajtur pedagog në këtë fakultet, por autoritetet e kohës në rreth e refuzuan kërkesën. Po kështu edhe Ministria e Bujqësisë e kërkoi për ta dërguar për specializim jashtë shtetit, por përsëri u refuzua.
Rexhepi vazhdoi punën si specialist në Ndërmarrjen Bujqësore Dibër, në sektorët Kastriot e Zdojan, ku punoi kryesisht me dy raca lopësh: Brun Alpin dhe Laramane e Zezë, me dele të racës merinos, e lloje të tjera kafshësh, ku pati rezultate të larta për kohën, në rendimentet për krerë, ku u shënuan nga 2500 – 4000 litra qumësht lope për krerë, dhe 160-180 kg qumësht dele për krerë.
Autoritetet e rrethit, të cilët kishin qenë refuzues që ai të ecte në rrugën e shkencës në profesionin e veterinerit, me sa duket, siç provoi edhe koha, e spostuan nga profesioni dhe e dërguan për studime në Shkollën e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë, të cilën e përfundoi me diplomim të nivelit “shkëlqyeshëm”, sepse atje notat ishin zëvendësuar me shprehje.
Mbas mbarimit të shkollës filloi punë në Komitetin e PPSH të rrethit, ku në tri konferenca radhazi u zgjodh Sekretar i këtij Komiteti në një periudhë kohore që zgjati nga viti 1984-1991.
Siç dihet, PPSH ka qenë forca e vetme që udhëhiqte gjithë jetën politike, ekonomike, shoqërore, sociale, kulturore e arsimore, etj. Si e tillë ajo ishte parti-shtet, parti në komandë të të gjithë jetës së vendit. Ajo e udhëhoqi vendin për 45 vjet me dorë të hekurt. Kështu që analizën e këtij 45-vjeçari mbetet t’a bëjnë historianët dhe bashkëkohësit që i kanë jetuar të dy sistemet.
Risia që sjell Rexhepi në përbërjen e udhëheqjes më të lartë të rrethit Dibër është se qe intelektuali i parë nga Muhurri, dhe në përgjithësi i Dibrës së Poshtme, që në një moshë fare të re, vetëm 32 vjeç të ishte një nga drejtuesit kryesorë të rrethit të Dibrës, me peshë në ekonominë kombëtare.
Atij i takoi barra e rëndë e amortizimit dhe e kalimit gradual të pushtetit, të shuarjes së urrejtjes në individë e grupe të caktuara shoqërore. Periudha e drejtimit të tij qe periudha e kalimit gradual nga socializmi në kapitalizëm dhe këtë, ai, jo vetëm që e kuptoi me kohë si proces, por në asnjë rast, nuk përdori forcën e shtetit dhe institucioneve të tij, për të goditur individë apo grupe njerëzish që kërkonin ndryshimin.
Natyrisht, ai e pranonte këtë. Ndaj dhe nuk nguronte të pranonte si gabime fatale të sistemit monist: denigrimin e fshatarësisë duke e zhveshur nga çdo lloj prone individuale; masat absurde të heqjes së tre dynymshit e zëvendësimin me një dynim, krijimin e kooperativave bujqësore në zonat malore të vitit 1968; atë që i vuri vulën prishjes përfundimtare të marrëdhënieve me këtë klasë, pesë vendimet e fundit të qeverisë së asaj kohe për tufëzimin e bagëtive.
Rexhep Gjoci ishte ndoshta nga të vetmit ish – funksionarë të lartë të rrethit, i cili nga largësia e viteve, pranoi paaftësinë e udhëheqjes së kohës, mediokritetin, mplakjen, burokratizmin, konformizmin etj. Natyrisht, që të pohonte se këto i dinte, do të ishte i pasaktë, por që sistemi socialist po merrte fund, ai pohonte se e ka kuptuar që në vitin 1986, kur Ramiz Alia shkoi në Plenumin e Komitetit të Partisë së Vlorës dhe hodhi idenë që kuadrot drejtuese duhet të vendosen në pozicione pune me mandate të përcaktuara, përvojë kjo e shteteve kapitaliste.
Gjithsesi, veprimtaria jetësore e Rexhep Gjocit ka qenë e mbushur me intensitet të lartë ngjarjesh, lëvizjesh politike e shoqërore, së bashku me njerëz e personalitete të kohës, të cilat jo vetëm që kanë lënë gjurmë në qënien e tij, por kanë ndihmuar që të formojë personalitetin me ato cilësi e tipare pozitive, për të qenë i dobishëm ndaj shoqërisë, e cila harxhoi për kualifikimin dhe shkollimin e tij, por ai ia shpërbleu me punë e përkushtim gjatë karrierës së tij në ngjitje.
Parë nga ky këndvështrim, në profilin e tij na tërheq karakteri dhe dimensioni njerëzor. Sikurse bashkëmoshatarët dhe bashkëkohësit e tij, edhe ai e ndjente veten krenar që ishte muhurrak, që kishte marrë përvojën dhe mençurinë e këshillat e vyera të Xhemal Berishës, Xhetan Ismrisë, Dan Lalës, Hysen Xhanit, Selman Farrukut, Halit Lacit, Dine Dodës, Nazmi Mëziut, Rifat Ballës, Mexhit Prençit, Shefki Devës, kolegut e shokut të tij më të mirë, Asllan Xhani, etj.
Si mishërues i mirënjohjes, si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, ai do tw shprehej:: “Muhurri më dha formimin dhe pjekurinë, më ruajti nga gabimet duke mos më angazhuar në problemet e tyre, nuk shkruajti asnjë letër kundër meje, më deshi e më respektoi, ndaj unë i them faleminderit!”. Megjithëse nuk përmenden ato që bën për të tjerët, pas Idriz Lalës që i la Muhurrit veprën e madhe të kanalit vaditës të Murrës, Rexhep Gjoci ka ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në atë që sot mund të duket modeste, por pati vlerë të madhe, në asfaltimin e rrugës Peshkopi-Muhurr, ndërkohë që ndikimi i tij ka qenë i dukshëm edhe në investime për përmirësimin e qendrës së lokalitetit, objektet e tregtisë, parkun e Murrës, kopshte e çerdhe nga puna vullnetare e ndërmarrjeve ekonomike, pasarelën në përrua të Sheut, etj.
Të kontribosh për të tjerët është fisnikëri. Ndaj dhe Rexhep Gjoci ndjente gëzim dhe krenari kur kujtonte se ka bërë këto të mira për vendlindjen e tij dhe lumturohej sepse mosha po bënte punën e vet .
Ai iku për në botën e përtejme duke mbetur në kujtesën e njerëzve të familjes, shokëve e miqve të shumtë si simbol i mençurisë dhe mirësisë njerëzore, ndaj dhe do të kujtohet gjithnjë me nderim e respekt të veëantë prej tyre.
Lamtumirë Rexhep Gjoci!
Shpirti yt, lulëzoftë në kopshtet më të bukura të parajsës!