Rreth librit: “Vij e hy brenda teje” të autorit Gjon Marku
Të flasësh apo gjykosh mbi një vepër letrare në kohën e sotme është e vështirë e aq me tepër të flasësh për librin e autorit tashmë të mirënjohur dhe që ka vepra të botuara në disa fusha të letërsisë dhe të studimeve letrare. Gjithësesi pasi ke nisur të lexosh librin e ri me tregime “Vij e hyj brenda teje” vë re kërkesat e pareshtura të autorit për të dhënë vepra gjithnjë e më cilësore duke bërë që ai të vendos parametra shumë të lartë në shkrimin dhe narracionin që sjell për lexuesin duke ndërtuar një vepër interesante por dhe të komplikuar që i shkon stilit të tij, ngarkuar me figuracione dhe me situata të këndshme por shpesh dhe dramatike në disa tregime. Nuk mungon ironia që shpesh përzihet me një humor të hollë duke sjellë shumë detaje interesante ku vëmë re se i vetëdijshëm për ndeshjen kulturore ndërbrezore ku rrëfimi i ttegimtarit shkon drejt zgjidhjes së problemeve në favor të gjeneratave që tentojnë të shkëputen nga kodet tradicionale të jetës së përditshme.
Jashtë çdo kodi moral, njerëzor e shoqëror personazhet të cilët për të mbrojtur botëkuptimin e tyre absurd veprojnë në funksion për të fshehur një skenar e për të arritur qëllimet e veta të pamoralta, që nuk arrijnë të evoluojnë mendërisht, dhe i mbeten besnik “kohës së abuzimit me pushtetin” janë të destinuar të përfundojnë në varrezat e “namit të keq”.
E kjo duket më së shumti në tregimet “Nana dhia e Dorit”, “Nga zjarri që ti ndeze vetë u bëre hi”, apo në tregimin “Zeri nën zë” ku autorit i pelqen te vendosë raporte të drejta me kohën, natyrën, njerëzit, duke mos lanë hije dhe keqkuptime në sjelljen e tij kur dihet që raportet më të ndërlikuara janë ato me vetveten. Në këtë vëllim me tregime të shkurtëra bije në sy e pasqyrohet dhe njëra nga fytyrat më të shëmtuara të vendit tone, shetetari i korruptuar dhe i pa moral.
Në këto tregimeve personazhi duke ikur larg, pas ëndrrës, pa atdhe, pa të afërt, miq e shokë atëherë kur fillon koha e distancimeve, ku nga lartësira të imagjinuara, mashtron veten se ja del të fitosh sfidën në një botë, që bëri gjithçka për të mos lënë të drejtin të dalë në dritë.
Mjeshtëria krijuese e autorit si rrëfyes i natyrshëm i cili di të nxjerrë në pah qëndrime të ndërlikuara e të moralit të pamoralshëm brenda një shoqërie e cila ndryshimet nuk i sheh si mundësi çlirimi dhe kalimi në liri të plotë me gjithë korpusin e vlerave që përfshinë ajo, por me një mundësi për përfitime ndër më të ultat e ku dalin në pah anët më të liga njerëzore.
Një vend të veçantë zënë tregimet me temë nga jeta e përditshme përmes të cilave autori na paraqet raportet e individit me institucionet burokratike shtetërore ku njeriu ndjehet jo vetëm i tallur, i papërfillur por dhe shpesh viktimë e tyre. Duke pasur parasysh këtë gjë, mund të konstatojmë se Gjon Marku me mprehtësi futet në këto tregime dhe i sjell ato estetikisht të punuara dhe skalitura me kujdes për të qënë të këndëshme gjatë leximit për lexuesin.
Në të vërtetë autori a thua se e ka provuar në kurriz atë masë ndëshkimi i cili konfiguron si sulm i hapur dhe i drejtëpërdrejtë kundër një dhune të përhershme dhe të pandërprerë ndaj dijes dhe njeriut të ndershëm. Prandaj Gjon Marku kalon me elegancë artistike sa nga fantastikja tek filozofikja nga një tregim në tjetrin, ku në plan të parë nuk janë më situatat por njeriu me gjithë qënjen e tij, por dhe ambienti ku jeton filozofia dhe mendimi i tij. Për të, tregimi është një krijimtari letrare që vjen prej aftësive të veçanta intelektuale e transmetohet tek të tjerët pasi vëzhgohet brenda vetëdijes së fjetur të njeriut e ku mbizotëron qenia morale, mirësia dhe njerëzia, por dhe prirja për ta rrënuar tjetrin janë bashkë. Pikërisht fuqia dhe magjia shprehëse, pasi ka kaluar nëpër hapësirat e imagjinatave të pafundme e vjen për lexuesin, pasi ka jetuar gjatë si një i burgosur në thellësinë e shpirtit, si një dehje ngazëlluese shpirtërore të skajshme duke zbuluar të fshehtat e panjohura, kumtet që dalin nga teksti dhe tabloja artistike që shprehen nëpërmjet rrëfimit të zbulojnë të fshehta të mëdha. E kjo duket se ka mbizotëruar në çdo çast në librin e autorit Gjon Marku “Vij e hyj brenda teje”
Familja dhe vendlindja zënë shumë hapësira në tregimet e tij, ndersa atdheu shfaqet i ngjizur brenta tyre sikur e thërrasin malet e vendlindjes. Ai ndalet në filozofinë e të menduarit njerëzor kështu Gjon Marku në një bashkëbisedim me të jëmën shprehet se “…fyti duhet ta ndalë fjalën e pardrejtë, të pavërtetë, të pamoraltë e jo ta nxjerrë e ta thotë atë”.
Nëse e nisim nga tregimet ku tregimtari kërkon realizimin e përmasës së vet pa u fshehur pas madhështive fiktive, qofshin ato edhe të epokave, ia vlen, së fundi të ndalemi tek tregimi ku Nora zgjedh vetëflijimin duke i dhjënë jetë njerëzores edhe pse libri sjell në çdo tregim histori njerëzore. Tek ky tregim gërshetohen bashkë thirrja e atdheut, dashuria dhe sakrifica për të e cila është më e madhe se sakrifica për çdo gjë tjetër, por e njejta gjë ndodh dhe me Valonin i cili rrugëton nga shteti në shtet për t’u gjendur pikerisht aty ku atdheu lëngon.
Tregimet kanë rrjedhëshmëri e ai nuk i lë ato të burgosura brenda shpirtit të tij, ato janë tregime të ardhura nga një zë i brendshëm që shpesh sjell keqardhje për fenomene negative që mbjellin veç zi si mortja, e herë herë mbushur me dashuri apo një qëndrim të ashpër në raste të tjera.
Pesha e veprës që krijon por dhe rezonanca e saj kanë në të pasqyrimin e personalitetit krijues, duke arritur të përcaktojë qartë misionin që kërkon të përmbushë duke e përveçuar prej të tjerëve apo dhe prej librave të tij të mëparshëm.
Gjon Marku kërkon të jetë në një gjendje të lirë por është dhe në sfidë me lirinë për të na dëshmuar se është i zoti të na japë një letërsi të lirë. Edhe pse shpesh ai është novator i saj apo ironia e tij e hollë me fenomene negative. “Po të fyejmë ju- shkruan ai- fyhet fyerja”
Libri ka një shtrirje të gjërë, ku nuk ka sesi të mbesin jashtë trajtimi i dashurisë që tregimtari në rastin konkret, maturon dhe shpreh në një mënyrë të veçantë. E ai me shumë sqimë flet për dashurinë ndërkontinentale e kjo duket më së miri në disa tregime.
Në libër personazhet hyjnë dhe luajnë në teatrin e jetës me bagazhin e përvojave të tyre të përditshme, të zgjidhjeve të suksesëshme por dhe të dështimeve, të fajeve dhe të pendimeve, të fatkeqësive dhe të gëzimeve, të lodhjeve, të konflikteve dhe të tragjedive, sa brenda familjes aq edhe në shoqëri. Toni i konfliktit, të personazhit me veten dhe i konfliktit te tij në raportet me shoqërinë ndjehet i fortë dhe në shumë mënyra është tutkalli që e mban unik, e bën atë integrues.
S’do mend se gjuha e tij është ndikuar nga simbolika në analizat e veta absolute midis të mirës dhe të ligës me përsëritjen ritualë të trinisë së shenjtë e padyshim autori krijon gjithënjë elementet e befasisë për të ngjallur kureshtjen e lexuesit se çfarë do të ndodhë më tutje me një personazh ku ngjarjet duken të ngatërruara pasi autori e paraqet tërthorazi një fakt shoqëror shpesh dhe që e ka zanafillën në rrethanat shoqerore urbane. Fjala në tregimet e autorit Gjon Marku është marrë e përpunuar gjatë si në një punim argjendari, ku fijet pak më të trasha (por prapëseprapë të përdredhura) që rrethojnë figura, japin vetëm idenë për to, e ato ide, të mbushura përplot fije shumë më të holla, secila me misionin dhe bukurinë e vet, jo thjeshtë për t’i plotësuar figurat, krijojnë biografinë e suksesëshme të autorit.
Gjon Marku e do dhe jeton me magjinë e procesit tëshkrimit, kredhjen në vorbullën e mendimeve, stuhinë e ideve, kënaqësinë e kapjes së një figure, të një puqje vargjesh, rrokjesh, të një alternacioni që buçet. Ai si autor evoluoi në hapësira të reja shprehëse, forma, teknika, tematike dhe ide, krahas dhe letërsive përreth, apo asaj botërore.
Çdo tregim ndalet në një aspekt të jetës pra shpreh nje ide të caktuar, një mendim te caktuar dhe një mesazh qe vjen për lexuesin. Pa dyshim, autori e krijon gjithmonë elementin e befasisë për të ngjallur kureshtjen e lexuesve se çfarë do të ndodhë më tutje me një personazh të tillë, të spikatura por gjithnjë rrëfimi mbetet i përunjshëm e i devotshëm ndërthurur me një përshkrim elementësh ku gjendet intuita, liria, pasioni shpirtëror ndërthurur me strukturën e veçantë gjuhësore artistike prej të cilës dalin kuptime të shumta.
Vepra letrare afron mundësi të shumta njohëse para së gjithash për botën që na rrethon ku jeta individuale është kaq e kushtëzuar dhe e varur nga bota kolektive, nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e secilit individ të veçantë por kjo jo jashtë mjedisit ku lind dhe është formuar.
Për vetë natyrën letrare, koha ka një rëndësi të madhe, sepse gjithçka që ndodh brënda cakut të një tregimi ndodh brënda një kohe të caktuar e aq me tepër brënda një kohe artistike ku nuk mungojnë alegoritë e natyrshme që shpesh kanë kushtëzuar tipare të tjera të formës së veprës. E në këtë plan në veprën letrare “Vij e hyj brenda teje” Gjon Marku është shembulli i një autori që ka ditur të vendosë një linjë të vetën origjinale dhe koherente në një rrugëtim rritje pasi ka shtegëtuar në shumë zhanre, por në tregimet e librit të fundit ai ka fiksuar situata narrative në të cilat ambienti dhe fakti harmonizohen në mënyrë perfekte. Ai largohet nga varianti i një historie të mbyllur, individuale për t’u fokusuar në një sfond sa metropolitan aq dhe rural në mënyrë jashtëzakonisht efikase duke ndërtuar në mënyrë efikase detaje të një libri me tregime të nivelit të kënaqshëm.
Kufinjtë midis të mirës dhe të keqes janë mjegullur në mënyrë të përshtatshme e në këtë vepër verejmë gjithashtu se autori i librit, na jep mesazhin se loti i cili ka qënë dhe do të mbetet mbreti i çdo dashurie, si në lumturi ashtu edhe në vdekjen e saj. Gjon Marku thërret me të gjithë forcën e qënjes së tij: Para këtij margaritari të shpirtit njerëzor që buron nga zemra dhe rrjedh përmes syrit të njomë.
Autori qëmton me ngulm dhe realizon me shkathtësi mënyrën e të shprehurit dhe kuptimësinë, që lidhjen e plotësohen ndërsjelltas dhe çdo përpjekje që ato të veçohen dhe të shqyrtohen të ndara është e kotë.
Gjithë libri është mbushur me skena, përshkrime e thënie të tilla, ku çdo fjalë apo fjali ka një ngarkesë të madhe emocionale, aludon për një gjendje që duket si sureale, por në fakt është një e vërtetë ulëritëse, për deformimet dhe padrejtësitë e kohëve.
Gjon Marku është autor i disa veprave letrare, por në këtë vepër zgjon interes para së gjithash për vlerat shprehëse, për stilin e ngritur, për gjuhën figurative dhe për mundësinë e vënies në një komunikim të ndjeshëm me lexuesin siç sugjerojne disa autorë. Shprehja dhe akti i komunikimit, në të vërtetë është çast i ndërtimit të subjektit gjuhësor. Në çdo tregim dallohet harmonizimi i ngjarjeve me mjedisin, me zhvillimin intrigues për krijimin e komplotit dhe zgjidhjen e konfliktit brenda një kohe të shkurtër, siç e përcakton teoria e zhanrit artistik.
Në fakt në secilën vepër letrare të këtij autori ndërthuret e bashkëjeton brenda një sistemi unik krijues, shprehës, po ka dhe veçoritë e veta të mëvetësishme; është botë e pavarur artistike dhe komunikuese.
Gjon Marku i bën një vëzhgim të hollë kësaj kategorie që në sfondin tjetër përmbajnë sëmundje që vështirë gjejnë shërim, e tëra kjo nisur nga të menduarit se mbajnë njohuri të përgjithshme, por në fakt kanë kufizime dhe pikënisje metaforike. Nisur nga kjo praktikë qytetërimet kanë një përplasje sado të vogël, këto pikënisje qerrin masken e injorantëve.
Vepra nuk është futur brënda një kornize kohore, ai nuk ndeshet a matet më të dobëtin por gjenë mënyra për të shprehur të renë dhe letërsia tregon se e reja mund të paraqitet në mënyra të ndryshme. Ai është i vetëdijshëm se të krijosh një vepër letrare gjithmonë midis një shtytje dhe tërheqje të asaj që ka në kokën e tij dhe të asaj që në fakt krijon do një prefeksion të të shprehurit dhe një elegancë në transmetimin e mesazhit. Në këtë libër shohim të gërshetohen përshkrime historish dhe figurave historike reale dhe personazhe të trilluara ku autori paraqet tërthorazi një fakt shoqëror që ka zanafillë shoqërore apo tredicionale e që mbinë dhe në rrethanat shoqërore urabane.
Tregimet e ketij autori janë realizuar si tregime të shkurtëra ku personazhet funksionojnë për të prezantuar tema kombëtare, përfshirë të kaluarën historike të shqiptarëve dhe kryesisht tema shoqërore, si jeta e përditshme në fshatrat dhe qytetet shqiptare, tradita, zakonet, gjendja ekonomike, pabarazitë gjinore, arsimi jo i mjaftueshëm i gruas shqiptare etj. Tregime që janë realizuar si një reagim ndaj të padrejtës të pamoralshmes të pavërtetës. Tregimet të vënë në mendime jo vetëm për fabulën po sidomos në fjalët e krijuar prej tij e më pastaj mund të veçohet mënyra si autori gjen për rrëfimin e ngjarjeve.
Por ndërkaq, në kohët e sotme, nën ndikimin e rrjeteve të një informacioni tejet kompleks e vërshues: teknologjik, filozofik, kulturor e shpirtëror, sigurisht, që edhe letërsia, nuk mund që të mbetet në pozita të pastra autonomiste, por përcjell fluksin e ndikimit dhe orientimit estetik të saj, prej rrezatimit të këtyre lëvizjeve jashtëletrare mjaft intensive. Por autori, nuk pajtohet me tendencat e debatit azgjësonjës, një debat ky, që nuk do të prodhonte veçse amulli dëshpëruese.