TIFOZJA E BARCELONËS KATËR 10-ta NË PROVIMET E MATURËS “Përqëndrimi dhe motivimi për dije”, konsiderohen si çelsi i suksesit nga studentja e ekselencës të shkollës “Ismail Qemali” Dalina Hysaliu. Në provimet e maturës, ajo ka arritur 4 dhjeta në lëndët gjuhë angleze, gjuhë shqipe, matematikë e lëndë me zgjedhje. E pyetur se cili është projekti i saj, tash që ka përfunduar studimet dhe ka marrë diplomën e shkollës mesme. Vajza nga Tirana, me banim në Sauk, në një zonë me preferenca për të jetuar, shprehet se; “tash për tash jam përqendruar tek shkolla e lartë dhe kur ka shumë zgjedhje e mundësi, vihesh në siklet, se cilën degë të zgjedhësh…”. Gjithësesi, sikurse ka qenë e përqendruar ajo në 3 vite studimi në shkollën e mesme të përgjithëshme dhe ndjehet e plotësuar për ç’ka ka arritur, edhe në përzgjedhjen e degëve, në aplikimin që do bëj së shpejti, po gjykon me gjakftohtësi për të përzgjedhur ato degë që do i shërbejnë asaj në të ardhmen dhe me preferenca për tregun e punës. Dalina ka studjuar në gjimnazin “Ismail Qemali”. Ajo me 3 gusht të këtij viti mbush 17 vjet dhe ndjehet e lumtur në vehtëvehte se ja ka arritur të përmbush objektivin që i kish vënë vehtes. Gjimnazin, ku kreu studimet 3 vjeçare, e konsideron, si më të mirin që ka sot Shqiperia. – Aty, shprehet ajo, gjeta gjithçka: shoqëri, mësues të mirë, ambjent që të bën të ndihesh në vendin tënd të komfortit dhe në tre vite të ndryshëm nga njeri tjetri jam rritur shumë si individ… E pyetur se për çfar do t’i i vinte keq tani që shkolla ka mbaruar? Ajo me modesti përgjigjet: -Nuk do thoja se do më vinte keq, por do kujtoja gjithçka në maturimin tim, se ja vlejti e gjithë koha e shpenzuar në atë shkollë. Natyrosht do më vinte keq për ndarrjen me shoqërinë, mësuesit, për ditët e bukura që kemi përjetuar, kur shkoja me dëshirë në shkollë, por edhe për ekskursionet në vende turistike etj. Rëndësi ka që do mbetet një rrugëtim me një fund të lumtur. Cili është hobi juaj? – pyes Dalinën. – Më pëlqen të merrem me sport. përgjigjet ajo. Kam pasion të luaj volejbollin dhe basketbollin. Pastaj vjen futbolli ku është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha. Jam një tifoze e “çmendur” e Barcelonës, por perveç kësaj jam shumë e informuar nga e gjithë bota e futbollit. Po ndonjë pasion tjetër? Më pëlqen të pikturoj. Nuk jam perfekte por më pëlqen të eksperimentoj. Një tjetër pasion është edhe moda, jam adhuruese e madhe e veshjeve dhe përpiqem të ndjek gjithmon trendet e fundit. Dalina përdor mirë, google, instagramin. “Për një far kohe, shprehet ajo, istagramin e përdorja thjeshte për kënaqesi, por kohët e fundit e mendoj seriozisht edhe për efekte pune sepse çdo ditë po kthehet në një biznes fitimprurës me shumë të ardhura.”.. Ajo pëlqen librin dhe lexon rregullisht. Ndaj dhe apelon, se duhet më shumë t’i kthehemi librit, leximit të tij, si një pasuri për dije, pa anashkaluar shfrytëzimin e teknologjisë së informacionit, internetin, rrjetet sociale; të gjitha këto në funksion të dijes, zhvillimit dhe arsimimit. Në intervistën e bërë enkas për të, mësojmë se në thellësitë e shpirtit të saj fshihet dija, motivimi dhe këmbëngulja për të arritur të pa arritshmen; ambicia për t’u bërë dikush në jetë. Po kujt ja dedikon rezultatet e arritura Dalina? Me modesti ajo përgjegjet: -Ja dedikoj pikë së pari vetes time se kam punuar e jam lodhur për to, e më pas sigurisht familjes, prindërve të mi sepse e di që ato jane krenarë me mua, të cilët kanë investuar për shkollimin tim dhe ja ku unë jua shpërbleva duke arritur rezultate të larta në mësime. Ajo pëlqen lëndët që prekin profilin shoqëror dhe mendon se ndikojnë shumë në zgjedhjen që ti bën në të ardhmen. A keni ndonjë merak dhe për çfar nuk ju kam pyetur? -Mendoj se për një person të moshës time keto janë pyetjet të cilat përmbledhin çdo gjë. Jam shumë e lumtur për këtë mundësi që më dhuruat, e mbyll intervistën studentja e ekselencës dhe tifozja e “çmendur” e Barcelonës Dalina Hysaliu, e cila nuk e përjashton mundësinë që një ditë të bëhet dhe gazetare e komentatore sportive.