14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

Nga Prof.dr. Flori Bruqi, PHD. AAAS

PËR QIME TË FLOKUT “LUFTA CIVILE” NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË -1997″ NUK U BË!
Pjesa 2.
Rebelimi i vitit 1997 i njohur ndryshe edhe si Kriza piramidale, Anarkia në Shqipëri, Kaosi, “Lufta Civile” ishte në prag por një lëvizje antiqeveritare që filloi më 24 janar në Lushnjë dhe përfundoi më 24 korrik 1997, pas dorëheqjes së Sali Berishës si President i vendit. Shkaku i rebelimit ishte falimentimi i skemave piramidale, të cilat morën me vete rreth 1,2 miliardë $ kursime të shqiptarëve. Opozita arriti të përfitonte nga situata e rëndë dhe i kanalizoi protestat në rrugë politike duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të Presidentit Berisha. Paaftësia dhe dezertimi në radhët e ushtrisë bëri që vendi te binte në duart e Komiteteve të Shpëtimit Publik dhe bandave të armatosura, e sidomos pjesa jugore. Qendra absolute e rebelimit ishte Vlora….
Situata politike para rebelimit
26 Maj 1996 : Mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Me një rezultat të thellë fiton Partia Demokratike. Socialistët dhe ndërkombëtarët akuzojnë qeverinë për manipulime në këto zgjedhje. PS braktis procesin e numërimit dhe bojkotojnë parlamentin. Qeveria tregohet arrogante me opozitën, kurse opozita tej mase ekstremiste.
20 tetor 1996 : Mbahen zgjedhjet lokale. Sërish fiton Partia Demokratike. Socialistët sërish nuk pranojnë rezultatin. Situata politike rëndohet shumë. Vendi po shkon drejt një krize të shumanshme.
Fajdet dhe Skemat piramidale në Shqipëri
Skemat piramidale të njohura edhe si Firmat rentiere filluan aktivitetin e tyre në vitin 1991. Aktiviteti i tyre bazohej mbi marrjen e një sasie parash dhe kthimin e një sasie më të madhe në bazë të një përqindjeje. Ndonëse në dukje funksiononin si banka, Piramidat nuk kishin asnjë investim konkret nga ku mund t’i nxirrnin paratë. E para piramidë ishte ajo e Hajdin Sejdisë e vitit 1991 i cili u largua në Zvicër me disa miliona dollarë të biznesmenëve shqiptarë. U ndoq nga Sudja e hapur nga Maksude Kadëna në vitin 1993, e cila kishte punuar më parë si punonjëse në një fabrikë këpucësh. Suden e ndoqën rreth 24 firma të tjera, ku më të fuqishmet ishin VEFA, Gjallica, Demokracia Popullore-Xhaferri, Populli, Cenaj, Silva, Kamberi dhe M. Leka. Aty nga fundi i vitit 1996, firmat piramidale arritën kulmin e tyre. Interesat që ato ofronin ishin tepër joshëse, ku Sudja arriti të ofronte interesa 100%, gjë që paralajmëronte falimentimin e shpejtë. Pavarësisht këshillave të FMN për t’i mbyllur këto skema, qeveria shqiptare vazhdoi të lejonte aktivitetin e tyre, shpeshherë duke u implikuar në to. Në periudhën midis 8-16 janarit 1997, shumica dërrmuese e piramidave falimentoi duke marrë me vete edhe kursimet e shqiptarëve. Më 22 janar qeveria ngrin paratë e Xhaferrit dhe Popullit. Gjallica është gjysëm e falimentuar dhe e vetmja që vazhdon aktivitetin normal është VEFA e cila kishte arritur te kryente disa investime në tregun shqiptar, si hotele, karburante dhe fabrika. Kriza që falimentimi i piramidave do të sjellë, do të jetë më e rënda në historinë e Shqipërisë, ku si shpeshherë në historinë e saj, Shqipëria rrezikoi ekzistencën e vet.
Protestat e para
Protesta e parë që u zhvillua për zgjidhjen e krizës ishte ajo e 16 janarit në Vlorë e viti 1997.
Më 19 janar 1997 zhvillohet në Tiranë një protestë e kreditorëve të Sudes. Më 24 janar 1997 fillon “de fakto” rebelimi.
Me mijëra banorë të Lushnjes, shpartallojnë forcat e policisë dhe djegin bashkinë e qytetit bashkë me kinemanë.
Një ditë më vonë, më 25 janar 1997 , Tritan Shehu, kryetar i PD, shkon në Lushnje për të zgjidhur situatën.
Në të kundërt ai mbahet për disa orë peng në stadiumin e qytetit.
Ndërhyrja e FRPD së qytetit, shpëtoi vendin nga një atentat me pasoja të rënda. Ndërkohë gjatë paradites në qytet janë plaçkitur, shkatërruar dhe djegur çdo institucion në qytet. Më 26 janar 1997 digjet bashkia e Vlorës kurse më 27 janar 1997 digjet bashkia e Peshkopisë.
Më 30 janar 1997 formohet Forumi për Demokraci nga partitë e opozitës. Ky forum do të udhëheqë protestat deri në formimin e Komiteteve të Shpëtimit Publik. Protestat në fillim ishin ekonomike, por më pas ato u drejtuan kundër qeverisë e kundër presidentit Berisha, sidomos në qytetin e Vlorës.
Më 4 shkurt 1997 fillon shpërndarja e një pjese të parave të humbura. Shpërndarja e tyre në sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare(BKT) , e zotëruar nga shteti, krijoi efektin domino, pasi njerëzit filluan të besonin se paratë i kishte vjedhur qeveria.
Më 5 shkurt falimenton Gjallica, kurse më 6 shkurt 1997 rifillojnë protestat e dhunshme në Vlorë.
Më 9 shkurt 1997 në Vlorë, sulmohet Komisariat i Policisë, kurse më datë 10 shkurt 1997 , po në Vlorë, 50 efektivë të forcave speciale sulmohen dhe shpartallohen barbarisht.
Pamjet e dorëzimit të tyre të transmetuara nga EuroNews dërrmojnë autoritetin e shtetit.
Ditët në vazhdim do të jenë ditë të frikshme për Vlorën. Bashkia e djegur, dhe e ridjegur funksionon deri në orën 12:00, pasi më vonë nisin protestat.
Qarkullimi i lirë i njerëzve bëhet i vështirë. Dyqanet mbyllen herët, kurse i vetmi autoritet shtetëror i mbetur në këmbë është SHIK. E vështirë mbetet gjendja edhe në qytetet përreth Vlorës, ku çdo ditë zhvillohen protesta masive ku shquhen Fieri dhe Tepelena.
Greva e urisë e studentëve të Vlorës nisi më 20 shkurt në ambientet e Universitetit. Rreth 50 studentë hyjnë në grevë urie. Kërkesat e tyre ishin dorëheqja e qeverisë dhe kthimi i plotë i parave. Kjo grevë cilësohet si nxitësi kryesor i degjenerimit të situatës deri në konflikt të armatosur. Më 22 shkurt në përkrahje të grevës del “Forumi për Demokraci”, ndërsa në qytet gjendja mbetet e rëndë. Në përkrahje të tyre dalin edhe studentët e Gjirokastrës, Elbasanit dhe më pas të nxitur nga FRESSH edhe studentët vlonjatë në Tiranë. Krejt ndryshe vepruan studentët e Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër të cilët me anë të Unionit Studentor deklaruan : “Bashkohemi me dhimbjen e studentëve vlonjatë për humbjen e parave në skemat piramidale, por nga ana tjetër, mendojmë se liria dhe demokracia, atdheu dhe kombi kanë një çmim më të lartë”. Më 26 shkurt mijëra njerëz rrethojnë godinën e Universitetit për t’a mbrojtur nga ndonjë “sulm” i SHIK-ut. Po atë ditë grupi i grevistëve deklaron se nuk dëshiron më ndihmë mjekësore, duke vënë në dyshim grupin e mjekëve pranë tyre. Më 27 shkurt në Vlorë vjen kryetari i bashkisë Shkodër, Bahri Boriçi, i të Djathtës së Bashkuar, në mbështetje të grevës së urisë. 28 shkurti 1997, do të mbetet një datë në historinë e Shqipërisë. Pasi kanë forcuar mbrojtjen e tyre ndaj godinës së Universitetit, forcat rebele në mbrëmjen e 28 shkurtit, pa paralajmërim sulmojnë godinën e SHIK-ut. Në përpjekjet midis rebelëve dhe oficerëve të SHIK, shumë më të pakët në numër, mbesin të vrarë 9 persona, 6 oficerë dhe 3 civilë. Masakra e 28 shkurtit shënon fillimin e Luftës Civile 10-ditore, dhe fundin e rendit në Vlorë për rreth një vit.
Data 1 Mars 1997, e gjen Vlorën pa asnjë autoritet shtetëror të mbetur në këmbë. Lajmi i masakrës mbi oficerët e SHIK, trondit shtetin. Rebelët marrin nën kontroll bazën e Pashalimanit, simbol i rezistencës së shtetit. Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe trupa të shumta rrethojnë Vlorën dhe Tepelenën. Në Tepelenë rebelët vendosin topa në hyrje të qytetit dhe i drejtojnë nga Veriu.
Me datë 2 mars qeveria e Aleksandër Meksit dorëhiqet, pas dështimit për të zgjidhur krizën. Ngjarja festohet në Vlorë me mijëra krisma kallashnikovësh. Ndërkohë parlamenti miraton shef të operacionit për rivendosjen e rendit, shefin e SHIK, Bashkim Gazideden. Menjëherë Gazidede urdhëron mbylljen e shkollave në mbarë vendin në një afat të pacaktuar. Vendosen gjithashtu kufizime ndaj shtypit dhe ndaj furnizimit me mallra konsumi të popullatës.
Më 3 mars Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës me votat e deputetëve të PD-së. Një zemërim i papërmbajtur shpërthen në Vlorë dhe Tepelenë, qendrat kryesore të rebelimit. Saranda gjithashtu bie në duart e rebelëve, ku njerëz të armatosur të ardhur nga Vlora me anije, djegin çdo institucion duke përfshirë edhe librarinë e qytetit. Gjithashtu shpërthejnë godinën e paraburgimit dhe marrin mbi 400 armë. Digjet Qendra e Formimit Profesional në Vlorë, që kishte kushtuar 7 milionë $ amerikanë. SHIK-u përpiqet të izolojë Vlorën, Sarandën dhe Delvinën me qëllim që rebelimi të mos përhapet në pjesën tjetër të vendit.
Më 4 mars formohet në Vlorë Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës i njohur thjesht si Komiteti i Shpëtimit. Ky komitet fillon të veprojë si strukturë paralele, duke kryer de fakto një grusht shteti. Në të njëjtën ditë në Vlorë vendosen snajpera në çdo pallat dhe në çdo rrugë ngrihen barrikada, për të penguar hyrjen e SHIK-ut, armiku i vetëm i rebelëve. Ura e Mifolit bllokohet dhe minohet. Kjo urë do të kthehet në një nga simbolet e rebelimit duke u bërë ura që ndan Shqipërinë. Ndërkohë studentët i japin fund grevës së urisë. Në Sarandë sulmohet marina dhe mijëra armë rrëmbehen. Bandat patrullojnë detin me anijet e marinës. Saranda shpall autonominë duke deklaruar se në këtë zonë banojnë 20.000 grekë. Në Qafë-Gjashtë një agjent i SHIK digjet i gjallë, kurse njëri merret peng. Dy të tjerë arratisen. 50 ushtarë bashkohen me rebelët. 2 pilotë të Forcave Ajrore dezertojnë dhe shkojnë ne Itali. Ata deklarojnë se ishin urdhëruar të godisnin mbi popullsinë civile. Dalin në skenë bandat e para. Dështon plani i Gazidedes për ta izoluar rebelimin vetëm në Vlorë, pasi ai përhapet në gjithë Jugun e vendit. Në Delvinë pas luftimesh të ashpra rebelët triumfojnë duke e detyruar ushtrinë të tërhiqet. Në Sarandë rebelët vendosin postblloqe në rrugë.
Fillojnë të përhapen teoritë mbi ndarjen Veri-Jug të vendit. Protestuesit në Vlorë fillojnë të degjenerojnë në sharje ndaj Berishës, ku nuk mungojnë edhe gratë të njohura si shamizezat. Gjithashtu përdorin masivisht tre gishtat, simbol i shovinizmit serb. Më 6 mars, Sali Berisha mban një takim me përfaqësuesit e partive politike dhe nënshkruajnë një deklaratë ku dënojnë shpërthimet e depove dhe bëjnë thirrje për dorëzim të armëve. 6 orë më vonë, zyrtarisht liderët e PS dhe PAD mohojnë çdo lloj përgjegjësie dhe obligimi ndaj kësaj deklarate që ata e kishin konsideruar “sukses politik”. Rebelët në Sarandë nisen për të marrë Gjirokastrën.
Në datat 7-8 mars, rebelët e ardhur nga Saranda, në bashkëpunim me ata vendas, shpartallojnë ushtrinë në Gjirokastër. Forcat speciale merren peng. Në krye të revoltës në Gjirokastër dalin deputetët e PAD, Arben Imami dhe Ridvan Pëshkëpia. Me rënien e Gjirokastrës në duart e rebelëve, i gjithë Jugu i vendit është jashtë kontrollit. Armët vazhdojnë të përhapen në vend. Sulmohet “Aeroporti Kombëtar i Rinasit” nga fshatarë të zonave përreth. Plaçkitet në mënyrë barbare “Universiteti Bujqësor i Tiranës”.
Me 9 mars formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar me në krye Bashkim Finon, kryetar i bashkisë Gjirokastër. Kjo qeveri u formua si pasojë e vullnetit politik të maxhorancës dhe opozitës. Qeveria e re ju bën thirrje ish-efektivëve të ushtrisë të kontribuojnë për rivendosjen e rendit dhe qetësisë. Presidenti del në TVSH në një deklaratë drejtuar kombit ku ai bën thirrje për “Pajtim, besim, bashkim dhe gjakftohtësi”.
Të gjendur pa kundërshtarë në fushën e betejës, pasi pozita dhe opozita ishin bashkuar në një qeveri të përbashkët, rebelët e jugut nisin një valë të jashtëzakonshme shkatërrimesh. Në Gramsh rebelët sulmojnë godinën e policisë, drejtohen drejt Fierit dhe marrin kontrollin e rrugëve. Berati bie në duart e bandave dhe bëhet qendra kryesore e rebelimit pas Vlorës. Bashkë me të bien edhe Poliçani, Këlcyra dhe Skrapari. Në Kuçovë rebelët marrin nën kontroll 19 aeroplanë luftarakë të tipit “MIG”. Komiteti i Shpëtimit të Vlorës përshëndet marrëveshjen e 9 marsit. Ndërkohë rebelimi përhapet edhe në veri të vendit, duke i dhënë fund Luftës Civile dhe duke i hapur rrugën anarkisë dhe sundimit të bandave të armatosura, veçanërisht në jug të Shqipërisë.
Më 11 mars krijohet Komiteti i Jugut që kërkon dorëheqjen e Berishës. Po ky komitet propozon shpalljen e Vlorës kryeqytet të vendit. Një ditë më vonë presidenti Berisha dekreton Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Në Kukës banorët braktisin qytetin për shkak të një njoftimi se ushtria serbe ka kaluar kufirin. Njoftimi ishte i rremë, pasi serbët thjesht kishin vënë dy tanke afër vijës së kuqe, pas sulmit të armatosur mbi doganën shqiptare në Morin nga fshatarë të zonës që donin ta plaçkisnin. Tirana sulmohet nga grupe rebele. Një grup sulmon presidencën ku ndeshet me vullnetarët që mbronin presidentin. Shpërthen burgu 313. Të fundit që dalin janë Ramiz Alia dhe Fatos Nano. Më 14 mars austriaku Franz Vranitski emërohet për të zgjidhur krizën. Sulmohet fabrika e Coca-Cola, nga të paktat investime shumëkombëshe në Shqipëri. Jep dorëheqjen shefi i SHIK, Bashkim Gazidede. Rebelët pushtojnë portin e Durrësit. Në ekranin e TVSH shfaqet gjithë ditën thirrja Atdheu në rrezik!. 16 marsi shpallet ditë zie kombëtare, në kujtim të viktimave të rebelimit. Puna e qeverisë së re, mbetet shumë e vështirë, pasi kontrollon vetëm Tiranën dhe një pjesë të veriut të vendit. Një “Komitet për Shpëtimin e Veriut dhe Shqipërisë së Mesme” kërcënon qeverinë e re se nëse njeh komitetet e Jugut atëherë do të përballet me rezistencë ushtarake në gjithë Veriun e vendit. Si rezultat qeveria nuk njeh asnjë prej komiteteve të formuara në Veri, Jug apo Shqipëri të Mesme. Më 20 mars zhvillohet në Tepelenë Kuvendi i Komiteteve të Shpëtimit Publik. Kërkesa e tyre kryesore dhe e pandryshueshme është largimi i Berishës. Gjithashtu propozohet krijimi i Federatës së Jugut. Më 21 mars situata politike bëhet shumë e rrezikshme. Greqia kërkon të futet në territorin shqiptar me pretekstin e mbrojtjes së minoritarëve. Sali Berisha i kërkon ndihmë ushtarake Turqisë. Shefi i SHIK, Bashkim Gazidede, në një seancë në parlamentin shqiptar akuzon qarqet greke anti-shqiptare, socialistët shqiptarë, ushtarakët dhe kriminelët për situatën e krijuar. Ai bëri deklaratën fatale se “Integriteti i Shqipërisë nuk ekziston më!”. Ai gjithashtu deklaroi se “Rebelimi ishte drejtuar drejt shkatërrimit të çdo objekti historik dhe kulturor, me qëllimin afatgjatë për të zhdukur çdo provë historike të autoktonitetit të shqiptarëve”. Ndërkohë bandat sundojnë jugun e vendit nën një regjim terrori dhe frike. Dhjetëra vrasje, plagosje dhe vjedhje regjistrohen çdo ditë. Më 28 mars mbahet në Vlorë Kuvendi Kombëtar i Shpëtimit Publik. Kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e Sali Berishës. Në fshatin Levan të Fierit ndodh masakra më e madhe e ngjarjeve të 1997. 24 persona vriten nga përleshjet midis arixhinjve dhe njërës prej bandave më të rrezikshme të vendit. Në kanalin e Otrantos një anije shqiptare e drejtuar nga një prej bandave të Vlorës sulmohet nga marina italiane dhe fundoset. Bilanci është 82 të vdekur. Anarkia vazhdon përgjatë prillit dhe majit dhe kulmon me Masakrën e Cërrikut më 23 maj. Më 17 prill forcat politike kanë rënë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Më datë 28 mars Kombet e Bashkuara miratojnë rezolutën nr. 1101 për ndihmë humanitare ndaj Shqipërisë. Më 15 prill misioni ndërkombëtar Alba vjen në Shqipëri. Rreth 7000 ushtarë nën drejtimin e Italisë vijnë në Shqipëri për të rikthyer rendin dhe forcën e ligjit. Forcat e para zbarkojnë në Durrës. Rikthehet normaliteti në Tiranë.
Nën një atmosferë të tensionuar zhvillohet fushata për zgjedhjet e parakohshme. Lidershipi demokrat e ka të pamundur që të zhvillojë një fushatë normale në zonat e Shqipërisë së Jugut. Nga ana tjetër, liderët e majtë shoqërohen nga kapobandat e këtyre qyteteve duke lënë pas edhe një bilanc tragjik. Më shumë se 60 persona mbeten të vrarë gjatë fushatës së Partisë Socialiste në Jug të vendit.
Më 29 qershor 1997 zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partia Socialiste me aleatët janë fituesit. Demokratët pësojnë humbjen më të thellë të historisë së tyre. Në Tiranë, ku mendohej se PD do fitonte, rezultati është krejt ndryshe pasi socialistët fituan bindshëm. Shumë nga anëtarët e “Komiteteve të Shpëtimit” dolën kandidatë për forcat e majta ndonëse publikisht kishin premtuar se nuk do të merrnin asnjë post qeveritar pa u zgjidhur kriza e fajdeve. Në të njëjtën ditë zhvillohet edhe referendumi për formën e qeverisjes së vendit. Me 65% të votave fiton Republika kundër Monarkisë.
Bilanci i rebelimit është 200 milionë dollarë dëme materiale dhe 1555 të vrarë e 10 mijë të plagosur. Nga të gjitha depot që kishte ushtria në atë kohë u hapën dhe u shkatërruan 1581 depo. Filluan procese gjyqësore kundër bosëve të firmave rentiere. U dënuan në mungesë një pjesë e figurave kryesore të shtetit gjatë pushtetit të PD : Safet Zhulali, Agim Shehu, Bashkim Gazidede etj. Filluan procese gjyqësore kundër kapobandave të qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Ekonomia e vendit u shkatërrua plotësisht.
Bashkim Gazidede, akuzoi dy herë publikisht në seancat parlamentare, më 21 dhe 26 Mars 1997, shërbimin sekret amerikan CIA, atë grek ASPHALIA dhe atë jugosllav UDB se kishin nxitur dhe financuar rebelimin e armatosur me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe destabilizimin e vendit. UDB sipas Gazidedes ishte e interesuar për trazira, pasi një Shqipëri e dobët nuk e ndihmonte dot luftën e Kosovës për pavarësi. Lidhur me shërbimin sekret grek ASPHALIA Gazidede deklaroi se nga 3 çështjet e rëndësishme të nacionalistëve grekë : Konstandinopoja, Qiproja dhe Shqipëria e Jugut, kjo e fundit ishte më e rëndësishmja dhe prandaj shërbimi sekret grek u përfshi intensivisht në organizimin e rebelimit. Lidhur me CIA, Gazidede deklaroi se ky shërbim kishte përkrahur që nga viti 1994, ish-komunistët shqiptarë dhe ish-agjentët e Sigurimit të Shtetit, duke filluar që nga Masakra e Peshkëpisë. Ndikimi i fortë i lobit grek në SHBA, bëri që ky vend, sipas Gazidedes të organizonte dhe financonte rebelimin e armatosur që për pak sa nuk shkaktoi copëtimin e vendit dhe shpërthimin e një lufte civile…
Duke përfituar nga situata e rëndë, grupe kriminale u armatosën dhe në mënyrë të papritur u vendosën në krye të rebelimit dhe morën nën kontroll qytete të tëra. Shumica e kapobandave kishin qenë të burgosur në burgjet kryesorë të Greqisë, dhe krejt papritur kishin mundur të arratiseshin, për të ardhur në Shqipëri. Rasti më i njohur është ai i Zani Çaushit, që u arratis nga burgu i sigurisë së lartë të Larisës, në shkurt 1997 dhe krijoi në Vlorë, bandën e Çoles, me një grup shokësh. Sundimi i bandave ishte i frikshëm. Rastet më tipike mbeten Vlora, Berati, Korca dhe Lushnja. Në Vlorë u krijuan 5 banda, por 2 ishin ato që sunduan qytetin, ajo e Zanit dhe ajo e Gaxhait. Lëvizja në qytet fillonte nga ora 10:00, kur në Sheshin e Flamurit njerëzit mblidheshin për të dëgjuar Komitetin e Shpëtimit dhe mbyllej në orën 13:00. Pas kësaj ore rrugët e qytetit ishin të shkretuara dhe të vetmit që lëviznin ishin bandat. Bandat njoftonin me fletushka ose me altoparlantë njerëzit që të mos dilnin të nesërmen, pasi do të kishte luftime. Çdo natë kishte atentate me eksplozivë dhe gjuajtje të panumërta në ajër, së bashku edhe me dhjetëra të vdekur. Në Berat sundimi i Altin Dardhës ishte edhe më i ashpër. Ashtu si në Vlorë, lëvizja ishte deri në orën 13:00, por vrasjet ishin të pakontrolluara. Vetë Altin Dardha ishte një vrasës ekspert. Në Lushnje sundonte banda e Aldo Bares. Krimi më i tmerrshëm i kësaj bande ishte prerja e kokës së një kundërshtari dhe shëtitja e tij në gjithë qytetin. Qytetet e sunduara nga bandat ishin Vlora, Berati, Tepelena, Memaliaj, Ballshi, Saranda, Gjirokastra, Lushnja, Pogradeci, Cërriku, Tropoja.
12 Mars 1997 : Presidenti Berisha dekreton Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Në Kukës njerëz të armatosur të ardhur nga fshatrat përreth dhe kriminelë të qytetit, sulmojnë institucionet shtetërore, të cilat plaçkiten dhe dëmtohen. Qytetarët e Kukësit braktisin qytetin për shkak të një njoftimi se ushtria serbe ka kaluar kufirin. Lajmi vjen për shkak se dogana serbe dërgon dy tanke drejt vijës së kuqe të kufirit, pasi sheh që fshatarë të zonës, të armatosur, sulmojnë doganën shqiptare të Morinit. Shpërthejnë rrëmujat e plaçkitjet edhe në Shkodër, bastion i Partisë Demokratike. Turma fshatarësht të armatosur, sidomos nga fshati Bardhan, pushtojnë qytetin dhe plaçkisin e djegin çdo dyqan të pambrojtur. Hapet burgu, sulmohen dyqanet dhe banka e Shkodrës hidhet në erë duke u shkatërruar krejtësisht. Krijohet Komiteti i Shpëtimit të Fierit. Në Elbasan 2 persona gjejnë vdekjen pas shpërthimit të një depoje armatimi. Gjithashtu shpërthehen depot në Korçë dhe Lezhë.
13 Mars 1997 : Presidenti Berisha dhe Kryeministri Fino ju kërkojnë ndërkombëtarëve ndihmë ushtarake për zgjidhjen e krizës. Tirana ndodhet në prag të pushtimit nga rebelët. Shpallet shtetrrethimi. Disa qindra vullnetarë kryesisht nga Veriu, mbrojnë kryeqytetin dhe Presidentin e tyre. Sulmohet presidenca nga grupe të armatosura. Berisha përjeton natën më të rrezikshme të jetës së tij. Shpërthen burgu më i sigurt i vendit, burgu 313. Të fundit që dalin nga burgu janë Fatos Nano dhe Ramiz Alia. Revolta shpërthen edhe në Korçë. Në Lezhë rebelët djegin godinën e policisë. Në Korçë armatosen edhe fëmijët, ndërkohë dy tanke të rebelëve patrullojnë qytetin. Ismail Kadare del në një mesazh drejtuar shqiptarëve në VOA. Ai thekson se “Ora e Shqipërisë ishte kthyer prapa në luftën civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në vitet 1943-44”. Gjithashtu kritikon mediat e huaja dhe klasën politike shqiptare dhe ju bën thirrje bashkëkombësve të vet për gjakftohtësi e vetëpërmbajtje për kapërcimin e krizës. Agjencia franceze e lajmeve AFP konstaton se : “Trazirat në Shqipëri ishin një grusht shteti i ushtarakëve”.
14 Mars 1997 : Franz Vranitski emërohet për të zgjidhur krizën shqiptare. Ambasadorja amerikane del në ekranin e TVSH ku deklaron se misioni diplomatik i SHBA nuk do të largohet. Ajo gjithashtu deklaron se populli amerikan është me popullin shqiptar në këto momente të vështira. Në Tiranë fillon çarmatimi i popullsisë. Sulmohet një plantacion duhani me vlerë 10 milion $ amerikanë. Sulmohet fabrika e Coca-Cola, nga të paktat investime shumëkombëshe në Shqipëri. Jep dorëheqjen shefi i SHIK, Bashkim Gazidede. Rebelët pushtojnë portin e Durrësit. 6000 armë merren nga depot në Ersekë. Në ekranin e TVSH shfaqet gjithë ditën thirrja Atdheu në rrezik!.
15 Mars 1997 : Rimerret kontrolli i aeroportit të Rinasit. Parlamenti miraton “Qeverinë e Pajtimit Kombëtar”. Krijohet “Komiteti për Mbrojtjen e Durrësit”. Fillon çarmatimi i bandave në Elbasan. 10 persona vriten nga të shtënat në Tiranë.
16 Mars 1997 : Një miting masiv në Tiranë bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim mes forcave ndërluftuese. Me vendim qeverie 16 Marsi shpallet Ditë Zie Kombëtare në nderim të viktimave të rebelimit. Në Fier grabiten materiale ushtarake radioaktive. Në Lezhë organizohet një protestë kundër luftës. Presidenti Berisha dekreton amnistinë për 51 të burgosur.
17 Mars 1997 : Me dekret presidencial lirohet Fatos Nano, lideri i opozitës i burgosur që prej vitit 1993 me akuzën për korrupsion. Nënë Tereza lutet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Presidenti i “Popullit” Bashkim Driza largohet nga vendi me një helikopter ushtarak amerikan. Fatos Nano mban një konferencë për shtyp ku deklaron mbështetjen e tij për qeverinë e re. Rikthehet normaliteti në Elbasan. Grabiten bankat e qytetit të Gjirokastrës.
18 Mars 1997 : Një Komitet për Shpëtimin e Veriut dhe Shqipërisë së Mesme kërcënon qeverinë e re se nëse njeh komitetet e Jugut atëherë do të përballet me rezistencë ushtarake në gjithë Veriun e vendit. Si rezultat qeveria nuk njeh asnjë prej komiteteve të formuara në Veri, Jug apo Shqipëri të Mesme. Situata mbetet e tensionuar në Korçë.
19 mars 1997 : Qeveria ruse shpreh shqetësimin për situatën e rëndë në Shqipëri. Situatë e pasigurtë në Gjirokastër.
20 Mars 1997 : Zhvillohet në Tepelenë Kuvendi i Komiteteve të Shpëtimit Publik. Kërkesa e tyre kryesore dhe e pandryshueshme është largimi i Berishës. Gjithashtu propozohet krijimi i Federatës së Jugut. Rivihet në punë “Aeroporti i Rinasit”. Vriten dy persona në Elbasan gjatë një përplasje mes bandave.
22 Mars 1997 : Situata në Sarandë, Berat dhe Gjirokastër mbetet shumë e rëndë. Bandat e armatosura sundojnë në këto qytete nën një regjim dhune dhe terrori. Dhjetëra njerëz vriten përditë. Në spitalin e Tiranës, 40 fëmijë shtrohen me plagë të rënda nga eksplozivët.
23 Mars 1997 : Rimerret kontrolli i Portit të Durrësit. Rifillon puna në të. Berati ndodhet nën sundimin e frikshëm të bandave. Lëvizja e njerëzve lejohet deri në orën 13:00. Bëhen atentate të panumërta me eksplozivë.
24 Mars 1997 : Që prej datës 12 mars, 46 persona kanë mbetur të plagosur dhe 3 kanë mbetur të vrarë në Kukës nga gjuajtjet me armë. Vazhdon situata e pasigurtë në Berat.
25 Mars 1997 : Vriten 3 policë në Vlorë. Në Sarandë bëhen përpjekje për të rivendosur rendin dhe ligjin. Vazhdon situata e rënduar në Berat e Gjirokastër. Vritet një polic në Burrel, kurse kolegu i tij plagoset.
26 Mars 1997 : Vriten 2 persona në Shkodër. Një krim i rëndë ndodh në rrugën Tiranë-Elbasan. Një grup i armatosur sulmon një autobus dhe vret 2 pasagjerë, njëri fëmijë 6 vjeç dhe plagosin 7 të tjerë. I thirrur sërish në parlament, ish-shefi i SHIK, Bashkim Gazidede tregon për një plan të qeverisë greke i quajtur LOTOS që kishte qëllimin e “Çlirimit të Vorio-Epirit nga sundimi shqiptar me anë të një rebelimi të armatosur”. Ai akuzon qarqet greke në Greqi dhe SHBA si dhe Nicholas Gage (person non-grata në Shqipëri dhe i akuzuar si financues i masakrës së Pëshkëpisë) si financuesit e këtij plani. Ai akuzon gjithashtu Kiço Mustaqin, ish-komandant i ushtrisë dhe Gramoz Ruçin se i kanë dhënë informacione tepër sekrete ASFALISË greke (shërbimi sekret grek) lidhur me organizimin e ushtrisë shqiptare.
27 Mars 1997 : Partia Demokratike deklaron se marrëdhëniet midis popujve grekë dhe shqiptarë kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera dhe se grupet ekstremiste greke nuk mund të përfaqësojnë gjithë popullin grek. Presidenti Berisha takohet me Ambasadoren e SHBA. Vriten 3 persona në rrethana të ndryshme në Kurbin.
28 Mars 1997 : Dita e tragjedive : Në kanalin e Otrantos një anije shqiptare e drejtuar nga një prej bandave të Vlorës sulmohet nga marina italiane dhe fundoset. Bilanci është 82 të vdekur. Zhvillohet në Vlorë “Kuvendi i Komiteteve Kombëtare të Jugut”. Marrin pjesë edhe shumë figura politike të opozitës. Kërkesa e tyre është dorëheqja e presidentit. Gjithashtu ata hedhin poshtë “Qeverinë e Pajtimit Kombëtar”. Liderët e këtyre komiteteve janë ish-eksponentë të regjimit të Hoxhës. Në fshatin Levan të Fierit ndodh masakra më e madhe e ngjarjeve të 1997. 24 persona vriten nga përleshjet midis komunitetit rom dhe njërës prej bandave më të rrezikshme të vendit. Bilanci i kësaj dite është mbi 110 të vdekur. Kombet e Bashkuara miratojnë rezolutën nr. 1101 për ndihmë humanitare ndaj Shqipërisë. Situatë e rëndë në Berat, 3 persona vriten nga shpërthimi i një bombe. Që nga 27 shkurti, në Spitalin e këtij qyteti janë shtruar 320 persona të plagosur nga armët ose shpërthimet. Vriten 5 persona në Shkodër.
29 Mars 1997 : Vriten 5 persona në Shkodër dhe 3 në Berat. Vazhdon situata kritike në disa qytete të vendit. Drejtues të Marinës Shqiptare deklarojnë se aksidenti i Otrantos mund të ishte shmangur. 69 persona plagosen në Kurbin nga shpërthimet e bombave dhe goditjet me armë. 28 prej tyre shtrohen në Spitalin e Tiranës, për ndërhyrje kirurgjikale, kurse 4 fëmijë shtrohen po në këtë spital për djegie të rënda nga granatat. 5 persona plagosen në Gramsh. Vritet një i ri në Elbasan.
30 Mars 1997 : Presidenti Berisha dhe Kryeministri Fino ju dërgojnë ngushëllimet e tyre familjarëve të viktimave të Otrantos. Shqipëria kërkon të kryhet një hetim ndërkombëtar për këtë tragjedi dhe të jetë pjesë e komisionit hetimor.
31 Mars 1997 : Shpallet Ditë Zie Kombëtare në nderim të viktimave të Kanalit të Otrantos. Qeveria italiane dërgon ngushëllimet e veta mbi tragjedinë. Ismail Kadare deklaron në një media italiane se “është i tronditur nga kjo tragjedi dhe se autoriteti i qeverisë dhe Presidentit duhet të rivihet në vend”. Grabitet në Vlorë, filiali i bankës Agrokulturore.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.