Një ngjarje e papritur.
Korrik.
E martë.
Dielli lindi dhe dita e re nisi gjithë zhurmë. Bënte shumë vapë. Uji i detit xixëllonte. Ajo vështronte nga ballkoni njerëzit që shkonin në plazh. Burri i saj shkonte në punë herët dhe i kishte premtuar se do të shkonin bashkë në plazh atë ditë. Orët e pritjes e lodhnin pa masë, mundohej të merrej me punë të ndryshme sa të kthehej i shoqi. Vendoste muzikën e preferuar dhe këndonte me zë të lartë për të sfiduar zbrazëtinë e shtëpisë së madhe. Ishte e dënuar me pritje, asnjëherë nuk shkonin me pushime. Kur ai kthehej zemra e saj fluturonte nga gëzimi, i hidhej në qafë si fëmijë, e shtrëngonte fort dhe i shprehte sa i kishte munguar. Ai e vështronte me sytë e qeshur dhe luante me të, bëheshin gati dhe zbrisnin buzë detit që ndodhej disa metra larg shtëpisë së tyre. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Ai u kthye dhe të dy u nisën për në plazh. Ngaqë shtëpia e tyre ishte shumë pranë, veshën kostumet e banjës, morën peshqirët dhe çantën me gjërat e duhura, të cilën ajo e kishte bërë gati më përpara dhe shkuan në breg të detit. Rëra digjte nxehtësinë e rrezeve të mbledhura, ndërsa ata zunë një vend mes shumë pushuesve të tjerë.
Kur zhyteshin bashkë, shkonin larg, preferonin të qëndronin të veçuar dhe luanin bashkë thellësisë blu të detit.
-Do futemi në ujë, – tha ai.
-Unë do marr dhe pak rreze, – tha ajo, -por ti shko.
Ajo nga bregu shikonte e mrekulluar, si ai notonte dhe shkoi pranë kufizueseve që ndante zonën e plazhit nga thellësia e detit. Në atë moment dy jetski u dukën në horizont, ecnin me shpejtësi dhe ngrinin dallgë. Ai ndodhej pranë tapave kufizuese dhe nuk mund të imagjinonte dot që jetskit do të shkonte drej tij. I vështroi i tmerruar dhe sakaq u zhyt nën ujë, ndërsa sipër tij vetëm shkumëzim i bardhë dhe një zhurmë shurdhuese.
Ajo nga bregu ndiqte gjithë ankth gjurmët e bardha të pulsimit të ujit dhe asgjë më tepër. Befas e kapi një ankth dhe u afrua më pranë bregut që të shikonte më mirë, se çfarë po ndodhte. Papritur ai doli mbi ujë dhe kur vuri re që u nis drejt bregut me not mori frymë e lehtësuar. Ishte shpërqendruar krejt, sytë i lotonin ,ndërsa gjithë pamja e shfaqur dhe ai mjedis që gumëzhinte nga njerëzit iu duk si një shkreti e pafund që luante me trajta mirazhesh e shtinte gjatësi të lodhura valësh. Ai doli nga uji dhe për pak kohë qëndruan të përqafuar aty në breg, ndërsa sytë e kureshtarëve shikonin të çuditur, se si kishte arritur t’i mbijetonte atij aksidenti gati fatal.