Mira donte shpesh ta shihte nënën e saj duke punuar. Katerina ishte piktore dhe kishte studion e saj të punës gjysmë ore larg shtëpisë. Një të enjte pasdite me shi Mira vendosi t’i bëjë një vizitë të papritur. Nëna e saj kur e pa u habit, pasi nuk e priste dhe aq më tepër në një kohë që ajo po punonte për një projekt të Bashkisë, të cilin duhet ta dorëzonte në afatin e duhur.
-Çfarë po vizaton?- e pyeti vajza, ndërsa mori një penel në dorë dhe e rrotulloi majë gishtave.
-Po bëj diçka për qytetin tonë, për t’u uruar mirëseardhjen vizitorëve të huaj që pritet të vijnë së shpejti në sezonin e pushimeve, për t’i njohur me historinë e tij, pra kolazh skenash të ndryshme. Të pëlqen ty kjo ide?
-Sigurisht mami.
-Por më duket sikur nuk je e përqëndruar fare në atë që po të tregoj unë.
Vajza qëndronte para saj si një pasqyrë murale dhe shtërngonte më fort penelin, përdorur kush e di sa kohë më parë, me fije të përthara e ngjyrë të tjetërsuar boje.
-Mami, kam një ide, – dhe për një çast u gjallërua, gjendje kjo që kaloi dhe përmes shndritjes së syve.
-Më thuaj,-tha piktorja, pa e shkëputur vëmendjen nga telajua.
-Pse nuk më pikturon mua?
Katerina buzëqeshi lehtë dhe tha: “Zakonisht unë nuk bëj portrete, e kupton ç’dua të them apo jo? ”
-Ndoshta mendon që nuk jam shumë interesante ,-tha Mira.
-Jo, jo nuk është kjo, – dhe u kthye plotësisht nga e bija. Unë kam stilin tim, unë nuk vizatoj…
-Do dëshiroja të kisha portretin tim në hyrje të korridorit, që ta shikonin të gjithë vajzën tënde.
Katerina buzëqeshi dhe me një ton pak më të fortë e urdhëroi vajzën të ulej në karrigen përballë.
-Nuk besoj se mund ta bësh një gjë të tillë tani, lëre fare mami.
Nëna e mërzitur nga fjalët e saj i tha të qëndronte pa lëvizur e me mjekrën e ngritur pak lart.
Mira u ul si e dënuar për dy orë, një përpjekje e saj gati e dhimbshme, ndërkohë që nëna vazhdonte punën.
-Mjafton për sot, vazhdojmë nesër, -i tha.
-Nesër? Të qëndroj prapë kështu si e ngujuar dhe nesër? Mund ta shoh pak pikturën? – tha më shumë e nxitur nga kureshtja.
-Jo, pa e mbaruar ,- dhe me vështrim imponoi vajzën që të shkonte. Do punojmë me portretin tënd dy orë të premten, të shtunën dhe gjithë të dielën pasdite. Kështu ti do të kesh portretin tënd në korridor që ta shikojnë të gjithë.
-Dua të shikoj portretin tim tani, – tha vajza e nervozuar.
-Si të duash, nëse të pëlqen të rrish në atelie s’ ka asgjë të keqe ,- dhe u përqëndrua sërish tek projekti i lënë përgjysmë.
Mira thërriti: “Çfarë është kjo? Ku jam unë këtu?”
Në pikturë shfaqej një kokë katrore me gojë të madhe, veshë të vegjël dhe pa sy.
-Kjo jam unë?- gati bërtiti ajo.
-Oh, po bija ime. Këtu në këtë paraqitje je si të shikoj unë, jo si shikon veten ti. Është ndryshim i madh, por do e kuptosh me kohën,- dhe buzëqeshi lehtë.
Vajza e zemëruar vrapoi shkallëve dhe doli në rrugë, ndërsa veshët i kumbonin të qeshurën e nënës.
Për kokëfortësinë dhe egoizmin që kishte treguar kishte marrë një mësim të vlefshëm, e cila nuk ishte asgjë më tepër veç një paraqitje e kuadratuar dhe hijëzim i gjithë portretit të sjelljes së saj.