17.5 C
Tiranë
E enjte, 22 Maj 2025

Nga:Blerina Behari

 

VDEKJA E LAPSIT

Në mure shkruar me lapsin e mjerë,
zgjat duart si hije për të shtrirë tentakulat,
fshehur nën petkun zyrtar,
nxjerr kthetrat për të lëmuar fytyrën,
që nuk të përgjigjet,
duke e lëpirë.
Dielli u shpërbë në ëndrrat e prishura
të stuhisë së shpirtit tënd të nxirë,
në tymin e shkronjave
që dot s’i rradhit;
ngjyrat u thanë,
mbytur nën shiun e neverisë.
Frikën brenda vetes e ndjell me stil,
të ardhmen e arrirë shtruar me lëpushka të mykura,
në gojë krokodili gëlltitur rregullat e jetës
me të kuqen e djallit rri e vështron;
tmerrin brenda vetes ia përcjell veç unit të ftohtë,
luanët në foto të faqosura veç të tmerrojnë,
përballë nuk mundesh as t’i mendosh syçelur,
jeta jote e groposur zhytur në harrim,
lapsi i ndotur nga fëlliqësia qau me dënesë,
u këput,
ra përdhe…
në përpëlitje fjalësh të pështira..
Blerina Çifliku Behari

Vitet dhe njeriu

Vitet pulsojnë dritën që ndizet e fiket,
Si liqen gjigant përqafojnë yjet e largët,
Dallgët e kujtimeve përplasen në memorie parreshtur,
Në shtratin e shpirtit, qetësia pa ngjyrë rron.
Rrugët e vjetra, pluhur i kohës i ka mbuluar,
Në çdo hap, një histori vdes e lind përsëri,
Si libër i vjetër, faqet ngadalë i zverdhen,
Brenda tij, lule të fjetura mbyllen në heshtje…
Drita e zbehtë , hijeve frymon ngadalë.
Syri që shikon përtej kohës humbet në zbrazëtirë,
Fjalët arrijnë ç’vëzhgon zemra në errësirë.
Pasqyra e jetës, kristal çastesh reflekton ,
Yjet, shpejt në harresë zhduken.
Fytyra e njeriut mozaik i shenjave të kohës,
Thurur në një shpirt me ngjyra në gjurmë emblemash.
Si pemë e vjetër, koha forcën i shton,
rrënjët thellë përjetësuar në tokën e kujtimeve.
Blerina Çifliku Behari

DILEMA

Lutemi të bjerë shi e më pas hapim çadrën.
E duam diellin edhe kur shkelqen;
edhe pse me vonë strehën kërkojmë
hijeve të mendimit…
Se di pse njerëzit i largohen diellit…
A mund të qëndrojnë dy hije bashkë?
I ëndërrojmë shpesh fjalët e bukura ,
më pas skuqemi padashje.
Gjaku është artificial në deje natyrale.
Prekemi kur na shajnë
edhe pse më pas duam të përsosemi.
Sa e shëmtuar është perfektja…
Zhytemi në det
dhe humbim midis stërkalash mendimi…
Mali më zbret në fushë
dhe një luginë që qan.
Ushqehemi duke shijuar gjithçka,
por ushqimi i shpirtit është pilulë…
më pas pendohemi .
Shohim gjithë botën përpara ekranit.
për të papriturat, harrojmë mërzinë tonë.
Lumturohemi si fëmijë me flokët e borës
dhe qeshim me oxhakun e zjarrtë…
I duam miqtë,
po ata na duan… ?
E eksplorojmë gjithësinë me adhurim Ufosh,
Edhe pse na tundon misteri pafund.
Dhe Zotin që na vëzhgon …nuk e pashë kurrë…
E duam të panjohurën, aty fshehim shpirtrat
dhe ngjyrat bardhë e zi të tyre.
Blerina Çifliku Behari
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.