17.5 C
Tiranë
E enjte, 22 Maj 2025

Nga:Eva Gjoni

 

“ Udhëtim introspektiv”

Mos dashuro më shumë se veten

Asnjë nuk e meriton veten tënde.

Duaj, duaj me fuqinë e shpirtit,

Mos shiko pas, sa ke dhënë.

Mos prit të marrësh mbrapsht dashurinë tënde,

Ti je ndryshe, dashuron bukur.

Dashuron dhe jepesh, por kujdes:

Asnjë nuk e meriton veten tënde.

Ajo je ti, si mund ta humbësh dëshirën

Për të qenë vetëm,

Për të folur me të . 

Për të shkuar e lirë në mendimet e tua,

Kudo, për të eksperimentuar filozofinë,

Për të thurur histori që do të doje të kishin ndodhur ty.

Sepse ti lëviz nëpër dimensione 

Nëpër jetë të tjera, askush nuk mund të ndjeki ty

Dadhuri autentike të pa përcaktuar nga kufinjtë

Ndoshta përtej mundësive për t’u kuptuar 

Si mund të japësh veten dhe të mbetesh e zbrazët,

E ngurtë, a thua se aty nuk ka asgjë?

Ndaj dashuro fort, por jo përtej vetes.

Asnjë nuk mund ta di, asnjë nuk e vlerëson,

Sepse ti vetë e ke dhuruar, ti vetë e ke humbur.

Dashuro pa pendesë, me pasion, si e marrë.

Dashuria është hyjnore, nuk është turp.

Por duaj veten, asnjë nuk e trajton dhe e vlerëson si ty.

Kush di, të dashuron pa e cenuar atë që është e jotja.

Kush di çfarë është dashuria, është njeri i madh,

Jo i vogël, grabitqar i asaj që të përket ty.

Dashuro si di të dashurojë një grua e vërtetë,

E plotë, e brishtë, e forte, e thyeshme,

Por që ngrihet dhe nuk ka frikë nga dashuria.

Mos u mbyt.

Dashuro, por veten më shumë!

Eva Gjoni

::::::::::::::::::::::

“Heshtja e kafesë”

Në një lokal të vogël stisur aq komod me orenditë e tij, pranë ndërtesës ku punonte, ajo fillonte ditën me kafen e saj të preferuar – kafe filter. E pinte ngadalë, me gllënjka të vogla, ndërsa dita e saj e ngjeshur fillonte të merrte formë. Përkundër ngutjes, ky moment ishte i shenjëzuar si pjesa më e qetë e mëngjesit të saj.
Ambienti ishte gjithmonë plote njerëz që hynin e dilnin, nxituar për fillim ditën. Në një qoshe të lokalit, gjithmonë kishte një zotëri që vinte herët aty, me sytë ulur mbi celular duke lexuar apo shfetuar me gisht faqet që i shfaqeshin.Flokët e tij të thinjur në atë grinë e shëndritshme që e fisnikëronte, pozicioni i tij, gjithmonë i njëjtë – këmbët e palosura mbi njëra-tjetrën, trupin të anuar pak në një krah – e kishin bërë atë pjesë të natyrshme të mëngjesit të saj.
Sa hynte ai ishte gjithmonë aty !
Një ditë, tavolina e tij ishte bosh. U çudit… Ndaj vendosi të qëndronte për ta pritur, se di përse!!??Filloi të pinte kafen ngadalë, vështronte herë pas here nga dera. Në atë orë, duhej të ishte aty, në vendin e tij të zakonshëm. Minutat po iknin – nuk dukej. Shikoj filxhanin e saj, kafja ishte mbaruar ,u ngrit me përtesë, nuk po i ikej. Eci drejt daljes, por kureshtja për të e bëri t’i drejtohej kamarierit:
– Ku e keni sot “statujën” tuaj të gjallë, që pi kafe aty pa lëvizur?Drejtoj gishtin nga vendi i tij bosh…
Megjithëse, nga ta dish… mos ka njoftuar ai? E kush do pyeste për të? Jo për gjë, por duket sikur i mungon diçka lokalit… një orendi e çmuar, – dhe qeshi.
Me kamarierin kishin kohë që njiheshin. Ai ishte djalë i shkathët dhe, ndonjëherë, ajo e merrte në telefon për t’i dërguar kafe në zyrë gjatë ditëve kur nuk kishte kohë të shkonte vetë. Ai po e shikonte në atë mënyrë që do të thoshte:
“Ju jeni duke pyetur për të!” -Por nuk i tha gjë me zë – vetëm vazhdoi:
– Zotëria nuk do jetë ca ditë, kishte një shërbim…
Ajo tundi kokën për të treguar se e kishte dëgjuar dhe iku.
Mëngjeseve, kur hynte në kafene, shikonte drejt tavolinës së tij dhe ndiente një boshllëk. Mendonte me vete: “Aty shfaqet një pamje si pikturë e palëvizur. Përse kërkon ta shohësh? Apo është imazhi yt i mëngjesit, dhe ti je mësuar me të? “Piktura jote e preferuar…”
E çuditshme… nuk dinte çfarë njeriu ishte, çfarë pune bënte, nuk e kishte përshëndetur kurrë. Si mund të ishin sytë e tij…? Kishte mundur të shikonte vetëm kapakët pak te vijëzuara të tij, nuk ishin ndeshur kur me shikime.
Kishin kaluar ditë që mungonte. Ambienti i dukej i zymtë dhe çdo vizitë bëhej më e shkurtër. Nuk tërhiqej më nga vendi pa praninë e tij.
***
Sot si gjithmonë mbasi parkojë makinën u nis drejt lokalit, mëngjesi kishte nisur me pika shiu të buta që humbisnin midis flokëve dhe rrobave pa lene gjurme , ishte si shi avulli i pa dukshëm, hyri me nxitim . Ndërsa rregullonte flokët, e sigurt se tavolina do të ishte bosh, u shtangë por nuk e dha veten apo ashtu besoj . Ishte aty. Zemra i rrahu fort. Pamja u plotësua, ndjeu një qetësi të ëmbël dhe në fytyrë iu shfaq një buzëqeshje e brendshme.
Pasi mori kafen, u drejtua drejt daljes. Shiu ishte ndryshuar forme dukej si një pëlhurë gri . Qëndroi një çast, duke u përpjekur të vendoste nëse duhej të vraponte disa metra deri te ndërtesa përballë apo të qëndronte se mos pushonte.Shikoi këpucët e kastorit – të pambrojtura ndaj ujit. Duhej të nxitonte…
U nis me hapa të shpejtë,ndjeu që pikat e shiut u ndalën. Një aromë mashkullore parfumi e mbështolli. U drodh. Ktheu kokën. Zotëria misterioz mbante një çadër që i mbulonte të dy. Për herë të parë pa sytë e tij. Ishin depërtues, sa u detyrua të largonte vështrimin – i dukej sikur i lexonte mendimet.
– Ju nuk duhet të lageni, zonjë, – u dëgjua zëri i tij i thellë dhe i ngrohtë.
Nuk dinte si të reagonte. Qëndronte pa lëvizur.
– Do t’ju shoqëroj. Punoj një kat më poshtë zyrës tuaj. Ju vini çdo ditë këtu për të marrë kafen…
– Ju punoni këtu? – e pyeti, duke treguar ndërtesën përballë.
– Po si i shikoni njerëzit? Se nuk ju kuptoj… nuk shikoni askënd!
Qeshi lehtë.
– I shoh kur nuk më shohin. Atëherë ndihem më i qetë në soditjen time. Por… ecim, jemi në mes të rrugës.
U nisën së bashku, duke shmangur pellgjet e vogla që krijonte shiu.
Në hyrje të ndërtesës ndalën pranë ashensorëve. U drejtuan në të ndryshëm.
– Faleminderit, – i tha ajo
– Ju lutem… shpresoj të bjerë shi përsëri nesër – ju përgjigj ai
Ajo qeshi:
– Nesër do jem me çadër, të jesh i sigurt
– Unë jam i sigurt që nesër do më marrësh në çadrën tënde. Unë s’do kem – i tha ai
Qeshën lehtë.
– Mirupafshim.
– Shihemi nesër, – shtoi ai, duke hyrë në ashensor pa pritur përgjigje.
Eva Gjoni
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.