Literatura përkatëse politike mbi nacionalizmin thotë se kombi është një bashkësi virtuale dhe se fazat e formësimit të kombit sipas Hrochit, kalojnë nëpërmjet krijimit të mitit kombëtar. Elita kulturore është ajo që e realizon këtë proces. Nuk mund të rrimë pa e veçuar faktin se procesi i formimit të mitit kombëtar shqiptar që është i lidhur me mitizimin e gjuhës shqipe, racës, me evokimin e një historie të përbashkët të qendërzuar në mitin e heroit kombëtar shfaqet për së pari tek elitat parake të shqiptarëve. Eshtë elita e mërguar arbëreshe ajo që nëpërmjet Kamardës, De Radës, Darës skicon doktrinën kombëtare, fillimisht në përpjekjet për shndërrimin e gjuhës së folur në një gjuhë kulture dhe mjet kohezioni kombëtar. Pikërisht nga arbëreshët, së pari nga folklori e më pas në krijimet e mirëfillta, mitizohet historia duke u personalizuar në fytyrën e heroit kombëtar Skënderbeut. Fakti që Rilindja kulturore dhe politike fillon tek arbëreshët dëshmon rolin e elitave në përgjithësi, mungesën e elitave nga brenda dhe riaktivizimin pas katër shekujsh mosvazhdimësie të elitës historike.
Shpallja e pavarësisë është argumenti më i qartë për këtë. Elita e vonuar u gjet në rrethana jo krejtësisht të parashikuara e me një barrë të rëndë historike mbi supe: materializimin e shtetit të parë shqiptar pas pesë shekujsh historie. Edhe pse simbolikisht shteti shqiptar u shpall më 1912, ai e filloi jetën e tij pas 1920, ose më saktë pas Kongresit të Lushnjës i cili ishte rasti i parë kur elitat shqiptare e kapën ritmin e ngjarjeve dhe i dhanë jetë shtetit shqiptar. Në një analizë të thellë gjithë jeta politike e shtetit shqiptar në vitet 1924-1939 shenjohet nga kontradikta që mbarte në vetvete elita shqiptare, e cila ishte njëherësh edhe atavizëm perandorak edhe avangardë e jetës kombëtare, diçka mes oksidentales e orientales, konservatores dhe liberales.