Sot Skenderbeu dhe Lekë Dukagjini janë dy shtylla të kujtese kombëtare, njeri prijës i shpatës, tjetri si prijës fjalës dhe zakonit. Nuk janë thjeshte emra ndër libra historie, por ndjenja që enden në gjak; burrëria, besa liria dhe qëndresa! Ata janë binomi që historia shqiptare s’e përsëriti më, por që brezat e ndiejnë si një fjalë të pathënë, si një thirrje që vjen nga malet, nga kullat ,nga varret dhe nga flamuri…Ne bijtë e Arbrit që risim fëmijë nën hijen e shtatores së Skënderbeut e ndiejmë madhështinë e tij por edhe vetminë që e rrethon. Ngrihet Skenderbeu në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tuz … i lartë, i vetëm mbi kalë e kujtim. Shpata i ndritë si meteor, por dora e djathtë , është bosh, se nuk është Lekë Dukagjini ai që ndante betejat, por edhe ligjin, besën dhe fisnikërinë. Nuk është Mojsi Golemi që ra, e u ngrit për Arbërinë. As Gjergj Arianiti që mbrojti flamurin kur malet u djegën. Ku është Muzaka, që shkroi për ne kur Evropa na harroi. Ku është Gjergj Balsha që mbante flamurin nder portat e rrezikuara. As Lekë Zaharia, as Pjetër Spani, as Lekë Dushmani …. S ka bronx për ta, veç pluhur mbi harresën tonë. Skenderbeu s’flet, por heshtja e tij thërret, ai nuk e do vetminë, do kuvendin, do zërat dhe shtizat që kryqëzoheshin për tokë. Madhështia e tij, ishte bashkimi, jo lavdia personale. Dhe deri sa të ngrihen pranë tij të gjithë, jo veç në gur por në ndërgjegje- ai do jete i pavdekshëm por jo i plotë !