16.5 C
Tiranë
E mërkurë, 30 Prill 2025

Nga:Prof.Xhahid Bushati

FJALË ZEMRE PËR POETIN DHE KËNGËTARIN POPULLOR

NAZIF OSMAN MAMAQI (1895 – 1934)

Kohë më parë, më ra në dorë libri “Burbuqet e pranverës” të autorit Nazif Osman Mamaqi. Si libri, ashtu dhe autori ishin të panjohur për mua. Kur nisa ta shfletoj librin, përftova ëmbëlsinë dhe ngjyrat e një pranvere, shpirtin melodik dhe zemrën dashurore të poetit. Më ndoqi kjo ndjesi e bukur, ashtu siç të ndjek lirika që buron nga zemra dhe rrjedh papushuar…
Mësova më shumë për poetin Mamaqi, që dalëngadalë po bëhej i njohur për mua, nga një shkrim i poetit dhe studiuesit Mark Gurakuqi. Gjithashtu, m’u hapën dritare të reja vlerësimi, nga studimi i poetit Anton Papleka rreth strukturës, theksave, elemente krahasimtare poezi popullore dhe ajo e kulvivuar, kompozicionit, figuracionit e tipologjive të këngëve të mbledhura dhe atyre të Nazifit. Ishte një studim i punuar me ëndje dhe kompetençë shkencore e kulturë në njohjen e traditës së këngëve popullore, të trevave që mblodhi plot dashuri poeti që dalëngadalë po plotësohej portreti i tij.
Më parë, po shënojmë disa detaje jete të poetit. Lindi në Përmet, në një familje me tradita atdhetare. Jeta e solli që të emigronte në Amerikë. Punoi me gjithë fuqinë e zemrës për çështjen shqiptare. U kthye në Shqipëri, në vitin 1920. Luftoi me pushkë e penë për Shqipërinë e tij të dashur e të shtrenjtë. Në vitin 1924 botoi librin e tij të dytë “Kopshti i këngëve”, ku përfshiheshin këngë popullore. Poeti botoi dhe disa libra të tjerë, si: “Këngë, vjersha”, Tufë lulesh”, “Valët e Vjosës”, “Burbuqet e pranverës”. Ngaqë që pëlqente krijimtarinë e Çajupit, ribotoi “Baba Tomorrin”.
Në librat e përmendur përfshihen këngë popullore, vjersha autorësh shqiptarë, si dhe vjersha origjinale të Nazif Mamaqit. Librat janë udhërrëfyes të ditur në njohjen e krijimit poetik gojor të popullit, të poezisë artistike, veçanërisht asaj patriotike dhe të dashurisë, që janë motivet kryesore të këtyre përmbledhjeve. Gjithashtu, këto libra ishin dhe mbeten njohje kujtese e identitet.
Në librin “Burbuqet e pranverës” poeti Nazif Mamaqi, do të thonte: “Duke parë mirëpritjen që u bë nga populli librave të para të mija [… …] u kurajova të vë në shtyp edhe këtë të pestin, që është një përmbledhje e këngëve të bukura të vjershëtarëve të shquar dhe të këngëve popullore që me aq dhëmbje e atdhetarizmë këndohen an’e mb’anë të Shqipërisë. Populli i jonë është prej natyre këngëtar dhe pasanik i këngëve popullore, të cilat prej kohve të pakujtuara i ka mbajtur si TESTAMENT…”.
Në krijimtarinë autoriale të poetit Nazif Mamaqi, teksa i lexon me ëndje dhe kërshëri, e kupton njëherësh se ata vargje kanë dalë nga zemra; ndaj dhe ishte POET I DASHURUAR PAS DASHURISË!
Shkodër, më, 29.04.2025 ( Xhahid Bushati )
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.