Zona industriale e Shkodrës nuk ishte një përrallë. Ajo zinte realisht pjesën e gjërë verilindore të qytetit. Ishte bashkësia e dhjetra fabrikave e uzinave, kantiereve dhe kombinateve. Mbi të gjitha, ishte vendi i punës i mbi 20.000 punëtorëve. Ishte mundi, djersa dhe sakrifica dyzetepesëvjeçare e popullit të Shkodrës.
Kalimi i viteve nuk është thjeshtë shfletim kalendarësh. Ai është shumë më tepër. Vitet e krijojnë fizionominë e tyre të veçantë me dy mënyra. Portretet e tyre mund të hyjnë në histori me ato që arrijnë, me ato që ndërtojnë, me ato që realizojnë. Por mund të hyjnë edhe me apati, me humbje të mëdha, me papunësi, me vjedhje, me shkatërrime, me kontrabandë dhe gjëra të tjera të tilla. Kjo është mënyra së prapthi e hyrjes në histori të viteve. Fatkeqësisht për zonën industriale të Shkodrës, këto vitet e fundit, hyn në histori pikërisht me këtë mënyrën e dytë…
Vitet e përmbysjes së madhe sollën shpresat e pronësimit të përgjithshëm me ndarjen e drejtë të pasurisë kombëtare. Por ndodhi diçka krejt e papritur, jo vetëm që punëtorët në përgjithësi nuk u pronësuan, por përkundrazi u shpronësuan. U shpronësuan vendet e tyre të punës dhe ky shpronësim, si të gjitha shpronësimet, hodhi në rrugë mijëra e mijëra vetë. Natyrisht kalimi nga një sistem shoqëror në një sistem tjetër shoqëror edhe mbyllë fabrika edhe suprimon vende pune. Por kjo ndodh kur ato nuk i rezistojnë ekonomisë së tregut. Të ndodhi siç ndodhi për zonën industriale të Shkodrës që fabrikat, uzinat, kantieret e kombinatet u mbyllën pa e provuar fare se mund t’i rezistojnë apo jo tregut të lirë, është një paradoks tepër tragjik. Askush nuk u ul të bëjë llogari të saktë për rentabilitetin e ndërmarrjeve para se të mbyllen. Ato pushuan së qëni apriori dhe kjo është një humbje e madhe kombëtare.
…Kombinati i drurit i vjedhur, i masakruar, i shkatërruar, i heshtur qëndron me zor në këmbë në krye të zonës industriale të Shkodrës. Atje punonin rreth 2000 punëtorë. Ishin pra të lidhura me të rreth 2000 familje shkodrane. Për llogari të këtij kombinati kishte njerëz të punësuar deri në pyjet e Skrobotushës e Haramisë në Vermoshin e largët, deri në pyjet e Cukalit e të Fushës së Zezë. Pikërisht në këto pyje fillonte konvejeri i këtij kombinati, i cili përfundonte në repartet e letrës së çimentos dhe qepjes së thasëve, të fibrës së zakonshme e fibrës me ngjyra, të mobiljeve dhe karrikeve për eksport. Me punën e këtij kombinati ishte i lidhur edhe një park i tërë automobilistik, i cili vetiu doli jashtë loje.
Është e natyrshme të të lindë pyetja “Ç’u bë tash katër vjet me këtë kombinat?”. E thamë edhe më lart, u vodh, u shkatërrua. Me një fjalë u bë gati t’u shitet sa më lirë të përkëdhelurve. Mund të themi se mbi çatitë e ndërtesave masive të tij tani këndojnë kukuvajkat. Përveç ca drejtorëve të fabrikave të tij dhe ca punonjësve të administratës që marrin rrogat kot së koti, e kanë braktisur të gjithë. Të fundit e braktisën hajdutët, të cilët, siç duket, nuk kanë më se ç’të vjedhin.
…Uzina e Fermentimit dhe Fabrika e Cigareve, në fillim të periudhës së tranzicionit, u duk se po rezistonin. Por nuk zgjati shumë dhe u dorëzua edhe ajo. Vetëm gra e vajza ishin mbi 1000. Tani ato nuk dihet se nga janë shpërndarë si zogj të trembur. Disa përpiqen të nxjerrin bukën me anën e industrisë bashkëkohore “të tezgave”, të tjerat nuk dihet se ku kanë sosur. E pra, jo shumë kohë më parë në portën e madhe të hëkurt të kësaj fabrike çdo çast hynin e dilnin kamionë të ngarkuar. Vetëm nga fshati i Grizhës uzina e fermentimit merrte aq duhan sa prodhonin në vitet pesëdhjetë rrethet Shkodër, Lezhë, Pukë e Mirditë. Edhe ky fakt i thjeshtë flet për sasinë e prodhimit që hidhej në treg nga fabrika e duhan-cigareve.
Përsë tashti i ka mbyllur qepenat edhe kjo fabrikë? Kjo është pyetja shqetësuese që të mundon. Makineritë janë të ruajtura. Lëndën e parë, që është duhani, e prodhojnë fshatarat. Specialistët thonë se me duhanin edhe ka probleme, sepse fshatrat tani mbjellin më pak duhan, por ky nuk është faktori vendimtar. Kushtet e mbylljes i ka diktuar tregu. Prodhimin e fabrikës së duhan-cigareve e kanë paralizuar në treg cigaret e importuara. Në pamje të parë duket diçka normale, sepse ligjet e tregut të lirë janë të pamëshirshme me konkurencat e tyre. Mirëpo në rastin konkret këto ligje kanë vepruar në mënyrë të pandershme. Cigaret e importuara që kanë pushtuar tregun shqiptar, sipas specialistëve të fabrikës së cigareve, kanë hyrë kontrabandë shumica, duke mos paguar as doganë as tatim qarkullimi. Në këto kushte të tilla ato i konkurojnë me lehtësi prodhimet e vendit. Por shteti nuk duhet të lejojë kurrësesi të mbysë prodhuesit e vendit dhe të stimulojë prodhuesit e huaj.
Shpresa se do të fillonte punën Uzina e Telave siç duket u thye. Parlamenti nuk e apravoi ligjin për heqien e tatim-qarkullimit për telat dhe kabllot e uzinës së Shkodrës. Pa këtë heqje të tatim-qarkullimit, siç e kemi thënë edhe në një shkrim tjetër, kjo uzinë nuk konkuron dot në treg me mallrat jashtë standarti që hyjnë nga jashtë pa doganë dhe pa paguar tatim-qarkullimi. Shpresa duket se po mbetet vetëm shpresë…
Po të kalosh nga ndërmarrja metalike apo nga fabrika e konservave të ngjan se kthehesh nga një kataklizëm e vërtetë. Asnjë rrebesh, asnjë ciklon nuk mund të lente pas kaq shkatërrim. Ne këmi nevojë të ngutshme për industri ushqimore, por e shkatërruam edhe atë që kishim pa ndërtuar tjetër me të mirë. Në një shkatërrim të tillë nuk di a mund të bëhet fjalë për fillim pune përsëri. Sigurisht që jo. Fshatit tonë prodhimet do t’i mbeten pa shitur e ne do të vazhdojmë “të lumtur” të importojmë konserva.
Ndërmarrjes artistike dhe asaj të zunkth-kashtës, të cilat eksportonin prodhimet e tyre në tregjet evropiane e botërore dhe merrnin pjesë në të gjitha panaieret ndërkombëtare, tani pothuajse u është harruar edhe emri në Shkodër. Mbi 2000 vajza dhe gra me duar të arta nxirrnin prodhime artistike aq të bukura sa kur vizitoje repartet e kësaj ndërmarrjeje të ngjante se gjithë atë kohë kishe shfletuar një libër të bukur të etnografisë shqiptare.
Edhe epilogu i këtyre dy ndërmarrjeve qe një epilog i dhimbshëm, një epilog grabitjesh e vjedhjesh mu në mes të ditës. Dhe ç’është më e keqja pak a shumë një fat të ngjashëm kanë pasur të 74 ndërmarrjet dhe kantieret që ka pasur rrethi i Shkodrës. Teoria e kohës zero u sul mbi to si një përbindësh. Tani kush ka letra me vlerë dhe ka një mik në bordin e privatizimit le të vijë në zonën industriale të Shkodrës. Çdo gjë është bërë gati me kujdes për të blerë një uzinë apo një fabrikë badihava. Vraponi sa s’jeni vonë, sepse këto blerje badihava kanë filluar.
Nuk ka nevojë të presim vitet e ardhshme. Qysh tani ne mund të themi se në Shkodër na ishte dikur një zonë industriale. Në portretin e këtyre viteve ky detaj nuk mund të përjashtohet. Në qoftë se këto vite pretendojnë të hyjnë në histori, këtë detaj të portretit të tyre do ta marrin me vete patjetër.