Për në Kongresin e Parë të Manastirit Komisioni pregatitor ftoi edhe
motrën time Sevasti të përfaqësonte shkollën shqipe të vajzavet në
Korçë. Vjeshtën e motit 1908, për shkak të rrethanavet politike të
krijuara me shpalljen e regjimit konstitucional në Turqi, shkolla jonë
u çel me një numër shumë më të madh studentesh se sa në vjetët e
robërisë. Puna e shumë për të zmadhuar shkollën dhe internatin e
penguan drejtoreshën të largohet prandaj ajo ma delegoi mua të drejtën e mandatin për të perfaqësuar shkollën e vajzavet të Korçes në këtë Kongres të Parë Kombëtar, sikundër u quajt atëhere prej shqiptarëvet.

Si dihet, inisiativen e mori Kllubi i Manastirit “Bashkimi”, i cili u
themelua fill pas Hyrietit, dhe vellai im Gjergj Qiriazi pati luajtur rolin kryesor. Qyteti i Korçës në këtë mbledhje të shënuar dërgoi përfaqësues, Mihal Gramenon, Gligor Cilkën, Sami Pojanin dhe Thoma Avramin.
Si grua që isha nuk munda të udhëtoja vetëm, pra mora shoqen time Fillomenen A. Bonoti të më shoqëronte n’atë mision i […]. Nuk do të flas këtu mbi vështirësitë …[që] paten hasur im vella Gjerasim me motrën Sevasti, për të çelur shkollën shqipe të vajzavet e për ta mbajtur hapur njëzet vjet me radhë gjatë sundimit tiranik të Sulltan Hamitit.
Përpara shpalljes së Hyrietit shkollat shqipe nuk munden të vazhdojnë pa ndërprerje as për djemt e të krishterëve, dhe sa për djemt e mohamedanëvet, atyre u qe ndaluar kategoresisht të mësonin shkrim e këndim në gjuhën amtare. Dhe vete me mësueset e shkollës kur delnim nga shkolla, Mitropoliti grek porositi rrugaçët të na shanin “Masonka, Protestante, Papiste” me
gjithë se nuk ishim asgjë tjetër veç se shqiptare patriote. Në një kohë të këtillë, pra, kur sundonin kushte barbare për femrat, pa të drejtat politike për ato, dhe gratë muhamedane në rrugë s’mund të delnin pa ferexhe. Plotësish e pa mundur dhe e pa dëgjuar që një grua të delte sheshit në një kongres burrash. …
Im vëlla Gjergji qe këshilltari kryesor i Kllubit “Bashkimi” dhe inisiator kryesor i Kongresit, ai më keshilloi të mos ekspozohesha në Kongres e të mos dilnja në tribunë. Ai qe burrë i urtë dhe i mençur dhe me kulturën e tij të gjerë kish fituar simpatinë e miqve të Shqipërise edhe mund të them respektin e të huajve.
Me gjithë këto pengesa mua prapë mu dha një rast i mirë të shërbenj në Komisionin që zgjodhi Kongresi për të caktuar abecenë. Ky komision i bënte mbledhjet në shtëpi të Gjergj Qiriazit i cili qe edhe kryetar i tij.
Nëna jone, Maria, ishte e pamundur, por unë ndihmoja zonjen e Gjergjit për të pritur e përcjellë … anëtarët e komisionit të cilët punonin me ditë të tëra të veçuar për të shikuar çeshtjen e alfabetit, por edhe dhashë dorë duke mbajtur shënime për Komisionin. Por puna ime gjatë Kongresit qe efemere [d.m.th. “që nuk zgjat më
shumë se një ditë”, D.H.]. Ajo që mbeti në formë konkrete dhe e
dobishme prej dorës sime, punë e frymëzuar prej Kongresit të Parë të Manastirit, është botimi i abetares sime të hartuar sipas rregullave që vendosi Kongresi vetë. Kjo abetare, e para e llojit të saj, doli pas disa muajve dhe u lajmua prej shtypit kombëtar si një punë e vlefshme. “Bashkimi Kombetar” me 5 të Vjeshtësë Tretë 1909 shkruante: “Kjo libre e vogël me 32 faqe dhe me 18 fytyra eshte radhitur bukur e pas [?…] me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit”. Abetarja vërtet mbajti çmimin 20 para copa por e vërtete është se ajo u shpërnda gratis jo vetëm të [?…] por edhe në gjithë nxënësit e shkollavet shqipe të atëhershme.
Që në Kongresin e Manastirit turqit edhe grekërit treguan planet e tyre ndaj shqiptarëvet. Bënë çmos që të merret alfabeti arab edhe grek për të shkruar gjuhën shqipe. Për të luftuar punën e vlefshme të Kongresit të Parë të Manastirit dhe për të penguar mbrothësinë e popullit shqiptar t’arsyer me gjuhën amtare, xhonturqit nisën fushatën kundër abecesë shqipe duke botuar një abetare të tyren me shkronja arabe. E zemëruar nga kjo punë e keqe e xhonturqvet kundër abecesë aty për aty shkrova himnin e alfabetit
kombëtar i cili u këndua në katër anët e Shqipërisë më 1909:
Hymni i Alfabetit
Sot ësht’ dita shqipëtare
të përpiqemi
Alfabetin ton’ të mbrojmë,
Shpejto burrani.
Shkronjat tona jan’ të arta,
Këto duamë.