Pas vdekjes se Stefan Dushanit ne trevat shqiptare u krijuan principatat arbëre. Deri ne betejen e Fushe Kosoves ato kishin 30-40 vjet qe e kishin hequr qafe zgjedhen serbe. Atehere i takon qe sulltan Murat Pushtuesi te na kete çliruar prej shqiptareve(!)
Karl Topia, “zot i gjithë vendit të Arbrit”
Nga Shkumbimi e deri në rrjedhjen e lumit Mat shtrihej Principiata e Topiajve. Pas vdekjes së Dushanit, konti Karl Topia arriti të bashkonte nën sundimin e tij këto territore që i kishin pasur edhe paraardhësit e tij, Tanushi dhe Andrea. Ndonëse formalisht ishte vasal i mbretit anzhuin të Napolit, Karl Topia shkëputi çdo lidhje feudale me të. Në vitin 1368 ai sulmoi dhe pushtoi qytetin e Durrësit, pa përfillur protestat e anzhuinëve, të Papatit e të vetë Venedikut, që i trembej gjithmonë daljes së feudalëve shqiptarë në det. Megjithëse përkohësisht Karl Topia u detyruar ta linte përsëri Durrësin në duar të anzhuinëve, në mesin e viteve 70 ai zotëronte një pjesë të mirë të brezit bregdetar, nga kepi i Rodonit në veri, e deri në derdhjen e Semaint në jug, ku kishte mundur të largonte zotërit e mëparshëm, Muzakajt. Në lindje zotërimet e tij kufizoheshin me zotërimet e Andrea Gropës, që shtriheshin midis Dibrës e Ohrit. Vetë qyteti i Ohrit u përgfshi për pak kohë nën sundimin e princit Topia. Në këtë mënyrë Karl Topia arriti të bashkonte pothuajse gjithë territoret e Arbrit të vjetër. Jo pa arsye ai quhej “zot i gjithë vendit të Arbrit (Albanotit)” dhe e mbante veten si vazhdues të traditës shtetërore që kishte nisur pikërisht në këtë trevë qysh në shek.XII me Principiatën e Arbrit.
5. Balshajt dhe shteti i tyre
Ndërtë gjitha principiatat feudale shqiptare të gjysmës së dytë të shek.XIV, ajo që filloi të merrte përmasat e një formacioni mbarëshqiptar ishte Principiata e Balshajve. E krijuar fillimisht në vitet 60 të shek.XIV si një zotërim i vogël e i parëndësishëm feudal nën drejtimin e vëllezërve Strazimir, Gjergj e Balsha II, Principiata e Balshajve bashkoi territoret e dy Zetave, të Sipërme e të Poshtme, nga Kotorri në Lezhë. Përpjekja e vëllezërve Balsha për të përparuar drejt Matit dështoi në një betejë të pasuksesshme të zhvilluar në vitin 1364 me princin e Arbrit Karl Topia, ku forcat e Gjergj Balshës u thyen dhe vetë ky u zu rob. Pas kësaj, ndërmjet dy familjeve princore shqitpare u vendos një paqe që zgjati plot 20 vjet dhe që u përforcua nga martesa e Karl Topisë me Katerinën e Balshajve.
Ndërkaq, nepërmjet një amrtese tjetër, asaj të vëllait të vogël Balsha II me Komnenën, vajzën e despotit Andrea Muzaka të Beratit, në vitin 1369 Balshajt u bënë zotër të Vlorës. Po atë vit, Balshajt kishin bërë një hap tjetër të rëndësishëm, që i forcoi pozitat e tyre të brendshme dhe të jashtme. Ata u konvertuan në katolikë, duke krijuar një lidhje më të ngushtë me shtetasit e tyre shqiptarë të Shqipërisë Cveriore, që ishin të vesimit katoli. Ky hap i afroi ata gjithashtu me Papatin dhe fuqitë e tjera katolike në një kohë kur përgatiteshin të hynin në luftë me sundimtarët fqinjë sllavë, që vazhdonin të sundonin në Kosovë e në trevat shqiptare lindore. Së bashku me Muzakajt, Gropajt e feudalë të tjerë të Shqipërisë së Jugut, tashmë vasalë të tyre, Balshajt thyen më 1370 mbretin serb Vukashin, që u detyrua të braktiste zonën midis Korçës e Kosturit. Rreth një vit më vonë aleatët morën trashëgimtarit të Vukashinit, Mark Krajleviçit, edhe qytetin e Kosturit, që u la në qeverisjen e vëllezërve Teodor e Stoja Muzaka, kunetër të Balshës II. Po në atë kohë, Balshajt, duke u nisur nga Zeta, përfshinë në zotërimet e tyre një pjesë të mirë të kosovës (me Pejën, Prizrenin, Kriva Rjekën (Novobërdë)) që sithe deri atëherë domen i Vukashinit. Kështu, drejtëpërdrejt ose nëpërmjet vasalëve e aleatëve të tyre të shumtë nga familjet Jonima Zaharia, Dukagjini, Gurashi, Pastroviqi, Muzaka, Topia, Gropa etj., princërit Balsha të Zetës kontrollonin gjithë territorin me shtrirjen Tivar-Kriva Rjeka-Kostur-Vlorë. Por ndikimi i tyre shtrihej edhe më në jug, në Shqipërinë e Poshtme, nëpërmjet lidhjeve familjare që kishin krijuar me zotëtit e vendit.
Më 1384 balsha II, i vetmi ndër tre vëllezërit Balsha që kishte mbetur gjallëi mori Karl Topisë qytetin e Durrësit, duke e shtuar titujve të tij edhe atë të “dukës së Durrësit”. Por vetëm një vit më vonë, më 18 shtator 1385, trupat e tij u thyen keqas në fushën e Savrës (Lushnjë) nga një ushtri turke e ardhur nga Maqedonia. Vetë Balsha II, së bashku me mjaft fisnikë të tjerë shqiptarë humbën jetën në këtë betejë.
Shënim: Ky material është marrë nga libri i hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë!
Miratuar nga Këshilli Kombëtar i Historisë pranë Ministrisë së Arsimit!