Po ecja si dikur
me shkujdesje fëmije,
sikur për herë të parë të ngrihesha,
si me magnet
më tërhiqnin gjurmët e mia,
mbi udhën që ma kishin prishur.
Këmbëzbathur eca si nomad i etur,
e gjithë ç’më mungonte e preka,
e shkela me këmbë,
po si ta mblidhja në duar,
atë udhën që ma kishin prishur.
Më besoni,
ia nis me hapa fëmije,
pastaj me vrap të harlisur,
renda pas kujtimeve që ende e stolisnin,
udhën që ma kishin prishur.