11.5 C
Tiranë
E premte, 18 Prill 2025

Nikolle Loka

Kolë Doda, Qytetar Nderi i Rrëshenit, themeluesi i pneumologjisë në Mirditë

Kolë Doda lindi me 6 dhjetor 1933 në fshatin Perlat Epër. Pasi mbaroi shkollën fillore në Shebe, vazhdoi kursin 9-mujor të infermierisë në Tiranë (1949-50).
Mësimet i mori nga mjekët më të mirë të asaj kohe, të cilët jepnin në shkollë të mesme e në fakultetin e mjeksisë, që sapo ishte krijuar nga themeluesit e mjekësisë shqiptare: Federik Shiroka, Besnik Zyma, Kadri Kerçiku etj. Me 3 shtator të vitit 1951 filloi punën e infermierit në Spitalin Rubik, drejtor dhe mjek i të cilit ishte Vasil Cimbi, i cili kishte mbaruar studimet e larta në Rumani; kryeinfermier Zef Mikeli shkodran; infermier Ndue Gjok Penga, me 3 muaj kurs nga ushtria dhe laborant Fran Dushi. Bashkë me Dragush Delvinën, Mihal Kazikën e pastaj Ndoc Pemën, Kola mori pjesë në ekipe shëndetësore, duke shkuar shtëpi më shtëpi, në të gjithë zonën e Rubikut. Gjatë vizitave, ekipi jepte ilaçe, të cilat Kola i mbante në një çantë lecke, si penecelina, kafeina, sulfamide etj. Llogarinë e lekëve të ilaçeve e mbante mjeku i ekipit, se do t’ia dorëzonte farmacistit Ndoc Zezaj, kur të kthehej në Rrëshen.
Në korrik të vitit 1954, vjen urdhër me emër që infermier Kolë Doda të komandohet për tre muaj në Dukagjin, pasi atje kishte epidemi fruthi. Në Dukagjin, kishte takuar doktor Mihal Kazikën, me të cilin ishte njohur në Rrëshen. Në Breg Lumi kishte spital e maternitet me gjithsej 10 shtretër. Kola kishte shoqëruar doktor Koço Poren në fshatrat e Dukagjinit, duke dhënë ndihmesë të vyer në kapërcimin e epidemisë. Kthehet përsëri në Rubik, në janar të vitit 1955 dhe dërgohet me punë në Kurbnesh, pasi infermieri Preng Gjini ishte shtruar në sanatarium.
Në shtator të vitit 1955, Kola filloi shkollën e mesme mjekësore. Shok banke kishte Isuf Gurin, por në klasë kishte dhe Dine Abazin, Sabit Brokajn, Ajli Alushanin, Veli Zogun etj. I ndërpresin mësimet dhe mobilizohet ushtar në Kuçovë. Pas pesëmbëdhjetë ditëve e lirojnë nga ushtria dhe kthehet në Tiranë, por do të mbetej i lidhur me një repart ushtarak si mjek i tij, pasi me një angazhim të tillë do të përfitonte ushqimin e strehimin si oficerët e atij reparti. Me këmbënguljen dhe vullnetin që e karakterizon, Kola doli shumë mirë me mësime. Në qershor të vitit 1959 dha provimet e maturës dhe u diplomua ndëhmësmjek në repartin, ku kishte qëndruar. Në fillim të korrikut takon Mark Prendin, drejtues i rëndësishëm në Mirditë, i cili kishte takuar edhe komandantin, Major Peço Polenin dhe i kishte shprehur mendimin që kishin në Mirditë: Kola duhet të kthehej dhe të specializohet për radioskopi. Kishte dal vendimi i qeverisë, që për rrethet, të cilat nuk mund të dërgonin mjek, të dërgonin edhe ndihmësmjek.
Me 15 gusht 1959, del urdhëri i Ministrit që “rreshter Kol Doda, me porosi të Komitetit Qendror lirohet nga detyra, se ka shumë nevojë rrethi i Mirditës”.
Me 1 shtator të vitit 1959, Kola vazhdoi specializimin në Sanatorium, për luftën kundër turberkulozit dhe për radioskopi. Përgatitja e Kolës ishte bërë nga profesor Ludovik Kalmar, mjek shumë i përgatitur. Në maj të vitit 1960, dha provimet teorike e praktike me intrepretim radiografishë dhe pajiset me çertifikatë specializimi. Me 3 qershor 1960, për herë të parë në Mirditë, ai hapi Dispancerinë antiturberkulare, sot Dispanceria e sëmundjeve të mushkërive. Duke realizuar depistime, për 6 muaj, ai kishte shtruar në Sanatorium 62 raste, nga të cilat 28 fëmijë, prandaj në analizën vjetore në Sanatorium ishte lavdëruar nga ana e të deleguarit, në emrin e Ministrit Taçi Skëndi, i cili ishte vetë Pneumoftiziatër.
Kola kërkoi disa herë për të vazhduar arsimin e lartë për mjekësi, por nuk kishte kush ta zëvendësonte, se duhej të ishte i specializuar për sëmundjet e mushkërive e radioskopinë. Në vitin 1963, e kishin emëruar përgjegjës të Dispanserisë antituberkulare.
Në vitin 1968, vjen me qarkullim në Rrëshen drejtori i Sanatariumit Dr. Stavri Leka, me të cilin Kola punoi disa muaj e më në fund i doli edhe drejta e studimit.
I martuar dhe me fëmijë, Kolë Doda përballoi vështirësitë, mori familjen në Tiranë dhe vazhdoi studimet e doli me rezultate të larta, por edhe shfaqi interes për punën shkencore. Që në fillim të vitit të dytë, e kishin zgjedhur anëtar të Këshillit Shkencor të Fakultetit dhe, që në vitin e tretë, kishte referuar tema shkencore për pleunitat bronchitin turberkular me rastet e Mirditës etj.
Në vitin e katërt, Kola filloi si mjek roje në Sanatarium, tetë ditë në muaj, prandaj i takonte të studionte natën. Kur kishte raste të rënda, qëndronte me të sëmurin rëndë dhe të nesërmen do të shkonte direkt nga Sanatoriumi në leksion. E mbaroi mjeksinë me mesatare 7.8. Katedra e Pneumologjisë me shef Katedre Prof. Selaudin Bekteshin e kërkoi Kolën për në repartin e Pneumologjisë në pediatri. Prof. Selaudin Bekteshi i kishte thënë: “Dua një mjek, që kur mbaron orarin e punës dhe është duke mbyllur derën, po t’i vijë përballë një fshatar me fëmijë në krah, mos t’i thotë: Hajde nesër, por të kthehet e t’i mbarojë punë, sepse për mjekun nuk ka orar.
Me hapjen e spitalit te ri në qytetin e Rrëshenit, doktor Kola kthehet si mjek pneumo-fiziater pranë këtij spitali, po me atë aparat radioskopie që kishte pasur dhe mori afër përsëri infermierin Gjon Dona për kartotekën, e cila ishte shkatërruar e më vështirësi rikthyen evidentimin e të sëmurëve me tuberkuloz e silikozë.
Tashmë mjek dhe i njohur nga kolegë në Tiranë, Kola u zgjodh në Komision KML e pastaj në Kemp KMCAP. Pasi mbaroi vitin e stazhit e dha provimin e mbrojtjes të diplomës praktikë e teori. Kryetar komisioni kishte Prof. Fejzi Hoxhën. Kola gjeti me lehtësi sëmundjen në një radiografi dhe të nesërmen u paraqit para Komisionit për teorinë, kështu që kthehet në Mirditë si mjek i specializuar.
Që në fillim, Dr. Kola u zgjodh në detyra të ndryshme në sektorin e shëndetësisë, por në asnjë moment nuk u shkëput nga vendi i punës dhe të sëmurët, si në spital dhe në dispanseri. Ka kryer edhe detyrën drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik për rrethin e Mirditës (1984-1990). Edhe atëherë kur kishte 214 punonjës në varësi bashkë me të gjitha problemet e shëndetësisë në rreth, ai gjente kohë të merrej më të sëmurët, në të gjitha zonat e sidomos në miniera si: Kurbnesh, Thirrë, Spaç, Kaçinar etj.
Në spitalin e Kurbneshit dhe të Fanit, kur e drejtoi shëndetësinë Dr. Kola, u vendosën aparate rëngeni dhe kur shkonte me ekipin nëpër fshatra, bashkë me kirurgun, kardiologun, gjinekollogun etj., një herë në muaj në Kurbnesh dhe në Fanë bënte mbi njëqind skopi.
Dr. Kola u shërbeu me devotshmëri pacientëve të tij dhe vetë populli e kishte mësuar se doktor Kola asnjëherë nuk thotë jo. Nuk ka pas ditë feste, apo viti të ri që ai të mos ketë dhënë ndihmë mjeksore, duke i shkuar të sëmurit në shtëpi. Nuk mund të ketë lagje në të gjithë Mirditën, ku ai nuk ka qenë dhe, në çdo lagje, mund të ketë pak shtëpi ku nuk ka vizituar të sëmurë.
Në vitin 1997, Kola plotësoi moshën dhe doli në pension, por që natën e parë, ngjarjet që ndodhën e kërkuan në krye të detyrës, ndonëse kishte mjek pneumollog. Në ato kushte, i kërkuan të qëndronte edhe disa kohë. Kështu Dr. Kola punoi në detyrën që kishte deri në shtator të vitit 2000, ku doli zyrtarisht në pension. Mbas daljes në pension, ai ka punuar nga 2-3 orë në ditë te klinika “Ikeda” në Tiranë, ku i ka shërbyer përsëri popullit me shumë pasion e kënaqësi.
Gjatë gjithë kohës që është marrë me sëmundjet e mushkërive, doktor Kola ka trajtuar mbi 1800 raste të prekura nga turberkulozi, të cilët me trajtimin në Sanatorium dhe ambulatorisht janë konsideruar të shëndoshë. Ka trajtuar edhe mbi 600 raste me silikozë, nga të cilat 265 raste të moshave 35-60 vjeç. Ai e ka pas shumë të vështirë me rastet e rënduara me silikozë, të cilat kërkonin ndihmë, por vetëm sa për t’ua zgjatur jetën se ishte sëmundje e pashërueshme.
Kola ka marrë pjesë dhe ka kumtuar për eksperiencën e tij në luftën kundër sëmundjeve të mushkërive, e sidomos të silikozës, në disa sesione shkencore kombëtare e ndërkombëtare; ka botuar në buletinet shëndetësore dhe shtypin e kohës. Ai ka qenë kryetar i Kryqit të Kuq në Mirditë(1992-95), ku në mënyrë vullnetare, me ndihmën e emigrantëve, sidomos të Zef Margjinit, ka ndihmuar me dhjetëra familje në nevojë.
Këshilli i Bashkisë Rrëshen i ka dhënë titullin Qytetar Nderi (2009), si dhe i janë akorduar disa medalje e çmime të tjera. Vlerësimi i sotëm i bërë nga Bashkia Mirditë “Stema e artë” e Bashkisë Mirditë është mirëpritur nga njerëzit atje. Mirënjohja për punën dhe njeriun e punës Dr. Kol Doda i bën nder edhe vetë institucionit.
Meqenëse e shkruara mbetet- ka thënë latini, ky jetëshkrim për qytetarin dhe mjekun shembullor, të respektuarin Kolë Doda është në librin në proces botimi “Historia e shëndetësisë në Mirditë”, të cilin unë e kam në përfundim, si homazh dhe vlerësim për Dr. Kolën dhe qindra kolegë të tij, që kanë kontribuar ndër breza dhe vazhdojnë të shërbejnë edhe sot në misionin më të bukur, ruajtjen e shëndetit të njerëzve.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.