8.5 C
Tiranë
E martë, 18 Mars 2025

Nuri Plaku

DISA TIPARE DALLUESE TE POEZISE SE FATMIR GJATES

 

Poezia e Fatmir Gjatës është një prurje e re në letërsinë shqipe që ka vërshuar fuqishëm vitet e fundit tek lexuesi ynë. Ajo tashmë përbën një korpus të shtrirë në disa vëllime dhe mjafton të kujtojmë se vetëm në dy librat e fundit botuar gjatë vitit 2021 në Prishtinë, “Andate në Fa Major”dhe “Adaxhio në Si Minor”ai ka publikuar 562 vjersha. Kjo do të thotë se Fatmiri është poet me frymëzim të vazhdueshëm dhe letërsinë e sheh si një profesin, ndërsa kohën e shfrytëzon si një murg i përkushtuar shpirtërisht ndaj besimit të tij poetik.

Me këtë krijimtari të bollshme, Fatmiri ka krijuar edhe profilin e një krijuesi të kompletuar. Poezia e tij i ngjan rrymave ujore të lumenjve fushor të cilët rrjedhin në shtratin e tyre me shushurimat e buta të barit, përzier me këngën e bulktheve të natës dhe zjarrin e xixëllonjave . Përkitaz me gjeografinë e vendlindjes së tij, tek Fatmiri, gjen vend të plotë edhe thënia e njohur e pranuar nga etërit e letërsisë, se poeti është fëmijëria e tij. Me këtë paralele, evidentohet elementi më të rëndësishëm i poezisë së tij, lirizmi dhe muzika e saj e brendshme. Nga kjo pikëpamje, poezitë e Fatmirit, janë këngë të mirëfillta vetmitarësh të trishtuar nga fati i jetës, këngë çarhoshësh të dehur nga dashuria dhe njëherazi, këngë malli të dhimbshëm, këngë hareje e këngë korale. Jan të tilla sepse vija melodike e kësaj poezie është në akord të plotë me zërat e shpirtit të ndieshëm  të poetit, destinuar mirëfilli, të trasmetojë tek lexuesi ndjesitë dhe përjetimet më të holla, të përftuara nga kontaktet me botën dhe mikrobotën që na rrethon. Të tillë e profilon ai veten edhe në vargjet e tij:

Jam veç poet që shkruan muzgun,

Me xixëllonja nëpër duar.

Ritmi është një element mëse përfaqësues te Fatmiri, pasi shpesh autori, e kthen atë në një mjet artistik.

Sikur njëherë, sikur gjithmonë, sikur tani

Të ikja prapë, e prapë akoma, përsëri

Nëpër ca fusha, mbuluar ar, kallëzkrijuar

Me erë në flokë, me erë në trup, me erë në duar

E të vallëzonjam, e të këndonjam, si zokth i lirë.

Fatmiri, në tërësinë e krijimtarisë së tij të derisotme prezantohet si poet lirik.  Ka një lirizëm të thellë, spërkatur me frymë popullore, me traditën e këngëve dhe rrëfenja të fushave të vendlindjes. Objekte të lirikës së tij, janë sendet dhe njeriu, dhimbja dhe dashuria. Brenda këtij katërkëndëshi hidhen themelet e kësaj poezie. Por ajo që e bën më të veçantë atë është forma e zhvillimit të tij. Lirizmi në poezinë e Fatmirit zhvillohet gjithmonë i kompletuar me ngjyra të ndezura optimizmi dhe në kundërvënie të thellë me fatin apo moralin biblik. Krahas lirikës sociale kjo vihet re sidomos tek lirika erotike, ku bukuria e femrës adhurohet deri në shenjtërim. Në këtë lloj poezie që përbën edhe numrin më të madh të krijimtarisë së tij, gjithë fabula zhvillohet mbi binomin dashuri – ëndërr, ose dashuri – mëkat. Ëndërra erotike është parajsa e trupit femëror, para të cilit edhe vetë vdekja bëhet meritë e qellimit. Ndërsa mëkati është biblik dhe vihet në relacion me burimet e religjonit madje deri te priftërinjtë, të cilët paraqiten të rrebeluar përpara dashurisë. Ky lloj rrebelimi është dhënë për të treguar forcën e gravitetit të dashurisë e cila shprehet edhe në vargjet slogan:

Se shenjtëria s’është për të gjallët

Të dashurosh nuk është mëkat.

Rreth sendeve dhe objekteve shtjellohen të gjitha kujtimet e fëmijërisë së tij, si pjergulla në oborr, porta e shtëpisë, kavakët, zhukat, shelgu, ujrat, ugaret etj. Nëpërmjet tyre jepet malli si një zjarr i pashuar që digjet pafund në shpirtin e poetit. Kjo theksohet edhe për faktin se autori jeton larg vendlindjes.

E poshtë kavakësh mblidhja zogj

Kur binin nga foletë.

Ose:

Mes zhukash plot gjëmba në kënetë

Të lodhur e këputur, pluhurosur

Qeshnim si të kishim shtatë jetë

Me gjunjë të nxirë e të gjakosur.

Autori shkruan me varg të gjatë, ritmik dhe të rimuar që të kujton shkollën lasgushiane apo atë agolliane. Pjesa strukturore e vjershës lidhet me një gjetje të caktuar poetike që formon bërthamën e saj. Nga aty buron energjia e krijimit. Shpesh poezia mer formën ciklike tradicionale të hapjes zhvillimit dhe mbylljes, çka përshfaqet në formën e një diagrame grafike. Autori ndërton imazhe linear shpesh në përputhje me logjikën e fabulës, me rrjedhë të qetë e të njëtrajtëshme, shoqëruar me disiplinën e fjalës, ngjyrimin dhe akustikën e tyre të brendshme. Kjo e bën edhe më kompakte poezinë e tij.

Krahas këtyre elementëve, kjo poezi, ka edhe një tregues tjetër, mjaft të rëndësishëm, në aspektin e kumtimit të saj; optimizmin. Autori i këndon jetës me shpresë të ripërtërirë e mirësi të pafund që të kujtojnë vargjet dhe motivet naimjane. Ja si shprehet ai për lotët e dhimbjes:

Ku bien lotët mbijnë lule

Në dhe të murmë apo të zi

E bletët shkojnë në stinë të bukur

U marin pjalmin përsëri

Nga dhimbja lind kopësht me ngjyra

Nga kopështi lindin mbrekulli.

Këto element e bëjnë poezinë e Fatmirit, të drejtpërdrejtë dhe mjaft dimensionale, poezi që shkon tek lexuesi njëllojë si muzika,çka e bën atë edhe masivisht mjaft të përhapur. Unë di se në Fier, ka lexues që i recitojnë vargjet e Fatmirit apo i përcjellin ato në formë fragmentare midis tyre. Kjo tregon se poezia e tij është plot jetë, e gjallë, aktive dhe kjo është mjaftueshëm për të zbërthyer arësyen e përhapjes së saj tek lexuesi i gjerë dhe i të gjitha moshave.

Nuri Plaku

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.