22.5 C
Tiranë
E premte, 18 Korrik 2025

Nuri Plaku

 

“PRETENCA” E PLAGEVE TE SHOQERISE SHQIPTARE

(Rreth romanit “Pretenca” të Istref Haxhillarit, Sht. B.“Asdreni”, Shkup 2014)
Romani “Pretenca”i autorit I. Haxhillari, përbën një rrëfim ekstra esencial të realitetit shqiptar në kapërcyell të shekullit të XX-të. Ai na paraqet një kronikë ngjarjesh që zhvillohen në jetën e një qyteti, inonduar nga ujwrat e pista të kohës të cilat në thelbin e tyre mbartin ADN-ë e shoqërisë shqiptare në kushtet e një tranzicioni të gjatë e të vështirë. Koha e kaluar prej gjashtë vitesh nga botimi i këtij romani, është tregues domethënës i aktualitetit dhe freskisë së tij. Nga kjo pikëpamje, sipas gjykimit të Borgesit bazuar mbi kriteret e së mirës, romani duhet konsideruar “një i afërt i tanishëm.”
Fabula e romanit, është rrjedhë e copëzuar e jetës së një qyteti të vogël në lindje të vendit, e cila ka në qendër të saj një mësues gjimnazi, Heis Brianin, gërshetuar me aspekte dhe personazhe jashtë profilit të tij, që krijojnë paralele jetësore të të njëjtit ngjyrim. Nga pikëpamja strukturore, romani bëhet unik me “orët blu,” fragmente të ndërmjetme që luajnë rolin e çelësave për të hyr në skena të tjetra, të tejmbartura. Me “orët blu” autori duket se krijon një formë fugale të prozës së tij, karakteristike kjo për të shkruarin modern me kronologji të zhdërvjellët ngjarjesh. Fugal është edhe personazhi kryesor, i cili nuk paraqitet me formën e tij klasike për të udhëhequr ngjarjet dhe të transmetojë idetë me heroizmin dhe shembullin e tij pozitiv. Përkundrazi, Heis Briani, pavarësisht se është kreu i personazheve, mbart mbi vete një përditshmëri të zakonshme, mbushur me kronikat e fabulës që duket sikur luan thjesht rolin e një lënde amalgame. Heisi ka edhe mëkate si të tjerët, përfshihet në aventura, veçanërisht marrëdhëniet intime me femrat. Ai kaplohet nga kjo dëshirë sikur do të thotë se çlirimi i energjive të ndrydhura të individi në periudhën e diktaturës, tashmë në lirinë e tepruar gati, gati abuzive, kthehet në një shfrenim pasionant mbushur me ego të shfrenuar. Madje i shtyrë nga përgjegjësia që ndjen për të ndihmuar të dashurën, Sava Zhaka, përfshihet në lojën e zarfeve për të blerë nota kaluese për të birin e saj, Arianitin, te shtatë kolegët e tij. Si rrjedhojë e kësaj ndërhyrje, Arianiti kalon shtatë lëndët e mbetura dhe regjistrohet në universitet. Kjo do të thotë se furia e lekut nuk njeh limit. Duke luajtur rolin e menaxherit, Heisi bëhet një interpretues i vërtetë i moralit social i cili ka marrë goditje të rëndë nga tranzicioni. Në këtë kontekst, identiteti i tij individual bëhet atribut i veprimit social dhe si tillë, ai duhet konsideruar një figurë – risi në prozën e sotme shqipe.
Në tërësinë e saj, fabula e romanit, zhvillohet mbi tre plagë të rënda të shoqërisë së kohës dhe gjithë personazhet e tij, çapëlojnë brenda dhimbjes së tyre të ethshme. E para është droga, pastaj imoraliteti dhe korrupsioni. Pena e autorit na çon nga njëra skenë në tjetrën duke ndjekur kurbën e përgjithshme të efekteve të tyre fatale. Në gjimnazin e qytetit ku jep mësim Heisi, shfaqet një vajzë çapkëne, nga familje e pasuruar kohët e fundit, e cila bëhet viktimë e drogës dhe e seksit në grup. Orgeta Agani, gjimnazistja 18 vjeçare na jepet në roman si viktima e parë e kësaj plage. Vajza përfaqëson atë pjesë të viktimizuar të shoqërisë shqiptare që për fat të keq u bë preh e luksit të tepruar, e llastimit dhe e pasionit të shfrenuar emotiv. Joshja ndaj gjërave të panjohura të jetës, lakmia për të shijuar gjithçka të ndaluar për moshën e saj, e bën atë pre të egos së vetë. “Gjynah!- i thotë ajo profesor Heisit kur mësoi se ai nuk e kishte pirë asnjëherë cigaren. – Do të vdisni pa provuar një nga kënaqësitë më të mëdha të perëndisë!” Dhe autori me të drejtë shpjegon se: “Pedagogjia klasike nuk vlente për këtë vajzë.” Dhe pikërisht kjo psikologji që ka përfshirë një pjesë të rinisë shqiptare, për të cilën është e huaj “pedagogjia klasike” i imponon asaj shthurjen e dekadencën. Orgeta, pasi drogohet kalon në mënyrë të vullnetshme pjesë e orgjisë seksuale në grup prej tre djemsh në motelin e qytetit. Pas orgjisë humbet jetën nga mbidoza. Djemtë e çojnë trupin e saj në breg të liqenit për të fshehur gjurmët. Midis tyre edhe i dashuri i saj, gjimnazisti Arianit Zhaka.
Ngjarja tragjike e qytetit të vogël bëri bujë dhe hetuesia nisi hetimet për të gjetur shkaktarët e vrasjes. Por pikërisht në momentin kur dosja po zbardhej me emrin e Arianitit, ndërhyn deputeti i zonës, Rudin Kosta, mbyll çështjen. Këtu ngjarjet kalojnë në një pikë tjetër ekstreme, në ndërhyrjen e politikës në organet e drejtësisë dhe ndikimi i saj për fshehjen e krimit. Kemi të bëjmë me një formë klasike të korrupsionit i cili jepet në roman me trajtat e tij më të imta e më të detajuara. I përlyer me ndërhyrjen për të nxjerrë të pa lagur nipin e gruas, akuzuar si pjesëmarrës në vdekjen e vajzës, deputeti jepet në vazhdim në një moment allishverishi mbi tenderin e një rruge nga e cila i del boja dhe katandiset pijanec dhe viktimë e mjeruar e lojërave të bixhozit. Dera e kazinosë në roman jepet si një derë “xhamie” ku venë e falen mëkatarët e moralit. Ky është një fund-shpërblim që flet shumë për ndërgjegjen e qullosur të karrieristëve të politikës shqiptare që harrojnë thënien e famshme të Heraklitit: “Rruga për lart të çon poshtë.”
Në derë të kazinosë përfundon edhe Arianiti, ish i dashuri i Orgetës. Dështak i pashmangshëm, ai përfaqëson atë kategori të rinjsh që nuk e marrin jetën seriozisht dhe për pasoj mbushin rrugët. Mbetës në shtatë lëndë në gjimnaz, djaloshi vazhdon të jetë i tillë edhe në Universitet. Edhe aty ai mbart njëra pas tjetrës disa provime të prapambetura dhe është gati për tu djegur.
Imoraliteti në tërë kuptimin e tij, përshkruhet në pjesën më të madhe të kësaj proze. Pena e autorit varion në disa plane duke përfshirë marrëdhëniet brenda të njëjtit seks dhe seksin në grup. Në momente të tilla mjaft të rëndësishëm autori na ka dhënë psikologjinë e këtyre personazheve. I tillë është moment i konfliktit të Tergidit me të shoqen, Bekën, moment që zhvillohet kur ai vërteton tradhtinë e saj. Ndërsa ajo i kujton atij tradhtitë me meshkuj si Bert Nikën. Moment psikologjik që e ngre mjaft lart rrëfimin është kthesa që merr partneri, ndryshimi i tij i brendshëm. Ai u bë mashkull. Autori e ka dhënë me nota të ndezura e mjaft të gjalla ngarkesën psikologjike të Tergidit. Ai e përfshinë atë në një moment shpërthyes duke e bërë bërthamën e ciklonit në marrëdhënien bashkëshortore dhe është xhelozia ajo që e ngre peshë sedrën e tij prej mashkulli, e kthen atë në burrë të denjë për shtratin bashkëshortor.
“Ndjeu t’i shkëputej nga brenda një masë e fshehtë pa formë, si punë ngërçi i tej zgjatur që nuk pati guxuar ta kapërcente… Befas e pa veten mashkull. I hoqi dhunshëm fustanin… Beka ulëriu dhe e pafuqishme të mbrohej, e mbërtheu me sytë e shqyer, sy që flisnin më shumë se të gjitha fjalët e mara së bashku… u ndje e grimctë përpara furisë së burrit.”
Ky është një përshkrim frojdjan, sepse zbulon tek personazhi një operacion mental që zhvillohet brenda individit nga koordinacionet e brendshme psikologjike. Kriza e shtratit, trajtuar aq mjeshtërisht nga Pirandelo që në shekullin e kaluar, rishfaqet në prozën e Haxhillarit me një ngjyrim të veçantë e tepër të thukët. Kjo e bën interesante këtë prozë, aq interesante sa lexuesi befasohet me shtigje të tilla eksploruese.
Një tjetër skenë e tillë është edhe momenti i vdekjes së Kimit, bashkëshortit të Sava Zhakës. Në këtë moment lamtumire, ai e befason të shoqen kur i thotë: “Heisi është njeri i mirë. Martohu me të Sava!” Pra, ai e dinte marrëdhënien e tyre dhe çuditërisht, në raport me “fajin” e vet, e aprovon atë në heshtje, për një kohë të gjatë, deri sa erdhi momenti dhe ja tha, jo si shfrim dufi, por si porosi, si amanet.
Në fund romani mbyllet me një skenë të tillë, me ngarkesë po kaq të lartë psikologjike. Heisi vihet përball Savës dhe bën autopsinë e jetës dhe unit të tij duke e përkufizuar atë si: “Vargan lidhjesh të prera dhunshëm, stok i mjerë sekretesh të vogla.” Dhe pikërisht në këtë moment të ngarkuar me ndjesi të vështira e trandje të thellë, ai njeh vetveten dhe kupton pushtetin rrënues të Savës, në një mënyrë krejt origjinale, “nëpërmjet llavës përvëluese që i zbret nëpër trup.”
Krahas ngarkesave psikologjike, romani të bën për vete me stilin e veçantë të të shkruarit. Të gjitha ngjarjet zhvillohen në mënyrë lakonike. Stili i autorit nuk lejon të ikësh shpenguar, por të gozhdon për të zhbiruar kuptimet e shumëfishta që të ofron. Është një stil gati, gati konvencional që funksionon si stenografi. Në mënyrë tepër konçize, proza paraqet shumë fusha kuptimi, të cilat lexuesi i nxjerr nëpërmjet mbledhjes së konotacioneve dhe rezonancave të përftuara. Fraza e ngarkuar me mendim e filozofi, shpreh me regjistër të lartë rrjedhën semantike të ngjarjes. Proza gurgullon si të jetë pjesë e “Përroit të ndërgjegjes.” Është një prozë që tenton vazhdimisht nga poezia. Pikërisht këtu qëndron edhe ai ngjyrim i veçantë stilistikor që e bën autorin të dallueshëm midis të tjerëve.
Nivelin e prozës e ngreh mjaft gjuha e pasur dhe e larmishme që herë-herë merr formën e një shprehjeje të abstraguar. Autori nuk shpjegon por jep piketa orientuese dhe lexuesi hyn në marrëdhënie me shenjat që jep ai dhe prej andej hyn në sistemin semantik të frazës. Ja disa nga këto shenja: “Berti mbylli sytë si në një refleksion të brendshëm budist”, apo, “Vallëzonte pabesisht bukur,”apo“Herë pas here vështronte duart, i kthente mbarë e prapësht si sende të panevojshme.”
Një tjetër tipar i këtij stili është niveli i lartë i shprehjeve nëpërmjet gjendjeve të kundërta paralele, si:“Heshtja i ndante, aq sa i bashkonte”, apo “Dhëmbë mizorisht të bardhë, si peizazh arktik.” I befasuar dhe hutuar ndërkohë nga lënia e një takimi në perëndim të diellit, Rudi mendon: “Po sikur dielli të mos perëndojë?”
Stili i Haxhillarit ka ecuri të saktë e unike, ecën me orientim të kontrolluar brenda kurbës së përshkrimit: “Pas gotës së tretë, zuri të hante disa bashkëtingëllore.”, “E ndërpreu me pamje sfide,”“Në buzë ju përvijuan njëkohësisht ca buzëqeshje të thata e të stërkeqëta,””Nofullat e shtrënguara tradhtonin gjakftohtësinë e jashtme.”
Gjuha e abstraguar e ngre mjaft regjistrin e komunikimit, e bën prozën e tij të shkathët dhe elegante. Herë-here, kjo mënyrë të shprehuri, të kujton prozën e Kutelit te novela,“E madhe është gjëma e mëkatit.” Por tek Haxhillari, niveli i të shprehurit është më pranë modernes se sa popullores së Kutelit.
Të gjitha këto, janë disa të dhëna që e bëjnë romanin botim serioz e të kompletuar, të cilin, pavarësisht nga vitet që kalojnë, lexuesi do ta shohë gjithmonë si:“një i afërt i tanishëm.”
Tetor 2020
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.