11.5 C
Tiranë
E shtunë, 15 Shkurt 2025

Oltjona Selamaj

“Pragu i femijërisë”…

Poezi, nga Oltjona Selamaj 

Atje, ku lodruam të lumtur, s’ jemi më fizikisht

Në vatrën e ngrohtë familjare

Ku, shkujdesur, luanim bukur-brishtë…

Aromat e oxhaqeve, ndezur dashuri

Shtëpitë mes njëri-tjetrit,

Ndërronim, në vegjëli…

Më kujtohet si tani, shtëpia jote me dru mikja ime Erselë…

Hanim bukë e ullinj, bënim detyra, e mësime

Maces tënde bukuroshe…

Të kuq buzësh, që përcëllonte lëkurën, 

njëherë i vumë…

Kuptuam ç’ kishim bërë, kur ia krisi vrapit

Tërbuar, si furtunë…

Më kujtohet ora ime e parë, 

Ma kishte bërë ime më, atje ku punonte…

E unë nga dora e hoqa, e ta dhurova të të shkonte mbarë…

Ti po shkoje në veri, unë do t’ mbetesha pa miqësi…

Mikja ime e ngushtë e vegjëlisë…(Zamira)…

Sa kujtime më ngjalli sot kjo pikturë…

Paskam dashur kaq fort në miqësi, sa nuk ju harrova kurrë…

Ndonëse isha më e vogëla në atë klasë

Zemra ime  rrihte për ju fuqishëm

U ka dashur pa masë…

Më kujtohet zysh Bulja, ballakume Elbasani…

Sa herë dikush më binte në qafë, bëhej nami…

Unë, e pambrojtura nuk njihja tinëzi…

Jam e lumtur që edhe sot…

Ruaj brenda vehtes të njëjtin fëmi….

E para në shkollën fillore, me çantë të kuqe hedhur mbi krahë

Sulmohesha ashpër, nga grindavecet e mëdha

Më shihnin si të isha Princeshë…

Kurse unë, dhuroja buzëqeshje,

Se familja më mësoi të  qesh…

Ime gjyshe, më vishte me punimet e doçkave magjike…

Plot lule, e ngjyra, me fantazinë e saj unike…

Më kujtohet kaq mirë lagja Vrenez…

Atje, ku ëndërra për të ardhmen, së pari u ndez…

Më kujtohet edhe lagja Karabash, ku shpirtin e zemrën, mes trëndafilave të teze Shqiponjës e lashë…

Më kujtohen ëmbëlsirat e të ndjerit Neshet…

Më duket sikur shoh ende fytyrën e tij të nxirë nga tymi, që thërret…

Për të shijuar kuleçët e duarve të tij, bëja gara me miqtë e mi…

Më kujtohet teta Niqi, rrobaqepësja duarartë, me vajzën e saj të ëmbël, Elpizën me buzëqeshje të zjarrtë…

Më kujtohet kur në plazh shkonim me miq e komshinj…

Të mëdhenj, e të vegjël, të vjetër, e te rinj…

Sytë e gjelbër-qeshur të teta Valos me mall kujtoj…

Kranarin, Altinin, Mondën, e Rozën, bijtë e saj shembullorë, i adhuroj…

Më kujtohet Adoja, aktorja e fuqishme e teatrit në Vlorë

Që sa herë dilja nga dera, më linte dhëmbët mbi dorë…

Më kujtoi shumë gjëra kjo pikturë…

Më kujtoi tavat me perime, byrek,  e mish, që çoja shpesh në furrë…

Më kujtohet xhaxhi Pirro, artisti flori..

S’ harroj dot Mimozën flautiste, bijën e vogël të tij, një kat sipër nesh, kur luante muzikë klasike me mjeshtëri…

Më kujtohet fare mirë, kur gratë konkuronin kush ishte më e zonja për punë, e shtëpi…

Më kujtohet në detaj, çdo pëllëmbë e qytetit ku kalova nëntë vjet…

Ku mësova fjalët:Dashuri për të gjithë, e respekt…

Ku ime gjyshe, më thoshte te ndaja bukën me të gjithë

E unë mbetesha shpesh pa ngrënë, se më dhimbte shpirti, për atë, që  bukë nuk kish…

Më kujtohen sa vajza të bukura, nuse kam parë…

Më kujtohet kur nëpër dasmat e tyre, kam kërcyer si e marrë…

Më kujtohen familjet e mëdha, me shumë fëmijë…

Sakrificat e radhave për qumësht, që pa gdhi…

Më kujtohet shoqëria e bukur e klasës së parë…

Më kujtohen dhëmbët e parë që më ranë…

Më kujtohet sesi për dashuri u vetvra një vajzë e dëlirë..

Më kujtohet vaji i humbjes për njerëzit e mirë…

Më kujtohet sesi ime gjyshe, me dhurata nëpër njerëz me respekt shkonte…

Më kujtohet sesi tollonin për miqtë rezervonte…

Më kujtohen gjelat e detit, që gjyshi im me dashuri mëkonte.

Më kujtohet çdo verë, që plazhin në Vlorë na ofronte…

Më kujtohet daja im Sokrati, që si princeshë  më  mbante mbi biçikletë…

Ai ishte heroi im i parë në këtë jetë…

Më kujtohet shtëpia e bukur e Harunëve…

Më kujtohet Gega, që shiste torron e akullore…

Më kujtohet si kujdesesha për fëmijët e vegjël, e i shoqëroja kapur për dore….

Më kujtohet Nënë Haxhoja, grua fisnike

Ende e kujtoj supën e saj të hollë fantastike…

Nënë Sava, që aq shumë gjyshen time e donte…

Më kujtohet gjeneza, që si ar mençuri pikonte…

Sa shumë kujtime më ngjalli kjo pikturë…

Nuk e dija se paskam patur brenda shpirtit kaq shumë vlera njerëzore bërë gurë- gurë…

Më kujtohet çdo vlerë humane, e asokohe…

Faleminderit ZOT, që me të tillë njerëz më njohe…

Unë, sot jam mirësia, që ata lanë…

Jam dhimbja, e vuajtja e tyre…

Jam dashuria, që i mban pranë

Gjithkush syresh, ndërtoi njeriun që jam sot…

Përmbledhje fatesh, e njohjesh vlerë…

Që edhe po të dua, nuk i harroj dot…

Asnjëherë…

Autore: Oltjona Selamaj

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.