DASHURUAR ME ËNDËRREN!
Kushtuar, Ëndrrës së gjatë të djaloshit, ëndërr qindravjeçare, lindur në truallin berishas, si dhe ecjes së mëtejshme me zjarrin e saj në gjoks, gjoks mbi të cilin kishte pjesëzën e qiellit të tij, aty ku fluturonin dallëndyshet! Autori
Ëndrrat që kishte djaloshi i berishajve në fëmijërinë dhe rininë e tij, ishin të mëdha dhe të shumta, ato, ëndrrat, kishin qëllim që ai, djali, të gjente dhe të kishte në jetë ato gjëra që dëshironte, dhe më së shumti dëshironte që të kishte fat të mirë, që ta bënte realitet ëndrrën e tij…., dhe ta ruante atë përgjithmonë.
Ta ruante me tërë dashurinë e tij.
Këtë gjë e kërkonte kur flinte, e kërkonte kur ecte në livadhe, kur lëvizte në mal e kodër, në mezhda, aty ku ruante bagëtinë, pra e kërkonte ngado. Atëherë në gjuhën e tij këtë ëndërr e quajti Hajadi.
Ai e ndiqte ngado gjetjen e ëndrrës së tij, aq sa shkonte pas saj deri tek këmbët e maleve dhe të shkëmbinjve.
Ishte thuajse muzg kur ai u ndal pranë një burimi ujor, akull i ftohtë. Deri në atë moment edhe pse i vogël, ai nuk kishte provuar kurrë t’i ikte gjërave nga ato që synonte, që dëshironte dhe kërkonte. Edhe i vogël ai ishte këmbëngulës, tentonte, i donte gjërat, madje i synonte nuk ndalej derisa bëheshin të tijat.
Ç’po ndodh tha ai me vete?
I drejtonte sytë nga horizonti dhe diç kërkonte prej tij. Ai, horizonti, ishte një përzierje ngjyrash mahnitëse, ato ishin ngjyra si të Ylberit. Delikate dhe të ëmbla, ishin ato. Djalit ju duk se dëgjonte zërin e dikujt, një njeriu të njohur, një si zëri i një femre që kishte parë në ëndërr atë natë, zëri i së cilës po e magjepste.
Sa të lumtur e ndjente veten pranë asaj femre, për të aq e bukur! Djali donte të mos e kishte parë në ëndërr, por prej së vërteti dhe gjithçka që përjetonte, do të donte të ishte reale dhe e prekshme. Vinte në një realitet të tillë pas një nate te tërë të qëndrimit pranë saj në ëndrrën e tij magjike, gjendur në po të njëjtin shtrat magjik me të. Nuk dëshironte të fikej kurrë ajo natë. Po fundja pse emrat e bukur i pagëzojmë me simbole jo edhe aq të bukur. Ëndrra e asaj nate nuk duhet të quhej ëndrra e një nate. Ta quaje natë atë çast, pikërisht një moment që kishte “kaluar në shtrat” me një femër aq të mahnitshme, ishte dhe është padrejtësi. Edhe unë, sot gjykoj, se është pak të emërtohet ëndrra e një nate, ndaj gjërat me vlerë duhet t’i emërtojmë me emrin, një ditë të bukur me diell, në një qiell ku kundërmojnë ylberet e yje të tjerë edhe pse këta të fundit nuk duken gjatë ditës. Ishte një ndodhi si në parajsë, si të ishte një magji e vërtetë.
Djali ëndrrimtar kishte kërkesa të nivelit aq të lartë, sa që të tjerë as i imagjinonin. Ëndërronte të martohej hipur në një kaloshinë me kalë, mënyrë që në anët tona askush deri aherë nuk e kish bërë. Një udhëtim me karrocë kushtonte sa një arë tokë. Pas dasmës t’i thoshte asaj, se je gruaja më e bukur në botë. Ai do bëhej i sëmurë pa të. Kurrë nuk donte që të ndahej prej saj. Të zgjohej me të, të lutej me të, të mos hante pa i gatuar ajo, që edhe po të ziheshin, që mos e dhentë Zoti, ajo të mos ikte pa u ulur pranë tije!
Ai, donte ti propozojë ëndrrës së tij në një mënyrë të veçantë nga sa qe zakon në anët tona, në mënyrë magjike. Ëndërronte sikur me të ishin në një lokal dhe ku priste t’i thoshte, më falni se unë po dal pak, nuk vonohem. Ëndërronte sikur jashtë lokalit të kishte një skuadër promocioni, të cilën e kishte organizuar që të ngjitnin në murin përballë disa pankarta dhe pasi të përfundonin, ti thoshte Hajadit të tij, shiko aty të lutem, ndërkohë në fasadën përballë, të shfaqej e shkruar fjala;
“Vasho të lutem a martohemi bashkë”?.
Një propozim që ajo nuk do ta priste në këtë mënyrë, dhe që për nga mënyra se si i thuhej, të mos mund të thoshte kurrë një “Jo”, por ama ta pranonte duke nxjerrë ca pika loti. Më pas të hynte në lokal dhe t’i dërgonte një tufë me lule. Një propozim i tillë deri aherë nuk ishte parë në anët tona.
Muajin e mjaltit, me vashën e ëndrrës së tij, e kishte menduar aty për aty, si një kohë që shumë shpejt do t’i vinte, dhe që do të t’ia shndërronte ëndrrën në realitet sa më parë. Donte, pra që muajin e mjaltit ta bënin në lartësi, vende pa asnjë gjë tjetër, madje pa askënd veçse ata të dy, që asgjë të mos ua prishte bukurinë e ëndrrës së bërë realitet, e cilësuar si ëndërr e kohës së tyre. Donte ta bënte në vende aq lartë, në një pikë kulmore, më të lartën e kësaj bote, por mundësisht pranë panoramës së detit. Nga aty më pas të kalonte në pika të tilla të horizontit, nga ku të shijonte nektarin e luleve dhe bukurinë natyrore, të kalonte në vende me emra kumbues, për t’i kaluar çastet e para të martesës me ëndrrën e tij, në një plogështi aq të këndshme. Të ecte andej hipur në një kaloshinë me karrocë, me perde të mëndafshta e të arta si floriri nga brenda, më pas karrocën ta linte diku tej dhe të ngjitej mbi kalë nëpër ato rrëpira, duke dëgjuar gurgullimën e pafund të ujvarave të atyre anëve, që kur të perëndonte dielli të ngopeshin me erën e freskët të maleve e çdo bimësie tjetër aty, pikërisht duke ndenjur vetëm për vetëm me ëndrrën e tij, duke shikuar yllëzat dhe duke thurrur ëndrra të tjera pikërisht me ëndrrën e vet në lartësitë më të larta, deri;
“Aty ku mali takohet me qiellin”!
Kjo ishte ëndrra djaloshare, ëndrra e viteve të vegjëlisë, të cilën pas çasteve të bukura ëndrrimtare të natës në vijim, të nesërmen gjatë gjithë ditës, djaloshi ishte i ekzaltuar dhe e priste vashëzën e ëndrrës të vinte në livadhe e shpate, aty duke ruajtur bagëtinë dhe duke i renë fyellit.
Djaloshi e përdorte fyellin në mënyrë superiore, luante me notat e tij me shkathtësi aq sa njerëzit përreth kur kalonin dhe e dëgjonin, ndalonin hapin dhe shpeshherë vashat dhe nuset e katundit habiteshin, ngatërronin këmbët e ndonjëra rrëzohej shpatit bashkë më barrën e druve a të gjethit të ngarkuar.
Por ama në kërkim të ëndrrës e për ta bërë atë realitet, kishte menduar se e gjithë jeta e tij do të ishte një muaj mjalti. Për hir të punëve dhe jashtë dëshirës së tij, mëngjeseve detyrohej që të shkëputej nga ëndrra, sepse i duhej të zgjohej më herët, por ama donte që ëndrra të flinte në atë shtrat të thjeshtë, pa dyshek ortopedik, pa jorgan me pupla, po duke menduar se kur të kthehej aty ta gjente edhe natën tjetër, të qëndronte në atë krevat më se të thjeshtë, ku në vend të dyshekut kishte kashtë, jorgan jo e jo, por një pjaf të leshtë, por ama shumë të ngrohtë prej leshit të deles, megjithëse kishte edhe prej leshit të dhisë.
Djali ngrihej ashtu lehtë me mendimin se nuk duhej t’ia prishte gjumin, vishej pa u ndjerë dhe dilte qysh herët, siç familja e tyre e kishte zakon të ndiqte punët e para të mëngjesit. Nuk i behej të ikte, dhe kthente kokën pas ku i bëhej se nusja e ëndrrës kishte dalë në dritare dhe shikimin e kishte hedhur nga ai, sikur donte ti uronte udhë të mbarë me premtimin, se aty do e priste krahëhapur.
Fjalët e saj i dukeshin sikur ajo donte të këpuste ca petale lulesh, të cilat i shpupuriste dhe i adresonte drejt tij. Ato, petalet, i bëhej se përhapeshin e valviteshin nëpër oborr, duke bërë ca rrathë si të perlës së bardhë, të përzier si në të kuqe, e i dukej sikur ato binin në kapistrën e kalit të tij, ndërsa ai hipur në atë kalë sikur i dërgonte një të puthur. Ajo në dritare nga brenda sikur u skuq, sjellje që mbase donte të thoshte, mos, se na shikojnë, mos, se është turp. Edhe ai sikur i thoshte, mbylle atë dritare se mos të të shikojë kush dhe i dha një trokth kalit për t’u dukur sa më shpejt në horizontin që ndan natën me ditën.
Ishte i gëzuar ato ditë aq sa i dukej, se edhe kali mbi të cilin kalëronte ishte po aq i gëzuar sa edhe ai. I bëhej se edhe kali qeshte sikur djaloshi. Të mos habitemi aspak kur them kështu, sepse ka kuaj që edhe ata qeshin si njeriu…
Shpesh djalit i bëhej sikur i alternoheshin kuajt. Herë i dukej se ecte mbi kalë të kuq dhe herë tjetër mbi kalë të bardhë. Kuajt e kuq i pëlqenin sepse ata tregojnë nevojën për dashuri, nevojën për mbrojtje dhe mandej bindjen e të pasurit të një personi të fortë në krah. Kali i dukej se i jepte forcë, energji fizike, dëshirë për të jetuar, i lirë, fisnikëri, e në shumë raste, arratisje; kjo varet gjithnjë nga përmbajtja e ëndrrës. Në rastin konkret, ëndrra tregonte se ai kishte një dëshirë të ndihej i fortë dhe në të njëjtën kohë donte të përkrahej nga përsona të fortë.
Shpeshherë i vinte në ëndërr kali i bardhë dhe e konsideronte si një paralajmërim pozitiv, por në të njëjtën kohë, ai e këshillonte që të zgjohej sa më herët, sepse ky veprim do t’i sillte shans, përkundër zgjimit të vonë që do të bëhej shkak që këtij shansi t’i vinte shqelmin, siç thotë populli, se; “nga zgjimi herët të vjen nafaka për derë dhe po nuk e gjeti derën të çelur, kalon e ikë tek tjetri”. Ndaj djaloshi tregonte vemendje, sepse mund t’i iknin shumë lehtë shanset në jetë, edhe ato të ëndrrës së tij si në çdo fushë.
Disa herë, kuajt i vinin duke vallëzuar. Duke i parë ata, ai drithëzohej, duke parë hapat ritmik të kalit, saktësinë e lëvizjeve, vetëkontrollin dhe ndjenjën e lëvizjes tamam si formë gjeometrike e tyre.
Atij i behëj, se ishte në një sallë vallëzimi, ku prisnim që dritat të fiken e sa më parë muzika të fillonte. Aty qëndronte gjatë dhe priste sa të hynte kali që vinte nga fundi i arenës dhe të vallëzonte sipas ritmit të muzikës, më pas të vinin edhe shumë kuaj të tjerë për të vallëzuar të tërë së bashku. Në këtë rast i dukej se publiku mbetej pa frymë, i mahnitur, ndërsa shikonte këto kafshë tërheqëse të kryenin lëvizje kaq elegante.
Më vonë kur fillova të lexoi, mësova se kuajt kërcejnë vërtetë. Biles ka edhe një shkollë, ajo mbretërore e artit të hipizmit në një qytet të Spanjës, e cila është bërë e famshme në të gjithë botën për kuaj që vallëzojnë.
Në këtë shkollë shfaqjet janë me të vërtetë si një balet që kërcehet nga kuaj, me lëvizje koreografike të bazuara në ushtrimet klasike stërvitore të kuajve, që janë ushtrimet tradicionale. Kalorësit i drejtojnë kuajt dhe shikuesit i shikojnë duke lëvizur lehtë këmbët dhe peshën e trupit. Spektakli bëhet edhe më i bukur nga muzika tradicionale spanjolle dhe nga kostumet e kalorësve, që vijnë në skenat spanjolle qysh nga lashtësia!