PROFESOR PËRPARIM KABO PËR “DASHMIR ZAÇE – NJË RILINDËS I KOHËS SONË”
Marrë me diktofon
Unë nuk e di Elvana se kush ia ka vënë emrin Dashmirit Dashmir por unë do ta quaja atë një dashnor të mirësisë njerëzore se kishte një tipar tek bashkëshorti yt, shoku yt i jetës, tek bashkëqytetari juaj, mësuesi ynë.
Dashmir Zaçe është nga ata që i kanë bërë nder këtij qyteti, i ka bërë nder kulturës shqiptare, arsimit shqiptar. I ka bërë nder të madh kombit shqiptar.
Shpeshherë jemi mësuar që të quajmë heronj ata që shkojnë në luftë, që vriten në beteja. Kemi quajtur heronj fillimisht ata që rrjedhin nga pushteti, nga pasuria. Dhe kemi harruar në të përditshmen tonë se ka disa heronj të vërtetë, të besueshëm nga të cilët ke se çfarë mëson.
Unë nuk e di Elvana se kush ia ka vënë emrin Dashmirit Dashmir por unë do ta quaja atë një dashnor të mirësisë njerëzore se kishte një tipar tek bashkëshorti yt, shoku yt i jetës, tek bashkëqytetari juaj, mësuesi ynë. Ky ishte mirësia njerëzore. A ka të tjerë shqiptarë që e kanë këtë të tipar? Po, ka shumë por shëmbëlltyra më e mirë e mirësisë njerëzore është Nënë Tereza. Ajo jepte nga vetja pa interes.
Të mbrosh gjuhën amtare në migrim nuk do të thotë të bësh një shërbim filologjik për të ruajtur një komunitet emigrantësh dygjuhësor. Kjo do të ishte ana e jashtme, krejt e kuptueshme. Në thellësi do të thoshim se të mbrosh gjuhën e nënës në emigrim do të thotë të mbrosh kombin tënd që ai mos asimilohet.
Kam në duar këto ditë librin e filologut të shquar shqiptar Spiro Konda, “Shqiptarët dhe origjina e tyre pellazge”. Një emër që është harruar. Ka dy lloj harresash, harresë nga pakujdesia dhe harresa që ushqehet nga komploti i heshtjes. E para edhe mund të falet. E dyta është e pafalshme. Spiro Konda tregon atje që atëherë në shekullin e 19-të ishin rreth dyqind mijë shqiptarë të shpërndarë në të gjithë Greqinë. Dhe njëqindmijë ishin arbëreshë në Itali. Dhe ai i merr fjalët një nga një. Fillon me fjalën gurë që është fjala më e vjetër, vazhdon me fjalë mall, me fjalën pyll dhe mbështetur në burime të pakontestueshme siç është enciklopedia greke, fjalori entomologjik i greqishtes, historia e atij vendi tregon që këto fjalë i gjen si toponime në shumë vende të shtetit grek.
Por arvanitasit humbën sepse u harrua gjuha shqipe.
Në këtë maj vajta në Dodonë, e putha tokën, kujtova frashëllinjtë tuaj që studionin në Zosimea dhe që e panë Dodonën, dhe iu kënduan Dodonës. Më tej në Parga ishte një fshat Jaja ku pleqtë flisnin një gjuhë arkaike që askush se kuptonte nga qytetarët e sotëm sepse ishte greqishtja e vjetër. Por këto pasuri po humbin.
Dashmir Zaçe ngrihet mbi këtë gjendje dhe në mënyrë vullnetare, prandaj them që është erozion sepse ajo rridhte nga gjëra pa interes sepse me pagesë mund ta bëjë kushdo.
Hungarezët kanë një ligj që kush sllovak u jep mësim hungarisht hungarezëve që jetojnë në Sllovaki ata e paguajnë, por kjo është punë me pagesë, nuk është pasion, nuk është dashuri kombëtare.
Dashmiri u shpreh atje që unë dua tu mësoj fëmijëve të emigracionit gjuhën shqipe.
Po pakësohemi si numër. Takova drejtorin e shkollës së mesme “Sami Frashëri” dhe pyetja e parë që i bëra ishte “Si janë prurjet sivjet”? “Pak, po pakësohen”, më tha. E në qoftë se ata shkojnë jashtë Shqipërisë dhe nuk e mësojnë gjuhën shqipe nuk do të mësojnë historinë e Shqipërisë, kulturën, etnografinë, nuk do të dinë gjë nga albanologjia, nuk do të dinë si të qajnë dhe të qeshin për ngjarje të rëndësishme që shoqërojnë njeriun në jetë.
Në këtë kuptim Dashmiri nuk ishte thjesht një mësues, ishte një atdhetar, ishte njeri që e donte Shqipërinë në tërë dimensionet e saj. Ai siç donte Përmetin donte edhe Prizrenin dhe tregonte shpesh për shokët e tij të shkollës nga Shkodra, me adhurim.
Ishte njeri i veçantë.
Unë nga gjaku i nënës jam nga Përmeti dhe jam krenar për këtë, por kumari që më solli në Përmet ishte Dashmir Zaçe. Ne u bëmë miq në facebook dhe ai më tha “Profesor, hajde në Përmet, ne të duam, ti je mik përmetar, ke shumë miq këtu”.
Dhe në momentin e parë kur e takova, shtrënguam duart, e pashë në sy dhe mu duk si një mik njëqind vjeçar. I çiltër, i hapur, gojë ëmbël, i thjeshtë, modest. Elvana nuk ndodhej. Ai e bëri traditën. Më thirri në shtëpi, më shtroi të haja, dhe më tha a mund të flesh një natë në krevatin tim? Kjo i thashë është e tepërt. Deri këtu po.
Kështu unë gjeta rrugën e shtegtimit, si një pelegrin i vonuar, por erdha në Përmet dhe vij çdo vit. Vij për Naim Frashrin, vij për Dashon, vij për Elvanën, për Ligorin, vij për të gjithë ju. Emrat nuk ua di por më duket se të gjithëve ju njoh. Dhe kjo më ka bërë ta shikoj jetën ndryshe, me më shumë optimizëm.
Mbërritëm sot me Kostandinin, shokun tim që vjen nga Amerika, dhe na erdhi mirë e s’na erdhi mirë kur na thanë se në Përmet nuk ka vende në hotele. “Por me çfarë janë mbushur”- u thashë. Me kanadezë, me zviceranë, me shqiptarë, dhe kjo më dha shumë optimizëm. Ky qytet i qetë, i pastër, me njerëz pune, me një natyrë të mrekullueshme, njerëz që e zgjedhin fjalën. Por përmetarët kanë edhe një tipar tjetër. E lënë njeri tjetrin të flasë, e dëgjojnë. Dhe të gjitha ato tipare unë i gjeja edhe tek Dashi.
Një element tjetër që më ka lidhur me këtë njeri ishte kultura e tij e gjerë, librat që më dhuroi. Kam lexuar me shumë kënaqësi “Përrallat e gjyshes”, një përmbledhje që ka bërë Dashua bazuar mbi rrëfenjat e gjyshes së tij ku përzjehet fantazia popullore, mitologjia, por edhe ndonjëherë edhe fantazmagoria që shpreh jo thjeshtë personalitetin e gjyshes së njeriut por kulturën që trashëgonin brez pas brezi përmetarët për të edukuar fëmijët e tyre.
Ikja është një fatalitet, është një borxh që e kemi të gjithë. Sot po të rikthehemi me vëmendje secili nga ne mund të na mësojë se pot të ndodhte kjo e ajo, po të shërbejë këtu apo atje, ndofta ai nuk do të ikte kaq shpejtë. Po kjo nuk zhbëhet më. Ai është në një qytet tjetër që quhet nekropol, haber, por mua më pëlqen ta quaj “qyteti i frymës”. Bazuar tek Gjoni që në bibël thotë nga fryma vijmë dhe në frymë shkojmë. Unë jam i sigurt që shpirti i Dashmirit është këtu, na dëgjon, ka marrë pozicionin siç e kishte zakon ai, vë buzën në gaz dhe pastaj ndoshta do të na thotë a ka mundësi t’ia marrim një kënge përmetare? Ishte një njeri që pëlqente erotikën dhe pëlqente një erotikë entuziaste, të matur, tradicionale. Por ishte një njeri që dinte të kritikonte, ta thoshte mendimin hapur, me fjalë të zgjedhura pa e pekuar, pa lënduar njeri, por ama e thoshte të vërtetën. Dhe ky tipar nuk ishte vetëm tek Dashi.
Dje bisedoja me koleget e mija. Ata janë shumë të reja në moshë, kanë fatin që kanë shumë vjet përpara dhe nuk e di a janë të zonjat të ndërtojnë jetë të lumtur sepse sot shoqëria globale është duke qarkulluar në linjë të rrezikshme, dashuria në sende dhe jo dashuria me shpirt. U thashë se do të shkoja në Përmet. Pse shkon, më thanë, për qejf? Jo, u thashë, shkoj për të përkujtuar një mësues që shërbeu në Shqipëri dhe në emigracion për gjuhën shqipe në dy vjetorin e largimit të tij nga jeta. Ato u habitën sepse këta modernët e sotëm edhe si kuptojnë këto gjëra, por reflektuan. U thashë ejani në turne dhe shikoni sa e bukur është Shqipëria, sa të mirë janë shqiptarët.
Pastaj shkova në zyrë dhe nga brenda doja të thosha diçka për Dashon. Zakonisht kur humorin dhe gjendjen shpirtërore dua që do të dali jashtë unë dëgjoj muzikë.
Dhe vura Shopenin, i ëmbël, i butë dhe i dashur.
Ndërkohë një kolegia ime po më fliste. Unë i bëja me sy “prit pak”.
Po shkruaja një poezi për Dashon.
Kur e mbarova i thashë: Gjatë kësaj kohe që ti po prisje unë po shkruaja një poezi për mikun tim i cili ka pikërisht këtë histori. A mund ta lexoj pak?
Më tha profesor me kënaqësi.
Ia lexova.
Asaj iu mbushën sytë me lot dhe iu rrëqeth mishi.
Profesor, po tashti e shkruajte? Që unë po prisja këtu?
Po, i thashë, dufi ishte nga brenda dhe donte të dilte. Vjosa që rrjedh, muzika e Shopenit dhe shpirti im që donte të thoshte diçka për Dashon.
Këtë poezi dua ta lexoj para jush…
Ja ku erdha…
Ja ku erdha miku im…
dita nuk ka numër…
as datë ….
Është dita jote …vjeshtuke…
e barsur në ndryshkun e gjetheve…
Ti je dhe s’je …mik
E pash rrugën si atë natë…
kur hëna e shpirtit tënd…
zbriti…
e u bë qumështi i mjelur
në mëngjes
nga duart e
nënës …tënde…
Hëna një ditë u be vello …e bardhë
ti gëzove pa fund …
motra iku nuse
eh në të fundit …ditë
hëna ishte drita e mekur
që mbulli …
udhëtimin…
Erdha miku im…
të kam sjellë pak erotik
nga ajo e Naimit…
Bleruar si pyjet e Hotovës…
atje ku
bredhat këndojnë
me drenushat …
Tani të lutem merrja këngës
me Vjosën…
Ashtu me sytë gjysmë të mbyllura …
lëre dallgën e lodhur
të dali
Eh mik…ti nuk e di se
ç‘gropë ke
lënë…
E mendon vetëm një çast
të shkulet guri i qytetit
atje poshtë
janë enigmat …
Oh e mira dashuri …ngjizur
me emrin tënd …
rrezoi atë ditë brenda nesh
dhembjen …dhe
Guri o ftohtë te koka e varrit …tënd
pret e përcjell…mallin tone mik.
Ne u mblodhëm atje në Përmet, kuvenduam me shpirtin e tij, atje qenë miqtë e tij, ish nxënësit e tij ishin e do te jenë ëndrrat tona
Libri i fundit i botuar pas vdekjes “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë” i zotit Abdurahim Ashiku.
Përgatiti A. ASHIKU