“”””””””””””””””””
K R I Z Ë
E kaluemja s’m’len me fjetë e të ardhmen nuk e shof.
Sillem,pshtillem nëpër shtrat porsi peshku nëpër zall.
Kërkoj vedin nëpër natë;m’del nji plak që nuk e njof.
Mezi çon nji strajcë me halle;para bots shitet i madh.
Kapa danën me t’dy duert me e shkulë synit vetimën,
që m’kish bi’ prej dhimbash t’trupit e ish rritë me helm në shpirt.
Veç prej fundit t’strajcës s’plakut m’bahet se ndij bumullimën:
-Hiqe danën duersh poet;merrja fushs puhinë e brishtë.
Ia kthej ballin erës s’fjetun;ajo ishte n’hall për vedi.
S’di a ishte gjallë a dekë,se nuk ndjeva a merrte frymë
Djersa,trupit,po m’shkon rrkajë;as me frymë s’mbushem prej edit.
Koja e qiellzës më asht tha,me e zbutë nuk kam as pshtymë.
S’di ku Buenën m’kanë hupë shokt,po ma n’dert po jam për shoqet.
E qes kryet në dritare,frymë e gjallë s’ndihet në botë.
M’ka shkue mendja për qepë t’njoma,pak djathë e bukë kollomoqet.
Mezet,Zoti m’i pat falë,po s’gjej kend me e pi nji gotë.
A jam unë që nuk shof mirë,e gjithçka më duket pus,
sepse radio e tivu,fjala që lakojnë asht kriza?
Apo veç nër skuta t’flliqta,me i pshtu t’nxetit,kryet e fus?!
A thue vjett m’çatrafiluen,prej pleqnisë ma merr me miza?!
I tham vedit,ulu e rri,e lëshoji vend poetit.
Po ‘dhe ai nuk ndihet gjallë,as nuk shkroi e as nuk foli.
Ndij dikend që flet mbas shpine:-Asht ne krizë identitetit,
e nji tjetër që i përgjigjet:-Mos asht kriza e portofolit?!