Nënës
Nënë, shenjtërim në emër e në shpirtë
Në zë e në zemër kushtrim etern, je ti
Në sy e në vështrim

Më e magjishmja rreze, prej teje gurron
Brenda vetes botën krejt e ke
Tik-taku i orës dhe zemrës sime, ti je
Krejtçka dëshiroj me gjith shpirtë, je ti
Ishe ti, andaj jam unë, bijat e mija, gruaja ime
Dashuritë e dashurive të mija
Gjaku, mishi dhe vërshimi i jetës në mua, je ti
Nuk njeh moshë ky emër e kjo shenjtëri
Nuk njeh tjetër si prohri i nënës , jo tjetër mrekulli
Në mish e në shpirt
Në sfidë e në triumf
Në dhimbje e në trishtim
Është prekja e saj
Tafti i magjisë së nënës Zot dhe zotërim
Ka shkëlqimin e diellin
Dritimin jetëdhënës
Breroren e shenjtërimit
Krejtçka shndrit është si buzëqeshja e saj
Zemra, oh zemra e nënës
Në gjithçka ajo troket
Po gjithsekund atë e ndjej
Në melodinë e gjetheve që vjeshta rrëzon nga pemët
Mallin e saj e kundroj
Në shkumëzimin e valëve që takohen me bregun
Janë hapat të përmallshëm
Pritjeve të mija rendin me ngulm
Te avionët që ulen e zogjt që fluturojnë
Bekimin e nënës dëgjoj ndërsa kungon
Në frymën që marr e ajrin që më përkëdhel
Është prekja e saj e ledhatimet si fllad.
Në harenë, gazmendin e begatinë e të sotmes
Po, ajo është ëngjëlli mbrojtës
Ajo është me zemrën dhe dashurinë e nënës
Edhe të ty bashkëshortja ime
Vajza, drita e syve të mi
Askurrë nuk jemi të vetëm në Robinsonët e fatit
Ne Maratonomakët e fitoreve
Ne Odisetë e ngadhnjimeve drejt Itakave
Në çdo Golgotë e Olimp
Ajo është krejçka dëshirojmë të kemi
Kurrë s’është vetmi edhe pse është mall
S’është braktisje kurrë edhe pse e kemi larg
Endim në jetë me mundim Penelopash
të pafund pëlhurën e dashurisë
Por jo kurrë aq sa për të mbështjellë
Odiseadën tënde ngadhnjyese të dashurisë
Dashurisë e jetës
Qiej të pamatë pushtuam në fluturimet tona
Por kurrë nuk e zotëruam përmasën e pafundësisë
Përjetësisht mbetëm fëmijë në prehrin tënd
E ëndrrat tona balona
Fluturaket që na i endë më durim e pasion
Thuaj, një luftë që nuk shkuam
Një arenë ku nuk u përleshëm
Një sfidë që nuk trimfuam, nuk kish
Malli dhe dhëmbja për ty nënë
Çdo ditë pak e nga pak na bluan
Çdo moment na tret grim e nga një grimë
Në emër të Unit tim
Të qënjes që shtatohet në dëshira dhe mundësi
Në emër të jetës
Në emër të trashëgimisë dhe gjakut
Me vdekjen u përleshe dhëmb për dhëmb
Jetën e ngrite me thonj e me djersë
Ditën ma ndrite me diell e me zemër
Të djeshmen në rrudhat që të qendisin portretin
Kundroj sot kureshtar
e krenohem me hirin tënd hyjnor
naltësohem në dëborën e thinjave tua.
Të tashmën time shoh në sytë e tu
E shkëlqimi i të nesërmes
më përlan shtegun përnga ardhmëria
në çdo qelizë të kësaj permendoreje suksesi
gurron limfa e amanetit tënd, nënë.
Ti ishe me mua kur unë bëra hapin tim të parë.
Atëherë e sot je me mua
Në çdo hap e ëndërrallë me
më të larin emër dhe mission, nënë
Nënë ti mbush ditet e mija me drite ylberi,
Me ngjyra të hareshme
Ma vizaton panoramën e të përditshmes
Me qiej gazmendi më mbulon mbrëmjet
E natën me yje ma stolis
Ti ikën dhe vjen
magjiplotë si një bekim.
Në gjithçka që shoh e prek
Je ti më i ëmbli shëmbëllim
Më i bekuari kungim
Ndërsa në mua ndjej burrin teksa kalitet
E bora nga majat më zbret në tëmtha
Hapin me kutin e kohës mat
Një gufim më sëmbon nga brenda
Një kushtrim më çel syth në ball
E bëzaj me sa zë ka brenda
Faleminderit për të gjitha nënë
Është borxh që shlyer duhet
Është një amanet,
që të ardhmen tonë skalit
një zë që i duhet dhënë zemër
e një shpirt që i duhet dhënë krahë
copëz qielli që kërkon fluturime, është
lule që tek rrezet e diellit
kërkon krahë fluturash e dëshirash
Është mirënjohje e skalitur në gjithçka timen
E birin tënd që përpara rend si vërshim
Është motivi i njeriut të lartësuar në virtyt
Forca që thyen çdo dimension
Që shpërbën çdo distancë ndarjeje
Energji që bashkon zemra dhe ëndrra
Nënë,
Sot ulem në gjunj para teje
Si para të vetmit besim
Puth duart e tua dhe i bekoj ata
Si më të lartin shenjtërim
Lutem dhe përulem me ty e për ty
O engjulli im