4.5 C
Tiranë
E shtunë, 22 Mars 2025

Poezi nga poeti:Sahit F. Osmani

Kur shpirti i poetit flet
Është e lehtë të hedhësh vargje në letër
sikur shpirti i poetit të mos jetë i ndezur
germa e rrokje në vend se të pikojnë djersë
gjak kullojnë sa herë trokasin në zemër
Tërë qenia shpërthen n’frymëzim të zjarrtë
as letra se duron peshën e tyre të rëndë
fjalët e zjarrta derdhin hirin e ngrohtë
të mbretërojë heshtja e shkronjave, kur
shpirti i poetit flet
“””””””””””””””””””””

AJO
Ajo shtegton si yjet në qiell
me shpirt të bukur njerëzor
sa e thjeshtë dhe sa e ëmbël
saqë të mahnit kur e shikon
Në çast shndërrohet n’lumturi
të ndez imagjinatën e dritës
tek eklipsohet me mençurinë
në çartësi dhe fshehtësi
E shenjtë në formë e ndjenjë
një mister plot mallëngjim
e rreptë dhe e dhimbshme
me mirësinë e dashurisë
“””””””””””””””””””””

MIKU I MIRË
Përditë të gjendet miku i mirë
është si buka kur të merr uria
si kënga që e ushqen zemrën
është shtysa jote që ekziston
Të mbron nga e papritura e ligë
kur rrufetë ndizen në gjarpërinj
rrufepritës bëhet e të mbulon
është shkëndi gjaku që ndriçon
Miku i mirë mund edhe vdekjen
dashurinë e bën që të jetojë
në ditë të vështira ai nuk ndalet
me krahët e ylberit ura ndërton
Është mrekulli që çan dallgë
pa mik e zbrazët mbetet jeta
dashuri askush s’do të ndiejë
s’e përballon asnjë të keqe
vdekja të merrë në krahët e saj!
“”””””””””””””””””””

VEGIM
Në mes të natës kur terri shtrëngonte
e gjurmonte thellë nëpër skutat e shpirtit
me sy të ngrirë diçka brenda më rrënonte
vdekja mendoja,- fshihet pa lënë gjurmë
E kujtoja fytyrën e shpirtit tënd të bukur
të ngjitur aq lart sa s’mund ta arrija
ajo më shpërfaqej si një ujvarë drite
largonte errësirën brenda meje, – nga
vegimi më zgjonte
“”””””””””””””””

TË ÇELË DITA E NESËRME
Dita mbyllet kur qielli vesh këmishën e natës
Hëna lumturohet në shtratin e fjetur të diellit
Yjëzit si trëndafila të larë nga bryma e vesës
Në gjumin e natës shpërfaqin luhatjet e dritës
Grisin petkun e natës të çelë dita e nesërme!
“””””””””””””””””””””

Kur njëri-tjetrit s’do t’ia shkurtojmë jetën
Ne s’mund të arrijmë atje ku dëshirojmë
shumë afër jemi nisur, larg për të arritur
parmendën e të huajit presim të lërojmë
në vend ngelim vetveten duke shpërfillur
Shkëlqimplotë jemi kur njohim vetveten
pa lavdin tonë gjatë udhëve të humbjes
kur njëri-tjetrit s’do t’ia shkurtojmë jetën
çlirohemi përjetësisht me frytet e fitores
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.