OMBRELLA E SHPIRTIT.
Jam ngulur sytë,në ekzistencën tënde natyrë,
që lot brinjëve shpatesh e malesh ujvara,
e ndërron pamje e lahesh fytyrë,
u llastohesh stinëve,në diell e shtrëngata..
Vishesh e zhvishesh nën këngë bilbilash,
e flakëron hiresh në të njëjtën mënyrë,
moda e koktejeve me nektar trëndafilash,
sofra e zemrës,buzëqeshja jote natyrë.
E shtrihesh hapash,në këmbë urash,brigjesh,
e puthesh buzësh me lulet gjithë aromë,
e gjuhën ua mëson kukuvajkave zënë shtigjesh,
rrit degët e lisit, ndërton ombrellën tonë.
Ndez e ruan sekrete,fushash e pyjesh,
liritë marramendëse gërmash sheqerosur,
ti tretesh ngadalë nëpër muzgje yjesh,
e bëhesh pentagram i shpirtrave të përsosur.
RRUGA…
E mbështeta kokën në madhështinë e rrugës,
për jastëk gjeta një gjurmë mermeri,
sa gjinjtë m’u ftohën si të dalur jashtë kupës,
unë sërish e ngrohtë kur doli mëngjesi.
I fola e më foli rruga gjithë hallet
ç’kish parë e ç’kish mbledhur në lëkurën e saj,
rrokullisur njerëzit si orteqet nga malet,
më rëndoi si shkëmb, u mbusha në vaj.
E më tregoi gjithë guxim për të zinj e të bardhë,
kur qeshnin hijshëm në ditën me diell,
e shpirtin e struknin si kërmilli nën guackë,
unë lozja me to si retë nëpër qiell.
Kam parë dhe te vegjël me trurin sa një farë,
të mëdhenj që vidhnin veç ëndrra të çartura,
ca zhyteshin në lumë e nuk dinin me dalë,
ca emër i dhanë emrit vetëm me pak fjalë.
S’u çudita me këtë mbretëri të rrugës,
ia nisa të tregoj dhe unë një sekret,
më zgjati duart, mi hodhi rreth gushës,
si lak më shtrëngoi,më tha jam rruga – jetë…
KUR NJOHA VETVETEN.
Kam rënë në rrezik me vetveten ,
sa herë që një kod..
më është përmbysur humnerave të harresës,
por se kam vënë dorën në zjarr ,as jetën,
për brengën e natës ,
që fjeti vobektë në gropën e zemrës.
Kam marrë medalje fjalësh për forcën e durimit,
në fakt dhimbje të heshtura në lëkurë më ekzistojnë,
mbushur mesbrinjesh lotët e shpëtimit
piramida të gremisura ëndrrat pasqyrojnë.
Kam pandehur se fati dhe përjetimet bëhen përralla,
e jam dashuruar në mijëra shëmbëllime,
kam ngritur kështjellë e pastruar gërmadha,
kur njoha vetveten,shpëtova fjalën time.