RUBRIKA JAVORE LETRARE – 18 –
VIKEND ME POEZI
(Çdo vikend nga një apo dy poezi)
Këtë javë mysafirë janë nga:
Gjakova -Struga- Rahoveci.
ALI TAHIRI
LEBIT MURTISHI dhe
MEZAHIR HAXHIJAHA
Aliu, u lind në Gjakovë, ndërsa tani jeton dhe vepron në Gjermani.
Me poezi filloi të merret merret që në bankat shkollore ku poezitë e tij i botoheshin në gazetën ” Pionieri”, ndërkaq më vonë edhe në revistat e kohës.
Ai në vitin 1967 ishte anëtar i Teatrit Amator
” E. Duraku”.
Ndëkaq, në nga viti 1977 u punësua në Teatrin popullor..
Deri më tani ai ka botuar 4 libra me poezi, ndërkaq ka edhe shumë dorëshkrime që presin botime të reja.
Ndryshe, Aliu është aktiv në organizime kulturo- artistike në diasporë.
Është anëtar i Klubit letrar ” Gj.N.Kazazi”.
Momentalisht, është kryetar i Shoqatës shqiptare kulturore në Lorach në Gjernani.
RRJEDHAT E JETËS
Uji që rrjedhë Prroit teposhtë
Tërheqë trupin tim
Të rritur nëpër
Ujin e tij
Herë të kjellët
Herë të turbulluar
Prroi rritet e shtjerë me
Smirën e xhelozisë
Rritet trashet me lym
Mua më merr me vete
Më mbushë damarët
Me ujë në vend gjaku
Më përplasë nëpër
Zgavrat e hapura
Të jetës lomësh pa fije
Nëpër ujin e Prroit
Rrokullisem si valët
Që shkojnë dredhë
Mbas shirave, furtunë
Qëndroj në këmbët e mia
Mu si uji i Prroit
Në shtratin rënduar
Vërshime e dyndje
Përjeton Prroi
Nga lloj lloj ujrash e
Coftina helmuese
Më morën me vedi
Më përplasën nëpër
Zgavra e shtigje të
Lyera me Mellë
Të përgjakur e plagosur
Më hudhnin nëpër
Hendeqet maskuara nga myshqet erë rëndë
Zvarrë kthehesha
Prap në Proin tim
Të ujit shërues me
Shelgjet për rreth…ku
U rrita me valët, nëpër valë
Qendroj në këmbë
Autor:
Ali Tahiri
U lind nē Ladorisht të Strugës. Shkollën e mesme pēr mësues të muzikës, në Prizren. Ka studiuar paralelisht Letërsinë Shqipe dhe muzikën. Mirëpo për arsye politike e dënojnë me 4. 5 vite burg
Pas dy muajsh qēndrimi në paraburgim dhe keqtrajrimit fizik, lirohet përkohësisht nga mbajtja e dënimit, ngaqë pushtuesit ishin kujdesur që, përmes një ,,infeksioni” me Virusin e njohur si ,,Hepatitis B “, Lebitin, ta largojnë nga rruga përgjithmone. Duhet theksuar se, shkaku kryesor i arrestimit të tij, bashkë me të atin 66 vjeçar ishte hapja e paraleleve të ndara të Gjimnazit ,,Hajdar Dushi” të Gjakovës në Ladorisht.
Dy vite qëndroi në Shqipëri (1994 – 1996) për strehim dhe mjekim. Por, përkeqesimi i gjendjes shëndetësore , sidomos i vajzës së tij, Rinës, e detyron që në korrik (1996) të niset për në Zvicër, ku jeton edhe sot. Merret me poezi, prozë, publicistikë etj.
Deri tani ka botuar 16 vepra: poetike, romane, monldrama, tregime dhe publicistikë.
P. S.
Monodrama ,, Ky Dhé ka Zot” është vënë në skenë nga Teatri Shqiptar i Amerikës, duke u vënë në skenë 60 premiera.
Kjo monodramë ,, Ky Dhé ka Zot”, fitoi ,,Çmimim E 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”…
MË FAL NËNTOR
Kësaj here nuk dal në shesh
(Shkurt e shqip, më vjen aq turp)
Të ec me judë kurrizthyer
Dhe me pilatë sup më sup…
Më fal që shekujve të lodha
(Me Flamur e hu në dorë)
Teksa lartë në tribuna
Të bijt e djallit ligjërojnë…
Do pres një kohë tjetërfare
(Jo në divan si dreq i zi)
Sa të mbledh’ zorrët Shqipëria
Dhe gjakun tim të ketë stoli…
Autor:
Lebit Murtishi
U lind në Rahovec ku jeton dhe vepron.
Me profesion është gazetar dhe punon në Radio dhe Televizion.
Me shkrime merret nga mosha e vogël ,pëlqen vargun e lirë ndërkohë që shkruan edhe vjersha,proza dhe poezi.
Me anë të krijimeve të tij do t’i rrëfejë botës se sa e rëndësishme është të jesh i pazakonshëm.
Është fitues i disa çmimeve letrare dhe pjesë e një prej antologjive nga shkrimtari dhe poeti Agim Metbala.
Është autor i një ekspozite personale me portrete dhe ka të edituar një album muzikor, dhjetra këngë dhe videoklipe.
Drejton emisionin” Gjurmët” TV.AlbSe.
Motoja e tij: Duajeni kohën tuaj!
AJO
Sa herë që ishim bashkë,
ajo kishte zakon,
me gishtin e saj,
të vizatonte zemra,
në trupin dhe fytyrën time,
veçanërisht kur unë isha i trishtuar dhe nervoz.
Ajo e dinte që atëherë,
nuk më pëlqente të flisja dhe se thjesht,
kisha nevojë për paqe dhe qetësi.
Në ato momente,
kjo ishte e vetmja gjë,
që më bënte të buzëqeshja.
Dhe në vend që t’i vizatojë zemrat,
në barkun e saj shtatzënë.
Tani,unë vizatojë në gurin e saj të varrit,
sa herë që e vizitoj dhe shpresoj se,
të paktën mund të më shohë nga lart,
kur tashmë nuk mund të më ndjejë.
Dëgjojë zërat:
Ajo të ndjen.
Ajo është ende gjallë.
Ajo të do.
Vetëm se në një kohë dhe hapësirë tjetër.
Edhe sot kujtojë tingujt:
ushtimën e kardiogramit,
britmat e infermierëve dhe mjekut, tingullin e defibrilatorit,
rrahjet e tij dhe fjalit e kryemjekut:
“jo, ndalo, ajo iku,shënoni orën e vdekjes”
Autor:
Mezahir Haxhijaha.