MIRASH ZEFI: MENDJE PJELLORE NDËR RREMAT E PARË TË DISIDENCËS DUKAGJINASE
22 vite kanë kaluar nga dita kur trupi i Mirash Zef Prekës prehet në gjirin e tokës që e lindi . Prej varrit me shtrojë dheun e zi ai , na flet me alegori e buzëqeshje të ftohtë. Na flet disidenca e tij e përvuajtur e paharruar e heshtur. Disidenca e tij pavlerësuar nga miopia, mosmirënjohja dhe rendja turr vetëm pas dëshirave materiale. Mosvlerësimi ndaj Mirash Zefit është harresë dritëshkurtër ndaj sakrificave idealiste të atyre që ndezën pisha në tunelin errët të dimrave më të çmendur të moteve. Mirash Zefi ishte ndër rremat e parë të disidencës dukagjinase nën hije të cilit blerojnë dhe flladitin idealet më të mira të sotmes e të së nesërmes.

Lindi me 30.12.1933 në Shalë ( Lagje Rreth i Lekajve). Shtëpisë ku u përkund në djep druri nuk i bashkëngjitet fjalë tjetër veç mbiemrit të nyjshëm ‘’e madhe’’. Vizualisht e madhe 15 pash e gjatë, dy bojë e lartë, me çati alpine pishe të rrëshinuar, me jerevi e çarranik . Një kotec drithi 4 megjësh me shpatëza e mbulojë druri i bënte roje një arë si tepsia 20 argatëshe që gjallonte nga bimë të harlisura dykollomoqëshe . Poshtë tyre groshët xhufkore si inxhia, ndërsa kunguj sa koshi i dushkut mbi lozë vareshin katarosh stomeve. Shpi me shumë mashkuj , grani , djem, çika dhe gja e mallë plot si bjeshka e madhe kur vjen qershori. Në regjistrin kujtesor kulla e Ndue Sokolit dhe e Zef Prekës ishte ndër më të mirëpërmendurat e dyerve të kamura të Shalës . Pasuria më e madhe e kësaj shpie qe bujaria dhe harmonia shembullore. Kjo pemë shekullore plot gjelbërim e fruta nuk sundohej nga ndonjë patriarkë tradicional por dirigjohej me razi të shkëlqyer si pak kund tjetër nga Ndue Sokoli dhe Zef Preka.
Mirash Zefi hodhi hapat e parë në jetë në malet e Dukagjinit në hijen e aheve dhe pishave të bjeshkës ku fryn flladi si simfoni e dielli të puth e ledhaton gjithë dashuri . Atje ku veriu shfryn gjithë inat dhe ortiqet shungullimë prishin gjumin e maleve. Aty, së bashku me qumështin e lokes, thithi aromën e rapsodive dhe këngëve më të dëlira të eposit të shqipeve . Këtë krijesë të zgjuar dhe inteligjente e lindi Palinë Gjonja, motra e Nikë Gjonit nga Ndreajt e Shoshit nga oxhaqet më të mirat e këtij fisi ku vlen të theksohet Mirash Ndou që kje tretë në KerrTorobullus së bashku me krerët e Shoshit në vitin 1871. Pas çlirimit djaloshit iu dha mundësia të ndiqte rrugën e arsimit, që për bijtë e maleve ka qënë një mollë e ndaluar nga mallkimi i kohërave arkaike . Malësia po ndërronte faqe, analfabetizmi kishte filluar te dëjëj përfundimisht duke i lënë vendin shkollës. Arsimi heq veset mëninë ,ushqen paqën e dashurinë .Imcaku nuk hezitoi aspak të zgjidhte mes shkollës dhe tufës së deleve. Ograjave e bjeshkës sa e sa herë qe inatosur ndaj atyre të pabindurave .Nuk ishin torollake si shfryene ndaj tyre kah i kërkonte kur i iknin ose i shpërndaheshin pa adresë . Jo more jo bardhokave nuk u vlente një çoban i vogël që habitej duke recituar rapsoditë e zharkut për Mujin , Gjergj Elez Alinë, Zukut Bajraktar apo dhe këngët e Fishtës. Deleve dhe bariut të vogël u hyri shkolla në mes dhe i ndau përgjithmonë. Opingat e thesit dhe çorapet e leshtë i zhveshi sa shkoi te dera e konviktit Tomë Kola. Kështu dhentë humbën një harrakat dhe shkolla fitoi një bari shembullor. Në shikim të parë s’u mbushi sy as shokëve as mësuesve, por pa vonuar u bë i pari mes shokëve dhe më i mirëvlerësuari i edukatorëve. Të nxënit për Mirashin ishte pasion argëtues, jo angari detyruese siç konceptohej nga nxënësit dembelë ose të prapambeturit pas shokëve.
Djaloshit shkolla ia pajisi mendjën i fisnikëroi shpirtin, i dha dijeni dhe kulturë pedagogjike Mësimet i bënte më shpejt se shokët, por iu shtua dëshira të dinte gjëra më të larmishme se çfarë shkruanin librat shkollore, prandaj gjeti strehë në bibliotekë. Shpesh kur shokët gërhisnin në gjumë ai lexonte letërsi artistike , monografi historike por edhe artikuj të karakterit psikologjik, pedagogjik dhe filozofik. Pasi përfundoi shkollën Pedakogjike, u emërua mësues në Dukagjin, profesion të cilin e kishte për shumë zemër. Fëmija i katundit u bë mësues i dokeve dhe i virtyteve më të mira duke punuar në Shalë dhe disa fshatra të Dukagjinit . Djaloshi i ri plot ëndrra si gonxhe të paçelura, dritën e arsimit donte ta ndizte fshat më fshat e shtëpi më shtëpi . Mirëpo realiteti nuk ishte si ndër libra as ashtu siç propagandohej ndër gazeta. Gjyshja, gjyshi, mentaliteti ç ‘ na duhet shkolla, vajza nuk duhet të shkojë në shkollë, delja, dhia, varfëria mungesa e ambienteve shkollore ishin rrodhe dhe ferrca që ngatërroheshin nëpër këmbë në punën e tij të përditshme. Nuk mjaftonte vetë puna në klasë por mësues Mirashi u bë aktivist shoqëror dhe luftëtar për emancipimin shoqeror shpesh herë në një duel të fortë mes mentalitetit patriarkal mesjetar dhe së resë që përqafohej nga rinia, fronti, guaja ndërkohë mbi të gjitha dirigjonte partia. Mirash Zefi ishte formuar e po afirmohej gjithnjë e më tepër si idealist i majtë. Lufta kundër analfabetizmit, gjakmarrjes, martesave me shkuesi dhe diferencë moshe, lufta për emancipimin e gruas, për higjenizimin dhe ndryshimin e mënyrës së jetesës, aksionet për hapjën e rrugëve automobilistike, hapja e çerdheve, PTT , qendrave shëndetësore , spitaleve, elektrifikimi etj ishin reforma që kërkonin sakrifica të mëdha për të ndarë mesjetën nga e ardhmja progresive .Këtë flamur e morën komunistë që kishin gjithë pushtetin dhe tagrin për të demaskuar regjimet e mëparshme që kishin prodhuar nga njëra anë shkëlqimin e florinjtë të pasanikëve dhe nga ana tjeter ferrin e tmerrshëm të shumicës varfanjake.
Për një Shqipëri të emancipuar, të arsimua me universitet, teatro, kinema, akademi e institucione shkencore, me bujqësi e industri të zhvillua, me mirëqenie dhe pa kontraste te mëdha sociale. Për këto ideale luftoi, punoi e sakrifikoi rininë e tij Mirash Zefi .Ai aderoi në parti që të ishte më i dobishëm dhe faktor pozitiv në vendim marrje Mirash Zefi pa u nda nga puna përfundoi mirësisht studimet e larta për histori , librin ashtu si cigarën kurrë nuk i ndau nga vetja. -Boll ke ba shkollë, tash ndaju librave,- e qortonte ndokush kur e shihte të përhumbur në lexime.- Po nuk lexove gjithë jetën velësh , shëmtohesh e thahesh si bima pa ujë e ushqim,- ia kthente Mirashi “dashamirit” që donte ta ndante nga librat.
Kishte lindur të bëhej intelektual dhe jo për të rritë vetin por për ti shërbyer vendit të vet.
Kishte një oratori të peshuar, me stil të këndshëm plot gjallësi në shprehje, stil të natyrshëm të lulëzuar nga thellësia e mendimit, logjika, dhe figuracioni i spikatur popullor.
Pavarësisht ligjërimeve propagandistike tek ai , dita- ditës hidhnin rrënjë dyshimet që tinëzisht kishin nisë më gjarpërue në mendjen dhe shpirtin e tij të trazuar.
Kujtimet e Mirash Zefit janë jeta e një malësori të arsimuar e të moderuar të viteve të socializmit , janë ajo jetë e vrazhdë në qiellin e mbarsur me bubullima që e shitoi me rrufe dhe e mbërtheu si Promete
Por ishte edhe ajo jetë e një brezi të rritur ndër shkolla, konvikte, aksione, aktivitete emancipuese, zbore, mbrëmje vallëzimi, dasma të reja, e edukuar me dashuri patriotike të vaksinuar me propagandë politike dhe urrejtje për armiqtë e pushtetit dhe botën borgjeze.
Kujtimet e Mirash Zefit ishin një kapitull i ri i jetës ndër male pa gjakmarrje, të armatosur gjer në dhëmbë por pa armë nëpër duar , pa liri as shpërdorim vrasës të fjalës. Jetë me djersë të ballit me mungesa të mëdha, por pa grykësi të llahtarshme. Ndërtues jo të mirë por jo kurrsesi shkatërrues e grabitës të babëzitur. Uniformë njëngjyrësh sipas parimit të dirigjimit të tufës por pa ekstravagancë, pa kontraste të çmendura të pjellë e harlisur brenda një dite, pa fanatizma, urrejtje krahinore, fetare deri në shpërfytyrim. Mirash Zefi ka qënë drejtues partie pushteti dhe ekonomie për disa vite në Dukagjin, Komitetin Ekzekutiv të Rrethit dhe stacioni i fundit qe Shllaku në detyrën e Kryetarit të Kooperativës së Bashkuar . Më të mund të flisje pa druajtje, nuk ishte thumbues as topxhi, as mendjemadh. Sa i buzëqeshur, i dashur e mikpritës aq i rrepët dhe i papajtueshëm me hipokrizinë servilizmin , mendjemadhësinë , butaforinë, smirëzezën injorancën dhe vesin e nënshtrimit pa kushte.
Kishte aftësi që secilit t’i vinte plisin që meritonte: plakut, të urtit, të riut, dallkaukut apo thundër mushkut. Të keqit i shmangej me elegancë dhe nuk i dilte turr përpara, por kur kosi nuk mbante më ujë nuk tundej vendit. Mirashi punonte e punonte si gjenerator me vullnet me korrektësi e drejtësi duke qënë gjithnjë sa më afër njerëzve nevojtarë. Mirashin nuk e lodhnin, as pagjumësia, as udhët e gjata, as mbipesha e planeve abstrakte, as vrapi brigadë më brigadë, as puna me njerëzit. Shpirti delikat i intelektualit liberal, që lexonte, shkruante , pinte vallëzonte, dashuronte kishte kohë që ishte zhytur në trishtim në mes trazimi të pashpresë. Ëndërrimtarit dhe këngëtarit të një botë humane për drejtësi e barazi shoqërore, asnjë ëndërr nuk i doli e vërtetë në zhgjëndërr. Kënga e bylbylit po i behej vaj qyqje. Ngado që shkonte e kudo që hidhte hapin shkelte në llavën e përflakur dhe thëngjij të përgjakur të luftë së klasave. Pas luftës vigjilente të klasave fshihej çdo gënjeshtër dhe dështim. Diktati politik kishte betonizuar ateizmin, ndry me kolkoz fjalën, shkelë më këmbë të drejtat dhe liritë më themeltare të njeriut. Servilizmi, mashtrimi varfëria që thellohej dita ditës ishin kthyer në vargoi mbërthyes për këmbët dhe duart e popullit në emër të të cilit kryheshin krimet me monstruoze ndaj tij. Pati një shpresë të fundit për një kthesë liberale në vitet shtatëdhjetë, por plenumet dramatike të viteve 1973 e 1974 rrafshuan gjithçka si orteku që shtriu pamëshirshëm picakët e imshtës. Gjithë ngrehina e idealeve të tij ishte shembur. Ai e kuptoi se gjithçka ishte thënë, shkruar dhe propaganduar për komunizmin paska qënë një rrenë e madhe politike globale. Kur ishte në kulmin e karrierës dhe në vitet më vitale të jetës Mirash Zefi pati zgjuarsinë të ngrihej mbi vetvetën kur tha: Komunizmi vdiq qysh ditën që Krishti u var në Kryq .Komunizmi është utopi e naivitet njerëzor ose fantzëm rrënuese e njerëzimit . Mirash Zefi u shqua si protagonist në situata tepër të koklavitura, ku luftohej për jetë a vdekje mes familjes së luanëve.
Duke qënë komod në radhën epërme të vagonëve të pushtetit doli prej shinave vetëm se nuk pranoi të komprometonte dhe kriminalizonte shpirtin dhe personalitetin e vet .Sa maçokë hilexhar kanë fituar medaljën e trimërisë së luanit për epope të trilluara, sa rapsodi e çifliqe pushteti kanë poseduar të vetëquajtur heroit e nëntëdhjetës që asnjë shputë nuk ua dha kush gjatë revolicinit të lavdishëm që përmbysi diktaturën e vetvrarë.
Pa koment ja çfarë shkruhet në dosjen e tradhtarit, armikut të popullit dhe revizionistit Mirash Zefi, i arrestuar në pikun e goditjes së grupeve të puçistëve të ushtrisë, sabotuesve të ekonomisë.
(Vijon në numrin e ardhshëm )