MAXHUN SMAJLI, AI I PUNËVE ME VLERË
Klinë, takime, në mesin e klinasve vjen Maxhun Smajli. Maxhuni është nga komuna e Klinës. Mbahet mend gjatë kohëve të vështira, si gazetar i guximshëm i “Kohës ditore” (vitet 1997-1999). Gjatë asaj periudhe ai nuk ndalej për të informuar, nuk e ndaluan as arrestimet e keqtrajtimet e shumta e barbare nga regjimi serb. Raportonte nga rreth 150 fshatra të rajoneve të Drenicës, Llapushës, Dukagjinit, Mitrovicës etj. Përpara luftës mbahet mend edhe për një aktivitet tejet domethënës e të rrallë: pati formuar Bibliotekën popullore e shkollore “Liridoni” n(më 1992), e cila regjistroi dhjetëra lexues dhe e cila u dogj nga paramilitarët serbë gjatë luftës.
Pas luftës ai shkoi në Gjermani, ku jeton edhe sot. Por as atje ai nuk e pushon veprimtarinë e tij domethënëse, si në fushën e librit, ashtu edhe të shkrimit. Domethënës ishte marshimi i tij këmbë nga Gjermania për në Kosovë (për 78 ditë me radhë, aq ditë sa NATO e pati bombarduar Serbinë), një si homazh për kontributin që dhanë ushtarët e NATO-s për lirinë e Kosovës… mu ashtu siç gazetarët e luftës udhëtonin këmbë gjatë luftës për një informacion…
Me vlerë domethënëse është edhe puna e tij në themelimin e Bibliotekës shqipe “Mark Krsasniqi” në Pilsting të Gjermanisë (2015). Biblioteka ka edhe koleksione të gazetave “Bota sot”, “Zëri i ditës”, “Rilindja”, “Koha ditore” etj, ndërsa “Rilindja” është koleksion i plotë që nga viti 1992, si dhe 605 kaseta VHS, nga 240 minuta për luftën në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Pas luftës ai ka botuar disa vëllime librash me titullin e përbashkët “LUFTA DHE DILEMAT SHQIPTARE”.
Takimi i sotëm ishte mundësi për të shpalosur edhe evokime të të punës së përbashkët në lëmin e gazetarisë gjatë luftës… sidomos për nderimet që ia ka bërë nënës sime, edhe me një foto në librin e tij, edhe me evokimet me vlerë.
Klina nuk e harron Njeriun e Vet për gjithçka që ka bërë për Atdheun…