17.5 C
Tiranë
E dielë, 16 Nëntor 2025

Prof.Akademik Kadri Ujkaj

                                                     Dukagjini si e njoha unë

(Konferenca shkencore “100 vjet arsim e kulturë në Dukagjin”)breg-lumi | ketu ndodhet dhe qendra e komunes Shale, ku kalo… | Flickr

…Kisha lexuar për Dukagjinin, kisha debatuar shpeshherë me vetveten dhe me të tjerët rreth atij opinioni aspak dashamirës, por, mjerisht, përjashtues që nga emri i tij, vijuar me historinë e tij ngjarjesh historike apo personalitetesh institucion që nga Lekë Dukagjini, princi i lavdishëm i shekullit XV, po aq me 7 shaljanët – moral kështjellë, sfida më elegante ndaj perandorisë osmane deri tek kreshnikët dukagjinas, që do të kryqëzonin shkietë e pabesë në  korrikun e lavdishëm 1915. Dukagjini  ka lindur dhe rritur burra luajal, bashkëpunues dhe solidar, vigan të fjalës e të pushkës, miq për kokë të kryeheroit të M.Madhe, “Heroit të popullit” Dedë Gjon Luli, prej Mehmet Shpendit deri tek personalitete të llojit të vet, në kohët moderne, të formatit Martin Camaj, pa përmendur dhjetëra bijë e bija të kësaj treve që po lënë gjurmë respekti dhe integrimi real  në dobi  të përparimit të Dukagjinit dhe  të Shqipërisë në kohën tonë.Me këtë vetëdije intelektuali, në janar 1981, në një ditë dimri kur gjithçka ishte e mbuluar nga dëbora,  për herë të parë në jetën tonë si çift, po udhëtonim në gjirin e kësaj zone. Ashtu, nën heshtjen e plotë të natyrës, po aq nën ritmin monoton të hapave që çanin dëborën, krejt pa pritur, na afrohet një burrë shtatmesatar, rreth të 50-ve.U përshendetëm pa e ndërprerë udhëtimin.”Në mos bezdiseni prej meje, nuk e kam problem t’u ndihmoj”,- shprehet i sapoardhuri  gjithë dinjitet. Ju faleminderit për solidaritetin, megjithatë na mirëkuptoni,- i drejtohem.Mos u pengoni në rrugën tuaj, sepse ne jemi për larg, aq më shumë e kemi për herë të parë këtë rrugë.”Ma mori mendja,-vijoi i sapoardhuri-, se duhet të jeni për në Breglumi, prandaj shpejtova hapat që, së paku, t’ua lehtësoj valixhen që po mbani në dorë”. Përsëri e falënderova, por ai nuk vonoi:  “Në këtë borë rruga kalohet shumë vështirë, prandaj, mos t’u vijë zor, valixhen, së paku,  ma leni mua”.Shikuam njëri-tjetrin me gruan, ndërkohë i sapoardhuri filloi të çajë dëborën përpara nesh.”Mos u mërzitni, nuk vonojmë  shumë, edhe pak,  e shkuam!”:

Këto ishin fjalët gjithë kurajo që po na ofronte herëpashere.                                                                                  Pas 4 orë udhëtimi , pa e hequr për asnjë çast valixhen tonë nga dora, miku i rrugës, me fjalët gjithë kurajo, po na nguliste dashurinë dhe besimin ndaj kësaj zone ku do të kalonim disa nga vitet më mbresëlënëse të jetës. Arritëm në Breglumi rreth orës 18.00.Bashkudhëtari ynë, nga Nikaj-Mërturi, përpara se të ndahej, pasi iu lutem që të pinim së bashku një kafe, na u drejtua: “Për shqetësimin tim e të motrës mund të bujmë sonte të tre bashkë tek motra.Dinie që kanë vetëm qejf, ju jini jabanxhij, nuk i bezdisni”.E falënderuam me gjithë zemër për atë solidaritet prej vëllai që na ofroi gjatë asaj ditë-nate, jo të zakonshme, udhëtimi.Në lokalin në qendër të Breglumit, kur nata e ftohtë e kishte mbuluar gjithçka,  takohemi me dy tjerë, të rinj si njohje, por të mrekullueshëm si njerëz: Ishin Katrina e Gjergj Çunit dhe Dedë Mushaku të cilët na pritën me një kujdes dhe respekt të jashtëzakonshëm. “Nata këtu është e ftohtë, sonte shkojmë në shtëpitë tona, te cili të doni, nesër shëndoshë, shihni e bani në planin tuaj.Ju mirë se keni ardhur!”, -theksoi Deda.”Nuk po harxhojmë gjë për ju, prandaj mos na kurseni”, sikur e plotësoi  fjalën Katrina. U shndrisnin sytë nga ndjesia njerëzore, që struknin në shpirtin e tyrer. U ndamë duke u  uruar natën e mirë, pasi i falënderuam me gjithë zemër. Breglumi, i ndarë mëdysh nga një  lum disesi i qetë,  strukte në gjirin e tij mikpritjen tradicionale të dukagjinasit, historinë e asaj treve që meriton të jetë objekt hulumtimesh për vlerat e trashëgimisë historike e kulturore të saj. Pikërisht këtë akt civil, ju po e realizoni sot përmes këtij simpoziumi shkencor, organizuar nga shoqata “Atdhetare -Dukagjini” nën drejtimin e mikut tonë të përbashkët, apo publicistit ”Mirënjohja  e qytetit të Shkodrës” , z.Ndue Sanaj. Dihet që shkollën e mesme në Breglumi  e vazhdonin nga tërë Dukagjini, në sistemin e ditës apo të korrespondencës, megjithatë askush nuk mund ta besonte asohere se përkushtimi për dije qe tejet i saktë tek dukagjinasi, edhe pse gjendesh në një  zonë disi të izoluar nga natyra.Kurrë më parë në jetën time nuk e kisha ndjerë aq fort në shpirt sentencën brilante të kanunit të maleve: ”Shtëpia është e zotit dhe e mikut”. Këtë sentencë  do ta përjetonim kësaj radhe, me një kënaqësi  dhe respekt të paparë, tek familja e Ndue Prendit,  ish-kryeinfermjeri i spitalit të Breglumit, i cili  jo për një natë, por për plot një javë dimri të ftohtë  vuri në disponim ndaj nesh gjithë pasurinë e shpirtit të tij duke mos na lënë që të ndjejmë, për asnjë sekondë, vetminë e të të qënurit jabanxhi…

Mirash Ndoja, kryetari i këshillit të bashkuar, njeri  autoritar nga natyra, por i pjekur dhe burrënor nga fjala, i disponuar, totalisht ndaj nesh, na vuri në dispozicion gjithçka të mundshme për normalizimin tonë, fillimisht, në shkollën 8-vjeçare Vuksanaj. Në këtë fshat, shansi i mrekullueshëm për të mos u harruar kurrë, do të ishte miqësia që na ofroi, familja e një dukagjinasi, të varfër siç qemë të gjithë, por e jashtëzakonshme për humanizmin dhe fisnikërinë e shpirtit:  Marash Markaj me të shoqen Bardhën, djemtë dhe vajzat e tij, Kolën, Zefin, Gjinin dhe Gjysten.Këta njerëz do të mbeten për ne shëmbëlltyra e dashurisë njerëzore, e bukës së shenjtë dhe e solidaritetit  të fisëm.Të varfër në shtëpinë e tyre, por  ndër më të pasurit e botës, me atë zemrën dhe shpirtin e madh, ata na u gjendën gjithnjë pranë, ndërsa fëmijët e tyre ishin të shkëlqyer në mësime duke na bërë  gjithnjë e më shumë optimist dhe kurajoz në kryerjen e misionit pedagogjik. Në shkollën 8-vjeçare Vuksanaj gjetëm një kolektiv të motivuar për punën, mikpritës dhe familjar serioz, ku, veçmas, do të dalloja mësuesin e biokimi-gjeografi, z. Mirash Ndrezaj dhe mësuesin e ciklit të ulët, z.Gjelosh Çardaku, dy mësues shembullor, dy kolegë dhe familjar po ka kaq shembullor, dy shokë për të cilët kjo fjalë është e paktë.

Përkushtimi, bujaria, dashuria për punën  shquante edhe kolegë të  tjerë, të nderuar si : N.Vata, P.Ulaj , N.Kroni, B.Pjollin etj, apo mami/infermjeren e pasionuar të fshatit, një grua zonjë, tejet serioze dhe e përkushtuar si  Drandja, bashkëshortja e Pjetrit deri tek Gjeloshi, furrtari i palodhur i fshatit. Asgjë nuk ua kishte  thyer shpirtin këtyre malësorëve të një fshati nga më të varfërit e Shqipërisë.Gj.Ujka  dhe N.Stenaj, dy autoritetet lokale, partiake dhe pushteti, të këtij fshati kurrë nuk i dëgjova të hidhnin vrer biografie kundër bashkëfshatarëve të vet,  kolegëve të mi. Shkolla e re, ku mora drejtimin në mes të dimrit, mes tjerash, kishte nevojë emergjente  plotësimin me mësues me arsim përkatës. Pushteti local riktheu në detyrë mësuesin pensionist Mirash Ndrezajn, për të cilin, po aq sa flitej shumë mirë si mësues, po ashtu, sapo u muar vesh pozicioni im pranë kësaj shkolle, i kujtohej edhe një rrethanë biografie që drejtorit s’do t’ja kursenin :” është nipi i një të arratisuri politik, N.S”.. Mirash, i them një ditë,  je mësues me përvojë të gjatë, po aq sa unë jam një drejtues, i panjohur me zonën, që do të thotë kam nevojë për besimin tënd ndaj meje: .”Drejtor, -m’u drejtua Mirashi-, për sa di ki besim se jo vetëm unë, por asnjëri prej shokëve nuk do të kursehet, i ke shokë shumë të mirë”. Pikërisht, për këtë, t’u drejtova, me bindjen që edhe ju do të keni besim në përkrahjen dhe inkurajimin tim, prandaj mendova të flasë me ty, si më i vjetri.Një gjë duhet ta dish ti dhe shokët: Vlerësimi i punës së secilit nga ana ime do të ketë vetëm një kriter:  Zhvillimi i përgjegjësive nga secili, filluar prej meje, vetëm konform rregullores së shkollës, kështu kam vepruar kudo kam drejtuar”.U ndamë, secili vazhdoi punën e vet,  sipas orarit të shkollës.

Nuk po flisja si disident, në sensin politik, sepse s’kam qenë kurrë i tillë, por me besim ndaj meje, motivimi i tij në punë, mendoja, do të ishte më i plotë. Mirashi e justifonte në gjithçka vetveten, inkurajimi i tij mbetej detyra ime.Kështu me rastin e 7 Marsit, pas disa mëdyshjeve institucionale, të kushtëzuara nga biografia e tij,sipas kritereve të kohës, u arrit që Ministria e Arsimit t’i japë Medaljen”Mësues i dalluar”, që ia dorëzoi  ish-kolegu ynë i nderuar, z. Ndue Vata, ish- kryetar  i këshillit të bashkuar Shalë. Diku, në veprat e tij , albonologu i mirënjohur, Franc Nopça, do të theksonte:”  Po t’u besosh dukagjinasve, në asnjë vend të botës nuk do ta ndjesh veten më të sigurtë se midis tyre, në të kundërtën, po u shfaqe dyshimin më të vogël në besën që të kanë dhënë, i ke këputur fatalisht urat e miqësisë me ta, për të mos i ngritur kurrë më!…Emrimin  në shkollën e mesme në Breglumi, pa mohuar sodisfaksionin që ndjeva, e kam pritur si një përgjegjësi, jo të lehtë, nisur nga fakti se njëherish me këtë status do të ushtroje edhe detyrën e drejtorit  të zonës dhe të anëtarit të seksionit të arsimit në rreth. Ambicia ime, si drejtues me stafin tim dhe një personel që vetëm në Breglumi ishte prej 35 vetësh përballë mbi 530 nxënës dite dhe mbi 200 me korrespondencë, ishte që shkollën Breglumi, ta ktheja në një qendër të edukimit pedagogjik dhe profesional zonal kur dihej që një pjesë e mësuesve të kësaj zone, ishin pa arsimin përkatës. Për këtë  duheshin arritur dy objektiva:

1.Të sigurohej një përvojë sa më e mirë bashkëpunimi me shkolla të tjera, që kishin përvojë sa më të mirë, brenda dhe jashtë rrethit tonë.2. Të fillonim nga përgatitja e sesioneve shkencore në çdo 7 Mars, Ditën e Mësuesit. .Kuptohet sa e dobishme do të ishte gjetja e cilësdo formë hapjeje, kur dihej se mjaft nga ata nxënës, por, sidomos nxënëset, mund ta mbyllnin  jetën e tyre brenda atij “ishulli” të izoluar, pa njohur fare pjesën tjetër të vendit. Megjithatë, edhe pse ishte një pretendim normal, për arsye sa objektive, sa subjektive, realizimi i praktikave bujqësore jashtë zonës së Shalës bëhej mjaft i vështirë.Në këtë kontekst vendosëm që, sidoqë  të pritet pretendim yni, me inisiativë si drejtori, praktikat bujqësore do t’i zhvillonim jashtë Dukagjinit.Kështu u zbatua, çka u mirëprit realisht shumë mirë nga të gjithë pas përvojës së parë të suksesshme në rrethin e Pogradecit.Ç’kënqësi  ishte për një të ri apo të re dukagjinase, të shijonte perla natyrore si Driloni, bukuritë natyrore të liqenit të Ohrit apo plantacionet e mollave në Korçë etj. Natyrisht të ndërmerrje lëvizje të tilla, me së paku 80 maturantë, nga  Dukagjini i largët deri në Pogradec nuk ishte pa vështërsi, mirëpo kolegjialiteti mes stafit, bashkëpunimi me prindërit dhe besimi tek masa e nxënësve na dhuroi sodisfaksionin e parë: Seksioni i Arsimit në Pogradec na priti shumë mirë duke na krijuar mundësitë e një komunikimi  frytdhënës sa mes mësuesve, po aq mes maturantëve të dy shkollave.Në konceptin e sotëm, po shijonim binjakëzimin e parë me një shkollë të mesme me përvojë, si ajo e Pogradecit. Objektivi i dytë do të realizohej më 7 Mars ku të gjitha shkollat e zonës u përfaqësuan  me kumtesat e mësuesve më të përgatitur.Temat shkencore, në kuadrin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ishin shoqëruar me seriozitetin e duhur. Shkolla si Thethi, Gimajt, Ndërlysa, Abati, Ura e Re etj.si dhe drejtorët: Luigj Shyti, Sykë Çarku, Zef Fusha, Prelë Shytani, Kolë Funiçi përfaqësonin shembullin më të mirë. Mbi bazën e këtyre dy përvojave të mira në të parin takim që pata me AdemTukën, sekretar i Komitetit të Partisë, pë arsimin dhe kulturën si dhe me Gazmend Llazanin, shefi i seksionit të arsimit, shtrova idenë se Dukagjini ka mundësi t’i përballojë vetë nevojat me kuadër në një përspektivë të afërt. Për hir të së vërtetës, ky propozim yni u mirëprit duke i hapur rrugën mundësisë që nxënësit që mbaronin të mesmen në Breglumi, sidomos gjimnazin, të ndiqnin fakultetin e mësuesisë në USH.Çdo vit dërgonim në shkollën e lartë  deri në 40 vetë. Në këtë kontekst, jam i obliguar, të shpreh mirënjohjen time për inkurajimin që na dha si shkollë shefi i kuadrit, Shalë, Lulash Gilaj duke mos paraqitur në asnjë rast kontenstim nxënësish kandidat për në USH-ës apo atë të Tiranës, për arsye biografie.

Dhjetor 1985

Jam mahnitur në një natë dhjetori 1985, me dëborë dhe stuhi, kur po kthehesha për në Breglumi. Me të mbaruar mbledhjen në Seksionin e Arsimit arrita, në të errur, Malin e  Shoshit. Dikush thirri: Drejtor! Ndërkohë, më del përpara, një burrë  rreth të 50-tave,  mbështjellur me një peliçe bojëkafe dhe me kapuç në kokë. Ndalem, gjithë lodhje dhe djersë në trup, në atë natë  të vështirë,  në vemendje ndaj atij zëri. Me një frymëmarrje të rënduar nga era e ftohtë dhe dëbora, më drejtohet: “Në emën të tanë atyne burrave, bëri me gisht drejt tyre, të cilët po ngroheshin rreth një sobe, sonte nuk duhet të shkosh më larg se këtu, do të jesh miku ynë. Nuk ke se si të vazhdosh rrugën ma tej, dëbora është tepër e ftohtë dhe me stuhi”. Faleminderit, i them, por më presin edhe familja. “Asht’natë egërsinash,-vazhdoi punëtori-, tash po i ndigjojmë bashkë, prandaj na fal, por nuk mund të lamë të shkosh më larg. Po na e vune detyrë, bajmë çmos t’i vëmë në dijeni edhe familjen. Mendova…!“Jo, jo kot lodhesh,- foli njëri,- ne të njohim të gjithë, nuk na lejohet që të mos i dalim përpara të keqes. Ula kokën për një çast… Këta njerëz kanë të drejtë.Kalova një natë  të paharruar me punëtorët e atij kantieri të nderuar.Nata vërtet qe e jashtëzakonshme, kurrë nuk kisha menduar se ulurimat e ujqërve mund t’i “shijoja” aq pranë: Ndaheshim, prej tyre, vetëm nga trashësia 5cm e një dërrase barake. Si hëngrëm darkën, ngrohja dhe lodhja, tek unë, nuk vonuan ta kryejnë misionin e tyre.Më i moshuari, më drejtohet: ”Drejtor, je lodhë , mund të flesh!”.Në heshtje e tejfalënderova, ngaqë me gjumin nuk po “merresha” vesh, edhe pse më vinte zor t’i dorëzohesha.Nuk e di kush fjeti i pari, por kujtoj vetëm mëngjesin me bukën përpara meje:”Urdhno me ç’na ka ndodhë!”, – më thotë më i moshuari. Mirënjohje të përjetshme, o njerëz të thjeshtë, të Shoshit fisnik! Ndoshta, atë natë, më faltë jetëgjatësinë!  Më ka rastisur të  thërras në zyrë nxënës të ndryshëm: për grindje, konflikte fizike mes maturantëve, mosmarrëveshje me mësuesit etj. të rinj, dhe asnjëherë nuk kam parë të manifestojnë krenarinë dukagjinase, si një lloj budallallëku tek shqiptari, siç e quante Konica. Nuk ishte Dukagjini ai që paragjykohej si  një popull që nuk e do kulturën,nuk do dijen, që njeh vetëm forcën fizike dhe forcën e madhe të zakoneve e kodeve prapanike në  menaxhimin e vetvetes. Jo,jo  dukagjinasit, të rinjtë e të rejat dukagjinase, manifestonin dashurinë për dijen dhe jetën si dashuri për vetveten, si dashuri për ardhmërinë e tyre  duke sfiduar mbrapshti paragjykimesh  që nuk kishin asnjë bazë për ata që jetuan dhe punuan  me ta. Më binte në sy, jo vetëm shembulli shumë i mirë i mësuesve vendas, si: Lukë Dreni, Gjelosh Ndreshaj, Prenda Lera, Prelë Bregu, Ndue Ndrezaj ,Tringë Mosheqi, Pal Marku, Fran Çardaku, zv.drejtor konvikti etj. po ashtu, nuk lë dot pa përmendur, edhe shembullin e shkëlqyer të mësuesve të ardhur nga Shkodra, Malësia e Madhe etj. si:

Islam Semani, zv.drejtori mësimor, Agim Thorja, Artan Haxhi, Ardian Marashi, Vasel Popaj,etj. të cilët (në mungesë time prej një jave, ngaqë po bashkëpunoja me kryetarin e kooperativës për kalimin nga rregjistri kadastral i kooperativës  Shalë, të 1(një)ha tokë si shtesë për bazën prodhuese të shkollës së mesme bujqësore) natën e 13 marsit 1987, mes  tymit dhe flakëve, arritën që të shpëtojnë gjithë dokumentacionin themeltar të shkollës duke evituar çdo problem për ish-nxënësit që vijonin apo kishin mbaruar shkollën në Breglumi. Ndërkohë dua të falënderoj me gjithë zemër dhe me shumë mirënjohje njërin nga breglumasit, të cilit, mjerisht, nuk  arrita t’ia mësoj emrin, por siç më tregoi djali im, Dritani, ndërkohë që po punoja këtë kumtesë, ky breglumas vazhdonte mes zjarrit të nxirrte bazë materiale nga shkolla derisa, jo vetëm flokët iu dogjën nga gjuhët e flakëve, por u vetësakrifikua në atë shkallë, aq sa thëngjinjtë iu shuan mbi kokë, çka i detyroi të pranishmit ta tërheqin me forcë duke e dërguar, urgjentisht, në spitalin Breglumi, ku për fat, me ndihmën që mori, shpëtoi pa pasoja..                              .            .                                                                          Mëngjes prilli 1986!.                  .

Ende nuk kishte shkuar ora 8.00, kur bëhej, zakonisht, rrjeshtimi i shkollës.Shumë i shqetësuar, më vjen në zyrë një banor, besoj nga Lotajt.Si u përshëndet me mua, m’u drejtua: “Drejtor, jam në pikë të hallit, prandaj mendova të drejtohem tek ti”.Urdhëro, i them. Çfarë mund të të ndihmojë?.Prindi i mallëngjyer tej mase u hap:”.Mbrëmë nuk më ka ardhur në shtëpi djali i vogël! Shpresuam se mos është tek ndonjë njeri yni, por nuk e gjetëm.Përfundimisht natën e ka kalua jashtë, nën qiell, në mëshirë të zotit”.Të kuptova,- i them. Mendon se ka kaluar Kodër Shëngjergjin?- e pyeta. “Jo,jo,  por, na, nuk i ramë kurrsesi në të”.Mos u bëj merak,-vazhdova.Fëmija, ishalla, është mirë! Si mora mendimin e tij, i kërkoj Tringë Mosheqit,  që  mbulonte përgatitjen ushtarake në shkollë, të rrjeshtohet e gjithë shkolla sipas strukturës ushtarake. Çdo mësues në krye të nënrepartit që mbulon, nën drejtimin tënd , t’i biem së bashku krahut të djathtë të lumit, me shikimin drejt Kodër Shëngjergjit. Kujdes shumë, pylli ka edhe gjarpërinj në këtë periudhë pranvere. Dashuria për prindin dhe fëmijën e tij, sikur burrëroi çdo nxënës.Me një vemendje dhe qetësi të pabesueshme, nuk mbeti  dushkajë apo shkëmb pa u parë nga afër.Pas 3 orësh, fëmija u gjet i shtrirë, pa ndjenja, mes dy shkëmbinjve, poshtë Kodër Shëngjergjit. Nga goja e  tij, e paushqyer prej  shumë orësh, dilnin vetëm parazitë: askaride dhe oksiure.Tronditje e thellë, do të shpëtonte apo jo?!? Me ta dërguar në Spitalin e Breglumit, pas një serumi, fëmija, për fat, u përmend. Një kënaqësi e jashtëzakonshme në sytë e të gjithëve. Shpëtoi një jetë njeriu, jeta e një fëmije. Këta ishin të rinjtë e të rejat e Dukagjinit, nxënës të shkollës së mesme Breglumi, shembulli i një solidariteti të shkëlqyer, njëra ndër mbresat më gjurmëlënëse  në jetën time. Këta  ishin dukagjinasit që njoha unë, dukagjinasit e vërtetë,  dashnorë  të dijes dhe po aq dashnorë  të jetës.

Universiteti ”Luigj Gurakuqi”Shkodër, më  14.10.2017

Kadri Ujkaj,  ish-drejtor zone,në Dukagjin

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.