AT SHTJEFЁN GJEÇOVI
ME RRЁNJЁ FAMILJARE NЁ THETH.

1.
Disa kohё mё parё mё kёrkon takim njё burrё diku rreth të shtatёdhjetave. U takuam njё ditё nё Shkodёr, u prezentuam me njёri tjetrin, dhe pa na ardhur ende kafja, filloj tё mё quante vёlla. Ishte i mbajtur mirë, i urtё, i kulturuar, i shkolluar mirё, inxhinier nga profesioni, por dashamirёs edhe nё fusha tё tjera, e veçanёrisht, ishte shumë i intersuar pёr historinё e paraardhësve tё tij. Ai sot banon nё Durrёs. Kishte dёgjuar diku emrin tim, dhe dёshironte qё tё takoheshim. Nga biseda qё bёmё, ёmblёsia e tё biseduarit, sinqeriteti që tregoi, mё krijonin bindjen se kisha tё bёja me njё njeri tё mirё, me interesa shumё shoqёrore, dhe pёr probleme qё lidheshin me fisin e tij nё kёrkim tё rrёnjёve tё kahershme. Ai kishte sjellё me vete njё libёr me autor kushririn e tij, Toninin, i cili bënte fjalë për Alajit e Kryeziut në Pukë. Ky është Hil Alija.
Ai ishte i bindur se të parët e tij e kishin burimin në Shalë, por kërkonte edhe më shumë, për të gjetur plotësisht vëllazërinë. Ishte takuar edhe me zotin Zef Sokol Vladaj dhe kishin biseduar. Ai i kishte treguar se vёllazëri “Gjeçaj” ka nё Theth. Ishte kjo arsyeja qё po takoheshim. Libri që më kishte sjellur ishte jo i madh nga volumi, por i bukur nё pamjen e parë, me shumë foto, me të dhëna interesante, që për mua krijoi përshtypjen e një botimi me shumë vlera, për nga problemi që trajtonte, për fotot e publikuara, pёr lidhjen, për punën e kujdesshme të autorit, etj.
Pak vite mё parё nё njё libёr timin kam shkruar: “Kryeziu ёshtё njё fshat i Pukёs, lidhjet e tij me paraardhёsit në Shalё … nuk i kemi tё qarta, pasi nuk kemi mundur tё gjejmё ndonjё dokument apo gojёdhёnё, por At Gjon Karma nё librin “Ndёr Malet Tona” shkruan: “Nё Kryezi (Pukё) nё fillim tё viteve ’30 tё shekullit tё kaluar ka edhe 4 shtёpi pultakё, 1 shtёpi mardedaj, 2 shtёpi shaljanё…”. Mardedaj ёshtё njё vёllazёri nё Theth. Ndoshta shtёpia qё pёrmendё At Gjon Karma mund tё rrjedh nga kjo vёllazёri. Por as pёr kёte as pёr tё tjerat nuk kemi mundur tё gjejmё ndonjё lidhje apo tё dhёnё tjetёr”.
Në vitet ’30, kur ishte famullitar atje, At Gjon Karma shkruante se, Kryeziu ёshtё njё fshat me panoramё tё bukur, me livadhe e fusha tё gjëra dhe pjellore, i rrethuar me kodra tё bukura e male tё veshura me pyje sidomos pishe qё tё kënaqin syrin. Nё kёtё kohё kishte rreth 70 familje, katolik e mysliman dhe pёrbёhej prej disa fiseve tё ndryshme si Orosh, Pult, Spaç, Gojan, Kushnen, Mardedaj (Dukagjin), Shalё, Gjinaj, Kabash, Rrapaj, Berishё, Iballas. Nё kohёn kur shkruan At Gjoni, ky fshat pёrbёhej nga lagjet, Orosh, Kodra e Gegёs, Gegaj, Gojan, Mejdan, Fercojё, Grezdё, Gjogjinaj. Nё atё kohё, nё pikpamjen administrative shtetёrore, Kryeziu, pёrfshihej nё nёnprefekturёn e Mirditёs, ndёrsa nga ana kishtare shkonte me Dioçezёn e Sapёs. Prej vitit 1907 u bё famulli nё vete. Kryeziu ka pasur Kishёn e Shën Prëndes, Kishën e Zojёs dhe Kishën e Shёn Nikollit (Shёnkollit).
Pjesёn mё tё mirё tё tokёs e kishin nё pronёsi “zotnit e Kryeziut”. Kur ata, që punonin aty, blenё tokёn e “zotnive”, dhe nuk pranuan qё tё punonin deri 70 ditё nё vit si bujq tё tyre ndryshoi puna, shkruan At Gjon Karma. Ky ndryshim erdhi nga fundi i shekullit XIX, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë.
Fisi Aliaj i Kryeziut nё Pukё ёshtё vendosur fillimisht nё lagjen Gegaj, qё e përmendё At Gjon Karma. Kёta kanё pёr paraardhёs vllazninё Gjeçi. Ma vonё janё vendosur nё Lajthizё, tregon bashkёbiseduesi Hil Alija.
Sipas atyre njohurive që ka, zoti Hil Alija thotë se familja “Gjeçi”, janё vendosur nё Kryezi rreth vitit 1730, qё i bie rreth 290 vjet mё parё.
Kryezi është emër vendi (toponim) dhe nuk ka lidhje me emër njeriu. Emërtimi Kryezi “është rezultat i një shpati mali, përsipër vendit ku jetojnë banorët e Kryeziut, i cili ishte një pyll i madh pishash dhe dukeshin gati në ngjyrë të zezë në kontrast me bimësinë tjetër, shpjegon Agim Ҫausholli, kur punonte mësues atje dhe ka mbledhur, referuar e botuar në revistën pedagogjike të rrethit të Pukës, toponime të Pukës, në vitet 1979.
2.
U bë familje e madhe kjo e Aliajve të Kryeziut nё Pukё, e cila arriti që të jetojnë në një shtëpi me 62 pjesëtarë në vitin 1965, dhe e “njohur nё gjithё veriun shqiptar”.
Dera e madhe e “Aliajve” të Kryeziut ka marrë vlerësime të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Ndue Dodë Aliaj është lauruar me “Bekim Apastolik” nga Papa Gjon Pali II në Vatikan me datë 06.09.1996. Mark Dodë Alia është lauruar me udhërin “Nënë Tereza” me dekret nr. 7138 datë 28.10.2011 të Presidentit të Republikës. Dedë Ndue Alija i lauruar me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia Fushë Arrëz me vendimin nr.33 datë 12.10.2009. Tom Aliaj “Qytetar Nderi” i komunës “Qafë-Mali” datë 28.03.2014. Gjovalin Aliaj “Qytetar Nderi” bashkia Pukë me vendim nr.8 datë 23.01.2019. Tonin Dedë Aliaj, biznesmen i njohur me kompanin e tij “Ardeno” me shtrirje në disa vende të ballkanit e deri në Itali, i lauruar me titullin “Mjeshtër i Madh” me dekretin nr.7934 datë 25.01.2013 të Presidentit të Republikës si dhe me “Bekimin Apostolik” nga Papa Francesku, Vatikan datë 13.11.2014, duke shënuar kështu një rast unikal në trevat shqiptare ku në gjithë historinë e Papatit të Romës, dy Papë vizitojnë Shqipërinë dhe secili prej tyre bekon një pjesëtar të kësaj familje. Fisi Gjeçi ka pasur dhe ka pёrkushtim tё madh pёr kishёn dhe besimin.
“Nё Janjevё, shkruan Ruzhdi Mata autori i monografisё kushtuar Gjeçovit, prindёrit e Gjeçovit, gjyshi apo ndoshta stёrgjyshi, kishin ardhur prej shumё vitesh mё parё”. Ata u larguan nga malёsia e Pukёs pёr njё jetё mё tё mirё. U vendosёn nё Janjevё, ndoshta sepse ishin tё gjithё shqiptar dhe kishte njё farё zhvillimi pёr kohёn deri edhe shkollё qё ishte hapur qysh nga viti 1671, e diku thuhet qё nga viti 1610. Kishte njё kishё tё madhe. Në Janjevë ruajtën, pёr njё kohё tё gjatё mbiemrin “Kryeziu” siç ёshtё bёrё shumё herё edhe nga të tjera grupe popullsie qё kanё lёvizur dhe pёr tё mos harruar rrёnjёt, por edhe pёr tё treguar tё tjerёve se janё tё lidhur mё vendlindjen pёr tu pёrballur me ngjarje tё ndryshme.
Vendosja e re, nё kufinjёt ku popullsia shqiptare takohej me ndikimin sllav, ndikoi nё transformimin e mbiemrit nga “Gjeçi” nё Gjeçov, emrin e plakut Pjetёr nё Petёr, ose edhe nga Pepё nё Petёr, etj. Nё kёtё mjedis shqiptar u rrit ai fёmijё të cilin e pagëzuan me emrin Mëhill, por që shkurt e thërrisnin Hilë.
Autori i librit Tonin Alia, “Aliajt e Kryeziut (Pukë) paraardhës të Gjeçovit”, thekson se janë të një linjë gjaku me fratin Shtjefen Gjeçovi, sepse “këtë e kanë vulosur në të gjallë të tyre, At Shtjefen Gjeçovi me gjyshin tim Ndue Dodë Alia”. Edhe brezat i lidhin pa asnjë problem. Në Kryezi nuk ka asnjë familje tjetër, që mban apo trashëgon mbiemrin “Gjeçi”, shton autori.
3.
At Shtjefni u lind mё 12.7.1874 nё Janjevё tё Kosovёs dhe u vra pabesisht me 13 tetor 1929 nё Zym tё Hasit. Nё Jajevё, prindёrit e Gjeçovit, gjyshi apo ndoshta stёrgjyshi kishin ardhur prej shumё vitesh mё parë. Ata u detyruan të largohen nga Malësia e Pukёs pёr njё jetesё mё tё mirё. Pёr njё kohё tё gjatё ata mbajten mbiemrin “Kryeziu” pёr tё treguar vendin e prejardhjes së fundit, por pastaj filluan tё mbiemroheshin me emrin e tё parit tё familjes sё tyre “Gjeçi”. Gjeçovi, shumё vjet mё vonё do ta pёrdorte si mbiemёr emrin “Kryeziu”, e sidomos kur punoi dhe jetoi nё Kosovё. Ai, kur po rregjistrohej nё shkollё nё Shkodёr deklaronte se quhej Hilё, baba e kishte emrin Mat dhe vinte nga Janjeva. Tё parёt tonё janё nga Kryeziu i rrethit tё Pukёs. “Gjeçi” e kanё pas quejt tё parin e fisit tonё. Nanёn ma quajnё Ana, shpjegonte Gjeçovi i ardhshёm.
Kur shugurohet meshtar ndryshon emrin, sipas rregullit kishtar, nga Mёhill nё Shtjefёn, ndёrsa me dёshirёn e vet ndryshon edhe emrin e babёs nga Mat nё Konstandin, duket si adhurim ndaj Konstandinit tё Madh. Linja e fratit, nё Janjevё, ka ecur mё ngadalё nё breza se tё afёrmit e tij.
At Shtjefni punoi nё disa famulli, nё disa edhe duke u kthyer pёr sё dyti, qё nga Zara e Dalmacisё, Vlorё, Kosovё e disa famulli nё territorin e Shkodrёs dhe Pukёs. Nga vjeshta e vitit 1916 deri nё fillim të verёs së vitit 1917, ishte famullitar nё Theth. Nё kёtё fshat bёri kёrkime folklorike, nё vazhdim tё atyre qё kishte mbledhur mё parё nё zona tё tjera. Në vitet e mëvonshme, Gjeçovi, merret edhe me kёrkime dhe studime arkeologjike dhe qe i pari shqiptar qё hyri nё Shpellat e Gajtanit nё vitet 1921-1923, qё u interesua me piksynime shkencore nё kёtё zonё, me gjithё mundёsitё e pakta materiale qё kishte. Nё njёrën prej shpellave ka shkruar emrin e vet me flakёn e pishёs qё duket edhe sot, shkruan Prof. Tonin Fistani, kur u muar me eksplorimin dhe studimin e kёtyre shpellave e materialeve tё shumta tё gjetura nё to. At Shtjefёn Gjeçovi “kudo qё punoi hap edhe shkollё shqipe”, shkruan Prof. Aleks Buda, po kështu edhe Prof. Shefik Osmani. At Shtjefёn Gjeçovi ishte i pari qё hapi shkollёn shqipe nё Theth, në pragpranverën e vitit 1917.
At Shtjefni kishte pasion edhe pёr etnografinё, pёr jetёn e shqiptarёve, pёr jetёn e malёsorit nё veçanti ku kёto ruheshin mё mirё qё nga thellёsia e shekujve. Si patriot qё ishte At Gjeçovi lidhet me shumё patriot shqiptarë, por edhe studiues tё huaj, me qёllim që mund tё ndikonte nё vlerёsimin dhe propagandimin e vlerave tё Shqipёrisё dhe shqiptarёve. At Shtjefni donte dhe pёrpiqej pёr gjuhёn shqipe, punoi pёr historinё e pedagogjisё, mblodhi dhe kodifikoj Kanunin e Lek Dukagjinit, gjurmoi mjekёsinё popullore, u muar me pёrkthime, etj. Tё gjitha kёto pa lёnё pёr asnjё moment punёn kryesore qё kishte, meshtarinё, edukimin shpirtёror tё popullit kudo qё punoi me vullnet shёmbullor e dashamirёsi.
Ky ishte punёtor i palodhur dhe njeri me vullnet tё hekurt. Puna sistematike shumёvjeçare dhe vullneti i tij mund tё kuptohen jo vetёm nga veprat e botuara, por edhe nga dorshkrimet qё ka lёnё pas deri edhe pёr Rragamin e Shalёs, shkruan Ruzhdi Mata, te libri “Shtjefёn Gjeçovi-jeta dhe vepra-1982”. “Emri i kёtij njeriu tё rallё do tё vijё duke u rritur”, shkruante Faik Konica nё vitin 1930, vetëm një vit pas vdekjes së tij. Dhe nё fakt kёshtu ndodhi.
4.
Nё kёtё studim nuk ёshtё qёllimi tё pёrshkruajmë me hollёsi jetёn dhe veprёn e At Gjeçovit. Kёtu do tё pёrpiqemi, bashkё me dashamirësin e kujdesshëm Hil Alija, por edhe duke konsultuar edhe me shkrime e botime tё tjera, takime e biseda me të moshuar pёr kёtё figurё tё madhe dhe mjaft tё rёndёsishme, rreth gjenezёs sё tij dhe mundёsia e gjetjes të rrënjëve të gjakut, deri tash tё pa njohura.
At Shtjefni, nuk na ka lёnё tё dhёna mbi gjenezёn e tij, tё paktёn deri tash nuk kemi mundur ti takojmё, por nuk duhet fajsuar aspak edhe nё qoftё se nuk i ka lёnё, sepse nё momentin qё ka plotёsuar kushtet e meshtarit ёshtё shkёputur nga familja amё, dhe qё nga ky moment i takon besimit, kishёs, tё gjithё popullit, kudo ku shkon e punon. Pra, u pёrket tё gjithёve. Ёshtё detyrё e tё tjerёve, qё tё mundёsojnё lidhjet dhe tё formojnё gjenezёn e tyre. Kёshtu kanё punuar dhe po punojnё kushrinjёt e tij, familja Alia. Edhe Dom Ndre Mjeda ёshtё me prejardhje nga Kryeziu i Pukёs. Edhe ky nuk ka lёnё gjenezёn e tij. Mjeda dhe Gjeçovi nuk kan lidhje gjaku, por paraardhёsit e tyre kanё qenё banorё nё Kryezi. Ata kishin marrёdhёnie tё mira jo vetёm pёr faktin se ishin fretёr, por i lidhte edhe Kryeziu si vendbanim i pёrbashkёt, në një periudhë kohore të familjeve të tyre.
Dedë Ndue Alia (Shala), e ka mbajtur gjatë mbiemrin “Shala”. Duke qenë njeri i shetitur për kohën, por që kishte edhe një nivel shkollor më të lartë së të tjerët, ka pasur njohuri e bindje se lidhet me fisin e Shalës në Dukagjin dhe kjo është një e dhënë e fuqishme dhe konkrete për gjenealogjinë e fisit “Gjeçi” në Kryezi. Ai ka punuar edhe mësues në vitet e para pas çlirimit,
Hil Alija, sipas të dhënave nga të partë e tij, thotë se, njё herё, Dom Ndre Mjeda dhe At Shtjefёn Gjeçovi erdhёn bashkё nё Kryezi. Ata do tё zhvillonin veprimtari fetare, por pasi kryen punёn e shёrbimit fetar, dolёn nёpёr fshat dhe shkojnё e shikojnё themelet e njё shtёpie tё vjetёr me gurё tё mёdhenj. Ato ishin pjesё themelesh tё parёve tё fisi Gjeçi, pra tё At Shtjefnit. Duke biseduar me njёri tjetrin doli idea se cili fis ishte vendosur kёtu mё parё. Dom Ndre Mjeda, qё ishte edhe mё i vjetёr se At Gjeçovi, i thotё se më pёrpara jeni vendosur ju nё kёtё territor, ne kemi ardhur mё vonё.
Nё Theth ёshtё vёllazёria Gjeçaj e Dednikajve tё Shalёs. Nga kjo vёllazёri ёshtё frati i njohur jo vetёm nё Theth, Dukagjin dhe Shqipёri, por edhe mjaft mё gjerё nё botё, At Daniel Gjeçaj. Ky emrin e pagëzimit e kishte Mark Prela. Me shugurimin frat ka marrë emrin Daniel Gjeçaj. Pikёrisht nё kёtё vllazёri ka prejardhjen edhe At Shtjefёn Gjeçovi. Kёtu do tё paraqesim brezat e tyre, sigurisht, mbi bazёn e tё dhёnave tё shkruara nё librin e autorit Tonin Alia, por edhe tё tjera shkruara e të mbledhura nё kohё tё ndryshme.
Për vëllazërinë “Gjeçaj” në Theth, në një studim gjenealogjik të mëparshëm, të botuar tashmë, kemi identifikuar pesë vëllezër nga kjo vëllazëri. Në hulumtimet e fundit na del se një vëlla (djali i Gjeçit) është larguar afër dhjetë breza më parë dhe siç e pranojnë dhe besojnë pasardhësit e tyre, u vendosën në Kryezi të Pukës dhe ruajtën lidhjen e brezave deri te “Gjeçi”. Brezi i sotëm i tyre, se janë shaljanë nga Shala e Dukagjinit të Shkodrës, janë të sigurtë, por, tashti edhe me lidhjen të drejtpërdrejtë me “Gjeçin” e Dedë Nikës, vëllaun e Pec Nikës, janë bindur/siguruar, madje ndjehen shumë mirë për gjetjen e rrënjëve të tyre të hershime.
Nuk dihet se pse u largua djali i Gjeçit, Alia, nga vëllazëria e tij nё Theth, pёr tu vendosur nё Kryezi, por një gjë është e sigurtë se, pavarësisht faktorëve që ndikojnë në shpërnguljën a largimin e një njeriu, një familje, një grupi, apo të një fisi, në të gjitha rastet bëhet për një jetë më të mirë. Gjatё qendrimit nё Theth nё 1916-17 duket se nuk e ka cekё aspak çështjen e lidhjes së gjakut me Gjeçajt, Thethin apo Shalёn, ndoshta edhe për arsye kohe, pasi ka qendruar vetëm 7 – 8 muaj.
Në Theth (Dednikaj), brezi i sotëm i vëllazërisë “Gjeçaj”, deri tash, nuk ka njohuri për lidhjen me familjen “Gjeçi” në Kryezi të Pukës, por nuk e mendojnë të pamundur, pasi nga kjo vëllazëri, por edhe nga vëllazëri të tjera të Dednikajve (Thethit), ka pasur shpërngulje e largime, disa prej të cilave janë identifikuar, prandaj e quajnë “të mundur këtë lidhje”, krahasimisht edhe me vëllazritë e tjera.
Sipas njohurive të deritashmë, lidhja e brezave midis fisit Alia, rrjedhimisht edhe të At Shtjefën Gjeçovit, nga Kryeziu në Pukë dhe familjes së At Daniel Gjeçaj nga Gjeçajt e Dednikajve në Theth, është kjo:
Gjeçaj-Theth Aliaj, Kryezi-Pukë
1.Nikollё (Lin) Eduard –
2.Gjelosh Ndoc –
3.Lucё Mark (Daniel) Dedё –
4. Prelё Ndue –
5.Gjelosh Dodё Shtjefën
6.Lucё Ali Mat
7.Gilё Mark Petër (Pjetër
8.Martin Demё Prend
9.Ndreth Ali
10.Gjeç
11.Dedё
12.Nikё
13.Pec
14.Pec
15.Nikё
16.etj…
Edhe në rreshtimin e brezave nuk janë larg At Danieli dhe At Gjeçovi. At Danieli shkon në shtatë brez deri te i pari i tyre Gjeçi, ndërsa At Gjeçovi, për shkak edhe të ecjes më të ngadalshme të brezave, siç e kemi thënë edhe më parë, shkon në pesë breza. Pra, fisi “Gjeçi” i Kryeziut në Pukë, lidhjen gjenealogjike e ka me vëllazërinë Gjeçaj të Dednikajve në Theth.
Kultura, vetëdija popullore, është si një relike e artë, në kujtimin e njeriut, e mbuluar nga mjergulla e kohës dhe pakujdesia, e, që zbulimi i saj kërkon durim, njohje, kulturë, aftësi, sepse njeriu fsheh vlera të cilat duhet të bëhen të ditura. Njeriu ka vlera, te një rrudhë në ballë, te thinjat, te shikimi i thellë, te dora me kallo nga puna, etj.
Zbulimi dhe sjellja në vetëdije e djepit kulturor, etnik, është detyrë, që duhet të përcillet me dashuri ndër breza. Tradita krijon vetëdije në se përcillet dhe për këtë duhet të punohet dhe të shkruhet sot që nesër mos të jenë vonë. Kush ka një ëndërr duhet të kërkojnë, të hulumtojnë, të studiojnë e të ballafaqojnë. Pra, të mos dorzohet, të mos lodhet, se për ndryshe ëndrra mbetet vetëm ëndërr. Shembull konkret është familja “Alia” nga Kryeziu i Pukës, e cila ka kërkuar dhe gjetur rrënjët e kahershme të vetat deri dhjetë breza, apo afër tre shekuj më parë.
Burime:
1. Alia, Tonin, “Aliajt e Kryeziut (Pukë) paraardhës të Gjeçovit”.
2. Andoni, Ben “Shqiptaret”.
3. At Karma, Gjon, “Nder Malet Tona”.
5. Të dhëna gojore nga Hil Alija.
6. Të dhëna gojore nga Gjelosh Luca (Gjeçaj-Theth)
7. Të dhëna gojore nga Kolë Noshi (Gjeçaj-Theth)
8. Gazeta “Tirana Observer datё, 27 gusht 2013
9. Gazeta Jeta e Re, Shkodёr, 1981
10. Mata, Ruzhdi “Shtjefёn Gjeçovi, jeta dhe veprat”.
11. Prof. Buda, Aleks “Studime historike II”.
12. Prof. Osmani, Shefik “Fjalori i Pedagogjisё”.
13. Shyti, Luigj “DUKAGJINI-rrugёtim nё gjenezё”.
14. Gazeta “Veterani”, Tiranë, maj 2020, nr.05, f.12.
15. Gazeta e Alpeve, 15-31 Maj 2020, f.9-10.