“ÇIFTI I LUMTUR”, – KOMEDI APO KINOKOMEDI?… TË PËRBASHKËTAT DHE TË VEÇANTAT…
-Optikë shqyrtimi-
Në vazhdim të hulumtimit dhe optikës shqyrtuese të premierave dhe shfaqjeve të dhëna në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës e më gjerë; edhe pse kanë kaluar 47 vjet, komedia “Çifti i lumtur” nuk ka njohur zbehje por vetëm shkëlqim, i cili ka ardhur duke u shtuar. Ky shkëlqim i pashuar i ka ardhur, në saje të vënies mjeshtërore në skenë nga regjisori Serafin Fanko, të interpretimeve mahnitëse të Bep Shirokës, Tinka Kurtit, Vitore Ninos, Marije Qyrsaqit… etj. Të mos harrojmë edhe tekstin plot situate humori e batuta brilante të autorit të kësaj komedie, Bik Pepa. Dy fjalë për Bikun. E nisi që i ri veprimtarinë e vet krijuese e artistike. Fillimisht u shfaq si poet lirik, duke demonstruar talent premtues në lirikën e dashurisë e atë meditative, përmes poezive, si: “Më ka ra mall”, “Farkëtari”, “Je vjeshtë e gjelbërume, pranverë në vjeshtë” dhe të tjera që janë botuar në organet e shtypit të kohës. Por jeta e tij krijuese e artistike do ti përkushtohej teatrit të estradës. Pikërisht, këtu, shpërfaqet talenti i Bik Pepës, një talent që zbukuroi polifoton e aktorëve profesionistë të Estradës profesioniste të teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
2. Komedia “Çifti i lumtur”…
Po çfarë na thotë “zëri” i arkivit përmes shënimeve të aktorit Paulin Lacaj? Lexojmë: “Sot me daten 14-12-1974, Në Salonin e madh, ju paraqit publikut të Shkodrës, me premjerën e re “Çifti i lumtur”. Komedi nga Bik Pepa. Regjisor: Serafin Fanko. Skenograf: Zef (Bep) Shiroka. Inspektor skene: Çesk Vuksani. Interpretuen si poshtë shënohen: 1.Fanatiku – Zef (Bep) Shiroka, 2.E shoqja – Tinka Kurti, Art. Merituar; 3.I biri – Nefail Piraniqi, 4.Halla e Fanatikut – Vitore Nino, Art. Merituar; 5.Përparimtari – Ramiz Rama, 6.E bija – Marije Qyrsaqi, 7.Brigadieri – Edmond Mëhilli, 8.Kryetarja e Kom. Profesional – Ana Gjini, 9.Lektori – Petrit Turja, 10.Roja – Gjon Kola.
-Komedija u përsrit disa herësh. Më konkretisht: -Deri me 26.12.1974, komedia u dha 7 herë, me një shikueshmëri prej 3400 spektatorësh.”
3.Pak nga përmbajtja…

Duke ruajtur konteksti historik dhe kohor që u dha Komedia, po themi ca fjalë për të, më shumë për arsye kujtese. “Komedia godet disa zakone prapanike. Autori ka marrë si shkas të komedisë, martesat me fe të ndryshme në qytetin e Shkodrës. Në një fragment teksti lexojmë: “Sa martesa me fe të ndryshme, bëhen sot në qytetin tonë?” – pyet autori Bik Pepa. Lexojmë, përsëri, në tekst: “Bëhen, por jo në atë shkallë, që dëshirojmë ne.”
Në komedi, janë dy familje shumë të mira, të lidhura me pushtetin, me punën, me aktivitetet e përditshme socialkulturore, etj. Dy familje që ecin me kohën. Mes këtyre familjeve ka filluar një ngatërresë! Babai i njërës prej këtyre familjeve, megjithëse është njeri i mirë, punëtor i dalluar, etj., ka një të metë: akoma nuk është shkëputur nga një mentalitet i së kaluarës. Dashje pa dashje, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme, kur vjen puna te ky problem, sikur… ngec, bëhet i pafuqishëm. Ai, në sipërfaqe, sikur është kundër kësaj gjëje, por nga ana tjetër, nuk e largon mentalitetin e tij. Fanatiku në “odisenë” e tij herë pas here bëhet qesharak. Ai është i rrethuar nga shokë e miq të mirë, të cilët e ndihmojnë të dalë nga kjo gjendje dhe arrijnë t’ia dalin.
Një linjë tjetër në këtë komedi është dhe dashuria e dy të rinjve, të cilët dashurohen e duan të martohen. Fanatiku i pengon. Të rinjtë u drejtohen për ndihmë pjesëtarëve të familjes, të shoqërisë, etj. Këta, me veprimet e tyre, përdorin të gjitha mjetet që të triumfojnë dashuria e dy të rinjve.
Në komedi, është edhe një personazh, një grua 70-vjeçare, me përvojë jete. E mençur, e ditur. Ajo është një cicerone, që në komunikim me Fanatikun, dalëngadalë e me durim, i fal dritë përparimi e progresi atij, pra i hap sytë.”
Shënim: Material arkivi. Është shkurtuar dhe ndërhyrë, pasi është parë e nevojshme.
4.Kronikë kulturore.

Shfaqjen e komedisë “Çifti i lumtur” e pasqyrojnë përmes informacioneve gazetat e ndryshme periodike, si: “Jeta e re”, 18.12.1974; “Puna”, 20.12.1974, “Bashkimi”, 21.12.1974, 18.01.1975; “Drita”, 29.12.1974., etj.
5.”Çifti i lumtur” (kinokomedi), prodhim i Kinostudios “Shqipëria e re”, 1975
Skenari: Kiço Blushi, Piro Milkani, Bik Pepa; Regjisor: Piro Milkani; Operator: Bardhyl Martiniani; Piktor: Ksenofon Dilo; Kompozitor: Agim Krajka. Interpretuan: B. Shiroka, V. Nino (Artiste e Merituar), N.Kanxheri, M. Qyrsaqi, etj.
“Filmi artistik “Çifti i lumtur” është një kinokomedi e re e realizuar në bashkëpunim me trupën e Teatrit Profesionist “Migjeni” të Shkodrës.

Filmi trajton një problem aktual, luftën kundër paragjykimeve fetare, paragjykime që ndihen akoma aty këtu tek ndonjë individ i veçantë.
Një djalë dhe një vajzë punojnë bashkë në pultin e komandimit të një hidrocentrali të madh. Në punë e sipër ata janë njohur, janë dashuruar dhe janë të vendosur të bashkohen për gjithë jetën. Duke qenë përparimtarë, babai dhe familja e vajzës e miratojnë pa hezitim vendimin e dy të rinjve. Ndërsa babai i djalit, tek i cili janë vënë re edhe më parë disa shenja të fanatizmit fetar, ndonëse i rrethuar nga një opinion i shëndodhë shoqëror e familjar, mundohet t’i maskojë konceptet e veta. Në ndeshje me djalin, gruan, babanë e vajzës dhe hallën, krijohen situata komike që e shoqërojnë filmin nga fillimi deri në fund. Ne qeshim me këto koncepte anakronike dhe vemë në lojë ata që akoma i mbartin këto koncepte.

Filmin e përshkon një atmosferë e gëzuar dhe optimiste…” (Pjesa e këtij teksti është marrë nga fletë volanti shoqërues i premierës “Çifti i lumtur” (kinokomedi).
Ndërsa “zëri” arkivit të teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nëpërmjet aktorit Paulin Lacaj, na thotë: “Sot me dt. 19-10-1975 ju paraqit publikut të Shkodrës, me premjeren e re “Çifti i lumtur” (Kinokomedi), film, realizim i Kinostudios “Shqipëria e re” në bashkëpunim me kolektivin e Teatrit “Migjeni” Shkodër. Premjera e filmit “Çifti i lumtur” (Kinokomedi) u shfaq në Shkodër, me dt. 19-10-1975, pat sukses të jashtëzakonshëm tue u lavderue të gjithë interpretët për interpretimin e mirë të rroleve të tyne, siç bajnë fjalë edhe gazetat…” Për premierën e kinokomedisë ka edhe këtë shënim: “Premjerë (Kinokomedi) film, Shkodër, 19-10-1975; 550 spektatorë”.
Me rastin e dhënies së premierës, kolektivi i teatrit “Migjeni” të Shkodrës falënderon Kinostudion “Shqipëria e re”, përmes këtij teksti: “Për kolektivin e teatrit “Migjeni” dhe për artdashësit e qytetit tonë është një ngjarje e shënuar shfaqja e filmit “Çifti i lumtur”, realizim i Kinostudios “Shqipëria e re”, në bashkëpunim me kolektivin tonë.
Artdashësit e rrethit tonë janë njohur me komedinë e Bik Pepës me të njëjtin titull, vënë në skenë nga regjisori Serafin Fanko, që teatri ynë ka shfaqur me sukses në qytete dhe fshatra, dhe e kanë ndjekur me interes atë, për vlerat ideoartistike që ka. Dhe, ja tashti, pas një pune këmbëngulëse të autorëve të filmit, kolektivit të Kinostudios me në kryer regjisorin Piro Milkani dhe të aktorëve e punonjësve tjerë të teatrit “Migjeni”. Artdashësit shkodranë presin po me interesim shfaqjen e këtij filmi… …”.
Shënim: Material arkivi. Është shkurtuar dhe ndërhyrë, pasi është parë e nevojshme.
5.Jehona e Kinokomedisë në shtypin e kohës…

Gazeta “Jeta e re”, 08.11.1975, titulli i shkrimit: Kinokomedia “Çifti i lumtur”, autorë: Neki Lezha, Skënder Drini
Kinokomedia “Çifti i lumtur” prodhim i kinostudios “Shqipëria e re”, në bashkëpunim me teatrin “Migjeni” është një sukses në kuadrin e realizimeve të fundit, veçanërisht në zhanrin e filmit humorisrtik.
Sadoqë si filmi, si skenari në përgjithësi janë ngritur mbi tekstin letrar të komedisë me të njëjtin titull, prap se prap materiali ekzistues ka gjetur një trajtim logjik më të gjerë, një vijueshmëri dhe saktësi më të madhe në trajtimin e subjektit, falë atyre mundësive që të jep kinematografia e ngritur mbi një koncept të saktë dhe të drejtë regjisorial. Kështu tema e filmit, sadoqë e njohur që më parë nga spektatori i teatrit, krijon emocione dhe përshtypje të reja, për sa i përket shtrirjes, plotësimit të karaktereve, konseguencës në dhënien e tipave hapësirë më të madhe, në të cilën ata lëvizin, që jep mundësi t’i shohim ato gjallërisht në jetë.
…
Kemi përpara sysh një njeri që sillet në dy mënyra: në shoqëri betohet për të renë, në familje mbron të vjetrën. Megjithatë, do të thoshim që siç është paraqitur, ai nuk është hipokrit, po një njeri madje ku ndjenja e diferencës fetare dhe e vetë fesë është mjaft e tronditur nën ndikimin e shoqërisë, por që prap ruan në vetvete disa pranga që e mbajnë të lidhur pas të vjetrës. Mendojmë që ai nuk sillet si përparimtar vetëm për t’u kamufluar, por në një atmosferë të tillë shoqërore ai absorbohet prej saj, nuk ka si t’i imponohet asaj, bie nën ndikimin e saj. Në familje ndodh e kundërta. Kështu kundërvënia është e dobët (një nga dobësitë e komedisë, si dhe e skenarit të filmit kjo).
…
Regjisura ka ruajtur drejt raportet e konflikteve dhe të natyrës së tyre joantagoniste, që ka përcaktuar me të drejtë ngjyrën gazmore, por edhe njëkohësisht goditëse të atmosferës humoristike që sundon në film. Atë e përshkon tej e mbanë ndjenja e humorit, që jeton në mospërputhjet e dhëna në batutën e zgjuar dhe plot shije, në gjestikulacionin shprehës, që krijon efekte të natyrshme, pa sforcime dhe artificialitet.

Suksesin e filmit e siguron në një masë të konsiderueshme interpretimi i tij. Interpretuesit e “Çiftit të lumtur”, megjithëse të papërvojë në kinematografi, bënë një figurë të pëlqyeshme në përgjithësi. B. Shiroka krijoi një figurë komplekse, bindëse, na e dha babanë prapanik në dy plane: brenda dhe jashtë familjes. Në të dy planet shquhet për origjinalitet, për kërkim, për atë ekspresion aktorial që lidh kinematografinë me spektatorin. Duke qenë në epiqendër të humorit, ai mban një ngarkesë të madhe dhe ka ndonjë rast kur loja e tij bie dhe ai nuk imponohet dot (skena e mbledhjes, për shembull). Artistja e merituar Tinka Kurti, do të thoshim që me lojën e saj plotësoi disa mundësi që nuk ia jepte skenari. Bindëse, plot elegancë dhe dinamizëm me një gjestikulacion ku shkrihen humori dhe logjika, krijoi një figurë simpatike që spikat për ngrohtësi dhe sinqeritet. V. Nino na dha një hallë ku spikat humori i shëndoshë popullor, një hallë që do të ruajë sensin e masës, por njëkohësisht të kundërballafaqojë nipin me mbeturina. Çifti i të rinjve bëri një figurë të mirë. M. Qyrsaqi tregoi mundësitë e interpretimit të saj edhe në kinematografi. Loja e saj është elegante, e pastër dhe pa sforcim. Me vërtetësi dhe natyrshmëri luan Niko Kanxheri. Si çift arritën të krijojnë atmosferë optimiste, plot përmbajtje emocionale. N. Xhoja dhe P. Preka i justifikuan rolet e tyre. I pari në rolin e babait të vajzës dhe i dyti si brigadier, dhanë figura me diapazon dhe vërtetësi. Megjithëse në rol episodik, J. Alia fiksoi me talent një moment të vajzës shkodrane në të kaluarën.
Gazeta “Bashkimi”, 07.11.1975, titulli i shkrimit: “Çifti i lumtur”, autori: Muharrem Fejzo
…

“Çifti i lumtur” në ekranizimin e regjisorit Piro Milkani ka “braktisur” tre muret e skenës dhe është hedhur në ambientët e gjalla plot dritë e optimizëm, duke i shtuar filmit dinamizmin e ditëve tona plot patos revolucionar. Ky ballafaqim me realitetin nxjerr më tepër në pah njeriun me dy fytyra, konservatorin duke evidentuar kështu atë çka nuk i përket kohës sonë, por që ende nuk është shkulur nga ndërgjegjja e këtij babai anakronik.
Ai stonon me realitetin, prandaj situatat e zbërthejnë atë duke shkaktuar kështu të qeshurën, që është dhe qëndrimi aktiv i spektatorit kundrejt mendimeve dhe veprimeve të tij. Megjithatë vihet re që jo gjithmonë është pasur parasysh që ambienti të komunikojë, të jetë aktiv dhe emocionant. Shkodra e ditëve tona ka plot këndshikime interesante dhe të bukura, të cilat do t’i shtonin vlerat e filmit nga ana grafike.
…
Materiali dramaturgjik i përdorur nga Bik Pepa në spektakël, i udhëhequr nga regjisori Serafin Fanko, është trajtuar me freski dhe emocion. Zbërthimi regjisorial në teatër, bashkëpunimi me shokët e teatrit “Migjeni” kanë ndihmuar së tepërmi ecurinë e punës për ekranizimin e kësaj komedie nga grupi xhirues. Por ajo që të bën përshtypje të thellë në këtë ansambël aktoresk është loja plot fantazi e aktorit Bep Shiroka. Babai fanatik (pa emër) i Bepit është një zbulim për komedinë tonë. Ai diti me mjeshtëri, të vizatojë bukur portretin e dyfishtë të fanatikut “përparimtar”. Plot ngjyra, nuanca dhe plastikë vihen re në bagazhin e e këtij aktori të talentuar. Figura artistike e krijuar prej tij është një realizim i suksesshëm në artin e humorit tonë të shëndetshëm. Fanatiku i Bepit i kalon situatat me zgjuarsi, mundohet me çdo mënyrë të “rrëshqasë” që të mos i ngulet asnjë gjemb.
Përkrah aktorit Bep Shiroka krijon dhe vepron aktorja e mirënjohur, Artistja e merituar Tinka Kurti. Loja e saj e natyrshme, e harmonishme dhe e saktë është bindëse. Fjala e saj është vepruese. Tërësia e lojës dhe e personazhit të krijuar nga Tinka bëhet sfond aktiv ku zbërthehet i gjithë botkuptimi i kalbur i të shoqit. Në qëndrimin ndaj të shoqit Tinka vepron me takt dhe dashuri. Ajo së bashku me grupin e elementëve pozitivë që dominojnë në film godet me vendosmëri çdo njollë të së kaluarës në ndërgjegjen e të shoqit, por këtë e bën me dashurinë e gruas besnike e të devotshme.
Artisti i Popullit Nikolin Xhoja (mysafir në këtë ansambël së bashku me Niko Kanxherin) interpreton rolin e babait përparimtar. I thjeshtë dhe shprehës, megjithëse në një “terren” të kursyer, Nikolini u bë i dashur për spektatorin.
Personazhet e tjerë (pa emër dhe këta?!) të individualizuar nëpërmjet lojës së Artistes së Merituar V. Nino, të N. Kanxherit dhe M. Qyrsaqit me lojën e tyre realiste të lënë mbresa. Megjithëse kinokomedia është gjinia më e vështirë, realizuesit e filmit kanë mundur të japin një krijim ku humori rrjedh këndshëm, pa sforcime e gjestikulacione të panevojshme. Situatat krijojnë emocione.
Një e metë që vihet re në këtë film (që për kinokomedinë është e domosdoshme) është ritmi, sidomos ritmi brenda kuadrit. Ai duhet të ishte më dinamik. Kështu dhe ndërtimet e mizanskenave nuk janë shkëputur dot nga ato të skenës së teatrit.
Gazeta “Puna”, 14.11.1975, titulli i shkrimit: “Një film i bukur me temë nga jeta jonë e përditshme”, autorë: Natasha Graca, Flora Hasani, Liri Faja, Linduri Rapçe, Ferdi Ullorja, Hatixhe Reka në ndërmarrjen e furnizim-transportit në kombinatin metalurgjik Elbasan
Këto ditë, në kinematë e qytetit tonë u shfaq filmi i ri artistik shqiptar “Çifti i lumtur” sipas komedisë me të njëjtin titull të Bik Pepës.
Skenaristët e filmit Kiço Blushi, Piro Milkani, operatori B. Martiniani, piktori Ksenofon Dilo, kompozitori Agim Krajka, aktorët e realizuesit e tjerë të filmit, arritën të na japin një realizim të mirë që ka tërhequr vëmendjen e spektatorëve. Është kjo arsyeja që megjithëse ka ditë që shfaqet në kinematë tona, mezi siguron bileta për të parë filmin. Ç’gjë ka siguruar këtë sukses të madh tek spektatorët?
Jemi të mendimit se ajo që e ka bërë interesant filmin është tema e ditës që trajton ai.
…

Ngjarjet rrjedhin natyrshëm. Personazhet janë punëtorë të thjeshtë. Autorët e filmit na krijojnë situata plot humor e me kulturë, gjithë gaz e jetë.
Na u duk interesante, dhe kjo mendojmë se e bëri filmin mjaft të bukur, linja e dashurisë së dy të rinjve. Është një gjë shumë e mirë dhe ne do të dëshëronim të shihnim më shumë filma me temë nga puna dhe jeta e rinisë sonë. Linja e dashurisë së tyre është e bukur, e pastër. Të dy janë personazhe të dashur për publikun e këmbëngulës që luftojnë për të realizuar dashurinë e tyre.
…
Atë e rrethon kudo një ambient i shëndoshë në punë, në shoqëri e familje. Këtë e shohim më mirë në mbledhjen e kolektivit të ndërmarrjes ku kritikohet bukur e drejt qëndrimi i babait të djalit. Veçse vajtja e hallës atje, diskutimi i saj në mbledhje, na duket si një zgjidhje artificiale që i çon ngjarjet drejt fundit. Ngjarjet mund të kishin marrë rrugën e tyre të natyrshme edhe pa vajtur halla në mbledhjen e kolektivit.
…
Na pëlqen loja e bukur, e thjeshtë, e ngrohtë e me natyrshmëri e aktorëve Bep Shiroka, Vitore Nino, M. Qyrsaqi e Niko Kanxheri, Nikolin Xhoja, Tinka Kurti e deri ajo e aktorëve që interpretojnë role episodike. Mendojmë se aktorët e rinj M. Qyrsaqi e N. Kanxheri janë me të dhëna shumë të mira e mund të angazhohen mirë edhe në filma të tjerë me temë nga jeta e rinisë sonë.
Gazeta “Drita”, 30.11.1975, titulli i shkrimit: “Çifti i lumtur”, autori: Esat Ibro
…
Aktorët, në përgjithësi, u janë përshtatur roleve që interpretojnë. Ata krijojnë një ansambël që harmonizohet mirë në tërësinë e zhvillimit të ngjarjeve dhe situatave që krijohen në film. Ndërsa aktorët që interpretojnë në rolet e përfaqësuesve të së resë përparimtare si Tinka Kurti, Artiste e merituar (nëna e djalit), Niko Kanxheri (djali), Marie Qyrsaqi (vajza), Nikolin Xhoja, Artist i Popullit (babai i vajzës) etj., veprojnë shumë realisht e natyrshëm, Bep Shiroka (babai i djalit) luan në grotesk duke “stonuar”, në këtë mënyrë, me të gjithë të tjerët. Por, pikërisht, ky konceptim regjisorial e bën interpretimin e tij të besueshëm e real, e bën të jetë pikërisht personazhi që kërkon dramaturgjikisht ideja kryesore e veprës filmike. Ai është njeriu që stonon në të gjithë zhvillimin revolucionar të jetës sonë ndaj dhe është qesharak, por duke qenë yni ai ndihmohet nga të gjithë që të hyjë në një radhë me ta si ndërtues i ndërgjegjshëm i shoqërisë socialiste, jo vetëm në uzinë, ku është punëtor i dalluar, por në të gjitha aspektet e jetës sonë. Loja e bukur e aktorit Bep Shiroka i zbulon e i demaskon me vërtetësi të gjitha shfaqjet regresive që mbart personazhi që mishëron. Ai ka një lojë plot kolorit e nuancë që edhe pa fjalë flet shumë. Mjafton të përmendim këtu portretin e tij, sidomos në dekor. I saktë e energjik është edhe interpretimi i aktores T. Kurti. Domethënëse janë ndërhyrjet e saj me humor në skena të ndryshme si p.sh. në skenën kur, duke luajtur rol të dyfishtë, gjoja akuzon djalin që ka lënë vajzën jashtë. Edhe dy të rinjtë, me interpretimin e tyre të ngrohtë e realist e kryejnë funksionin që kanë në vepër.
Por, megjithëkëto, zbërthimit sa më të plotë të idesë do t’i shërbenin dhënia më e mirë e disa skenave që autorët dhe regjisori i kanë kaluar shkarazi. Kështu, p.sh. mbledhja e kolektivit në uzinë është e zbehtë dhe e organizuar dobët. Diskutimet e atyre pak punëtorëve që i shohim duke folur janë të cekta, të sipërfaqshme dhe nuk e ndihmojnë babain fanatik të djalit për t’u korigjuar. Përkundrazi, mbledhja mbyllet pikërisht në kohën kur shokët e tij të punës duhet të demaskonin me forcë këto koncepte të huaja për ne e t’ia bënin të qartë rolin negativ, reaksionar të tyre.
Fillimi i filmit është pak i zgjatur, gjë që ul koncizitetin dhe ritmin e tij. Edhe mbas finales ritmi luhatet e në ndonjë vend bie, në krahasim me skenat e tjera. Një punë më e studiuar dhe më e kujdesshme duhej të ish treguar për kollonën zanore, dobësi të së cilës ndihen në film, sidomos në skenat e dekorit.
…
Revista “Nëntori” Nr. 12 / 1975, titulli i shkrimit: “Shënime për një kinokomedi të re (“Çifti I lumtur” në ekranin tonë), autori: Fluturak Gërmenji
…
Të bie në sy se regjinë dhe autorët e skenarit i ka “rrëmbyer” situata bazë humoristike dhe nuk janë përpjekur për të gjetur momente të tjera të larmishme e të freskëta, por disa herë i kanë krijuar ato artificialisht, sipas kërkesave të idesë së filmit. Kjo e ka dëmtuar kinospektaklin, sepse i ka hequr, në një farë mase, natyrshmërinë artistike. Logjikën e brendshme të personazheve e zbeh, sigurisht jo në të gjithë filmin, dialogu i krijuar për të qeshur dhe efektet e jashtme. Mendojmë se kjo mund të shmangej duke ndjekur zhvillimin e çdo personazhi sipas situatës bazë të kinokomedisë. Në qoftë se personazhet do të ishin të zbërthyer në koherencën e tyre do të arrihej një ritëm në ngritje gjatë gjithë kinokomedisë, por ai vende vende bie dhe dialogu ngrihet mbi veprimet dhe situatat humoristike disa herë të montuara.
…
Aktori Bep Shiroka, duke nënvizuar anën kryesore të rolit të vet, vazhdimisht krijon një të qeshur që buron me natyrshmëri nga veprimet, gjestet dhe mimika e tij. Në mjaft plane ai kërkon t’u mbushë mendjen të tjerëve se është “parimor”, se i “godet” fanatikët, qofshin këta edhe “shokë” të tij, por kur vjen momenti që ai ballafaqohet me kolektivin në mbledhjen e organizuar në kuadrin e luftës kundër zakoneve prapanike, vetëdemaskohet. (Megjithatë, mbledhja duhej të ishte më e organizuar dhe të dilte në pah forca e kolektivit).
Interesant është edhe interpretimi mjaft i gjetur i aktorit Niko Kanxheri, i cili na jep me lëvizje të kursyera gjendjen e brendshme të personazhit që mishëron. Te ky autor të bie në sy qëndrimi i lirshëm përpara kameras, gjë që është shumë pozitive, sepse vendos lidhje të drejtpërdrejta të aktorit me spektatorin. Ky aktor, me interpretimin e tij të saktë, e ka plotësuar deri-diku këtë personazh në ansamblin e përgjithshëm kompozicional të filmit. Themi deri-diku, sepse ky personazh është pak i jashtëm në linjën kryesore të filmit, mbasi duhej të ishte dhënë më tepër aktiv, pra, si rrjedhim, do të kishim një personazh më të plotë, më veprues. Aktori Niko Kanxheri, me lojën e vet në kinokomedinë “Çifti i lumtur”, tregoi se është mjaft premtues në këtë gjini.
Të gjetura janë dhe portreti e lëvizjet e hallës përparimtare, interpretuar me mjaft ngrohtësi nga Vitore Nino, Artiste e Merituar. Ajo nxjerr në dukje të gjitha karakteristikat e personazhit, me një interpretim të realizuar të rolit të vet, që zbërthehet nëpërmjet veprimit dhe situatave humoristike pa gjeste të tepruara.
Fjalë të mira duhen thënë dhe për aktoren Marije Qyrsaqi, e cila, në rolin e saj të parë në kinematografi, qe e natyrshme dhe arriti të realizojë, në përgjithësi mirë, figurën e së resë që lufton për të drejtat e saj, duke afirmuar kështu personalitetin e vet.
6.Të përbashkëtat dhe veçantitë… (Vështrime krahasuese, vlerësuese dhe mangësi)
Komedia “Çifti i lumtur” u shfaq më, 14.12.1974, ndërsa kinokomedia “Çifti i lumtur” u shfaq si premierë më, 19.10.1975; prodhim i Kinostudio “Shqipëria e re”, Tiranë 1975. Komedinë nga Kinokomedia e ndan një periudhë kohore, afërsisht, prej 10 muajsh. Pra, kur komedia “Çifti i lumtur” ishte ende në fazën “e nxemjes”, kur nuk ishte shfaqur më shumë se 7 (shtatë) herë, në mënyrë të papritur (në mënyrë bashkëpunimi) kinokomedia “Çifti i lumtur” “e gllabëroi” komedinë “Çifti i lumtur”. E gjeti të gatshme: në koncept, imazh, platformë, strukturë, interpretim, mizanskena, shpesh në mjedise (dekore të njohura më parë)… etj. Kinokomedia kishte pothuajse të njëjtën fytyrë si komedia falë punës regjisoriale të talentuarit Serafin Fanko. Kaq shumë ngjanin me njëra-tjetrën sikur të ishin motra binjake, edhe pse e para kishte lindur në Shkodër, ndërsa e dyta kishte lindur në Tiranë.
Tani kinokomedia, në udhëtimin e saj filmik, do të fitonte lavdi e sukses, si rrjedhojë e lavdisë e suksesit që i jepte orë e çast komedia. Pra, kinokomedia brenda “shtëpizës” së vet i kishte dhënë “shtëpi” komedisë. Kinokomedia “jetonte” në saje të komedisë. Në këtë mënyrë ishte misioni i saj artististik. Dhe si… Në fletëvolantin e komedisë, si dhe në titrat e saj nuk përmendet fare kontributi i regjisorit Serafin Fanko, kontribut që është esencial. Vazhdojmë më tej. Si autorë të kinokomedisë përmenden radhazi: Kiço Blushi, Piro Milkani, Bik Pepa. Mendoj, që i pari duhet të ishte Bik Pepa, sepse ai është autori i pjesës, dhe se kinokomedia operon tërësisht me tekstin e tij. Në të vërtetë kinokomedia ndaj komedisë ka bërë një “shtesë”, i ka dhënë hapësirë, atë hapësirë që të jep filmi. E konkretisht, janë zgjeruar skenat e mbledhjeve kolektive, e demaskimit që i bën kolektivi Fanatikut. Të gjitha këto skena paraqiten në mënyrë steriotipe e vulgare, si mishërim produktesh të sistemit komunist. Në pamjen e parë duket si risi, po jo, estetikisht është e shëmtuar. Pavarësisht se Fanatiku mbart humor, mbi këtë mjet është ndërtuar personazhi i tij, ku aktori Bep Shiroka luan në mënyrë të shkëlqyeshme; figura bëhet qesharake e vetdemaskuese në marrëdhënie me kritikat dhe fjalët e kolektivit. Kjo shihet te lumi i fjalëve që derdhen kundër tij, që shpesh nuk kanë ngjyrë etike. Këto sekuenca filmike që nuk janë të pakta e të paraqitura me një lloj “triumfi” janë momentet më të indoktrinuara idelogjikisht e politikisht në stofin e kinokomedisë, që e kanë dëmtuar jo pak atë, e kanë vrarë në rrafshin e humanizmit dhe të lirisë vetjake, i kanë ulur vlerat dhe e kanë joshur me “aromën” famëkeqe të realizmit socialist. Ndërsa në komedi këto skena kanë natyrë më të kufizuara dhe përfaqësohen si skenëza, ruajnë sipërfaqe të vogla zgjidhjeje të konflikteve. Ndaj, në një masë të konsiderueshme komedia e ka larguar “sëmundjen” e indoktrinimit, si dhe ka ruajtur “dramaturgjinë” në pikëpamje të vlerave letrare; kur kinokomedia në këtë aspekt ka një hallakatje e raporte të zhdrejta të elementëve dramaturgjikë, që në të vërtetë i manifeston komedia.
Personazhet që interpretojnë në kinokomedi, shumica kanë ardhur nga skena teatrore. Nuk janë “mysafirë”. Janë autoktonë dhe të njohur më parë në skenën e komedisë, si: Bep Shiroka, Vitore Nino, Tinka Kurti, Paulin Preka, Marije Qyrsaqi. Ky staf aktorësh me vlera dhe me portrete të individualizuara ka ardhur i gatshëm, i plotësuar nga laboratori krijues i regjisorit Serafin Fanko, i bashkëshoqëruar më parë me dekoret dhe “personazhet” të krijuara mbi bazën e një tradite shkodrane në lëmin e humorit dhe të satirës, nga aktori Bep Shiroka.
Edhe pse kanë kaluar 47-vjet nga shfaqja e parë e komedisë, edhe pse kanë kaluar 46-vjet nga premiera e parë e kinokomedisë; ende, ndoshta më fuqishëm e më shprehës, veçanërisht në dukuritë e humorit shkodran; komedia “Çifti i lumtur” i autorit Bik Pepa vazhdon t’i falë jetëgjatësi kinokomedisë “Çifti i lumtur”.
Shkodër, tetor, 2021 ( Xhahid Bushati )