Shiu dhe vargu artsitik, ndjenja e shpirtit e brenda kopertinave Libri ‘’SHIU I FSHIU GJURMËT E PARA’’- Autore Nexhare Reçica.
Asgjë nuk ka më bukur se të marrësh detyrë vullnetare, të shkruash për një libër siç është libri ‘’Shiu i fshiu gjurmët e para’’ të autores Nexhare Reçica. Kjo, për faktin se ky libër të detyron të lexosh me një frymë. E para kjo. Kurse e dyta, duhet të përballesh me poezinë e stilit më të përkryer artistik që rrallë ose asnjëherë si gjenë tek poetët e rinj. Kjo tregon se shkathtësia si e tillë e bënë librin vetiu të pamundur tejkalimin e subjektit nga përshkrimi i lartë shpirtëror që autorja di ta bëjë në formë më të bukur me një taban sa artistik, po aq edhe me filtra të artit modern poetik. Prandaj, kështu, edhe më tepër lexuesi fjalën e bënë si qëmtim të së bukurës. Kjo hetohet në poezinë:
SA ÇUDI
Kur sheshi e
Merr emrin tim
Dhe m’a kërkon pishën në dorë
Në koren e bukës së kripur
Më mbeti buza ime e hollë!
Kështu rrallëherë ndodh që përshkrimi i së bukurës, të mëton apo ta shpjegojë atë, të hedhur ne vargun e poezisë, si një dritë në fshehtësinë që bukuria e rishfaq si një bukë e kripur. Prandaj, sidoqoftë është dhe do të mbetet për nga përkufizimi i së bukurës estetike edhe pastaj, – të jetë vetë mrekulli e vargut poetik. Si shembull është poezia
NUK TREGOJNË
Nuk e di, pse më mori malli
Ta shoh Shkupin, Barin?
Që i fusin duart thellë në ujë
Dhe i tërthorzojnë.
Poetja, në secilën poezi , duket se ka një thellësi, e po aq gjerësi të mendimit të thellë. Prandaj, poetja Nexha Reçica, duket se tashmë guximshëm po hyn në thellësinë e poezisë apo këtij ‘’deti të trazuar’’ siç e quajnë shpesh vetë poezinë, për faktin se poezia është sfidë për lexuesin e poezisë. Poetja, jo pa qëllim në secilën poezi, bile të thuash edhe në secilin varg, bën përpjekje ta krijojë një lloj universi poetik. E kjo domosdo, se ngjason dhe i përngjasin poezisë së re e cila gjithsesi se frymon të jetë një lloj dielli, për të ngrohur zemrën, edhe në mot me shi. Kjo shihet si një shembull tipik në poezinë:
HARRESË
Ajo e mori trëndafilin e egër
Dhe e mbështeti në buzë,
E hapi derën e shtëpisë
E të dhomës së vet
E çeli me grushta!
Poezia e autores këtu duket sikur shpalos nënvetëdijen dhe ndjenjat e fshehura në skutat më të thella të shpirtit të saj; duke përdorur simbolikën e lules me trëndafilin e egër, figuracion që shumë poete që nga renesanca e përdorin si një simbolikë të dashurisë së vështirë apo siç jemi mësuar ne shqiptarët ta quajmë dashuri të ndaluar. Kjo si figurë artistike shihet në këtë poezi
NË FSHATIN KU NUK PIHET VERA
Në fshatin ku nuk pihet vera
Fshatarët i veshin vajzat
Me xhubleta para se të nisen
Për nusëri!
Duke u lidhur me titullin, në rastin e shiut që bie rënia/reshja/ ngjan e natyrshme dhe e përkufizuar, por gjuha artistike e poetes i tejkalon klishetë e dikurshme. Sepse tani më edhe poezia ka bërë ndryshimin epokal, tek lexuesi i saj. Poezinë duke e trajtuar tani më si një pjesë domosdoshmërie për jetën e secilit
VAJI I DASHURISË
Pranoje këtë kujtim
Kur kohët e ndërrojnë klimën
E pagëzojnë veten pa emër!
Kjo e tëra në një mënyrë të thjeshtësuar, thuajse edhe si manare, mund të krahasohet edhe me metodat shkencore të vëzhgimit të ndryshimeve të botës: Ku mund të themi se poezia merr shtegun e mendjes, për të dhënë dritën, qoftë ajo edhe jeshile, për botën e thellë intime, por të shfaqur në publik artistikisht. Këto duken si kuptime ku shiu, edhe qelqi, përzihen me bukurinë e syrit të autores në aratimin poezisë si një zhanër tani më i njohur për autoren. Ku pikat e shiut mbi qelq mund të duken si lot të një artiste që përmbytin jo vetëm lexuesin, por edhe vet botën. Nëse e munguara do të rishfaqej aty pranë, ka shumë figuracion poetik që vetë autorja e përjeton si një mall, pasi malli është vetë si një ndjenjë që kur vije edhe mund të godet, së pari shpirtin e dashuruar apo shpirtin e butë artistik të atyre që e lexojnë mbretëreshën poezi. Meqë përzgjedhja e kthjelltësisë së mendjes pa dashje zbulon rastësinë, ose në aspektin real edhe zbrazëtinë e tmerrshme që tani po përjeton njeriu e sidomos në kohën kur autorja e shkruan librin, pra në vitin e pandemisë, kjo si lirikë, më shumë i ngjanë një lloj indiferentizmi amoral që po mundohet ta lufton autorja e këtij libri, duke sjellë në libër vargje të shpresës së mirë. E kur themi se ekziston mirëkuptimi apo vetë kuptimësia. Prandaj, në të gjitha rrafshet e përjetësimit duket se vijon krijimi i një vetëdijesimi që edhe ka realitetin e vargimit për të përballuar tani qoftë vetminë, apo tejkalimin e kohës heleniane si kali i Trojës,
KALI I TROJËS
Në kalin e Trojës janë mësuar
T’i kërcejnë mbi shpinë
Vetëm ata njerëz që e vizitojnë!
Ata mallkojnë vetën me gishta
Poezia e Nexhare Reçicës, tani më është një model i paparë më parë në poezinë tonë të re. Ajo ka sjellë jo vetëm një tematikë krejt të re, por, mbi të gjitha, një koncept krejt të ri modern mbi krijimtarinë poetike e kjo padyshim se është poezi siç e thamë në fillim se pse lexohet me një frymë. Ndryshimi i ri ka të bëjë edhe me procesin e perceptimit dhe të mishërimit konceptuar, sepse bie fjalë për Kalin e Tojës është shkruar aspekti i tradhtisë, mashtrimit, por, jo dalja në deti, që tregon një gjerësi integrale dhe territoriale e shpirtit njerëzor si një realitetit i integruar në vargun e poezisë. E jo rastësisht si kryefjalë e këtij libri është një pyetje, që e ka përcjellë gjithë jetën shpirtërore autorja në këtë libër, apo është vazhdimi nga libri i parë i sajë e ndoshta do ta vazhdojë në librat tjerë të radhës. Ku poezia, është si një magji e saj artistike, emri sajë duket se shpejtë ka hyrë në letërsi, por aq guximshëm sa vetë lexuesi të thua se e ka ndier këtë nevojë për këtë poezi. Ta lexojmë poezinë e kësaj autore si një poezi me ritmin e zemrës së aktualitetit jetësor ku po kalon Kosova apo nëpër lavdërimin e shtetësisë që nga Arbëria si mund ta shohim në këtë poezi.
VITET E ROZAFËS
Koha nuk pret ka varë diellin
Në maje të kodrës
E mban një emër!
Nga gjaku i ka mbajtur
Eksplorimet e veta rreth qiellit tonë!
Në kohën tonë janë fare të paktë ata të trima nga afërsia e kësaj legjende ajo si legjendë e dikurshme, por kur dielli e varë emrin nën qiellin tonë. Apo kur s’kemi pasur fatin ta shijojmë poezinë si një ndërgjegjësim artistik . Por, poetja Reçica, nuk ia drejton kryesisht këtë përfillje për jetën dhe përditshmërinë sepse qysh në kohët parahistorike folklorike e më vonë në lashtësi, poezia ishte në kërkim të vetvetes, e këtu tani gjithnjë e më shumë po i merr konturat e një plotësie si poezi, e po ashtu edhe si krijimtari që i duhet brezave, sepse brezat e së ardhmes pa këtë stil rikujtimi edhe mund të harrojnë vetveten e duke harruar vetveten harrojnë trashëgiminë. Kjo mund të shihet edhe ne këtë poezi.
UNË E ERA
Eja erë, eja me mua
Më largo atje përtej
Do të jem mirënjohëse
Për gjithherë!
Arti kulturor dhe ky letrar, tani më i ka dhënë shumë frymë, jetesë dhe poezisë, që kanë qëllime motivimi që është motivim për shpresë se ky emër do të na ofrojë edhe shumë e shumë vepra të reja, Nexhare Reçica, edhe emri i kësaj poete, tani nderon letërsinë tonë të re.
Urojmë që veprat e sajë të kenë rrjedhshmëri siç ka vetë lumi!
Qazim THAÇI, Prizren, 2021.