“””””””””””””””””””””
Adem Zeqir Ukëhaxhaj, Besim Bilall Ukëhaxhaj, Faik Jahë Ukëhaxhaj
Në kullë dukagjini më lindi nëna,
E ninullë të trimërisë më përkundi,
Në vjeshtë e në dimër vinin mjergulla,
E në stinë vere dritënaje yjesh më shkundi.
Kulla e Dukagjinit konaku i burrave,
Për asnjë mot nuk u tut’ kurrë,
Me u mëkue me kangë burrash e ninull nane,
Për t’u bërë atdhetar e për t’u bërë burrë.
Pushkë e vjetër në murin e kullës,
Shkund kujtime burrash e prap kryeneçe mbete,
Fjalët plot zjarr i mban në gojën e pleqëve,
Për dhimbjen e fëmijëve shpagim u lyp djemve.
Kanga e lashtë në gropën e lahutës,
I trazon çdo mbrëmje kujtimet e babës,
Me rrudhë dhimbje mbushet balli i rapsodit,
E me dhimbje rrugësh, mbushet vargu i baladës.
Adem Ukëhaxhaj, a thue po ia ze hapat kalit të Mujit,
Lodhe asht, ka disa qind vjeta n’udhëtim ka mbetë,
Po kërkon me i ardhë mu në zemër tokës së Kosovës,
Dhe pse në luftë asht’ vonue, ka ca qindra vjet.
Faik Ukëhaxhaj, a thue n’jelet e kalit të Halilit ke vu duart,
Kali i trimit mes përmes i ka ra e po i bie Krajlisë,
E ka marrë malli trimin e atin e bardhë të bjeshkëve,
Me vrapue maleve e fushave të Kosovës e Shqipnisë.
Besim Ukëhaxhaj, n’Lugje t’Verdha ka mote rrin Omeri i Vogël,
N’shoqni me hanë, vajin e nanës e lisat e ahet asht’,
S’po i ikë vorrit djali dhe pse Ajkuna qindra vjet e lutë,
Po s’tutet kreshniku i vogël me e braktisë tokën e lashtë.
Vlla me vlla e luftëtarë me luftëtarë prap bashkë,
Zakon i burrave, nderës, zakonit e luftëtarit të Dukagjinit,
S’i pamë kurrë ndryshe bre djemtë e Ukëhaxhës njiherë,
Vetëm si shihet dielli në dritë e në luftë fytyrë e trimit.