17.5 C
Tiranë
E enjte, 22 Maj 2025

Ramiz Kuqi

IKIN DITËT…
Si hije nëpër rrugë
E Fjala
S’u mbush kurrë me ëndrra
Sa gota mbi tavernë nate
Me verë Khajami
Ikin
Mes rigave të shiut
Si mes grilave
E njerëzit
Bredhin me kokë të ulur
Duke i matur hapat mbi asfalt
O vjeshtë e verdhë
Që m’i merr pa protokol
Stinët e brishta
Pa buzëqeshje dielli
E mbi këtë tokë
Nuk e di
Ku mbetën shpresat
A thua vallë
Edhe Zoti na ka harruar
Nëse ka Zot?
14.10.2020
“”””””””””””””””””
MES YJESH
Muza
Ka fshehur
Syrin e liqenit
E Fjala
E grish këtë natë
Të ftohtë
Para se të bëhet
Gricë
Ky varg nate
Mes yjesh
Është fshehur
E ligjëron hënën!
14.10.2020
“”””””””””””””

MOS MË FOTOGRAFO, TË LUS!

Të nesërmen e javës së ngrohtë, me diell e pak re andej malit Sharr, A. iku në mëngjes për disa punë ende të pakryera në rrugën ” Bil Klinton”.
Kur kapërceu tek udha e trenit, disa metra larg binarëve ku ishte rritur bari , të cilin nuk e kishte kositur dorë njeriu, sërish i ra në sy papastërtia…shishe , grerëza përplot, të vogla e helmuese e të mëdha, tufë-tufë, sikur aty të ishte zgjua bletësh, hynin e dilnin nëpër vrimat e shisheve të çara.
Te i njëjti gur, të injëjti vend, i njëjti plak i kërrusur, e njëjta letër shtruar në një cep të cimentos. Iu afrova ngadalë dhe e preka, e preka me butësi në cep të krahut. E ndjeu dorën time dhe u zgjua trembshëm e brofi në këmbë.-Të paska zënë gjumi?- i thashë .
-Jo , jo!,- iu përgjegj me një zë si të përvajshëm. Unë dal këtu kur ka diell e kur është ftohtë strukem në atë barakën e vogël atje, e sheh atje, përballë atij pallati e
bëj roje nate.Aty e kam shtratin tim gati njëzet vjet. Prej kur ka përfunduar lufta banoj aty. Kam një stufë të vogël e dimrit ngrohem me dru që i mbledh kur përfundon një pallat, i bëj tubë-tubë, të holla e të trasha dhe i mbuloj me letër zalli.
Tek po fliste A. e përcolli me vemendje, po sytë i kishte fiksuar në pamjen e tij; një fytyrë e rreshkur nga dielli,palltoja pa pulla, një këmishë e vjetër dhe e palarë, pantollonat e hirta si fytyra e kohës në këtë paravjeshtë..I hutuar A. e pyeti, si i ndrojtur: -Nga të kemi?- i tha.
Plaku ofshau thellë dhe mezi nxori nga thellësia e shpirtit fjalët…jam nga Kukësi vëlla. Në fillim, kur erdha në Kosovë, kishte punë. Bëja çdo punë. Pastroja gërmadhat e shtëpive të djegura, bartja mallter për ndërtim..çdo gjë që më afrohej.Pastaj gjeta punë si bari në malet e Rugovës.Ishte punë më e lehtë për mua. Ajri i freskët, uji i ftohtë e ushqimi i mirë m’i patën mbushur faqet përplot dhe kur e shikoja veten në pasqyrë, më dukej vetja si djalë i ri. Një natë vjeshte. atje ku e kisha strehën e bagëtinë, binte shi dhe ishte furtunë e madhe. M’u duk se era e fuqishme po i shkulte pishat e lisat me rrënjë nga toka. Disa herë u zgjova natën për t”i shikuar bagtinë. Çdo gjë m’u duk në kufi të rojës. Qentë ishin strehuar nën strehë dhe kishin mbledhur trupin .Pastaj u futa në shtratin tim dhe një gjumë i rëndë më kishte rënë mbi sy. Bëja të zgjohem e nuk mundja. Nga orët e vona të natës dëgjoj një lehje të sertë të qenve të lidhur me zinxhirë. Përplasa jorganin me këmbë, vesha pantollonat , hapa derën e sopatën që e mbaja pas dere e rrëmbeva me forcë dhe dola në oborrin e Njëri qen ishte këputur zinxhirët. Kur u futa në vathin e deleve, pashë pika gjaku dhe nisa të ligështohem. Bëra disa hapa drejt bagëtisë…të trembura ishin bërë bashkë e po blegëronin kur më panë. Tri dele ujqit i kishin copëtuar dhe kishin ikur kur qeni Vrisho i kishte këputur zinxhirët dhe ishte përleshur me ujq. Pashë shenja gjaku në qafën e tij dhe turinjtë e çarë. M’u hodh në gjoks sikur donte të më thoshte se tash jam më i fortë.
Të nesërmen , kur erdhi Luta, më qortoi dhe pas një jave më largoi nga puna. E unë sërish u riktheva këtu ku më njohin njerëzit dhe tash ruaj natën sa për një kafshatë goje dhe kur zbret dielli. ulem këtu e shpesh më zë gjumi. Natën rri zgjuar se kam frikë nga hajnat e po më ndodhi si me ujqit që m’i prenë ujqit në vath, do të mbetëm pa punë.
-Ta bëjmë një foto bashkë?- iu lut A. Nuk e kam këtë as për gazetë, as për shpërndarje në fb-uk.
Ai rrudhi ballin dhe mezi nxori fjalët; Të lus , mos më fotografo!
– S e ke emrin, a mund ta di?
Po , po. Bekim e kam . Jam nga Kukësi. Gruaja më vdiq herët e nuk u rimartova . S’kisha kulm mbi kokë e ky kulm që e sot kam frikë se s’do të mund ta kem nesër. Ja , siç më shihni….kam nisur ta humb të pamurit e jeta më ka gërryer si lumi shtratin e vet nëpër stinë.

11.10.2019

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.